Home Aktualitet Kryeministri Edi Rama, takim me të rinj të sapodiplomuar

Kryeministri Edi Rama, takim me të rinj të sapodiplomuar

107
0
SHARE

Të rinj të sapodiplomuar, energjikë dhe kërkues për të ardhmen e tyre. Ata janë të qartë dhe duan më të mirën për veten, bazuar tek merita dhe konkurrenca. Ambiciet dhe dëshirat e tyre ky grup të rinjsh e të rejash nga Tirana, të diplomuar në fusha të ndryshme, i ndau sot me Kryeministrin Edi Rama në një prej lokaleve të kryeqytetit, teksa konsumuan së bashku një kafe mes miqsh.

Së bashku edhe me Ministren e Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike,  Milena Harito, ata biseduan dhe shkëmbyen eksperiencat e tyre të rekrutimit në administratën publike, përmes aplikimeve on-line dhe më pas konkurseve. Përvojat e tyre janë të ndryshme. Disa nuk kanë fituar që në fillim, por të vendosur për të qenë pjesë e administratës publike dhe duke perfeksionuar më shumë veten në këtë rrugëtim, ia kanë dalë. “Aplikova online, por nuk fitova për disa pikë. Pastaj provova sërish pas disa muajsh. Konkurrova dhe fitova,” – tregon një e re, e cila tashmë është punonjëse në Ministrinë e Financave.

Ata tregojnë se ndonjëherë kanë qenë edhe mosbesues, por procesi tërësisht transparent dhe mundësia për të ankimuar e për të provuar sërish, u ka shuar çdo dyshim. I tillë është dhe një prej tyre, pjesë e stafit të Ministrisë së jashtme. “Hera e dytë që aplikova dola me sukses. Para se te konkurroja, kisha kryer dhe praktikën. Isha një nga fituesit me kontratë. Pastaj aplikova për në Sektorin e Diasporës. Gjatë procesit të aplikimit hasa një problematikë në dokumente, që më shtoi dyshimin. Ankimova dhe pas sqarimeve, dyshimet që kisha u shuan dhe kështu procesi vijoi normalisht. Tani jam i emëruar te Sektori Diasporës.”

Mes të rinjve ka prej tyre që kanë fituar që në aplikimin e parë. “Kam aplikuar në administratën publike, pasi bëra një praktike tre mujore përmes programit të praktikës së punës. Më pas përfitova një kontratë një vjeçare, që më ndihmoi në kriterin për eksperiencë pune. Te gjitha shpalljet që bëhen në DAP kërkojnë eksperiencë pune. Aplikova ne Departament. Pastaj ishte intervista, derisa mora emërimin.”

Në bisedë me këtë studente, Kryeministri Rama shpjegon se kjo është një rastësi e bukur dhe fakti që nuk mund të fitosh që herën e parë ndonjëherë të krijon përshtypje të gabuar. “Paske qenë rast i veçantë, se zakonisht nuk fitohet që në herën e parë. Përgjithësisht nuk fitojnë me të parën, është konkurs i vështirë, jo i lehtë. Të krijohet ideja sikur po të bëjnë hile, sikur s’të japin atë që meriton. Unë kam takuar edhe që kanë konkurruar për herë të gjashtë apo të shtatë. Kanë humbur 5-6 herë dhe kanë insistuar për të fituar. Edhe konkursi është një eksperiencë me vete, për të ndjekur hapat, aplikimet. Ajo që është e rëndësishme është që është krijuar një bazë.”

Ministrja Harito shpjegoi se nga 50 mijë vetë që kanë aplikuar në sistem që nga viti 2014, janë 2500 ata që janë bërë tashmë pjesë e administratës.

Ndërkohë, Kryeministri theksoi se tashmë administrata publike është një mekanizëm i konsoliduar, së cilës i është garantuar stabiliteti dhe nuk mund të ndryshohet sipas interesave të politikës. “2500 vetë me këtë sistem është bazë shumë e mirë. Sepse, pavarësisht se është moshë e re, eksperienca nuk është e madhe, por ajo që ka rendësi është që ligji jep goxha garanci. Kështu që tani s’ju lëviz dot njeri se ka qejf dhe jeni për një afat të shumë të gjatë në administratë. Ky lloj stabiliteti do bëjë që në harkun e një 10-vjeçari administrata do jetë komplet gjë tjetër. Kur thua harku 10-vjeçar duket shumë, por vendet që ne shikojmë me zili e kanë administratën qindra vjeçare. Administrata është gjëja më e vështire për t’u ndërtuar. Nuk është një gjë që e ndërton si rrugët, por është një gjë që kërkon shumë kohë, kërkon burime njerëzore të përzgjedhura me kujdes dhe të kualifikuara hap pas hapi, vit pas viti.”

Kryeministri theksoi gjithashtu se reforma e rekrutimit në administratën publike po jep frytet e saj drejt ndërtimit të një shërbimi civil europian. “Është shumë e rëndësishme që këta të rinj bëhen pjesë e administratës për meritat e tyre dhe jo për miqësitë, apo lidhjet partiake, duke krijuar kështu një standard të ri të administratës publike. Pjesa më pozitive nga pikëpamja morale për administratën, por dhe për ata që futen në shërbimin civil, është që në momentin kur e fiton vetë dhe je aty me meritën tënde, është komplet tjetër, në raport me punën, me institucionin, me eprorët, sesa kur je aty si pasojë e një ndërhyrjeje që sot është dhe nesër s’është, e një fuqie që sot e ke e nesër s’e ke, apo e një mbështetjeje që sot ta dhanë e nesër s’ta japin. Reforma ka qenë kundër natyrës të shtetit për shumë vite, që hajde njëri, ik tjetri, sill. Kuptohet ka akoma shumë se nuk është se këto fenomene janë eliminuar, por kur vjen puna te Shërbimi Civil, te procedurat e administratës publike, efekti mik, efekti parti, para, është minimizuar shumë. Nuk mund të them që është minimizuar 100% se do ishte gënjeshtër, por është minimizuar shumë. Realisht, kur lufton, e merr.”

Ministrja Harito shpjegoi se me reformën e rekrutimit në administratë i jepet një hov i ri lëvizjeve brendapërbrenda administratës, duke i dhënë mundësi punonjësve të zhvillojnë karrierën e tyre brenda institucionit.  ​

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here