Home Aktualitet Inaugurohet impianti i mbetjeve në Elbasan

Inaugurohet impianti i mbetjeve në Elbasan

144
0
SHARE

Fjala e Kryeministrit Edi Rama

Mirëdita të gjithëve!

Sot e kemi filluar ditën shumë keq në Elbasan, sepse ishim në spital për të parë nga afër një transformim jashtëzakonisht të rëndësishëm që iu jep mundësi të gjithë njerëzve që kanë nevojë për dializë, që, më në fund ta bëjnë dializën në kushte njerëzore, të respektit të shtetit për njeriun dhe të njeriut për njeriun, pas një periudhe shumë të gjatë torturash dhe zvarritjesh, kur duhet të shkonin tre herë në javë në Tiranë, apo duhet të bënin dializën edhe pas mesnatës për shkak të pamundësisë fizike që kishte sistemi i shkuar për këtë shërbim. Aty pashë i tmerruar situatën rreth spitalit, ku mësova që me një vendim Gjykate spitalit dhe Bashkisë së qytetit iu ishte ndaluar ndërtimi i një muri rrethues sigurie, sepse gjykatësi kishte parë të udhës që të zgjidhte mes interesit publik dhe interesit të njerëzve në nevojë për kujdes shëndetësor; interesit të trupës mjekësore për të punuar e qetë në një sistem normal sigurie dhe interesit të disa zaptuesve të tokës publike, interesin e këtyre të dytëve.

Menjëherë i kam dhënë urdhër që të fillojë shembja e gjithë atyre godinave që u bënë sebep për ta mbajtur spitalin e Elbasanit peng një rresht farmacish që janë pjesë e zinxhirit të vjetër dhe të ndryshkur të korrupsionit që ne e kemi këputur në shumë hallka, por nuk e kemi këputur ende njëherë e mirë, e për këtë arsye na duhet ende shumë punë, na duhet ende shumë mund, ende shumë durim dhe ende shumë energji të përbashkëta që t’ia dalim që në çdo vend ku është shteti të ketë shtet dhe në çdo vend ku është qytetari të ketë shtet.

Dua t’i siguroj të gjithë qytetarët e Elbasanit që shumë shpejt spitali do të shpëtojë nga kthetrat e të gjithë atyre spekulantëve që e kanë marrë peng dhe jam i bindur që gjykatësi që ka dhënë atë vendim do të shkojë të përgjigjet para drejtësisë, sepse vettingu mund të vonohet, por nuk harron më drejtësia, se ka ardhur koha që në këtë vend të bëhet drejtësi dhe interesi publik, apo interesi i çdo njeriu të mirë dhe njeriu të ndershëm që zbaton rregullat, që kontribuon për shtetin të mos bëhet më top futbolli në këmbët e gjykatësve të korruptuar.

Nga ana tjetër, jam realisht shumë i kënaqur sot që dita që filloi aq keq mbyllet në mënyrë kaq surprizuese edhe për mua vetë që e kam mbështetur këtë projekt që ditën e parë kur e kemi votuar në Këshillin e Ministrave. Por, duhet ta them shumë sinqerisht që pasi kam dëgjuar prezantimin e ministrit të Mjedisit më është dukur shumë e bukur për të qenë e vërtetë. I kam thënë në mbledhjen e qeverisë që, “mbështetjen do ta kesh deri në fund, por çfarë dëgjova me çfarë do shoh, nuk më duken se do përputhen”.

Në fakt, çfarë kam dëgjuar me çfarë po shoh jo vetëm përputhen, por kjo që po shohim i kalon të gjitha parashikimet e bëra.

U jam shumë mirënjohës atyre që punuan për këtë projekt.

U jam shumë mirënjohës atyre që investuan në këtë projekt.

U jam shumë mirënjohës ministrave, ministrit të Mjedisit  dhe ministrit të Financave, që megjithëse është gjirokastrit në këtë rast e zgjidhi deri në fund qesen, gjë që ju siguroj nuk është e lehtë, më besoni.

Por, mbi të gjithë, dua të vlerësoj shumë sinqerisht Qazim Sejdinin, sepse Qazimi ka qenë i pari në këtë qytet që ka besuar se ky qytet mund të shpëtojë nga mortja që i ngjante një mallkimi të paracaktuar për ta ndjekur Elbasanin gjeneratë pas gjenerate, e fushës së vjetër të plehrave që digjeshin në qiell të hapur dhe që e bënin qytetin dhe gjithë zonën përreth të pajtueshme kur binte dielli.

Sot, kjo është një mortje që i përket të shkuarës.

Jemi këtu për të parë nga afër një impiant që është padyshim një shëmbëlltyrë kuptimplotë e teknologjisë së fundit, është padyshim një investim për të cilën nuk kemi si të mos jemi krenarë, sepse duke parë parametrat e këtij impianti, duke parë të gjithë të mirat që ky impiant do të sjellë jo vetëm për mjedisin, por dhe për ekonominë e qytetit dhe duke parë gjithë zinxhirin teknologjik të përpunimit të mbetjeve në rajonin tonë, nga vendi më i degraduar dhe më i prapambetur që ishim në aspektin mjedisor dhe nga vendi që bashkëjetonte me bombën ekologjike të Elbasanit mu në zemër të vet, deri tre vjet e gjysmë më parë, sot jemi në pararojë të transformimit teknologjik në funksion të një transformimi mjedisor për t’i dhënë fund një historie të tmerrshme të kthimit të mjedisit tonë në një hapësirë ku plehrat kanë bërë kërdinë historikisht qysh pas rënies së regjimit të vjetër.

Sot ne kemi një impiant që nuk e ka askush në rajon.

Nuk keni parë gjë akoma, realisht, sepse ky është vetëm fillimi.

Jam i bindur që falë këtij shembulli fantastik dhe falë faktit që kontributor shumë i rëndësishëm në këtë arritje është ministri i Mjedisit dhe këshilltarët e Bashkisë së Fierit, të partisë simotër të Lëvizjes Socialistë për Integrim, tanimë do jenë të bindur që nuk është fitore ta bllokosh zhvillimin e një projekti të tillë dhe në Fier, por fitore është ta ndërtosh. Kështu që, shpresoj shumë që do të ktheheni në Fier të frymëzuar, të entuziazmuar dhe të gjithë së bashku do t’i bindim edhe banorët e Fierit dhe sidomos banorët e zonës ku parashikohet të ndërtohet ky projekt, që ky projekt nuk sjell ndotje, ky projekt sjell ekonomi, ky projekt sjell punësim, ky projekt sjell zhvillim, sepse këtu do të jemi edhe më pas, jam i bindur, kur do të vijmë të vizitojmë 600 ha sera ultra moderne në pllajën aty sipër, të cilat do të ndërtohen dhe do të funksionojnë falë avullit që do të krijohet nga përpunimi i plehrave këtu mbrapa.

Të mos e harrojmë që 60% e kostos së serave hidroponike është ngrohja.

Ndërkohë që 60 hektarë sera në një tokë të Bashkisë, ku Bashkia do të gjejë rrugën e saj për t’i ndërtuar në bashkëpunim me sipërmarrjen private, do jenë me kosto shumë të ulët dhe do të krijojnë vende të tjera pune, do të krijojnë një tjetër hapësirë zhvillimi ekonomik dhe social për gjithë zonën dhe do të krijojë një tjetër shembull të Shqipërisë që Duam.

Ky është një shembull për të kuptuar një gjë që, për fat të keq, nuk u kuptua për vite të tëra në Shqipërinë e drejtuar nga ata që, kur pastron plehrat thonë është shoë, kurse kur i shikojnë plehrat thonë është normalitet. Ata nuk e patën kurrë ndjesinë e armiqësisë ndaj plehrave, përkundrazi, bashkëjetuan me plehrat dhe udhëhoqën mbi plehra. Ndërkohë që, sa herë u tentua që të shkohet në drejtim të kundërt me tendencën e asaj politike primitive në raport me plehrat, gjithmonë u ngritën zërat që klithën për ndotje, për helme, për intoksikime, deri për zhdukje masive të popullatës në këtë vend.

Plehrat mund të jenë sëmundje, siç ishin për Elbasanin deri dje, mund të jenë dhe pasuri, siç janë për Elbasanin sot. Dallimi mesh nesh dhe atyre që sot janë në çadër dhe janë në kushtet e një sere që nuk riciklon, është që për ata plehrat do të vazhdojnë të jenë sëmundje, për ne mbetjet e këtij vendi janë një pasuri që ne do ta kthejmë në burim ekonomie, në burim zhvillimi dhe patjetër edhe në një instrument për të pasur një mjedis që është në lartësinë e veprës që bëri Zoti kur bëri Shqipërinë: një vend të mrekullueshëm të qëndisur për “telha”, kur i thonë, që vetëm dora e robit nuk e la që ajo bukuri dhe ajo mrekulli që quhet Shqipëri të kthehej me kohë e me vakt në mirëqenie dhe në pasuri për njerëzit e këtij vendi.

Më tutje dua të them se, nuk është vetëm Fieri, është edhe Tirana ku ka filluar një histori e re në administrimin e mbetjeve, një histori që, siç e keni parë, është trajtuar nga ata që bashkëjetesën me plehrat e kanë nevojë fiziologjike si një histori mafioze, si një histori kriminale, si një histori e zymtë. Në fakt është një histori e re që po e çon Tiranën hap pas hapi tek diferencimi i mbetjeve në burim.

Diferencimi i mbetjeve në burim është një sfidë për të gjitha Bashkitë e reja që dolën nga reforma administrative territoriale. Impiante si ky janë një arsye më tepër për të bërë diferencimin në burim dhe për t’i kthyer mbetjet në para për Bashkinë dhe për ekonominë lokale.

Jemi në proces që këtë impiant ta ndërtojmë edhe në Fier edhe në Tiranë. (Jo këtë Qazim, mos ki merak, se ky do rrijë këtu, por një të ngjashëm dhe do kujdesemi që edhe ngjyrat të dallohen midis Elbasanit, Fierit dhe Tiranës se e di që duke ndenjur me mua, je bërë edhe ti merakli i ngjyrave dhe je xheloz për ngjyrat e Elbasanit.)

Duke e mbyllur këtë fjalë, në këtë moment vërtet emocionues, sepse është shumë emocionuese të shikosh sesi politika, e cila është një forcë që mund të bëjë të këqija, është njëkohësisht një fuqi që mund të bëjë mirë, sepse u desh politika që të ndodhte kjo që ka ndodhur këtu. U deshën disa njerëz që përmes politikës përmbysën një histori që i ngjante një fataliteti për Elbasanin dhe bënë të mundur që aty ku deri dje ishin plehrat që digjeshin duke shpërndarë helmet e tyre dritare më dritare, rrugicë më rrugicë e hapësirë në hapësirë, të ketë sot një park urban. Ndërkohë që këtu ka sot një shëmbëlltyrë të shkëlqyer të zhvillimit teknologjik, ekonomik dhe social.

Më lejoni që ta them, kjo është një arsye shumë e fortë për të gjithë ata që shpeshherë bien pre e idesë së gabuar se këtu jemi të gjithë njësoj.

Po të ishim të gjithë njësoj, sot nuk do ishim mbledhur këtu, por do ishim duke marrë ajrin e plehrave të djegura në fushën që do ishte po aty.

Po të ishim të gjithë njësoj, sot Elbasani nuk do ishte një hapësirë ku ka ende shumë punë për të bërë, por ku përpjekja për ndryshim ka filluar të japë frute konkrete, duke frymëzuar qytetarët e këtij vendi që ta shohin me shumë më tepër shpresë të ardhmen në këtë qytet. Po të ishim të gjithë njësoj, plehrat e Elbasanit do vazhdonin të ishin sëmundja e Elbasanit. Po pikërisht pse s’jemi të gjithë njësoj, plehrat e Elbasanit, nga ky moment, do të jenë një vlerë e shtuar në pasurinë ende modeste të Elbasanit që, sidoqoftë, sot, tre vjet e gjysmë pasi ne e kemi filluar këtë rrugë shumë të vështirë për të rilindur Shqipërinë, për të rilindur Elbasanin, për të rilindur qytetet dhe fshatrat tona ka shumë më tepër seç kishte deri dje. Na duhet ende shumë dhe për të bërë më shumë na duhet të vazhdojmë të mësojmë më shumë, sepse, në fund të ditës, dallimi midis vendeve të zhvilluara dhe vendeve në zhvillim nuk është tek ajo që kanë, por është tek ajo që dinë. Ka vende që s’kanë por janë të pasura se dinë, ka vende që kanë, siç është vendi i mrekullueshëm që quhet Shqipëri dhe janë të varfra sepse nuk kanë ditur.

Ne do të bëjmë çmos që të mësojmë sa më shumë dhe të bëjmë sa më shumë, në mënyrë që sa më shumë Shqipëria të jetë vendi ku përmes shtetit që duam, secili të ketë mundësi të punojë, nëse do të jetojë me punë të ndershme dhe që për secilin mirëqenia të mos jetë një privilegj, por të jetë një mundësi.

Kjo është plotësisht e mundur.

Kur shikon sot këtë vepër dhe ke parasysh se nga u nisëm në momentin kur menduam që t’i hyjmë detit në këmbë për të ndërtuar këtë impiant këtu në Elbasan, atëherë thua: asgjë nuk është e pamundur, gjithçka është e mundur.

Më besoni që, nëse tre vjet e gjysmë më parë kam besuar që Shqipëria bëhet, tre vjet e gjysmë më pas jam shumë herë më i bindur që Shqipëria do bëhet!

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here