Kreu Aktualitet 200 shtëpiza-kontenierë për strehimin e përkohshëm të familjeve të prekura nga tërmeti

200 shtëpiza-kontenierë për strehimin e përkohshëm të familjeve të prekura nga tërmeti

117
0

Një lajm i mirë për familjet e prekura nga tërmeti në zonat rurale dhe që këto ditë po i kalojnë në çadrat dimërore. Bashkia e Tiranës ka porositur 200 shtëpiza në formë kontenieri për strehimin e përkohshëm të këtyre familjeve në këto ditë të ftohta, kryesisht në zonat rurale, të cilat nuk kanë pranuar të largohen që aty. Një prej përfitueseve të para është familja e Bedri Shkallës në Farkë, të cilës iu shemb shtëpia nga tërmeti i 26 nëntorit. Gjashtë anëtarët e kësaj familje janë strehuar në një shtëpizë-kontenier, dhuratë nga familja e filantropit Lazim Destani, e cila ofron të gjitha kushtet për të kaluar dimrin, deri në montimin më pas të banesave të reja nga qeveria shqiptare.

Ata u vizituan ditën e sotme nga Kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, të cilët e siguruan se falë projektit të qeverisë shqiptare, shtëpitë e reja do të jenë model. “Kjo është vetëm një zgjidhje e përkohshme. Kryeministri na la porosi që ku ka fëmijë të vegjël, ku çadra nuk është komode, kemi porositur kontenierë. Kemi 200 familje me fëmijë të vegjël dhe që nuk kanë një plan B tek një i afërt, ndërkohë me porosi të kryeministrit kemi filluar edhe pastrimin e territoreve ku do jenë lagjet e reja. Ti që je në tokën tënde dhe në një lagje të urbanizuar, do ta sjellim shtëpinë këtu, siç e porositi kryeministri. Ndërkohë, për të tjerët, do t’i grupojmë, p.sh në Baldushk, ku më the se ke vëllain, atje kemi gjetur një tokë dhe ato 50 familje më mirë me i sjellë në një vend”, sqaroi Veliaj.

Teksa garantoi për cilësinë e shtëpive të reja, kryeministri Rama theksoi se në fillim të pranverës do të fillojë edhe montimi i tyre. “Kjo nuk është çështje parafabrikati apo tullash. Kjo është çështje që të kemi shtëpi më të mira, më të forta, shtëpi antisizmike. Ato që do të vijnë i kanë të gjitha ato parametra, janë shumë komode, i përdor Amerika, Gjermania, e vende të tjera. Po ecim shumë shpejt me punët edhe besoj që në fillim të pranverës, do të fillojmë të montojmë shtëpitë e reja”, tha ai.

Rama u shpreh se lagjet e reja që do të krijohen do të plotësojnë të gjitha kushtet për familjet që do të vendosen aty dhe do të krijojnë një perspektivë të re. “Do kenë kushte shumë më të mira dhe do jenë më afër me njëri-tjetrin, por jo thjesht për njeri-tjetrin, por më afër me shërbimet, më afër me çerdhen, me kopshtin, shkollën, qendrën shëndetësore. Ndërkohë, toka i mbetet atij që e ka, është tokë bujqësore, fermë e vogël, me bagëti etj. Të shkojë i zoti i punës ta punojë dhe të kthehet në shtëpi, jo të shkojë e gjithë shtëpia”, nënvizoi Rama.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.