Home Aktualitet Angazhimi i SHBA-së në Ballkan, është jetik

Angazhimi i SHBA-së në Ballkan, është jetik

123
0
SHARE

Është e rëndësishme për Shtetet e Bashkuara të thellojnë angazhimin e tyre në Ballkan, në një rajon që përballet me kërcënime nga terroristët, si dhe nga  Rusia, ka thënë Ministri i Jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati në Uashington më 21 mars.

Në shkurt, Kryeministri shqiptar Edi Rama paralajmëroi se Gadishulli i Ballkanit është në rrezikun e rënies nën ndikimin e Rusisë në qoftë se kjo injorohet nga administrata e re e presidentit amerikan, Donald Trump.

Bushati pranoi në një intervistë me “New Atlanticist” se, rajoni po përballet me disa “sfida të sigurisë.” Rusia, për shembull, është duke u përpjekur shumë për të frenuar shtetet e Ballkanit nga procesini anëtarësimit në Bashkimin Europian (BE) dhe NATO, tha ai. “Kur flasim për rrugën euroatlantike dhe procesin e anëtarësimit në BE, ne duhet të marrim parasysh efektin transformues të reformave”, shtoi ai.

Reforma në drejtësi është një kusht themelor i BE-së për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë. Partia Demokratike në opozitë i ka penguar këto reforma. Protestat e gjata prej disa javësh nga Partia Demokratike kundër Kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe vendimi i kësaj partie për të bojkotuar parlamentin, kanë bllokuar krijimin e organeve që do të verifikojnë 750 gjyqtarë dhe prokurorë.

Bushati tha se Partia Demokratike po pengon procesin e pranimit të Shqipërisë në BE. “Është mjaft paradoksale të shikosh një parti politike e cila e ka pozicionuar veten kundër erës dhe kundër vullnetit të shqiptarëve”, tha ai.

Ministri i kërkoi Shteteve të Bashkuara dhe BE-së të thellojnë angazhimin e tyre me Shqipërinë. Ky angazhim, tha ai, duhet të përqëndrohet me shumë vëmendje në tri shtylla: në reformën e sektorit të sigurisë, reformën e drejtësië dhe zhvillimin ekonomik.

Mbështetje për BE-në:

Mbështetja për BE-në është zbehur në disa nga shtetet anëtare të saj, ku politikanët anti-BE janë nxitur nga një valë populizmi. Në Mbretërinë e Bashkuar, për shembull, Kryeministrja britanike, Theresa May, pritet që më 29 mars të nisë procesin e tërheqjes së vendit të saj nga BE.

Megjithatë, mbështetja për BE-në në Shqipëri mbetet e lartë.

“BE-ja është parë si një fuqi magnetike nga ana e vendeve europiane të cilat janë në procesin e anëtarësimit me Bashkimin Europian”, tha Bushati. Në rastin e Shqipërisë, shtoi ai, “kjo është konsideruar si një nxitje për të zhvilluar ekonominë, për t’a transformuar shoqërinë dhe për të modernizuar mënyrën se si funksionojnë institucionet dhe jeta publike në vend”.

“Sigurisht, është reciprokisht e dobishme”, shtoi ai. “Kjo është e dobishme për Bashkimin Europian, sepse ne jemi duke folur në lidhje me zgjerimin e rrezes së influencës dhe stabilitetit demokratik të BE-së në të gjithë kontinentin.”

Ditmir Bushati dha një intervistë për kryeredaktorin e “New Atlanticist”, Ashish Kumar Sen.

Pyetje: Kryeministri Rama kohët e fundit paralajmëroi se ekziston rreziku i rënies së Ballkanit nën ndikimin e Rusisë në qoftë se rajoni injorohet nga administrata Trump. A jeni ju dakord?

Bushati: Rajoni është duke u përballur me disa sfida të sigurisë. Njëra ka të bëjë me luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizimit, dhe një tjetër ka të bëjë me qëndrimin frenues të Rusisë apo aktorëve të tjerë të tretë në lidhje me anëtarësimin në BE dhe rrugën euroatlantike të rajonit tonë. Kur flasim për rrugën euroatlantike dhe procesin e anëtarësimit në BE, ne duhet të marrim parasysh efektet transformuese të procesit të reformave.

Ne jemi mësuar me një prezencë amerikane në rajonin tonë. Ballkani Perëndimor, apo Ballkani në përgjithësi, është konsideruar si një histori suksesi e politikës së jashtme amerikane. Falë kësaj politike të jashtme amerikane, në ndërveprim me Bashkimin Europian, Ballkani është në një formë më të mirë se më parë. Por ne jemi në kërkim të një perspektive bindëse për qytetarët tanë që do t’i sigurojë atyre prosperitet ekonomik dhe modernizim të shoqërisë. Kësisoj edhe procesin e anëtarësimit në BE.

Pyetje: A janë Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja të fokusuara mjaftueshëm në Ballkan? Ç’farë duhet të bëjnë më shumë?

Bushati: Ka tri shtylla ku SHBA-ja dhe BE-ja duhet të jenë më të fokusuara. Shtylla e parë ka të bëjë në mënyrë rigoroze me reformat për çështjet e sigurisë, me procesin e transformimit të forcave të sigurisë, policisë, ushtrisë, shërbimeve inteligjente. Vendi im është një rast i tillë ku ne i kemi zhvilluar këto reforma në konsultim të ngushtë me SHBA dhe i’u bashkuam kësisoj NATO-s në vitin 2009. Gjithashtu, ka dhe vende të tjera që kanë kaluar nëpër të njëjtën rrugë transformimi, por procesi nuk ka përfunduar ende në të gjitha vendet e Ballkanit.

Shtylla e dytë ka të bëjë me reformat e sundimit të së drejtës. Drejtësinë, krimin e organizuar, korrupsionin, të drejtat themelore, këto janë fushat në të cilat kemi nevojë për më shumë ndërveprim mes SHBA dhe BE. Për shembull, në dy vitet e fundit, Shqipëria ka qenë e përfshirë në një proces të paprecedentë, të thellë dhe tërësor të reformës në drejtësi në bazë të së cilës do të verifikohen të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët. Do të ketë një verifikim të integritetit moral dhe profesional, si dhe të pasurisë së tyre. Jemi të sigurtë se këto reforma do të kenë ndikim të madh në jetën e përditshme të qytetarëve, reforma që do tërheqin më shumë investime dhe do të shoqërohen në përgjithësi me rritjen e besueshmërisë së institucioneve të sundimit të së drejtës.

Dhe shtylla e tretë, si pasojë e të parës dhe të dytës, është zhvillimi ekonomik. Duhet të zvogëlojmë hendekun ekzistues midis Ballkanit Perëndimor dhe mesatares së vendeve anëtare të BE-së. Duhet të sjellim më shumë investime në vend, por njëkohësisht duhet të zbatojmë reformat që rrjedhin nga dy shtyllat e tjera.

Ndaj i shoh këto çështje si të ndërlidhura. Dhe rolin e SHBA-ve dhe të BE-së si vendimtare në këtë proces.

Pyetje: Në një kohë kur ka pakënaqësi me BE-në nëpër Evropë, si e shpjegoni mbështetjen për anëtarësim në BE nga na e publikut tuaj?

Bushati: BE-ja shihet si një pol tërheqës në vendet Europiane që janë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian. Në rastin tonë, shihet si një nxitje për zhvillimin e ekonomisë, transformimin e shoqërisë, modernizimin e mënyrës së funksionimit të institucioneve dhe jetës publike. Pikërisht, kjo është arsyeja përse procesi i anëtarësimit në BE apo integrimi Eurooian shihet si një proces në shoqëritë tona.

Sigurisht, përfitimet janë reciproke. Është e dobishme për Bashkimin Europian, sepse jemi duke folur për zgjerimin e fuqisë dhe stabilitetit demokratik të BE-së në të gjithë kontinentin.

Pyetje: Presidenti Trump ka deklaruar synimin e tij për të përmirësuar lidhjet me Rusinë. A mund të thoni në cilat kushte duhet ndjekur një rivendosje e marrëdhënieve SHBA-Rusi?

Bushati: Përmirësimi i marrëdhënieve midis fuqive gjithmonë mund të sjellë rezultate pozitive edhe për vendet e tjera. Jam i sigurt se rivendosja ose përmirësimi i marrëdhënieve midis SHBA-Rusi nuk do të ndodhë përtej vijave të kuqe të politikës së jashtme amerikane.

Pyetje: A jeni të shqetësuar se administrata Trump mund të jetë tepër e butë me Rusinë dhe si po zhvillohet ky perceptim në rajonin tuaj?

Bushati: Nuk kemi parë ndonjë veprim në këtë drejtim. Deri më tani mesazhet e ardhura nga administrata e re kanë qenë mjaft të qarta për forcimin e NATO-s, për më shumë shpenzime në fushën e mbrojtjes për NATO-n, për të qenë më aktivë në çështjet që lidhen me arkitekturën e sigurisë europiane. Kemi marrë mesazhe sigurie nga administrata Trump në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm. Por, duhet të shohim se si do të zbatohen këto politika në të ardhmen e afërt.

Pyetje: Çfarë ndikimi kanë pasur protestat e udhëhequra nga Partia Demokratike mbi perspektivën e anëtarësimit të Shqipërisë në BE?

Bushati: Fatkeqësisht, opozita është duke penguar procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, pasi zbatimi i ligjit të Vettingut është kushti kryesor për të filluar negociatat për anëtarësim. Është paradoksale të shohësh një parti politike që e ka pozicionuar vehten kundër erës dhe kundër vullnetit të shqiptarëve. Zbatimi i ligjit të Vettingut do të ketë pasoja pozitive për sundimin e së drejtës dhe reformat e lidhura me të si dhe do të rrisë besimin e shqiptarëve në institucionet e shtetit të së drejtës.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here