Home Aktualitet Kryeministri Rama shpërndan leje legalizimi në Cakran të Fierit

Kryeministri Rama shpërndan leje legalizimi në Cakran të Fierit

171
0
SHARE

Procesi i legalizimit përfundoi edhe në Cakran të Fierit. Sot, 1000 familjet e fundit në Cakran u bënë pronarë të ligjshëm të shtëpisë së tyre, duke mbyllur një proces të cilin familjet e prisnin prej mbi dy dekadash. Në vitet 2006-2013 u kryen vetëm 1274 legalizime. Me ritmin që mori ky proces në vitin 2014, deri në vitin 2017 janë kryer 11 200 legalizime falas në qarkun Fier, 93% shtëpi. Ndërsa në shkallë vendi nga 21 mijë legalizime në 8 vitet e qeverisjes së kaluar, kjo qeveri bëri 130 mijë legalizime falas në 2 vjet e gjysmë.

E kishte bërë kërkesën për legalizimin e shtëpisë që në vitin 2006. Për shkak të përpjekjeve mbi 10 vjeçare për t’u bërë pronar i shtëpisë së tij, Altin Meçaj nga fshati Vjosë i njësisë Cakran, nuk kishte besuar se kjo do të realizohej. “Paraqitem sot për ta marrë legalizimin dhe për t’ju thënë që të hapin sytë. Kjo punë u bë. Legalizim unë e mora,” – thotë Meçaj, i cili me besimin që legalizimi i krijoi, i shprehu një tjetër dëshirë  Kryeministrit, “nëse do vazhdoni kështu, edhe me shkollat.”

Loading...

Kryeministri nënvizoi se vërtet është bërë shumë, por edhe shumë mbetet për t’u bërë, përfshirë edhe programin e ndërtimit dhe rindërtimit të 150 shkollave në gjithë Shqipërinë. “Plot nga këto janë familje demokratësh, janë familje njerëzish që kurrë nuk e kanë votuar Partinë Socialiste. Nëse PD futet në zgjedhje, ata e dinë vetë, por po nuk u fut në zgjedhje PD, votoni për PS, se ne ua bëjmë punët, ata ju bëjnë zhurmën. Për zhurmë shkoni atje. Po për punë jemi ne. Për sa iu përket shkollave, ne kemi filluar një program të ri dhe do të ndërtojmë e rindërtojmë 150 shkolla në gjithë Shqipërinë. Patjetër, ti do më takosh edhe njëherë, kur të më thërrasin për inaugurimin e shkollës. Do bëhet realitet edhe kjo, siç u bë realitet shtëpia jote.”

Kryeministri u përfshi në një dialog me humor me një demokrat, i cilit pati dy kërkesa. Fillimisht i drejtoi një kërkesë publike Kryetarit të PD-së: “Që kur isha i vogël, mbaj mend nga mësuesja e klasës së parë që mësonim nga një vjershë përmendësh. Të lutem harroje atë vjershën që thua natë për natë. Takohu me koalicionin qeverisës, që të na siguroni një të ardhme më të mirë për shqiptarët, që të punojmë sa më shumë. Atë vjershën të lutem na e hiq. Mëso një vjershë tjetër.”

Kërkesën e dytë ai e pati për Kryeministrin: “Besueshmëria më e madhe e këtij komuniteti, e shikoj që është tek ju, se e shikoj nga puna që u bë për legalizimin. Të bëhet një projekt pilot për këtë zonën këtu që të afrohet si Divjaka, nëse ka mundësi.” Për të cilën, Kryeministri iu përgjigj “atyre kërkojuni vjershat, për punë na keni neve.” “Një gjë është e sigurt, – theksoi Kryeministri, – në 18 qershor ka zgjedhje. Gjë tjetër të sigurt nuk ka.”

Fjala e plotë e Kryeministrit Edi Rama:

Përpara sesa të vinim këtu isha për të parë kantieret e Rilindjes Urbane në Fier. Kryetari i Bashkisë po më tregonte që sa herë nis një kantier i ri dhe publikohet në FB, menjëherë hidhen ata që mezi presin të fillojë një kantier i ri aty ku ata jetojnë, duke thënë “po unë”. Kjo është krejt e natyrshme, siç është krejt e natyrshme që sot, ndërkohë që ne flasim, plot e plot njerëz edhe nga qarku i Fierit, por edhe nga gjithë Shqipëria thonë “kur do bëhet edhe këtu?”

Ajo që duhet pasur parasysh është se këto janë punë reale, janë punë serioze që kërkojnë kohën e tyre dhe që nuk mund të bëhen sa hap e mbyll sytë. Mjafton fakti që këtu në Cakran, në 8 vjet u bënë 3 legalizime. Ndërkohë që ne sot në një ditë bëjmë 1001 legalizime. Mjafton fakti që në Fier janë bërë në 8 vjet, të pushtetit të atyre që janë ngujuar në çadër 1274 legalizime. Ndërkohë që në pak se tre vjet, qysh se ka filluar punën institucioni i riorganizuar i ALUIZNI-t, është bërë dhjetëfishi, janë bërë 11 200. Këtu në Cakran janë bërë 3 në 8 vjet dhe 1001 në një ditë, pra, llogariteni vetë sesa i bie.

Ajo që është më e rëndësishme është se edhe ato legalizime që janë bërë, janë bërë në kurriz të njerëzve, në kurriz të komunitetit në të shumtën e herës. Janë legalizuar godinat mbi Gjanicë. Shumica dërrmuese e atyre legalizimeve që bëri pushteti i “çadrës” kanë qenë legalizime për lokale, hotele, motele, restorante, pishina, magazina, trampolina,  pra, për biznese. Shumica kanë qenë legalizime, aty ku kurrë nuk duhet të legalizoheshin, në parqe, në zona arkeologjike, mbi kolektor, mbi infrastrukturë kombëtare dhe lokale, duke rritur në mënyrë marramendëse kostot për të rindërtuar gjithë këto zona të pushtuara dhe të legalizuara.

Kanë bërë pronarë në zona ku absolutisht nuk mund të pranojmë që të mbeten të përjetshëm. Si mund të pranojmë që  Gjanica në mes të Fierit të mbetet njëherë e përgjithmonë, siç ishte Lana në Tiranë, nga ku Saliu filloi ndërtimin e Shqipërisë si Zvicra!

Ne jemi zotuar (na shau Saliu tani. Ose është e kundërta, mos e përmend këtu se fillon shiu, se këtu të përmendesh Saliun është si të përmendësh qoftëlargun) që Gjanicën do ta kthejmë në një hapësirë që të jetë vlerë e shtuar për qytetin, në një park për qytetin dhe ne do t’i rrafshojmë të gjithë ato godina. Por, nëse Saliu, Shabani dhe gjithë të ngujuarit sot në çadër nuk do t’i kishin legalizuar, ne nuk do paguanim nga arka e shtetit për t’i shpronësuar. Një kosto marramendëse! Kemi bërë llogarinë e shpronësimit të godinave të legalizuara në Gjanicë dhe është e barabartë me aq sa ne na duhen për të ndërtuar të gjitha rrugët dytësore të lagjeve në Fier.

Është e tmerrshme sesi procesi i legalizimit u kthye në një proces abuzimi. Ndërkohë po ju them një shifër që tregon sesa të ndryshëm janë këto procese. Nga 11 mijë e disa qindra legalizime që janë bërë në gjithë qarkun e Fierit, 93 % janë shtëpi, janë pronë e familjeve që sakrifikuan, që kursyen gjakun e djersën e emigracionit dhe ndërtuan një shtëpi. 7 % të tjera, pjesa me e madhe janë godina të legalizuara në funksion të bujqësisë.

Ju jeni të gjithë dëshmitarë se legalizimi deri dje ishte një hata, me para mbi dorë e nën dorë dhe rrezik të mos merrje prapë asgjë. Ndërkohe që ju jeni dëshmitarë që gjithë procedura dhe procesi është bërë falas. Ju jeni dëshmitarë që ALUIZNI ka ardhur nëpër shtëpi dhe i falënderoj me në krye drejtorin e ALUIZNI-t të Fierit, që është shembullor. Ju kanë ndihmuar të mbushni të gjithë dokumentet dhe jua sjellin këtu certifikatën në dorë.

Ka shumë njerëz që thonë, del kryeministri dhe shpërndan tapi. Ne nuk e bëjmë këtë për të dalë dhe për të shpërndarë tapi. Ne e bëjmë për të komunikuar dhe për të shpjeguar shumë aspekte të këtij procesi, që njerëzit duhet t’i dinë.

Njerëzit duhet ta dinë se çfarë dëmesh kolosale i ka bërë qeveria e shkuar këtij vendi, vetëm me këtë proces, se çfarë fature i ka lënë fëmijëve tanë, pasi këto janë paratë ë fëmijëve tanë, janë paratë e kopshteve, të shkollave. Por edhe çfarë fature i kanë lënë gjyshërve, se janë edhe paratë e tyre. Janë paratë e spitaleve, janë paratë e kujdesit social, ato që duhen përdorur në vite për të shpronësuar dhe për të shembur godina që iu marrin frymën qyteteve, si godinat që i kishin marrë frymën Universitetit të Tiranës.

Këta që cohën e flasin për vlerat, për historinë, për trashëgiminë, për gjithçka, sa herë që ne ndërtojmë diçka të re, e patë se çfarë bënë me stadiumin në Tiranë. 100 metra nga stadiumi, ngjitur me universitetin, kishin legalizuar të gjitha ato godina mizerabël, qoftesh e diskosh, mu në park. E jo vetëm askush nuk u tha gjë kur e bënë, por sot hidhen përpjete, siç hidhen përpjete edhe për lirinë e zgjedhjeve, edhe për demokracinë.

Kanë ngulur çadrën aty, njësoj siç ngulën godinat në Gjanicë. Gjetën shesh, bënë përshesh, u bënë pronarë në mes të Fierit, në mënyrën më të padrejtë, duke u grabitur njerëzve pronën e tyre të përbashkët, duke u marrë frymën njerëzve dhe duke e kthyer atë mrekulli që e ka fat një qytet, një lumë që kalon në mes, në një kanal ujërash të zeza.

Kështu duan ta bëjnë demokracinë. Vënë çadrën në mes të Bulevardit dhe thonë “Tokë e zënë’. Thonë o siç themi ne, o s’ka zgjedhje, s’ka liri, s’ka demokraci, s’ka asgjë, se ne jemi liria, ne jemi demokracia, ne jemi gjithçka.

Ata janë ca të mjerë për të ardhur keq, por njëkohësisht janë edhe për të qenë të gjithë të revoltuar, edhe socialistët, edhe demokratët, njerëzit e ndershëm që shkojnë nëpër gjyqe dhe lënë qimet e kokës tek gjykatësit, tek prokurorët, që këta duan t’i mbajnë me çdo kusht atje, që të shpëtojnë veten e tyre nga drejtësia.

Janë mbyllur në çadër se kanë frikë nga drejtësia. Nuk duan zgjedhje se s’duan që Partia Socialiste të shkojë në zgjedhje, se e dinë shumë mirë se çfarë do të thotë populli për punën tonë dhe çfarë mbështetjeje do të japë populli për patinë tonë.

Më falni se këtu ka dhe nga të PD-së. Të mos mërziten se është hera e parë që unë flas për partinë këtu, por dua t’ju them gjithë demokratëve, mos u mërzisni, ju na keni ne. Sepse nuk u lodhët duke votuar Saliun, se ju thoshte do ju legalizoj shtëpinë dhe ju la vetëm dy gishtat në gojë. Ne ju legalizuam shtëpinë, ne do kujdesemi për ju.

Të bashkohemi të gjithë bashkë, se Shqipëria nuk mund të mbyllet në çadër. Shqipëria duhet të bëhet pjesë e Bashkimit Europian. Shqipëria nuk mund të kthehet në kohën e çadrave, kioskave e ndërtimeve pa leje. Demokracia në Shqipëri nuk është as Gjanica, as Parku Rinia në Tiranë dhe as hapësirat e tjera publike në Shqipëri, që u pushtuan në kohën e Saliut të parë.

Bisedat me banorët:

-Sa vite kishe që kishe aplikuar?

-Që në 2006-ën.

-Po pse s’ta dhanë ata që voton ti? Vetëm mos thuaj s’kam votuar ata.

-Jo nuk do them atë. Unë jam Altin Mecaj, nga fshati Vjosë. I kam bërë letrat faktikisht që në 2006-ën dhe e marr sot në 2017-ën. Kam ardhur dhe kam kërkuar fjalën për të thënë faleminderit.

-Më thuaj pse s’ta dhanë ata që thonin: “mos e votoni Edi Ramën se do ju shkatërrojë shtëpinë, do ju përzërë”.

-Ke të drejtë. Prandaj paraqitem sot për ta marrë dhe për t’ju thënë që të hapin sytë. Kjo punë u bë. Legalizim unë e mora. Nëse ju do vazhdoni kështu edhe me shkollat. Ne shkollë nuk kemi. Ti themi gjërat siç janë. Për këtë punë që bëtë shumë faleminderit. Për të tjerat po u bënë…

-Edhe shkollën e do deri në 18 qershor, apo më mbrapa?

-Jo le të bëhet edhe pak më mbrapa, por të bëhet, se mos e harrojnë.

-Për kë do votosh po s’erdhën ata në zgjedhje?

-Unë do votoj për ata që punojnë, edhe votën e ke hapur.

-Patjetër, ne për këtë punë jemi. T’ju shërbejmë edhe juve edhe atyre që na votojnë.

Në 130 mijë, 21 mijë legalizime bënë ata në 8 vjet. 80% ishin nga ato historitë që thashë më parë, si puna e Gjanicës. 130 mijë arrijmë ne, në 2 vjet e gjysmë, se 1 vit na u desh vetëm të gjenim letrat e dosjet dhe të ndanim minjtë nga dosjet. Dosjet ishin bashkë me minjtë. Plot nga këto janë familje demokratësh, janë familje njerëzish që kurrë nuk e kanë votuar Partinë Socialiste. Nëse PD futet në zgjedhje, ata e dinë vetë, por, po nuk u fut në zgjedhje PD, votoni për PS, se ne ua bëjmë punët, ata ju bëjnë zhurmën. Për zhurmë shkoni atje, hani pica, këndoni, kërceni, bërtisni, shani, nxirrni mllefin. Po për punë jemi ne.

Për sa iu përket shkollave unë po ju them vetëm kaq, që, ne kemi filluar një program të ri dhe do të ndërtojmë e rindërtojmë 150 shkolla në gjithë Shqipërinë.

Patjetër, ti do më takosh dhe njëherë edhe mua kur të më thërrasin për inaugurimin e shkollës. Do bëhet realitet edhe kjo, siç u bë realitet shtëpia jote.

***

(Tifoz personal i Barcës)

-Tifoz personal i Barcës! Sikur rri me Barcën në klubin e fshatit, edhe tifoz personal.

-Dy llafe do t’i them. Kryeministri më i mirë i të gjitha kohërave.

-Këto i ke diskutuar me Neymarin, apo i ke nga vetja?

-Neymarin e ke lënë në Tiranë. E sqaron Veliaj. Saimir Tahiri është Lionel Messi. Po më ke sjellë dhe një golashënues këtu në Fier.

-D.m.th. kur thua jam me Barcelonën, e ke fjalën për PS-në. S’ka lidhje me Barcelonën fare.

-Injestën që iu jep topat, ky është Gramoz Ruci. Hap topat ai. Ty të faleminderit shumë, se ti je si Guardiola, se ti i ke stërvitur këta. Dhe Juvja, më vjen keq se do humbasë 1-2. Rezultat në kokë.

-Si 1-2? Sa del ndesha të martën?

-1-2. Në Torino. Atje 3-0. I gjej ndeshjet në kokë. Do gjej dhe një ndeshje tjetër. PS e vetme merr 73 deputetë. Do i vëmë bast bashkë?

-Kur të shikosh ndeshjen, këtë lejen e legalizimit mbaje përpara. Po të doli ndryshe, thuaj: “Ç’rëndësi ka, unë lejen e mora. Punë e madhe se u mund Barcelona. Më dëgjo mua. Mbaje ta kesh për ngushëllim, se nuk i dihet.

-Nuk kualifikohet Juvja.

-Një gjë dihet vetëm. Një gjë është e sigurtë. Në 18 qershor ka zgjedhje. Gjë tjetër të sigurtë nuk ka, për sa i përket këtyre punëve të Barcelonës e kam fjalën. Por ti vazhdo, qëndro fort deri të martën. Të mërkurën pastaj, shiko lejen, thuaj të paktën unë kam shtëpinë time.

-Në rregull, dakord jam unë. Po e pe ndeshjen në Torino…

-Të të bëj telefon? Të marr vetë unë pastaj. Më kanë ftuar ata të Juves, por, po qe se e shoh në Torino do të marr në telefon.

***

-Kam nderin e madh që sot të marr certifikatën nga dora e Kryeministrit tonë, njeriut që punon e lufton për neve me gjithë stafin e tij, qoftë të ALUIZNI-t, qoftë të stafit që të ka sjellë këtu. Në zgjedhjet e 18 qershorit, Cakranin e ke socialist. Edhe e ke jo 70 sa thotë, por unë do shtoj edhe nja 2-3 të tjerë.

-Këtu mes nesh jemi. Shtojmë sa të duam. Këtu s’na pengon njeri.

-Ne i duam punëtorët. Ne ku e gjejmë këtë staf që punon. Ju faleminderit.

***

-Brenda mundësive dua ti bëj një thirrje kryetarit të partisë time, Lulzim Bashës.

-Mirë, thuaja, ti je dëshmitar. U takove me mua? Të ndodhi gjë?

Unë jam takua njëherë me Sali Berishën…

-Se ka mendjen te ti Sali Berisha tani. S’do vijë të të takojë ty. Thuaja atij: – Takoje, se nuk të gjen gjë!

-Takova një punëtor si vetja ime.

-Lëre punëtor, se punën e ka tmerr ai. Nuk do punë ai. Mos i thuaj takova punëtor. Po i the punëtor ,s’vjen ai. Thuaji si demokrat: “Të lutem kryetar takoje, bisedoni bashkë, se, ja, ky po më prek”. Atë se prek fare unë me dorë. Kështu që thuaja.

-O zoti Lulzim Basha, të lutem, simpatizanti jot, anëtar i PD. Që kur isha i vogël, mbaj mend nga mësuesja e klasës së parë që mësonim nga një vjershë përmendësh. Të lutem harroje atë vjershën që thua natë për natë. Hajde te populli këtu. Çfarë do na premtosh ti që të votojmë?

-Lerë se ç’të premton ai. Ai të premton çdo gjë, se s’ka gjë në dorë. Për premtime ai të mbyt, se s’ka gjë në dorë, por thuaji të më takojë mua ta zgjidhim këtë punë se mbetët në çadër atje. Thuaj ta nxjerrim nga çadra. Thuaja: takoje, flisni.

-O Luli, të lutem. Planifikojeni një takim me bazën e Cakranit.

-Lëre bazën e Cakranit. Ti s’dashke që ta takoj unë atë. E kuptova. Ti më dashke për vete mua.

-Lul Basha, që të mbështesim tamam, ulu, dialogo me aleatët që ke.

-Me kreshnik Spahiun, sidomos.

-Takohu me koalicionin qeverisës, që të na siguroni një të ardhme më të mirë për shqiptarët, që të punojmë sa më shumë. Atë vjershën të lutem na e hiq. Mëso një vjershë tjetër se të kam kryetar të mirë. I lutem kryeministrit. A ka mundësi të bëj një kërkesë?

-Ta marrim Lulin në partinë tonë? Nuk e marrim dot.

-Nëse ai nuk do futet për zgjedhje, do na lërë në rrugë po ne do zgjedhim një koalicion që na pëlqen neve. Futu në zgjedhje dhe dil nga çadra se na injorove. Mund të bëj dhe një kërkesë zoti Kryeministër?

-Kujt? Atij apo mua.

-Juve.

-Atij i kërkon vjersha, mua më kërkon punë. Fol

-Unë të kërkoj punë ty.

-Për punë ne jemi.

-Punëtori do kërkojë te punëtori.

-Qartë.

-Këta zotërinjtë më njohin. Besueshmëria më e madhe e këtij komuniteti, e shikoj që është tek ju, se e shikoj nga puna që u bë për legalizimin. Dua ti falënderoj këta të legalizimit, kanë bërë një punë të paparë. Edhe zyrën e regjistrimit, kanë një staf të mrekullueshëm, drejtues të mrekullueshëm. Unë, meqë më ka rënë rasti që të vete në institucionet e shtetit, kanë një pritje si nata me ditën.

-Akoma s’është si nata me ditën, por është si mëngjesi herët me natën vonë. Diell nuk ka akoma në zyrat e shtetit.

-A ka mundësi të bëj një kërkesë? Të bëhet një projekt pilot për këtë zonën këtu që të afrohet si Divjaka, nëse ka mundësi.

-Ja të sjellim Erjon Bracen këtu.

-Kërkesa ime është kjo.

-Sa dëgjove Erjon Bracen ike me vrap. Ke të drejtë. Aty ke të drejtë të kesh frikë.

Përtej shakave e humorit, se këtyre humori u ka mbetur. S’kanë c’bëjnë të shkretët. Hap TV vjersha. Mbyll TV vjersha. Dil në rrugë vjersha. Më çojnë shumë njerëz mesazh mua kur jemi në parlament: “Po c’është kjo punë? Si i duron? Si bën?” Mirë unë, që e kam atë taksirat. Ju e keni të thjeshtë fare. Merrni telekomandën, fap, sustën ikin ata. Hiq stacionin atje dhe shko shiko atë Bang-Bang. Janë më seriozë ata

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here