Home Ditar Leskoviku në 73 vjetorin e çlirimit

Leskoviku në 73 vjetorin e çlirimit

163
0
SHARE

-Lufta për Çlirimin e Qytetit të Leskovikut, i pari veprim luftarak i bashkërenduar dhe i organizuar i forcave partizane-

Leskoviku i dha lëvizjes kryengritëse të fillimshekullit XX shumë luftëtarë dhe komandantë të shquar si Atë Stath Melani, Themistokli Gërmenji, Vangjel Gjika etj. Ai i dha gjithashtu kombit, të parin drejtor të Bibliotekës Kombëtare Vaskë Babatasin më 1922 etj. Leskoviqarët e përqafuan qysh në fillim lëvizjen dhe Luftën ANÇl dhe i dhanë asaj një ndihmesë të mafhe morale, material dhe fizike. I dha një nga çetat e para partizane. Rrallë gjen në këtë krahinë njerëz që përkrahën pushtuesin fashist apo organizatat tradhetare të Balit e Legalitetit. Ishin këto arsyet që udhëheqja e luftës se qarkut të Korçës vendosi të sulmonte me gjithë forcat partizane të qarkut garnizonin fashist dhe të çlironte Leskovikun në Maj të vitit 1943. U vendos që në këtë veprim luftarak të merrnin pjesë 12 çeta partizabe të qarkut si dhe një numër forcash vullnetare, gjithsej rreth 650-700 luftëtarë kundrejt rreth 400 forcave armike të garnizonit të Leskovikut.

Para fillimit të veprimit luftarak, u organizua një mbledhje e gjerë me komandantët dhe komisarët e çetave në pyllin e Gërmenjit. Mbledhja u drejtua nga Nexhip Vinçani, Pëllumb Dishnica dhe Skënder Çaçi, Komiteti Qarkor i Partisë. U formua një shtab operativ i përbërë nga Nexhip Vinçani, Teki Kolaneci e Petrit Dume. Ky shtab hartoi planin e veprimeve, drejtimin e lëvizjes së forcave, pozicionet që do të ziheshin, forcat që do të sulmonin direct kazermat, forcat që do të vepronin në sektorët anësore si dhe datën e fillimit të sulmit.

Në këtë veprim të bashkërenduar, u angazhuan çeta e Gorës, Oparit, Kolonjës, Leskovikut etj. Dhanë ndihmesën e tyre forcat partizane të Skraparit, Përmetit si dhe forca vullnetare nga zona e Shqerisë, Radimishtit, Podës, Arëzës, Gërmenjit, Shalësit etj. Dhanë kontributin e tyre edhe njesitet e fshatrave të Kolonjës e Pogradecit, si ai i Rëmbecit, Petrushës etj. Këshillat e fshatrave nisën në drejtim të Leskovikut, karvanë me ushqime, çka tregon për një solidaritet të madh në ndihmë të luftëtës për çlirimin e Leskovikut.

Me të marrë detyrat luftarake të gjitha forcat partizane e vullnetare, pasi u afruan rreth qytetit, zunë pozicionet e caktuara. Ishte nata e 15 Majit, binte shi. Vetëm qentë ndjenë zhurmën e lëvizjes dhe filluan të lehnin pa pushim. Lëvizjet u ndjenë nga rojet e kazermave, rrëzë malit të Kollovozit dhe filluan të qëllonin. Krismat e pushkëve u shoqëruan me një fishekzjarr. Ky qe sinjali i fillimit të sulmit. Sakaq qindra pushkë krisën nga të katër anët e Leskovikut. Plumbat  gjurmëlënës të partizanëve mbërtheheshin në muret e kazermave. Qielli dukej sikur po merrte flakë. Lufta u ndez mirë gjatë gjithë natës. Kur zbardhi dita një aeroplan u vërtit rreth e qark dhe mbi qytet dhe si u sigurua që partizanët nuk kishin kundra ajror, u sul mbi çatite e Leskovikut me breshëri plumbash. U dogjën disa shtëpi dhe tymi u ngrit dhe nxiu qiellin. Zjarri i këmbësorisë u ndërpre nga të dy palët. Më pas, aeroplani mitroloi pozicionet e partizanëve. Në fillim aeroplani shkaktoi një farë frike dhe ankthi, por pastaj, partizanët sikur u mësuan me zhurmën e tij.

Si u largua aeroplani, lufta u ndez përsëri e ashpër, ashtu siç kishte filluar. Skuadrat e sulmit ishin afruar fare pranë kazermave dhe, krahas zjarrit u lëshuan një breshëri thirrjesh italianëve: “Dorëzohuni se jeni të rrethuar nga të gjitha anët”. Por ata, duke shpresuar në ndihmën që mund t’u vinte nga Përmeti, Janina e Korça nuk dorëzoheshin. Ndërkaq, erdhën njer pas tjetrit aeroplanë bombardues që nzinë qiellin, si gala të tërbuara. Hodhën e hodhën bomba e zbrazën fishekë sa mundën. Lagjia e Pazarit dhe ajo e Kishës u bënë tym e flakë. Leskoviqarët, edhe filluan të largoheshin nga shtëpitë, por edhe mendonin për fatin e partizaneve. Sa e sa gra, plaka e të rinj shkuan në pozicionet e partizanëve me ushqime. Kurse një djalë tetëvjeçar u shpuri një sasi fishekësh që ua kishin marrë italianëve duke u thënë: “Merrini dhe vritini fashistët!” Kjo përlrajke popullore nuk mund të mos u jepte zemrë partizaneve.

Fashistët që ishin grumbulluar në kazermë, duke parë rrezikun që u kanosej, u kërkuan ndihmë organeve eprore. Dhe, sakaq u nis një autokolonë me 47 makina nga Përmeti, shoqëruar me 4 autoblinda. Por ajo u gjend në zjarrin e forcave të Përmetit tek Ura e Devojkarit dhe tek Ura e Çarshovës, ndaj u detyruan të ktheheshin mbrapsht, me humbje.

Edhe autokolona e nisur nga Korça, ran ë zjarrin e forcave partizane e vullnetare në Urën e Shalësit të udhëhequra nga Shaban Zereci, Shefqet Meleka e Reki Kolaneci dhe u detyrua të kthehej mbrapsht. Edhe në Glinë pësuan të njëjtin fat nga forcat e Agush Gjergjevicës. Kjo u dha dorë partizanëve të vazhdonin me me furi luftën. Në ballë qëndronin skuadrat e Sulmit që u mbiquajtën “Sulmuesit e vdekjes” nën komandën e Nasi Vithkuqit. Më në fund, forcat fashiste u detyruan të kapitullonin dhe të linin Leskovikun, pasi e dogjën dhe e plaçkitën.

Në këto luftime armiku la rreth 200 të vrarë e të plagosur dhe pësoi humbje të mëdha materiale. Edhe nga forcat partizane mbetën 7 të vrarë dhe 12 të plagosur që ranë duke luftuar, si: Ilo Terova, Zef Marku, Shaban Korça, Llazi Bufi, Enver Dajlani, Josif Ruço dhe Ilia Karaj. Qyteti i Leskovikut u bë qyteti i parë i çliruar nga lufta partizane.

Suksesi i kësaj lufte të bashkërenduar të 12 çetave dhe të qindra forcave vullnetare, pati jehonë të madhe, pasuroi më tej përvojën që do të përsëritej në një shkallë edhe më të madhe në fillim të Korrikut 1943, kundër garnizoneve të Përmetit dhe të Kuqarit.

Kontributi i mëtejshëm I krahinës së Leskovikut me 36 fshatra të asaj kohe, ishte dhënia e luftës rreth 400 luftëtarë me armë në dorë (nga të cilët 22 vajza) dhe 35 Dëshmorë. Vetëm qyteti i Leskovikut nxori nga gjiri i vet 100 partizanë e partizane, jo vetëm nga një por edhe nga dy e tre për familje. Radova me 20 shtëpi dha 18 partizanë, Gjerakara me 16 shtëpi dha 10 partizanë; Melani me 21 shtëpi dha 17 ndër ta dy vajza; Lushnja me 3 shtëpi dha dy; Postenani dha 23; Poda 23; Trebozishti 16 dhe kështu me rradhë të gjithë fshatrat.

Leskoviku i dha Kombit qindra kuadro ushtarë e civilë të fushave të ndryshme.

APOSTOL KOTANI

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here