Home Politike Ilir Meta Presidenti i ri i Shqipërisë

Ilir Meta Presidenti i ri i Shqipërisë

141
0
SHARE

Fjala e Presidentit të sapozgjedhur të Republikës së Shqipërisë, z. Ilir Meta:

Faleminderit zonja drejtuese e seancës,

Faleminderit z. Ulqini, për urimin tuaj,

Faleminderit të gjithë kolegëve dhe kolegë deputetë që morën pjesë, të gjithë kolegeve dhe kolegët që votuan pro.

Pa dyshim një falënderim të veçantë edhe kolegëve që votuan kundër, por dua të falënderoj në mënyrë të veçantë kolegët që mungojnë këtu, pasi me mungesën e prezencën së tyre ata në njëfarë mënyre më kanë nxitur për të pranuar kandidimin dhe këtë përgjegjësi shumë të rëndësishme.

Nuk kam përgatitur ndonjë fjalim dhe pak më parë më erdhën dy fjalime të improvizuara dhe sa kam dëgjuar këshillat e z. Dokle, kam patur sukses. Kështu që po flas pa letër.

Çdo politikan është gjithmonë midis dy raporteve: pushtetit dhe demokracisë. Unë kam zgjedhur dhe do të zgjedh gjithmonë demokracinë në raport me pushtetin, sepse pushtet ka vetëm në vendet demokratike.

Dhe kjo për një arsye shumë të thjeshtë. Kur lexoj relacionin kolegia Hysi përmendi që unë kam lindur në Çepan të Skraparit. Çepani i Skraparit është një fshat shumë i thellë malor, në një rreth që dihet ndër më malorët dhe më të thellët në Shqipëri.

Kur unë kam qenë student ëndrra që kisha unë maksimale, ishte për t’u bërë pedagog dhe profesor Angjeli që ka qenë edhe pedagogu im, e di këtë shumë mirë, sepse në vitin 1988 ishte vështirë të ëndërroje që të bëheshe deputet, që të bëheshe Kryeministër, që të bëheshe Kryetar i Kuvendit, siç jam unë sot, apo aq më tepër që të zgjidheshe President i Republikës.

Dhe unë kam patur këtë mundësi vetëm falë demokracisë dhe mundësive që ajo më ka dhënë jo vetëm mua, por ju ka dhënë edhe juve, u ka dhënë e shumë e shumë shqiptarëve të tjerë për të gëzuar liritë e tyre.

Për të ndryshuar vendin tonë dhe për t’i dhënë atij këtë mundësi që të jetë vend anëtar i NATO-s prej vitesh, një vend kandidat për në Bashkimin Evropian. Një vend që i ka të gjitha mundësitë të çelë dhe negociatat së afërmi, nëse ne do të arrijmë të bëjmë çdo sakrificë për të mbrojtur standardet e ndershme të demokracisë dhe për t’i çuar ato akoma më tej sidomos në orët, ditët dhe javët që vijnë, duke realizuar zgjedhjet të standardeve më të lartë gjithëpërfshirëse dhe demokratike me qëllim që të forcojmë legjitimitetin e gjithë institucioneve tona dhe njëkohësisht me qëllim që të krijojmë të gjitha mundësitë, të gjitha shanset për një atdhe më frymëzues për të rinjtë dhe për fëmijët e të gjithë shqiptarëve.

Ndaj unë do të bëj çdo gjë me të gjitha cilësitë e mia për të justifikuar këtë besim që ju më dhatë sot. Jo vetëm para jush, por edhe para të gjithë qytetarëve shqiptarë, përpara Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, përpara interesave më të rëndësishme, që kanë të bëjnë me stabilitetin, me sigurinë kombëtare, me të ardhmen evropiane të vendit tonë dhe do t’u lutesha të gjithëve që janë këtu, por edhe atyre që mungojnë, të përpiqemi në këto orë, në këto ditë të japim, jo thjesht të gjithë partive, por në radhë të parë çdo qytetari shqiptar, mundësinë që të kontribuojë në zgjedhjet më të ndershme, më të lira dhe më demokratikë që vendi meriton.

Më 21 korrik në mëngjes, kur ishin shuar shpresat për konsensusin për ndryshimet kushtetuese për reformën në drejtësi kam qenë shumë i shqetësuar dhe kam apeluar këtu për të bërë çdo përpjekje që të gjenim konsensusin në mënyrë që Shqipëria të mos bëhej Maqedoni.

Dje ne kemi parë të gjithë ngjarje tronditëse në Kuvendin e Maqedonisë, që vijnë për shkak të një konflikti kokëfortësie politike të papranueshme.

Ndaj unë edhe një herë tjetër dua t’u apeloj të gjithëve të bëjmë çdo gjë për stabilitetin e vendit dhe legjitimitetin e institucioneve tona në mënyrë që të mos sakrifikojmë këto arritje shumë të mëdha që vendi ka deri tani dhe ka realizuar gjatë këtyre gati katër viteve të kësaj legjislature dhe të këtij mandati qeverisës, pasi ky është një detyrë dhe një përgjegjësi e secilit prej nesh që të bëj gjithçka.

E di që po të kishin dalë 83 vota do dëgjonim se prandaj u dogjën tre raundet e para, sepse nuk i kishin 84 vota, kur e vërteta është mjaft e qartë dhe kokëfortë për të gjithë ne, që kemi bërë përpjekje gjatë këtyre javëve për të evituar këtë ngërç dhe këtë situatë tërësisht të pamerituar për vendin dhe qytetarët tanë lidhur me çështjen e zgjedhjeve.

Dhe kur të gjithë e dinë që disponimi nga ana e jonë dhe nga ana ime në mënyrë të veçantë, ka qenë maksimale që vetë posti i Presidentit të Republikës, pavarësisht se kjo mazhorancë i kishte dhe i ka votat, i kishte për ta zgjedhur që në raundin e parë, të investohej për një konsensus sa më të gjerë për të përmirësuar klimën e besimit në vend.

Megjithatë, janë disa afate dhe në demokraci unë mendoj që të gjithë, jo vetëm duhet të presin, por edhe duhet të japin, duhet të investojnë për të përmirësuar klimën, për të rritur mirëbesimin, por edhe për ta bërë dhe për ta zhvilluar demokracinë.

Kështu që shpresoj dhe besoj që ende ka kohë për të krijuar një atmosferë krejtësisht tjetër për zgjedhjet e ardhshme në mënyrë që edhe më 24 korrik, ditën kur do të betohet Presidenti që ju keni votuar sot, jo thjesht kjo sallë të jetë plot, se kjo nuk besoj se është më e rëndësishmja, por Shqipëria të jetë shumë më e qetë se sot dhe me një të ardhme evropiane akoma më solide dhe këtë mund ta arrijmë vetëm, duke punuar dhe duke bashkëpunuar të gjithë.

Ju falënderoj shumë për përkrahjen tuaj, për pjesëmarrjen tuaj, për votimin tuaj.

Unë do të kisha votuar me shumë dëshirë sot për jo pak kolege dhe kolegë që janë këtu, apo që mungojnë, por edhe për mjaft të tjerë që nuk janë deputetë, por që janë personalitete me kontribute të shquara në vendin tonë dhe që mund ta bënin këtë detyrë akoma edhe më mirë se unë. Por rrethanat më dhanë mua këtë mundësi dhe unë do të bëj gjithçka që të justifikojë besimin tuaj.

Faleminderit!

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here