Home Aktualitet Në 18 qershor do bëjmë histori!

Në 18 qershor do bëjmë histori!

128
0
SHARE

Fjala e Kryeministrit dhe Kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, me votuesit për herë të parë dhe të rinj të Qarkut Gjirokastër.

Shumë faleminderit të gjithëve!

Shumë faleminderit për këtë mikpritje të jashtëzakonshme dhe për këtë ditë të bukur.

Jam shumë i kënaqur që jam këtu dhe nuk jam vetëm, por mbi të gjitha që jam me një mik shumë të shtrenjtë, me një gjirokastrit 24 karat, me një figurë të nderuar e të respektuar jo vetëm mes socialistëve, por mes gjithë shqiptarëve, Bashkim Finon.

Bashkimi është këtu, se Bashkimi nuk ikën dot nga Gjirokastra, pavarësisht se puna e ka çuar në Tiranë dhe në qarqe të tjera. Sot, ai është me ne, si një dëshmi kuptimplotë e një të vërtete shumë të thjeshtë; Sa herë është puna për të prishur punë, kemi Saliun;

Sa herë është puna për të bërë shtet, kemi Partinë Socialiste të Shqipërisë;

Sa herë është puna për të shkatërruar, apo për t’iu zënë rrugën shqiptarëve, kemi Saliun;

Sa herë është puna për të ndërtuar, apo për t’i hapur rrugën e të ardhmes Shqipërisë kemi Partinë Socialiste;

Sa herë është puna për t’u larguar nga Europa, kemi Saliun;

Sa herë duhet që të afrohemi me Europën, kemi vetëm Partinë Socialiste të Shqipërisë

Nuk e përmenda rastësisht Bashkimin, sepse Bashkimi është dëshmitar i një historie të dhimbshme, tragjike, për Shqipërinë dhe shqiptarët. Një histori që ka ndodhur kur shumë nga ju këtu, që jeni votues për herë të parë, nuk kishit lindur akoma, një histori, të cilën prindërit tuaj e mbajnë mend mirë dhe kurrë nuk duan që të përsëritet, historia e vitit të mbrapshtë ’97-të, kur ata humbën të gjitha kursimet e tyre dhe kur Shqipëria rrezikohej ta humbte përgjithmonë të ardhmen.

Ata që janë sot të ngujuar në çadër janë protagonistët e asaj historie. Ata që janë sot të ngujuar në çadër janë aty për një arsye shumë të qartë, kanë një frikë të pangushëllueshme nga drejtësia. Ajo frikë i ka çuar të mbyllen në çadër dhe t’i zënë Bulevardin qytetarëve të Tiranës dhe vizitorëve që vijnë në Tiranë.

Ndërkohë që sot, ne jemi këtu, me vendosmërinë më të madhe, që Shqipërisë dhe shqiptarëve, jo vetëm të mos lejojmë që t’u përsëritet historia tragjike e 20 viteve më parë pa shtet, pa rend, pa siguri, ku jeta e secilit është në mëshirën e fatit, por edhe të mos lejojmë që t’u mbyllet rruga e drejtësisë. Rrugë, e cila u desh fitorja e Partisë Socialiste në vitin 2013 dhe e Aleancës tonë për Shqipërinë Europiane, që të hapet dhe të bëhet kaq e afërt dhe kaq reale, si një mundësi që pas një çerek shekulli pa drejtësi, më në fund, shqiptarët të kenë një drejtësi përballë të cilës janë të gjithë të barabartë, qofshin me pushtet, qofshin pa pushtet, me një emër të njohur apo të panjohur, qofshin në qytet apo në fshat, të pasur apo të varfër.

Kjo është drejtësia për të cilën ne kemi luftuar vendosmërisht dhe me të njëjtën vendosmëri do të vazhdojmë të luftojmë derisa ta bëjmë realitet. E me të njëjtën vendosmëri do të luftojmë për të rritur ekonominë, për të rritur punësimin, për të rritur mirëqenien.

Kur ne e vumë në program Reformën në Drejtësi, përpara sesa të merrnim në dorë qeverinë, shumëkush brenda nesh thoshte, si e vëmë  në program, kur kjo kërkon ndryshime kushtetuese dhe në të gjitha rastet, ndryshimet kushtetuese kërkojnë një shumicë që ne kurrë s’mund ta kemi, edhe si koalicion, jo vetëm si parti.

Megjithatë, unë këmbëngula shumë fort, bashkë me të tjerë që ishin dakord ta vendosnim në program, sepse bindja ime shumë e thellë ishte qysh në vitin 2013, se, nëse ka një mur që e mban të ndarë Shqipërinë nga e ardhmja dhe një mur që duhet shembur, për ta garantuar njëherë e mirë të ardhmen, është muri i padrejtësisë, është muri i ngritur nga gjykatës e prokurorë të korruptuar, që janë të lidhur si mishi me thoin me ata që janë të ngujuar në çadër, për t’i mbrojtur nga drejtësia.

Është një mur, shembja e të cilit është aspiratë e të gjithë këtij populli. Ka njerëz që e thonë, ka njerëz që nuk e thonë, ka nga ata që e kuptojnë, por nuk ka një shqiptar që nuk e ndjen domosdoshmërinë për ta shembur murin e padrejtësisë, sepse nuk ka një shqiptar që nuk e di që e drejta e tij është prej çerek shekulli e më shumë, një mall që vetëm mund të blihet, se përndryshe e blen tjetri dhe që gjykatat e këtij vendi janë një pazar ku të drejtat e njerëzve tregtohen, sikur të ishin gjë e gjallë.

Për këtë arsye nuk ka shqiptar, socialist, demokrat, pa parti, i madh e i vogël, i vjetër e i ri, që nuk është sot, më shumë se asnjëherë, i ndjeshëm për ta çuar deri në fund Reformën në Drejtësi. Nëse duam të rrisim ekonominë dhe nëse duam ta rrisim shumë herë më shumë punësimin, duhet të pushojmë nga puna gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar. Janë ata që pengojnë vënien në vend, përgjithmonë, të së drejtës së pronës. Janë ata që pengojnë vënien në vend, përgjithmonë, të së drejtës kushtetuese të çdo qytetari për të qenë i barabartë me të tjerët, kur vjen puna te liria, tek të drejtat.

Janë ata armiku numër një publik i Partisë Socialiste. Me këtë armik, ne do të luftojmë me mish e me shpirt dhe nuk do të tërhiqemi përpara, jo çadre, por përpara asnjë force, asnjë presioni, asnjë kërcënimi, asnjë shantazhi. Sepse në këtë luftë, ne përfaqësojmë dhe jemi shumë krenarë ta përfaqësojmë Shqipërinë që Duam për të gjithë, për gjyshërit, gjyshet, prindërit, për vajzat e djemtë e këtij vendi. Mbi të gjitha, Shqipërinë që Duam për ata që sot votojnë për herë të parë dhe që me votën e tyre kanë mundësinë historike të japin një kontribut themelor për ta shembur murin e padrejtësisë dhe për ta spastruar Pallatin e Drejtësisë shqiptare nga gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar.

Të dashur miq!

Është shumë e rëndësishme të kuptohet se në 18 qershor nuk vendoset se kush do të qeverisë Shqipërinë për 4 vitet e ardhshme, por vendoset si do jetë Shqipëria për Gjeneratën Tjetër, si do jetë Shqipëria për 10-15 vitet e ardhshme. Vendoset nëse Shqipëria do të ketë një ekonomi që rritet edhe më shpejt, do ketë mundësi që secili ta garantojë mirëqenien e vet përmes punës, apo nëse Shqipëria do të kthehet mbrapa. Një kthim mbrapa sot do të ishte një fatalitet dhe do të na humbte një Gjeneratë.

Për këtë arsye, vota e 18 qershorit është kaq e rëndësishme dhe kaq themelore.

Për këtë arsye, çdo vajzë dhe çdo djalë që voton për herë të parë, jo vetëm që nuk duhet dhe nuk mundet ta lërë pashfrytëzuar mundësinë që i jep Kushtetuta për të dhënë kontributin e vet, por do të bëjë çmos që të bindë edhe të tjerët rreth e rrotull, të bindë edhe ata vajza dhe djem, votues për herë të parë, që për një arsye, ose një tjetër, janë me Partinë Demokratike, për një arsye, ose një tjetër, sot ndihen keq, ndihen vetëm, ndihen të braktisur, sepse ata nuk mund të përqafojnë një alternativë të frikës nga drejtësia. Ata nuk mund të përqafojnë një alternativë që u bën thirrje “të bllokojmë rrugët e Shqipërisë”, që të mos pushohen nga puna gjykatësit e prokurorët e korruptuar, apo alternativën për talëmë gjithë Shqipërinë në rrugën e mbrapshtë të varfërisë dhe papunësisë, për të mbajtur në punë disa gjykatës e disa prokurorë që u kanë siguruar atyre në çadër pandëshkueshmërinë për kaq shumë vite.

Këtë, ata që janë sot votues për herë të parë nuk mund ta pranojnë. Por këtë, ata duhet ta kuptojnë dhe që ta kuptojnë, duhet që secili dhe secila prej jush të flisni me ta dhe t’u thoni se vota e 18 qershorit nuk është një ndeshje mes partish. Vota e 18 qershorit është një ndeshje mes të ardhmes që duam dhe të shkuarës që nuk duam kurrë që të rikthehet. Mes Partisë Socialiste që kërkon një Shqipëri europiane dhe atyre që sot janë në çadër dhe që janë gati ta ndajnë për së gjalli Shqipërinë nga Europa, sepse Europa e do Shqipërinë në gjirin e saj, por e do Shqipërinë shtet, e do Shqipërinë me gjykata dhe me një drejtësi që bën drejtësi për njerëzit e vet.

Nuk mund të pranojë Europa, një Shqipëri ku drejtësia është pazar, ku e drejta është mall dhe ku një tufë të korruptuarish bëjnë ligjin, siç ua thotë xhepi, siç ua thotë interesi, për të mbajtur në kthetra një popull të tërë.

O me Evropën, o me çadrën!

O një Shqipëri e integruar si zonjë dhe ashtu siç na e kanë lënë amanet, ata që luftuan për të, qysh nga rilindësit, o një Shqipëri e mbyllur në çadër që dridhet nga frika e të ardhmes, nga frika e drejtësisë, nga frika e dinjitetit të një shteti europian!

Kur kemi ardhur këtu, përpara sesa të merrnim votën dhe besimin e Gjirokastrës, unë ju kam thënë që ne mrekulli nuk bëjmë dot, por do bëjmë për Gjirokastrën, do bëjmë për Tepelenën, për Përmetin, për Libohovën, për Këlcyrën, për Dropullin, aq sa nuk është bërë në 20 e ca vite të marra sëbashku. Ja ku jemi këtu, sot. Nuk kemi bërë mrekulli. Gjirokastra ka ende shumë nevojë. Tepelena ka ende shumë nevojë. Përmeti ka ende shumë nevojë. Patjetër ka shumë nevojë Libohova, Këlcyra dhe Dropulli. Por ju jeni dëshmitarë, kujt mund t’i shkonte mendja se kaq shumë punë, kaq shumë investime dhe kaq shumë transformime shpresëdhënëse mund të ndodhnin në vetëm 3 vjet e gjysmë, që ne jemi në qeveri!

Kujt i shkonte mendja që Tepelena, nga një xhep fals ku hynin vetëm ata që banonin aty është kthyer dhe do të kthehet akoma më shumë, në një qytet ku vlerat historike dhe bukuritë natyrore do të sjellin më shumë ekonomi përmes turizmit, më shumë punësim përmes turizmit, më shumë mirëqenie përmes turizmit. Askujt nuk i shkonte mendja! Mua më shkonte mendja. 25 vjet e lanë Tepelenën të harruar. 25 vjet i bënë qytetarët e Tepelenës dhe të gjithë ata që jetonin në Tepelenë të mendonin se s’kishte më të ardhme në atë qytet. Ja ku jemi sot! Flet vetë Tepelena që ndryshon përditë.

U desh një grua e votuar nga qytetarët e Libohovës që ne të kishim njeriun e duhur dhe që qeveria jonë të fillojë të punojë për Libohovën. Unë ju siguroj që Libohova që dukej 3 vjet e gjysmë më parë si një vend i destinuar të zhdukej nga harta, i destinuar të braktisej nga njerëzit, do të jetë shumë shpejt një vend ku jo vetëm ata që jetojnë aty nuk do ta braktisin, por gjithmonë e më shumë do duan ta vizitojnë, sepse Libohova ka pasuri të mëdha të trashëgimisë kulturore, të gjitha të lëna në harresë, të lëna në rrugën e rrënimit e njëkohësisht, pasuri fantastike natyrore, bukuri të jashtëzakonshme. Ne, këto pasuri do i kthejmë në burim mirëqenieje për njerëzit që jetojnë në Libohovë.

E njëjta gjë me Këlcyrën. E njëjta gjë me Memaliajn. Edhe aty, ne kemi filluar një punë transformuese, që nuk do të thotë se në Memaliaj, në Këlcyrë, në Libohovë, në Tepelenë, apo qoftë edhe në Gjirokastër, ne kemi bërë të mundur që njerëzit të jenë të lumtur, apo që nuk do të thotë se nuk ka akoma shumë papunësi, nuk ka akoma varfëri, nuk ka akoma familje që mezi mbërrijnë fundin e muajit. Absolutisht jo! Në 3 vjet e gjysmë, ne kemi bërë sa kemi mundur, nuk kemi bërë sa kemi dashur.

Do donim të kishim bërë më shumë. Por, ama, në 3 vjet e gjysmë, ne kemi provuar një gjë, që kush u bind për 20 e ca vite që Shqipëria nuk bëhet, duhet të rishikojë bindjen e tij.

Ne kemi provuar që Shqipëria bëhet. Ne kemi provuar që Shqipëria nuk ishte e dënuar nga Zoti, as nga fati, as nga historia apo gjeografia, as e dënuar nga klima, që të kishte një polici ku policët hanin fara nëpër udhëkryqe. Dukej si një mallkim. Ne provuam që jo, Shqipëria mund të ketë një Polici Shteti që të jetë fytyra e ambicies për Shqipërinë që Duam, të jetë fytyra e ambicies për të jetuar në një shtet, që është shtet për të gjithë.

Ne provuam që Matura Shtetërore nuk ishte e destinuar të mbetej gjithë jetën një kopje shtetërore. Ne provuam se rruga për në universitet nuk ishte drejt papunësisë, ku të gjithë mund të hynin e pastaj, me një diplomë pavlerë të bëheshin pjesë e armatës së të papunëve.

Ne provuam se Shqipëria nuk mund të jetë vendi ku zhduken zanatet dhe ku gjithë populli është jurist. Hapëm rrugën e arsimit profesional. Sot iu them të gjithë të rinjve që janë këtu se jo të gjithë do shkojnë në universitet, por kjo nuk do të thotë që jo të gjithë nuk do ta kenë mundësinë të bëhen të zotë të vetes. Kush nuk do të shkojë në universitet, do ketë mundësinë të marrë një arsim profesional të denjë, do ketë mundësi të marrë një zanat dhe me zanatin e tij të jo vetëm të punojë e të fitojë duke punuar në ndërmarrjen e dikujt, por edhe të hapë biznesin e vet të vogël, të vetëpunësohet, të punësojë të tjerë e kështu të rritet.

Ne provuam që spitalet tona nuk mund të jenë vendi i fatalitetit.

Sigurisht që ka shumë për të bërë edhe për të forcuar më tutje Policinë e Shtetit, edhe për të rritur më tutje cilësinë e universiteteve, edhe për t’i bërë ende më të mira shkollat, gjimnazet, për të fuqizuar ende më shumë dhe për të transformuar ende më shumë spitalet tona. Kush tjetër mund t’i bëjë këto?!

Askush tjetër, përveç Partisë Socialiste!

Askush tjetër nuk mund t’i mbyllte piramidat e dyta të Saliut të dytë. Saliu i parë ngriti ato piramidat e Xhaferrit, të Sudes, të Vehbiut, të Saliut dhe i zhyti brenda të gjithë, e çoi Shqipërinë në kaos, iu humbi të gjithë kursimet emigrantëve dhe prindërve tuaj. Saliu i dytë ngriti “kristalin”, “xhamin”, “teneqenë”, “vitrinat”, “pasqyrat”, “llamarinat dhe tha “këto janë universitetet më të mira në botë, shkoni atje! E gjithë rinia u fut nëpër xhama, kristale, vitrina e llamarina, me paratë e kursimeve të prindërve.

E ç’doli nga gjithë ato xhama, vitrina e llamarina?

Doli një popull juristësh. U bënë të gjithë juristë. Kemi numrin më të madh të juristëve për metër katrorë dhe kemi drejtësinë më të degjeneruar në Europë. Të paktën të kishim pasur një shtet që eksportonim juristë në të gjithë botën, të rregullonim gjykatat e të gjithë botës. Por, jo gjykatat e botës s’i rregullojmë dot, por jemi bërë gazi i botës me këto gjykata, që e marrin pronën nga gjyshi yt që s’ka të njohur, s’ka para dhe ia japin dikujt që nuk ka lidhje fare me zonën ku është prona e gjyshit tënd.

Ju dëgjoni t’ju thonë se nuk ia vlen të votosh, se të gjithë njësoj janë dhe si votove, si nuk votove, nuk ka ndonjë ndryshim. Në fakt, po të ishin të gjithë njësoj, edhe Gjirokastra do të ishte njësoj si para 3 vitesh e gjysmë.

A është njësoj Gjirokastra? Po Tepelena njësoj është? Përmeti, Libohova njësoj janë?

Po të ishin të gjithë njësoj, do ishin njësoj edhe gjërat. Po të ishin të gjithë njësoj, atëherë, asgjë nuk do kishte ndryshuar. Por ja që nuk janë të gjithë njësoj. Jo vetëm nuk janë të gjithë njësoj, po vota e 18 qershorit nuk është njësoj si votat e tjera. Nuk është njësoj si vota e qershorit të 2013-ës, sepse vota e 18 qershorit ka brenda mundësinë për të marrë hak për të gjithë gjyshërit që u grabitën në pronat e tyre; Për të marrë hak për të gjithë ato nëna që u veshën me të zeza nga humbja e fëmijëve, për shkak të kriminelëve që prapë dolën rrugëve e vranë përsëri, sepse paguan gjykatësit; Për të marrë hak për të gjitha ato vajza dhe gra që ranë pre e dhunës, e përdhunimeve, e poshtërimeve dhe dhunuesit, përdhunuesit e poshtëruesit e tyre dolën pa u hyrë gjemb në këmbë dhe prapë përdhunuan, prapë poshtëruan, prapë dhunuan. Sepse paguan gjykatësit.

Vota e 18 qershorit ka brenda këtë hak.

Secili dhe secila duhet të kuptojë që këtu nuk është çështja sa vota do marrë Partia Socialiste. Këtu është çështja sa grushte do marrin gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar.

Dua t’jua them prapë se ju vajza dhe djem, që jeni këtu për herë të parë, nuk duhet thjesht të votoni për veten tuaj. Ju duhet të bindni shokët, shoqet, fqinjët, kushërinjtë, kushërirat, pse është kaq shumë e rëndësishme që në 18 qershor të votojnë të gjithë. Pse është kaq shumë e rëndësishme që në 18 qershor, vota dhe mundësia historike për të kaluar nga një Shqipëri ku padrejtësia ka bërë ligjin për çerek shekulli, në një Shqipëri ku secili e merr të drejtën siç i takon, nuk mund të shkojë dëm.

Vota e 18 qershorit do të thotë edhe shumë më tepër punë për Gjirokastrën. Ne kemi filluar të rindërtojmë shtëpitë e vjetra. Ëndrra ime është që Gjirokastra të bëhet një qytet ku mos të jetë vetëm shtëpia e Ismail Kadaresë, por shumë shtëpi të tjera të restaurohen, të marrin emrat e shkrimtarëve të mëdhenj dhe shumë njerëz të vijnë në Gjirokastër për t’i parë këto shtëpi dhe për të bërë turizëm, falë edhe rrjetit të këtyre shtëpive.

Ëndrra ime është që Gjirokastra të mos ketë asnjeri pa punë. A realizohet dot kjo?

Po, kjo realizohet!

Kjo realizohet duke shumëfishuar numrin e turistëve dhe duke zgjatur muajt e turizmit në Gjirokastër. E kjo është plotësisht e mundur, sepse Gjirokastra është një pasuri e madhe që na e lanë të parët tanë. Është një pasuri e madhe, që na e lanë në një vend të mrekullueshëm, që e ka bërë Zoti, natyra. E pra, këtë pasuri, ne duhet ta kthejmë në mirëqenie. Që ta kthejmë në mirëqenie, ne duhet të bëjmë shtet. Që të bëjmë shtet, ne duhet të bëjmë drejtësi. Duke bërë drejtësi, ne do kemi shumë më tepër investime, do kemi shumë më tepër ekonomi, do kemi shumë më tepër punësim.

E njëjta gjë vlen për Tepelenën. Ka shumë akoma për të bërë në Tepelenë. Unë ju siguroj se ne do ta bëjmë. Ju siguroj se shumë më tepër holandeze, suedeze e norvegjeze do vijnë në Tepelenë. Sa më shumë turizëm të kemi, aq më shumë ekonomi do bëjmë.

Po ashtu, ju që jetoni në Përmet, e shikoni si po transformohet. Por ka ende shumë për të bërë e këtë mund ta bëjmë ne. Njerëz fantastikë në Përmet, të harruar e të braktisur në një zonë që ishte komplet në mëshirën e fatit, kanë ndërtuar struktura të vogla, kanë ndërtuar agjencitë e tyre turistike dhe jetojnë bashkë me familjet e tyre me këto agjenci, komplet të braktisur. Kur, falë investimeve dhe politikës sonë, falë qeverisjes sonë e bashkëpunimit me bashkinë, ne ta kthejmë Përmetin në një pikë strategjikë të hartës tonë turistike, sa më shumë njerëz do punësohen, sa më shumë njerëz do fitojnë e sa më shumë do rritet mirëqenia?

E njëjta gjë për Libohovën.

E njëjta gjë për Këlcyrën. Këlcyra do përfitojë nga Përmeti, do përfitojë edhe nga Tepelena. Kështu përfiton Këlcyra gjithmonë.

E njëjta gjë për Dropullin. Dropulli është fantastik, por investimet që ne kemi bërë janë vetëm fillimi.

Shkurt dhe thjeshtë, vërtetë që nuk keni parë gjë akoma. Vërtetë që ka akoma shumë për të bërë e për të parë. Prandaj kuptojeni shumë mirë se një votë e bën dallimin. Sikur të mos ishte vota e qershorit të 2013-s, nuk do ishin sot 130 mijë familje që kanë legalizuar dhe e kanë pronë të patundshme shtëpinë e tyre, por do ishin edhe 21 mijë legalizime të tjera se aq bëri Saliu me Shabanin në 8 vjet,  apo 10 mijë në një mandat dhe nga ato, 85% ishin magazina, biznese, hotele, motele, restorante, pishina, si puna e atyre që janë legalizuar tek kalaja e Tepelenës. Atë që Ali Pashës nuk ia bënë dot turqit, ia bëri Saliu. Tek kalaja e Tepelenës janë legalizime ndërtimesh pa leje, i kanë bërë pronarë në kala. Gjë që na ka rritur edhe koston, se tani janë pronarë dhe duhet t’i shpronësojmë e t’i paguajmë, sikur atë ia ka dhënë Zoti dhe jo sikur ia ka dhënë Shabani.

Ndërkohë që nga 130 mijë legalizime në vetëm 3 vjet e gjysmë, 93% janë shtëpi njerëzish që sot janë të varfër, edhe pse kanë bërë shtëpi të mrekullueshme. Sepse gjithë kursimet e tyre i kanë bërë tulla, llac e tjegulla. E nëse shtëpia nuk është e regjistruar, është strehë për të futur kokën. Po kur ajo regjistrohet dhe bëhet pasuri e patundshme, gjithë ai kapital që është investuar është kapital aktiv me të cilin mund të shkosh në bankë, të marrësh një kredi dhe të vazhdosh të ushqesh familjen me iniciativën tënde, ose mund ta shesësh shtëpinë.

Vetëm në Shqipërinë e Saliut kam parë duke shkuar për në Lezhë, një tabelë të madhe ku shkruhej: “Shesim tokë pa letra”. Si mund të kthehemi prapë tek toka që shitet pa letra! E të jeni të sigurt, janë gati të na kthejnë, por ne nuk do t’i lejojmë, se ne jemi Partia Socialiste. Ne kemi lindur si forcë dashurie për Shqipërinë.

Dashuria jonë për Shqipërinë do të bëjë që ne ta bëjmë realitet Shqipërinë që Duam, me shtet, me punë, me mirëqenie.

Shumë faleminderit Gjirokastrës!

Shumë faleminderit Tepelenës!

Shumë faleminderit Përmetit, Këlcyrës, Libohovës, Dropullit!

Shumë faleminderit të gjithëve!

Do vij prapë!

Do shihemi prapë, por, ndërkohë, çdo ditë, çdo orë, mos ndaloni së menduari, së foluri për 18 qershorin.

Në 18 qershor do bëjmë histori!

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here