Home Opinion Mirëmenaxhimi i territorit

Mirëmenaxhimi i territorit

274
0
SHARE

Të nderuar deputetë,
Akti Normativ, i propozuar nga Ministria e Financave dhe miratuar nga Këshilli i Ministrave, më datë 29 korrik, i cili po shqyrtohet sot në Kuvend, ka si qëllim kryesor përdorimin me eficiencë të fondeve publike, duke i hapur rrugën investimeve madhore, me interes publik.
2015-a, ka qenë dhe mbetet një vit sfidues, për të arritur të gjithë objektivat e vendosur dhe për të mbajtur premtimin ndaj qytetarëve, për rimëkëmbje ekonomike dhe përmirësim të të gjithë treguesve makroekonomikë.
Në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, ne si Ministri e Zhvillimit Urban kemi arritur të realizojmë një sërë projektesh konkrete, me një impakt të drejtpërdrejtë te qytetarët shqiptarë, dhe kemi jetësuar angazhimet që ndërmorëm nga buxheti i miratuar i vitit 2015.

Të nderuar deputetë,
Për Ministrinë e Zhvillimit Urban Akti normativ nr. 1 i datës 29 korrik, 2015 “Për disa ndryshime në Ligjin Nr. 160/2014, Për buxhetin e vitit 2015”, mundësoi rialokimin e fondit prej dyqind milionë lekë, me synim, financimin dhe ofrimin e asistencës teknike për 26 bashkitë e reja përkatësisht: Lezhë, Kurbin, Krujë, Kukës, Dibër, Durrës, Vorë, Shijak, Kavajë, Rrogozhinë, Divjakë, Ura Vajgurore, Poliçan, Skrapar, Gjirokastër, Vlorë, Himarë, Sarandë, Konispol, Librazhd, Përrenjas, Cërrik, Pogradec, Korçë, Tiranë dhe Shkodër, për hartimin e Planeve të Përgjithshme Vendore për këto Bashki.
Vendimi i marrë nga qeveria Rama për të mbështetur financiarisht dhe me asistencë teknike këto 26 Bashki, nuk ka qenë aspak një përzgjedhje politike por kriteri i përdorur ka qënë territori gjeografik dhe potencialet ekonomike që këto bashki mbartin për zhvillimin ekonomik, social dhe tërheqjen e investimeve të huaja, etj.. I falënderoj shumë të gjithë Kryetarët e Bashkive, për gatishmërinë dhe bashkëpunimin e treguar, si dhe i garantoj që ky do të jetë një proces i përbashkët ku të gjitha palët do të bashkëpunojnë maksimalisht për realizimin me sukses të tij.
Vendimi për mbështetjen financiare dhe ofrimi i asistencës teknike në procesin e hartimit të Planeve të Përgjithshme Vendore me fonde nga buxheti i shtetit për 26 bashkitë e përzgjedhura, vjen si një nevojë imediate për të garantuar një zhvillim të qëndrueshëm të territorit.
Këto njëzet e gjashtë njësi vendore po mbështeten për një procedurë të përshpejtuar planifikimi dhe pesë njësi të tjera vendore po mbështeten për hartimin e planeve të tyre vendore nga USAID.
Brenda vitit të ardhshëm, ne do të arrijmë t’i finalizojmë Planet e Përgjithshme Vendore, ndërkohë që do të shikojmë mundësinë për të mbështetur edhe 30 njësitë vendore, të cilat mbeten jashtë këtij procesi në hartimin e planeve të tyre vendore.

Loading...

Të nderuar deputetë,
Territori është një hapësirë ku ne të gjithë jetojmë dhe mirëmenaxhimi i territorit është pa dyshim, një element shumë i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, kulturor dhe patjetër, dhe kohezionin social.
Planet e Përgjithshme Vendore janë instrumentet ligjorë mbi bazën e të cilave garantohet zhvillimi i qëndrueshëm i territorit dhe mirëmenaxhimi i burimeve natyrore.
Mbas reformës administrative-territoriale, sot sipërfaqja e 61 bashkive të reja ka ndryshuar, dhe kjo imponon domosdoshmërinë për të hartuar një instrument vendor që merr në konsideratë integrimin urban dhe rural në qasjen e zhvillimit të territorit.
Sot qendrat kryesore urbane të vendit, kanë më shumë se kurrë nevojë të orientohen drejt një zhvillimi të qëndrueshëm, që krijon më shumë hapësira publike dhe rekreative që mund të jenë të aksesueshme dhe të shfrytëzueshme nga të gjithë qytetarët.
Së bashku me ndryshimet rrënjësore që sjell Reforma Administrative Territoriale, qasja e re ndaj planifikimit dhe zhvillimit të territorit, me të cilën Ministria e Zhvillimit Urban dhe Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit do të punojnë së bashku me bashkitë e reja për ta zbatuar, do të ndikojë ndjeshëm në rezultatet që synojmë të arrijmë bashkarisht, duke garantuar që të realizojmë në një kohë të shpejtë hartimin e Planeve të Përgjithshme Vendore.

Të nderuar deputetë,
Akti Normativ i miratuar nga Qeveria më 29 korrik ka mundësuar gjithashtu, rialokimin e fondit prej njëzet e dy milionë lekë, për funksionimin e plotë dhe në eficiencë të Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, një institucion i ri në varësi të Ministrisë së Zhvillimit Urban, që do të funksionojë si struktura e re e Sekretariatit të Këshillit Kombëtar të Territorit.
Agjencia e Zhvillimit të Territorit u miratua me Vendim të Këshillit të Ministrave dhe brenda muajit shtator ky institucion do të jetë në shërbim të plotë.
Më lejoni t’iu sjell në vëmendjen tuaj se do të jetë ky institucion, i cili, do të administrojë procesin e aplikimit për leje ndërtimi që kërkojnë miratim nga Këshilli Kombëtar i Territorit, si dhe do të monitorojë procesin e dhënies së lejeve nga bashkitë, nëpërmjet monitorimit të aplikimeve për leje ndërtimi, referuar vendimit nr. 1, datë 30.07.2015 të Këshillit Kombëtar të Territorit.
Monitorimi i lejeve të ndërtimit, do të kryhet përmes sistemit elektronik të aplikimit të lejeve të ndërtimit, që do të implementohet mbi bazën e konceptit “One Stop Shop”. Nëpërmjet këtij funksioni monitorues, që do të ushtrojë kjo Agjenci e re, do të garantohet edhe monitorimi i zhvillimit të territorit.
Krijimi i kësaj Agjencie dhe përdorimi i sistemit elektronik të lejeve është një instrument më shumë, jo vetëm për përshpejtimin dhe transparencën e procedurave për shqyrtimin dhe dhënien e lejeve të ndërtimit por edhe për një zhvillim të kontrolluar dhe miradministruar të territorit.

Të nderuar deputetë,
Ndryshe nga si është vepruar më parë, kjo Qeveri e mban premtimin e saj, për të pasur gjithmonë në vëmendje, interesin e qytetarëve dhe për të përmbushur të gjitha detyrimet ndaj tyre.
Qeveria, nëpërmjet insitucioneve përgjegjëse, po transmeton një qasje tjetër, atë të respektimit të shtetit ligjor.
Unë ju ftoj ta votoni këtë Akt Normativ, i cili synon implementimin e projekteve konkrete në shërbim të qytetarëve dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe social të vendit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here