Home Ditar Kur i hodhën litarin në fyt

Kur i hodhën litarin në fyt

170
0
SHARE

-Me rastin e 90 vjetorit të lindjes

Fato Berberi lindi dhe u rrit në qytetin e Gjirokastrës në vitin 1927.  Ajo zhvilloi veprimtarinë në radhët e të rinjve në qytet. Në vitin 1943, Fatoja dhe mjaft të rinj nga Gjirokastra lanë qytetin dhe u kuadruan në çetën partizane të rinisë.

Ashtu si gjithë shqiptarët patriot edhe ajo, ndonëse e vogël e urrente tepër okupatorin. Qysh në fillim u bë aktiviste e Luftës Nacionalçlirimtare. Merrte pjesë në grupet edukative të rinisë, shpërndante trakte dhe komunikata të luftës dhe shquhej ndërmjet shoqeve të saj për zgjuarsi dhe guxim.

Në vitin 1943 doli partizane. U rreshtua në radhët e “Çetës së Rinisë” të Gjirokastrës. Në të gjitha luftimet që bëri kjo çetë në Sarandë, Kurvelesh, Tepelenë, Gjirokastër e kudo, Fatua u dallua si partizane trime. Me inkuadrimin e kësaj çete në rradhët e Brigadës VI S, si partizane e batalionit të tretë të kësaj brigade, Fato Berberi luftoi me vetmohim dhe meritoi respektin e dashurinë e të gjithë shokëve dhe shoqeve.

Në operacionin e Qershorit, kur brigade zhvillonte luftime të ashpra në mallet e Kurveleshit, një natë në ecje e sipër, Fatua rrëshqiti dh era në greminë… Kish rënë në zonën ku vepronin gjermanët. Ata e gjetën pa ndjenja. E burgosën, e torturuan, por ajo nuk u thye. Pas disa ditësh e mxorrën nga burgu i Gjirokastrës dhe e nisën me disa të burgosur të tjerë në kampin e Selanikut.

Një nga shoqet e saj që u kthye nga kampi i Selanikut tregonte:

…Një barakë e madhe në mes të një fushe të rrethuar me tela me gjëmba dhe me kulla, ku bëhej roje natë e ditë nga armiku, ishte kampi i Selanikut. Natën, sapo kyçej dera e barakës, nazistët lëshonin qentë e ndjekjes që vinin vërdallë fushës duke lehur deri sa gdhihej.

Tortura më e madhe e natës ishte “kontrolli”. Çdo gjysëm ore, hapej dera dhe në barakë hynte një rreshter me dy ushtarë, të cilët përplasnin këpucët, bërtisnin, godisnin me shkelma të burgosurit që sapo i kish mundur gjumi. Po të vonoheshe pak për t’u çuar, të dërmonin me shkelma deri sa të çoheshe dhe të qëndroje gatitu. Të burgosurit nuk mbyllnin sytë tërë natën e natës.

Në orën pesë të mëngjesit, sapo zbardhte drita, mbylleshin qentë në vëndet e tyre të posaçme dhe fillonte tortura e ditës. Hapej dera dhe të burgosurit nxirreshin me kërbaç në fushën e rrethuar me tela. Atje duhet të rrinin tërë ditën e ditës në këmbë, në shi e në diell, pa guxuar të uleshin asnjë minutë. Ta merr mendja se më të shumtët sidomos pleqtë, përmbyseshin të zalisur. Fatoja përgjonte orë e çast dhe, sapo binte dikush, menjëherë i shkonte pranë, kujdesej për të dhe i përsëriste në vesh: “Duro, do të fitojmë. Edhe pak ditë mbetën. Dita e fitores po afrohet. Duro edhe pak; pastaj do të kthehemi në shtëpi e do të rrojmë të lirë”…

Por gjermanët që rrinin me sytë katër, e merrnin vajzën që përkrahte shokët e saj të mjerimit dhe e rrihnin faqe të gjithëve. Shumë herë ajo shtrihej e dërrmuar, pa ndjenja prej goditjeve të tyre të pamëshirshme. Megjithë këtë, Faton nuk e lëshonte zemra. Pasi përmendej, fshinte fytyrën e gjakosur, rrinte një copë herë e tulatur, pastaj i jepte forcë vetes e bashkohej përsëri më shoqet e veta. Nuk ankohej dhe nuk duronte ta mëshironin. Vendosmëria dhe guximi i saj, ranë në sy të armikut. E gjykuan si një njeri të rrezikshëm që s’di ta ulë kokën. Gjyqi ushtarak i përbërë nga oficerët e burgut, e dënoi me varje.

Një ditë më vonë, në orën pesë të mëngjesit, në mes të fushës së burgut, Fato Berberi u ngjit në trikëmbësh e guximshme, e qetë si kurdoherë. Të burgosurit, shokët dhe shoqet e saj, e shikonin me dhimbje. Nga sytë u derdheshin lot. Të gjithëve u kish hyrë në zemër ajo vajzë e re.

Para trikëmbeshit, në fushë kish pllakosur një heshtje e rëndë. Edhe vetë nazistët kishin mbetur të habitur nga qëndrimi heroik përpara vdekjes i asaj trimëreshe. Një ushtar i hodhi litarin në grykë. Fatua qëndronte pa lëvizur, vështronte diku larg…Pastaj rregulloi lakun me qetësi dhe thirri: “Rroftë Liria…!

Mbase do të kish thënë dhe diçka tjetër, po ushtari gjerman shkelmoi arkën dhe litari u tendos.

GËRSHETAT

Një nënë deshnicare nga Zhapova, Emine Dragoi, tregonte:

-Qëndroi në shtëpinë tonë partizania Fato dy javë gjersa u shërua nga një plagë plumbi. Të verbonte syri i saj, aq e bukur ishte, qelq dylbie e kishte syrin. Të melconte fjala e saj. Mjaltë nxirrte nga goja partizania Fato. Si thëllëzë mali ligjëronte. Gërshetat ia lezetonin shtatin, i  shkonin gjer te thoi i këmbës. Kur i hidhte gërshetat mbi supe dhe i dridhte rreth gjerdanit të fishekëve, kish lezet ta shikoje. Po një ditë para se të largohej, të shkonte në brigadën e saj më tha: -Do t’i pres gërshetat. Më vuri në dorë gërshërët, dhe më tha: -Preji moj nëna ime! Preji këto gërsheta, moj nëna zemërmirë. M’u drodh zemra, më ngriu dora.

-Jo, jo! – I thashë, nuk mundem të vë dorë mbi këto gërsheta. Është gjynah!

Ajo i preu gërshetat, kurse unë u përlota. Më erdhi keq dhe nga ajo kohë, një jetë i kam ruajtur në sënduk ato gërsheta të gjata të partizanes Fato Berberi, ashtu të mbështjella me kujdes me një pëlhurë të bardhë si bora.

Ditëprera ajo, sa e bukur ishte dhe ashtu do të mbetet dhe kujtohet në të gjithë brezat që do të vijnë!

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here