Kreu Aktualitet 1 Janar, stop basteve dhe çdo lloj loje fati

1 Janar, stop basteve dhe çdo lloj loje fati

257
0

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në takimin me gra dhe vajza në Laprakë, Tiranë:

Sot zgjodhëm të vijmë këtu, në Laprakë, sepse kjo është një nga zonat më të prekura, ndoshta zona më e prekur në Tiranë nga sëmundja e kumarit, me një numër jo të vogël pikash të basteve. Patjetër që kush e vuan më shumë dhe më drejtpërdrejtë këtë sëmundje me pasojat e veta, deri dhe katastrofike, është familja dhe janë gratë, vajzat, bashkëshortet, gjyshet. Prandaj besoj se ka një vlerë të dyfishtë diskutimi i kësaj teme me ju.

Në ditët në vijim, ne do ta finalizojmë këtë nismë dhe besoj se ditën e enjte, Parlamenti do ta votojë për ta mbyllur përfundimisht çdo debat dhe për t’i vënë fre edhe të gjithë atij përroi të baltës që bashkohet në lumin e baltës të përditshme, me gjithfarë sajesash dhe shpifjesh, lidhur me këtë nismë.

Është fatkeqësi që një numër i konsiderueshëm të rinjsh, qysh fëmijë dhe siç tregojnë edhe studimet e bëra, ata që bien pre e këtij vesi në Shqipëri janë njerëz që e kanë filluar lojën e fatit në afro 70% të tyre në moshën 10-15 deri vjeç. Parafytyroni fëmijë të moshës 10 deri në 15-vjeçarë, – ligji e ndalon rreptësisht që ata të hyjnë në lojë, – që luajnë. Në vend se të shkojnë në shkollë, shkojnë luajnë, vënë baste, fusin lekët që marrin nga prindërit nëpër ato mrrokllat elektronike.

Ashtu sikundër, studimet thonë që, të paktën, 1 në 4 lojtarë fati e ka menduar, qoftë dhe njëherë, vetëvrasjen. 75% e lojtarëve të fatit kalojnë nëpër strese nervore, sikundër në pjesën më të madhe këto strese reflektohen në familje, reflektohen tek marrëdhëniet bashkëshortore, tek marrëdhëniet e babait me fëmijët, kur babai është i sëmurë, apo të fëmijëve kur janë adoleshentë në raport me prindërit, kur janë fëmijët të sëmurë.

Ka njerëz që gabimisht komentojnë sikur Shqipëria, për shkak të mungesës së kapacitetit të shtetit për të kontrolluar këtë aktivitet, po ndërmerr një masë drastike që tregon paaftësinë e shtetit. Por, në fakt, e vërteta është që Franca e ka bërë këtë në mënyrë drastike. Ka bërë ndalimin me ligj të çdo lloj aktiviteti bastesh dhe lojërash fati, jashtë përgjegjësisë së shtetit. Pra, në Francë është monopol shtetëror. Në Gjermani është monopol shtetëror. Në Itali është monopol shtetëror. Nuk ka kompani lart e poshtë që hapin dyqane edhe thërrasin njerëz brenda që të lozin bixhoz. Nuk lejohen. Në këto vende dhe janë vendet më të forta dhe më të zhvilluara të Europës shkon në burg për hapje të një salloni bastesh.

Arsyeja e kësaj qasjeje drastike edhe në vende ku ka një ekonomi tregu dhe një konkurrencë shumë të zhvilluar është pikërisht nevoja për ta kontrolluar, madje në ligjin francez ka një pjesë specifike që thotë, “kujdesi i shtetit për të sëmurët nga lojërat e fatit”. Konsiderohet një sëmundje.

E vërteta është që në Shqipëri ka dhe një komponente tjetër që është po kaq e rëndësishme për t’u pasur në konsideratë. Aktiviteti i bixhozit në Shqipëri financohet në një masë të madhe nga krimi i organizuar. Janë burime financimi kriminale. Janë para që pastrohen përmes aktivitetit të kumarit dhe janë eksponentë të krimit të organizuar që fshihen, ose janë drejtpërdrejtë të përfshirë në këto aktivitete, në pjesën e tyre më të madhe. Nuk mund të them se janë të gjithë njësoj, se askund, asnjëherë, asgjë s’është njësoj, por ky është fakt. Është një fakt me të cilin, ne sigurisht kemi të bëjmë drejtpërdrejtë.

Kjo është një industri që xhiron në vit, një mesatare prej 700 milionë eurosh. Mund të jetë pak më shumë, mund të jetë pak më pak, por nga kalkulimet e bëra, kjo është mesatarja e parave që xhirohen në vit. Imagjinoni, kjo shumë parash, që shkon për lumë, ose për llum, që humbet pa asnjë lloj dobie, pa asnjë lloj produkti, ose që i shkon në xhep krimit të organizuar, të kalojë në konsumin familjar. Pra, të mos dalë kjo para nga shtëpia për të ikur e për t’u tretur tek pika e basteve afër shtëpisë, afër shkollës, apo afër rrugës, por të mbetet në arkën e familjes për konsum familjar, është goxha.

Natyrisht që ka një shqetësim normal për ata që janë të punësuar në këtë aktivitet, apo për ata që kanë investuar që lokalin e tyre, apo një hapësirë tregtare në katin e parë ta kthejnë në një pikë bastesh. Por dëmi kolosal që shkaktohet nga ky aktivitet është i tillë që na detyron, që në radhë të parë të merremi me dëmin kolosal që i shkaktohet shoqërisë dhe që i shkaktohet vendit, deri në kërcënim të sigurisë kombëtare. Më besoni! Janë para që shkojnë në shumë drejtime. Janë para që financojnë media. Janë para që financojnë parti politike.

Ky konsum që do të përfitojë këtë shumë parash do të kërkojë vetvetiu dhe hapjen e të tjera bizneseve dhe ata që kanë këto lokale, ata që kanë këto aktivitete do duhet të ndryshojnë modelin e tyre të fitimit, rrugën e tyre të fitimit, duke pasur parasysh që, njëkohësisht, në 1 janar do të hyjë në fuqi edhe ligji për Tatimin e Fitimit vetëm 5% për bizneset deri në 140 milionë, pra deri në 140 mijë dollarë xhiro në vit, që është një tatim minimal dhe që krijon mundësi për të gjithë ata që jetojnë me një biznes të vogël.

Kjo është rruga dhe s’ka një të dytë. Patjetër që do të kishte qenë një mrekulli sikur të bënim të dyja në të njëjtën kohë, por nuk i bëjmë dot. Nuk bëjmë dot që të sistemohen njëherë këta, pastaj të mbyllen ato.

Ne tentuam të mbyllin kazinotë elektronike, – se dhe ato janë histori më vete, – qysh para dy vitesh. Nuk ia dolëm dot. Presioni mbi deputetët ishte i madh. Nuk u sigurua dot shumica e votave në qeverinë e koalicionit dhe faktikisht u bë një kompromis i keq, për ta shtyrë mbylljen e kazinove elektronike deri në 31 dhjetor. Por bastet nuk ishin në atë kohë. Tani futen dhe bastet, bastet direkte dhe bastet online.

Ju keni dëgjuar të thonë se kjo bëhet se do mbyllen të gjitha, që pastaj të mbetet njëra që do ta kanalizojë të gjithë fitimin te vëllai im.[Çuditërisht, këtë herë nuk doli Taulanti, se ai është kudo, tek të gjitha, madje është edhe këtu prapa nesh, po na dëgjon, por nuk duket tani, e zbulon gjithmonë Saliu me Lulin se ku është, se ju del edhe në ëndërr, ngaqë nuk iu ndahet atyre dhe s’kanë faj që e kanë me Taulantin. Por prapë Taulanti s’do u ndahet.]

Faktikisht është shpifje komplet, sepse, jo vetëm që ne do t’i mbyllim të gjitha, por tani, ne po punojmë që të mund të mbyllim edhe ato adresat në internet që janë adresa bastesh dhe lojërash elektronike jashtë Shqipërisë, pra, që të mos mund dot të hysh nëpërmjet telefonit apo kompjuterit tek adresa që janë jashtë Shqipërisë. Duke pasur parasysh që ka një ndryshim shumë të madh, sidoqoftë, sepse, nëse tek bastoret e rrugëve mund të lozësh me lekë në dorë, nëse te kazinotë elektronike rrugëve mund të lozësh me lekë në dorë, te bastet online do të duhet kartë krediti bankare. Nga kalkulim që ne kemi bërë, menjëherë, 95% e lojtarëve mbeten pa luajtur, shpëtojnë. Por ne duam të shpëtojmë edhe këtë 5%-in dhe jemi duke u përgatitur për këtë.

Në 31 dhjetor, të gjithave ju, – natyrisht asnjëra nga ju s’ka për t’u çuar këtu të thotë, “aman ma shpëto burrin”, ose “ma shpëto çunin, apo nipin”, – ne do t’u shpëtojmë, sidoqoftë dhe të gjitha grave, nënave e gjysheve, në 31 dhjetor do t’ju vijë si dhuratë, që cilido nga burrat, ose çunat e shtëpisë, që e ka këtë sëmundje, do të jetë përfundimisht në prehrin e familjes, nuk do shkojë të ngushëllohet tek loto, për të dalë dhe më i dëshpëruar nga loto.

Në 1 janar nuk do ketë më mundësi për të vënë baste në Republikën e Shqipërisë. Asnjë lloj basti.

Kjo është ajo për të cilën, ne do të hyjmë në Parlament ditën e enjte dhe që do të miratojmë ditën e enjte.

Nuk diskutohet që janë shumë gjërat që nuk shkojnë dhe që duhen adresuar, por hap pas hapi dhe me vendosmëri, ne do t’iu qasemi gjërave, duke bërë më të mirën e mundshme në çdo hap dhe duke pas të gjithë vëmendjen për njerëzit dhe të gjithë angazhimin tonë tek njerëzit. E di që ka 1001 halle dhe siklete. Nuk ka një shkop magjik që të zgjidhen të gjitha përnjëherë. Vite e vite të tëra rrëmuje edhe kaosi nuk fshihen, siç hiqet një fletë kalendari, për t’u zëvendësuar nga një tjetër. Ajo që është më e rëndësishmeje është që kemi mundësi që të bëjmë pak nga pak më shumë.

Paralelisht me këtë masë që, siç thashë, do të kthejë në buxhetet e familjeve shumë para që kanë shkuar kot, do të fillojmë me çekun e bebes, që është komplet ndryshe nga çfarë ishte deri sot. E pata futur unë kur isha në bashkinë e Tiranës, 50 mijë lekë të vjetra, si një mirëseardhje simbolike për çdo bebe.

Ka mbetur aq, qysh atëherë.

Tani do të jetë 400 dollarë për beben e parë, 800 për të dytën, 1200 për të tretën. E meqë është një merak, si i bëhet kur dalin dy përnjëherë, edhe tre përnjëherë, atëherë të jetë e qartë që, nëse dalin dy menjëherë, të dy marrin si të jenë i dyti, pra, secili 800. Nëse dalin tre, secili 1200. Nuk diskutohet që të gjithë njësoj. Nuk kemi vendosur një shifër më të lartë për të katërtin, por çeku është një masë që do të ndihmojë shumë çiftet e reja, patjetër edhe familjet Për shembull, ka raste e ne i kemi ndeshur dhe parë edhe në televizor, një nënë lind tre apo katër fëmijë dhe gjendet papritur e pa kujtuar në një situatë dramatike dhe nuk ka një ligj, nuk ka një mundësi për ta ndihmuar. Me këtë ndërhyrje që bëjmë, do të jetë automatike që do të ndihmohet menjëherë për të tre, apo për të katërt drejtpërdrejtë. Do të jetë një politikë kombëtare, nuk do ketë më histori “ma dha bashkia, nuk ma dha bashkia”. Do të jetë drejtpërdrejtë e lidhur me maternitetet, për të gjithë ato çifte që banojnë në Republikën e Shqipërisë.

Përsëri këtë vit kemi mundësi që të vendosim një paketë solidariteti për pensionistët, në muajin dhjetor, që është bërë tradicionale.

Në buxhetin e ri do të rrisim përsëri pagat për disa kategori, për arsimtarët, për infermierët, për mjekët, për ushtarakët, për policët e burgjeve dhe për diplomatët. Kemi ambasadorët më të keqpaguar në Europë. Tani kemi mundësi që t’i mbështesim pak më shumë, por progresivisht t’i çojmë në një nivel të arsyeshëm të rajonit.

Paralelisht me stimulimin e mëtejshëm të gjithë sistemit të punonjësve të sistemit të burgjeve, kemi edhe një masë tjetër shumë të rëndësishme që ka shkuar në Kuvend, për të izoluar plotësisht këta “të fortët” me profile të larta kriminale dhe për ta bërë praktikisht të pamundur kontaktin e tyre me botën e jashtme dhe brenda për brenda burgut. Do të jemi shumë të ashpër me të ashtuquajturit “të fortët”. Nesër, besoj, publiku do të njihet me rezultatin e një tjetër operacioni që është në vijim e do të vazhdojë intensivisht deri kur “i forti” i fundit i këtij vendi ta kuptojë që nuk ka “të fortë” kur del nga shtëpia. Kur del nga shtëpia, i forti është komuniteti.

Nuk është asnjë person që i bën karshillëk komunitetit dhe nuk ka për të qenë problemi i komunitetit apo problemi i shtetit, kur “të fortët” dalin nga shtëpia, por do jetë problemi i të fortëve kur të hapin derën e shtëpisë dhe kur të kalojnë pragun, sepse ne do t’i detyrojmë që ose të vihen në rresht si gjithë të tjerët dhe të respektojnë ligjin dhe të respektojnë këdoqoftë rreth e rrotull, qoftë i moshuar, qoftë grua, qoftë vajzë, qoftë i pamundur, ose përndryshe, ka vetëm një vend për ta, aty ku shkuan sot ata që janë aty brenda e ku do shkojnë të gjithë ata që nuk do të duan të rrinë brenda kornizës së rregullave dhe të ligjit.

Historia që një lagje e tërë rri dhe shqetësohet pse filani apo ky fis e ai fis na paska makina e na paska muskulaturë të zhvilluar, do të mbarojë në këtë vend. Kjo është një histori që vazhdon prej vitesh të tëra. Këto janë tarbiate dhe sjellje që prej vitesh kanë fituar një lloj qytetarie, tamam si ato ndërtimet pa leje që janë të palegalizueshme.

Në këtë aspekt, unë dua t’i siguroj të gjithë që shteti do jetë në krahun e çdo qytetari dhe çdo familjeje.

Një gjë dua ta them shumë qartë, sepse është e nevojshme. Është e nevojshme për të qenë të drejtpërdrejtë dhe nga ana tjetër është e nevojshme për të pasur, për të forcuar ndërveprimin me njerëz të zakonshëm. Për të qenë të drejtpërdrejte, ne kemi ende shume problem me shërbimet që ju merrni në zyrat e shtetit, por, nga ana tjetër, ju të gjithë e dini që sot, ndryshe nga dje, keni në dispozicion Platformën e Bashkëqeverisjes, që mjafton të çoni fjalë me një klik në telefonin tuaj, nga kompjuteri në shtëpi, apo tek kompjuteri i njësisë administrative, për një problem apo një hall që keni më administratën dhe brenda 10 ditëve, problemi dhe halli adresohet dhe zgjidhet.

Është mënyra më e thjeshtë për të marrë atë që të takon, pa pasur nevojë që të shkosh të kërkosh mik a të shkosh e të presësh 100 herë tek zyra e pa pasur nevojë që të fusësh dorën në xhep. Madje, më e rëndësishmja për sa na takon ne është që mbasi njerëzit zgjidhin hallin, ne merremi me hetimin administrativ se kush e kishte fajin që kjo zgjidhje nuk u dha në kohë.

Shumë faleminderit për mikpritjen dhe për vëmendjen!

* * *

Një masë e re është pjesë e buxhetit për financimin e një trupe oficerësh sigurie, në të gjithë shkollat e mesme të Republikës. Ne kemi pasur goxha rezultate pozitive. Është vetëm fillimi i kësaj eksperience, pasi oficeri i sigurisë nuk është vetëm një polic, por nuk është as një mësues. Është një person që ka kryer Akademinë e Sigurisë, që ka marrë kurse përkatëse për marrëdhëniet me komunitetin dhe leksione të psikologjisë dhe të sociologjisë dhe që është aty një pikë referimi për mësuesit, për prindërit, për drejtorinë e shkollës dhe për vetë nxënësit. Është një sy që i ndjek gjatë gjithë kohës jashtë klasës, që nga momenti kur kapërcejnë derën, pragun e shkollës për të kryer procesin mësimor dhe që merret që me ndalimin e daljes jashtë në orar të mësimit, deri tek identifikimi i problematikave që ai referon drejtorisë, ai referon prindërve, apo ia referon dhe policisë sipas nevojës.

Kemi diskutuar dhe një masë tjetër që ka të bëjë me alkoolin. Jemi duke punuar që të shkojë një mesazh shumë i qartë për të gjithë lokalet që tregtojnë alkool, që, në rast se do të kapet një lokal që i tregton alkool një vajze apo një djali, apo një grupi të rinjsh nën moshën 18 vjeç, do të merren masa drastike ndaj lokalit, deri mbyllje për një vit, në rast të përsëritur.

Ndërkohë po diskutojmë masën në momentin kur ndodh për herë të parë, do të jetë 3 muaj apo do të jetë 6 muaj. Mbyllja e lokalit imediate, për çdo rast kur ju tregtohet alkool vajzave dhe djemve që janë nën moshën 18 vjeç, apo kur ndodh diçka e tillë gjatë orëve të mësimit, pra kur janë në lokal, pavarësisht se pinë alkool apo nuk pinë alkool. Lokalet nuk mund të jenë klasa alternative e atyre fëmijëve që prindërit i nisin për në shkollë, i nisin për të mësuar dhe që përfundojnë nëpër lokale gjatë orarit të mësimit.

Do të bëhet një punë e drejtpërdrejtë me të gjithë pronarët e lokaleve dhe besoj që duke filluar nga 1 janari do të jemi gati dhe të qartë për si do trajtohet çdo lokal që do të pranojë nxënës shkollash brenda gjatë orës të mësimit, edhe sikur biskota të jenë duke ngrënë dhe pastaj, më e keqja, kur do të tregtohet pija alkoolike për ata që janë nën moshën 18 vjeç. Kjo vlen për orën e mësimit dhe vlen për 24 orë të tëra, se janë mbushur lokalet me 15 vjeçare dhe me 16 vjeçare që pinë alkool. Kjo është e patolerueshme. Siç dënohet deri në ekstrem në vende që janë demokracitë më të zhvilluara, do të dënohet deri në ekstrem dhe këtu në vendin tonë.

Shumë faleminderit dhe njëherë!

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here