Kreu Ditar 10 vjet pa shoqen e jetës

10 vjet pa shoqen e jetës

260
0

Në fillim të këtij shkrimi, po kujtoj disa rreshta të shkruara vite më parë, në Maj të vitit 1965 në gazetën “Zëri i Rinisë” për një jetë interesante të sekretarit të rinisë së Fabrikës së Kurbneshit, Idriz Pasha. Zakoni çnjerëzor i hasmërisë, e la jetim në moshën më të njomë, 4 vjeç, sepse gjaksorët i vranë babain. Idrizi filloi shtegtimin nëpër Atdhe që në moshën 12 vjeçare. Punoi në Hidrocentralin “Karl Marks”. Atje mësoi profesionin e saldatorit, montatorit e mekanikut. Mbasi mbaroi një kurs për udhëheqës rinie në Kavajë në fillim të vitit 1958, po në këtë vit shkoi në Kurbnesh për të dhënë kontributin e tij në zhvillimin e kësaj krahine të prapambetur. Aty i lindi edhe dëshira e madhe për të krijuar familjen e tij, një familje bazuar në moralin e ri të klasës punëtore. Jo, ai nuk iu përmbajt zakonit të vjetër e poshtërues për të blerë me para gruan, njeriun me të cilën do të ndërtonte një jetë të tërë. Këtë familje, ai do ta krijonte mbi bazën e dashurisë, kësaj ndjenje të bukur që e frymëzon dhe e pasuron  jetën e njeriut.

Dhe Idrizi, njohu një vajzë të tillë në Fushë-Krujë, kur kalonte pushimet pranë të afërmeve të tij. I tregoi vajzës se jeta që do të kalonin sëbashku ndër male, do të ishte ndoshta e ashpër. Dhe sa bukur i përgjigjet ajo: “Unë të kam dashuruar ty, e, kudo që të jesh ti, jeta do të më duket e bukur”. Më 10 Janar të këtij viti, ai u martua dhe erdhi në Kurbnesh. Kishte shumë dëborë. Në një dhomë të Qytetit, Idrizi festonte krijimin e familjes së re, siç tregon ai, jetonte i lumtur.

Zef Karakuqi, gazetar i gazetës “Zëri i Rinisë” në Kurbnesh, 1 Maj 1965. Por si u njoha unë me Ollgën, e cila do të bëhej dhe gruaja ime e jetës. Unë punoja në uzinën “Enver” me shërbim njëvjeçar për llogari të uzinës së bakrit Rubik. Të shtunave, disa herë shkoja tek xhaxhai im, Sali Pasha. Një të shtunë pasdite, po rrija në oborrin e komshiut që vetëm një tel i ndante të dy oborret. Prej aty, doli një vajzë, e cila më tërhoqi vëmendjen me portretin e saj, me flokët bionde të hedhura mbi supe. Ajo po ushqente lepujt që i mbante në fund të oborrit dhe unë nuk ia ndava sytë edhe pse ajo ishte 5-6 metra larg nga unë. Deshi apo rastësisht, ktheu shikimin nga unë dhe më shikoi me ato dy sytë bojë qielli, të cilat m’u dukën si dy copa qielli! Në çast, zemra ime filloi të rrihte. E, thashë me vete! Idriz, koha e shumëpritur për të gjetur një vajzë që të të pëlqejë, erdhi…

Hyra brenda dhe pyeta xhaxhain: E kujt është ajo cucë që doli në oborrin e komshiut? Është motra e Kiços, me origjinë nga Përmeti por që në vitin 1944, jetonin në Sarandë. Përse më pyet, më thotë. E, po tani jam rritur unë! Paske rënë në “grackë”. Po,po kur i pashë sytë e saj, m’u dukën si dy shigjeta që m’u ngulën në gjoksin tim. Eshtë vajzë e bukur dhe shumë punëtore. Babai i saj, Jani Dhima ka qenë partizan në Brigadën e I-rë S, komandant njësiti e ndër komunistët e parë. Ta thërras të vijë këtu, se kemi hyrje-dalje të mira si komshinj. Po, thirre të vijë. Ai e thirri dhe Ollga s’vonoi dhe erdhi. U çova në këmbë për respekt. Na prezantoi Sala, i shtriva dorën, por ajo hezitoi pak, por ede ajo e shtriu dorën duke më dhënë majat e gishtave.

Ollgë, thotë xhaxhai, ky është nipi im, Idriz, ia thonë emrin, e ka zënë sevdaja me ty qysh në momentin kur ti dole në oborr. Prandaj, ai kërkon dorën tënde. Ndërhyra unë: edhe emrin e paske të bukur, kur punoj në Ulëz, bashkëshorten e një inxhinieri rus, e quanin Ollga, një bionde shumë e bukur, sikur të ishte motër me Ollgën këtu! Epo, edhe kjo ortodokse është. Ollga ngriti kokën e më shikoi drejt në sy. Po të doni dorën time, unë kam familje, babain, nënën, 5 vëllezër e 4 motra.

Të nesërmen që në mengjes, vajtëm tek komshiu, Kiço, 10 metra larg nga shtëpia e Salës. Trokitëm. Na hapi derën bashkëshortja e Kiços. Sot, thotë xhaxhai, erdha me nipin tim, Idriz e ka emrin, për të kërkuar dorën e motrës tënde, Ollgës, për t’u lidhur e jetuar së bashku gjithë jetën. Faleminderit, o Salë për respektin ndaj familjes time, por motrën e kam të vogël akoma… Të nesërmen erdhi Nue Kol Marku nga Mirdita. Më pa në oborr dhe tha: Po ti Idriz çdo këtu? I tregova se isha nipi i Salës dhe i thashë gjithçka, sepse Nuja punonte në Bistricë me babain e Ollgës dhe ishin shumë shokë. Edhe unë kisha punuar me Nuen në Kurbnesh. I dhashë një letër në dorë për të jatin e Ollgës sepse ai do të vinte pas dy ditësh këtu në Fushë-Krujë. Erdhi përgjigja e letrës nga babai i Ollgës, ku mes të tjerash shkruhej: “Kiço, mos i pengo të rinjtë, po ta duan njeri-tjetrin, le të lidhen se më tha Nuja se kush është Idrizi. Sikur edhe 100 vajza të kisha, do t’ua jap djemve si Idrizi”. Letrën e lexoi edhe Ollga dhe kështu ne u gëzuam të dy.

Më pas, lam takim te dritarja e saj, sepse ajo kishte dhomë më vete. Pas darke vonë, vajta poshtë dritares. Ollga doli dhe ndenjëm 2-3 orë duke biseduar. Më pas dritaren, të dy do ta quanim “Dritarja e dashurisë”. Kështu vazhduam deri në fund të vitit 1963 dhe në Janar të vitit 1964, u ktheva në Kurbnesh, pasi kisha kryer detyrën në uzinë. Për këtë detyrë të rëndësishme, më shpërblyen moralisht me dekorata dhe ekonomikisht më dhanë dy shpërblime në të holla një drejtor i Rubikut, Frrok Pjetër Gega dhe një drejtor i uzinës “Enver” Hajredin Çeliku.

Me Ollgën lidhëm korrespondencë me letra çdo tre ditë. Gjatë gjithë vitit 1964, unë çdo dy javë shkoja në Fushë-Krujë dhe bisedoja me orë të tëra. Erdhëm edhe në Tiranë, bëmë edhe foto (ja këto) në fund të vitit 1964. Për Vit të Ri, vajtëm te Ollga. Më 9 Janar u nisa nga Kurbneshi në këmbë se ishte borë e madhe deri në Rreshen. Aty gjeta një makinë ushtarake që shkonte për në Tiranë. Ishte aksham dhe më mori deri në Fushë-Krujë. Vajta te xhaxhai dhe si zakonisht tek “Dritarja e dashurisë”. Takova Ollgën dhe ia preva shkurt: nesër do të ikim në Kurbnesh. Filloi të qante duke thënë: Ku t’i lë Arturin, Grestin, Alqin tre djemtë e Kiços? E po, kanë prindërit e tyre. Atëhere bëhu gati në mëngjes se do të nisemi. Për këtë  mora aprovimin e xhaxhait. Unë para marrë aprovimin e nënës time, të vëllait të madh, Zyberit e të dajës, Rexhep Vata.

U nisëm për në Rreshen dhe fjetëm në hotel më 9 Janar dhe të nesërmen u nisëm në këmbë drejt Kurbneshit. Fati jonë, dhe vjen një makinë me zinxhir. Ishte njeriu im, na mori deri te fabrika e Kurbneshit dhe shkuam në këmbë në qytet. Kishte borë e akull, kurrë s’e kisha parë Ollgën, sepse ishte rritur në Sarandë. Vajta në dhomën time në një hyrje. Erdhën të afërm e shokë të më uronin. Mora lejen e zakonshme. I prita të gjithë kush vinte. Mbas disa kohësh e sistemova në punë Ollgën, përgjegjëse administrate në ndërmarrjen minerale Kurbnesh, detyrë që e kreu me nder për 4 vjet. Përveç punës, unë me Ollgën u ingranuam në grupin e estradës në Kurbnesh dhe kemi dhënë çfaqje në gjithë Shqipërinë verilindore deri edhe në Tiranë. Unë isha dhe anëtar i byrosë së rinisë së rrethit Mirditë.

Në vitin 1969, me urdhër të Ministrisë, më transferuan në Burrel për të ndërtuar uzinën e ferrokromit në Komsi, Burrel. Por afatin e shtynë kinezët për të sabotuar, prandaj fillova punë në gjeologji. Më 1975, filloi uzina dhe më caktuan brigadier montimi deri në përfundim. Ollgën e sistemova në korpusin ushtarak në Burrel në sekretari të tij ku kisha dhe kushëririn e parë të babait tim, Kadri Pashën, oficer në zyrën sekrete të Korpusit. Mbas disa kohësh, Ollgën e transferuan shefe administrate në KE në Burrel. Aty kishte shumë punë dhe meqenëse e njihte sekretarin e parë Mustafa Pajegën, i kërkoi një punë më të lehtë sepse kishim dy fëmijë (të lindur në Kurbnesh dhe dy na lindën në Burrel). Sekretari e dërgoi përgjegjëse administrate në ndërmarrjen tregtare të Matit ku dhe doli në pension të parakohëshëm. Ollga gjatë 30 e ca viteve pune, u dekorua dy herë dhe iu dhanë shumë stimuj të tjerë moral e material.

Edhe unë duke punuar 45 vjet në tre profesione me kategori të shtatë dhe në Elbasan me komision shtetëror për novatorizëm, më dhanë titullin “Mjeshtër prodhimi”. Gjashtë herë i dekoruar me Medalje e Urdhëra Pune dhe “Qytetar Nderi i Matit” me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë. Kam kryer 5 kurse për udhëheqës rinie, udhëheqës i BP, për gazetari, shofer dhe saldator-montator. Që në vitin 1955, kam bashkëpunuar me shtypin si korrespondent në të gjitha gazetat e kohës pas 90-ës dhe vazhdoj akoma të shkruaj në gazetën “Zëri i Popullit”, “Shekulli” etj. Me Ollgën rritëm një vajzë, fëmijën e parë dhe tre djem e 8 nipa e mbesa në mënyrë shembullore, të gjithë si në Kurbnesh, Burrel e këtu në Tiranë na respektonin si çift shembullor.

12 vjet banuam tek Parku i autobusëve në Tiranë e tani banojmë afër pallatit me shigjeta. Ollga ime e dashur, pak e gëzoi shtëpinë e re, se erdhi 16 Prilli 2009, nga një atak në zemër, ndërroi jetë. Pra, Prilli çel lule dhe këngë bilbilash ndërsa atë të Enjte të 16 Prillit, në shtepinë tonë, mbolli zi dhe vetëm zi se mbas 44 vitesh të martuar e dy vjet të dashuruar, ajo më la. Zoti e mori, mbase e dërgoi në Qiell se ajo ishte si Nënë Tereza, humane dhe e dashur…Të parin më la mua jetim, sepse më gjeti pa prind dhe jetim më la edhe ajo, shoqja e jetës. Ollga la në pikëllim Adelinën, vajzën e vetme, fëmijën e parë, ishin si motra, Adrianin, Dritanin dhe Gencin. La në pikëllim vëllezër e motra dhe të afërm të saj. Më 17 Prill 2009 e dërguam në banesën e fundit në Sharrë e shoqëruar me mbi 1000 vetë nga Burreli, Saranda, Tirana dhe i dhamë lamtumirën e fundit në mënyrën më shëmbullore.  Për 24 orë rresht, mua më tradhtuan sytë duke lotuar papushim, ashtu edhe vajzës e djemve. Atë ditë i dhanë lamtumirën e fundit duke i bërë homazhe edhe nga gazeta “Mati” me botues Qemal Cenin; “Kushtrim Brezash” me autor Kiço Lakon etj. Të pranishmit në varrim, ishin të afërmit tanë dhe të Ollgës, të cilët lotonin për njeriun e tyre të dashur dhe për një njeri të nderuar dhe të respektuar në shoqëri.

Tani, Ollga mbush 10 vjet që është ndarë nga jeta dhe dergjet në varr, aty ku prehen edhe eshtrat e saj. Unë, shoku i jetës së saj që më la të mjerë në moshën 80 vjeçare, e kam thikë në zemër mungesën e saj. Kam fëmijë, nipa e mbesa plot, por ajo zinte vend të veçantë në jetën time. Fëmijët janë të martuar, të gjithë të kenë jetë të gjatë me fëmijët  e tyre dhe i lënça prapa, por në filozofi thuhet se brezat janë në kontradiktë, jo antagonist me njeri-tjetrin, kanë ardhur kohë të pakuptueshme, dhunë në familje me përmasa të mëdha, viktima në gra e vajza.

Më kujtohet në një kongres të grave në qytetin e Lezhës, ndër të tjera u tha me të madhe: “Të ngrihet i gjithë populli shqiptar në këmbë dhe të luftojë me zjarr e hekur cilindo që merr nëpër këmbë të drejtat e grave dhe vajzave shqiptare”. Akoma kjo thënje është aktuale e duhet të zbatohet nga të gjithë ne. Unë, idriz Pasha, mbasi më vdiq shoqja e jetës, jam gjysëm njeriu, bile më pak, unë do t’u bëja thirrje burrave që t’i duan gratë ashtu si vetja e tyre, se gruaja është vajzë, motër, nënë, mbesë e gjyshe e dikujt, pra emërues i përbashkët “Fabrika e njerëzimit”.

Unë tre vitet e para shkoja çdo tre ditë te varri i Ollgës së dashur, por tani vitet e fundit, shkoj çdo ditë të Enjte. Kjo është dita në të cilën ajo ndërroi jetë, shkoj dhe i vendos lule shumëngjyrëshe sepse si lule zambaku i qeshte fytyra. I ndez qiri, cigare, i puth fotografinë te guri i varrit duke i lënë lot malli. Dikush më thotë: je malësor, bëhu burrë, zemrës veri një gurë, nuk qan burri për gruan. Këtë njerëz mos e provofshin si unë, se ta dijë lexuesi: Ollga jetim më gjeti e jetim më la në një moshë që unë kisha shumë nevojë. Ia kam rrethuar me lule e pemë dekorative vendin ku ajo prehet. Deri sa të ecë me këmbët e mia, çdo ditë të Enjte, do të shkoj tek varri i saj si të ishin tre zonja të dashura të jetës sime: Nëna ime Hanen, Ollga, shoqja ime e jetës; vajza ime Adelina, të cilat i kam dashur dhe do t’i dua sa të kem frymë. Edhe nipat e mbesat, por këto të treja të parat, janë idhujt e mij të jetës. Amanet do t’i lë vajzës, Adelinës, kur…të më çojë pranë Ollgës dhe të më veri lule siç i ka vënë nënës së saj, Ollgës. 10 vite pa e parë, lotët s’i janë tharë Idrizit… Edhe këtë të Dielë të Pashkëve ortodokse, te varri i saj do të vendos lule dhe derdh lot malli. “Shpirti të shkoftë në xhenet e parajsë. Ollgës, i vura lule dhe derdha lot, o bukuri përrallore bashkëshorte,nënë e gjyshe shembullore,shpejt shkove, pse na le,që ishe shenjtore, pse s’na the!”. 10 vite u bënë që s’të kam parë,/Qaj moj zemër qaj,/qaj e mos pusho,/çdo ditë të dashurën tënde, Ollgën, të kujtosh,/deri kur pranë saj,/ në atë jetë të shkoj.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.