Home Aktualitet Me të rinjtë për Rilindjen e Korçës dhe reformat në arsim

Me të rinjtë për Rilindjen e Korçës dhe reformat në arsim

141
0
SHARE

Gjatë qëndrimit në Korçë, Kryeministri Edi Rama u takua me një grup maturantësh, me të cilët foli për procesin e pranimit në universitet, orientimin e edukimit të të rinjve sipas nevojave të tregut, pasionet e tyre, por edhe për kthimin e Korçës në shkëlqimin e dikurshëm.

“Unë besoj se janë korçarët ata vetë që e ndjejnë ndryshimin, si ishte Korça më parë dhe si është duke u transformuar. Në radhë të parë është një qytet ku ke dëshirë të dalësh. Mbi të gjitha ke çfarë t’ju tregosh të huajve. Para shumë kohësh kishim të vështirë t’iu tregonim një vend, ndërsa tani kemi shumë hapësira,” – shprehet një e re, e pyetur nga Kryeministri si e shihte qytetin e saj.

Loading...

Duke u nisur nga përjetimet e të rinjve për qytetin e  tyre, Kryeministri foli për projektet me mbështetjen e qeverisë që po e kthejnë Korçën hap pas hapi në identitet.

“Po të shikosh fotografitë e Korçës të viteve ‘20-’30-të ndjehesh shumë keq. Ndjehesha shumë keq kur vija ndonjëherë në Korçë, se shikoja vetëm hijet e atyre fotografive. Shihja jo ato që tregonin fotografitë, por si qytet që ishte me hije, jo me objektet reale, sepse sikur kishte rënë një vello. Niko filloi të bëjë disa gjëra. E diskutonim atëherë që duhet të fitojmë, se po të fitojmë, mund t’i bëjmë gjërat shumë herë më shumë dhe shumë herë më shpejt.

Edhe sot realisht ishte emocion në sallën e Teatrit. Edhe po të lexosh librat dhe po të shohësh fotografitë, korçarët visheshin në ditë të zakonshme, në këtë orë, siç më pas u bë që për t’u veshur duhet të ishte ndonjë festë apo ngjarje e madhe, me frak, borsalinë, me kostume allafrënga dhe shkonin në teatër. Ndërkohë që Teatri këtu ishte katandisur në një si magazinë e madhe, e ftohtë, e rrënuar. Tani do bëhet gati për t’u hapur dhe u gëzova shumë që kryetari i bashkisë ka zgjedhur një shfaqje baleti, “Liqenin e Mjellmave”, për ta hapur. Balet s’është bërë dot kurrë përpara, se s’kanë qenë kushtet. Të paktën në këtë pikë, ata gjyshërit e stërgjyshërit nuk rrotullohen në varr nga sikleti që ua bënë Korçën si katund të madh; Ne ua bëmë Paris të vogël, këta e bënë katund të madh. Po e kthejmë tamam si në atë Parisin e vogël, jo duke e krahasuar me Parisin, por duke e krahasuar me Korçën vetë.

Pamë sot bashkinë që po rindërtohet. Fantastike, sepse godina e vjetër ka rimarrë frymë. Dukej sikur futeshe në mushkëritë e hapura të godinës, pas shumë vitesh. Edhe godina e re në krah, që është për qytetarët, është një kombinim i Korçës së stërgjyshërve me Korçën tuaj. Është edhe Qendra Kulturore aty ku është Prefektura, me Bibliotekën që do jetë model.

Kur thamë atëherë do bëjmë Parkun Olimpik, thoshin “i bëjnë bukur me kompjuter këta, po asgjë s’ka për t’u bërë.” Faktikisht është duke u bërë dhe besoj brenda shtatorit-tetorit do të jetë gati. Ajo do jetë një gjë shumë e madhe, sepse do i japë një energji shumë të madhe pozitive njerëzve. Në Korçë kanë luajtur tenis që herët. Por do jetë dhe një stimul shumë i madh ekonomik. Të gjitha këto janë stimuj ekonomikë, sepse sjellin shumë më tepër njerëz. Rriten shumë arsyet për të ardhur. Jam i bindur që në verë do jetë nami.

Qendra e Fëmijëve është e para e atij lloji në Shqipëri. Ne duam t’i bëjmë në të gjitha bashkitë e reja. Ky është një model komplet risi. Ajo do jetë fantastike, se do jetë një hapësirë ku jo vetëm prindërit dhe fëmijët këtu, por të gjithë ata që do duan të vijën në Korçë do thonë të rrimë edhe një ditë më shumë, se do çojmë kalamajtë tek qendra. Gjithë kjo është konsum, është rritje ekonomike, është rritje e biznesit, është rritje përgjegjësie e atmosferës pozitive në komunitet.

Sot folëm edhe për pishinën, që është një vlerë e shtuar për Parkun.

Me reformën administrative, me bashkinë re, është edhe Voskopoja, edhe Dardha, pjesë, që janë të tjera atraksione fantastike. Bëhet një territor ku nuk vihet më vetëm një ditë, por vihet për të gjithë fundjavën. Pak nga pak do vijë koha që do ketë edhe turistë që do vijnë të bëjnë pushime këtu.

Nëse ne do arrijmë të vazhdojmë me projektin tjetër që i takon të nesërmes, të pistës së skive në Golicë, do jetë i pari resort turistik dimëror në Shqipëri.

Korça humbi atë që ka pasur, forcën e vet kur ishte si Paris i vogël, kur ishin të gjithë xhelozë për të. Nuk bëhej më njeri xheloz për të. Tani kanë filluar të bëhen xhelozë prapë. Kjo është gjë e madhe. Por ne do vazhdojmë me të tjerat, nuk diskutohet.”

Duke theksuar shembullin e transformimit të Korçës, Kryeministri i nxiti të rinjtë të besojnë dhe këmbëngulin tek idetë dhe ëndrrat e tyre:

“Ajo që besoj unë ka bërë diferencën, që kur ka ardhur Niko këtu kryetar bashkie, po të shikosh edhe ecurinë e bashkive në Shqipëri, midis atyre që kanë bërë gjëra, edhe kur kanë qenë në kushte të vështira, edhe kur qeveria nuk e mbështeste, këtu, Niko krijoi kulturën e projektit. Gjëja që ne na ka munguar e na mungon, për shkak të kësaj tradite të mbrapshtë që u krijua. Do të thotë që ti do të bësh diçka dhe fillon duke thënë “nuk ka lekë”. Ndërkohë që në fakt duhet ta fillosh nga projekti. Nuk janë paratë që bëjnë projektin, janë projektet që bëjnë paratë. Nuk janë paratë që realizojnë idetë, janë projektet që i bëjnë të mundura idetë të realizohen me para.

Nga ideja dhe pasioni tek projekti, tek bindja e kryetarit të bashkisë tek bindja e të tjerëve, gjenden dhe ato pak financime e mbështetje që duhen për ta bërë realitet projektin. Walt Disney që unë e kam shumë qejf, është i pari që bëri filmat multiplikativë, Tomin e Xherrin, Mickey Mouse. Një gjeni. Ai thotë një diçka shumë të bukur: “Dallimin mes ëndrrës dhe realitetit e bën afati.” Afatin e bën projekti. Ëndrra shohin të gjithë. Realitetin e bëjnë projektet, ëndrrat që kthehen në projekte dhe që transformojnë atë që duam të transformomë në realitet.”

Kryeministri u interesua nëse maturantët janë të mirëinformuar për Maturën Shtetërore dhe fazën e aplikimit për studimet e larta.

“Ky është dallimi. Këtë vit kemi qenë shumë të informuar për gjithçka. Kemi bërë takime, mbledhje, qoftë me Drejtorinë Arsimore, me drejtorinë e shkollës. Besoj se çdo maturant ka qenë i informuar për çdo gjë, qoftë për provimet me zgjedhje, kriteret. Për çdo pyetje që kam pasur kam marrë një përgjigje,” – thotë një e maturante.

“Në të gjitha gjimnazet e qytetit janë ngritur komisione të veçanta, të cilat kanë si qëllim të informojnë maturantët lidhur me degët, me mesataret apo pikët që iu nevojiten për të vazhduar më pas studimet e larta. Kjo ka qenë plus, për ne si maturantë” – shprehet një tjetër.

“Ne nuk mund të humbnim edhe 3 vite të tjera për të vënë në jetë një reformë që në fund të ditës ka një bazë që është themelore, që në të gjitha rastet do marrësh atë që meriton,” – shprehet Kryeministri lidhur me sistemin e pranimit në universitet, duke shtuar se “në të gjitha rastet, askush nga ju nuk mund të marrë atë që s’meriton, ose askujt nga ju nuk mund t’i hajë dikush tjetër hakun pa e merituar, sepse në mënyrën si është ndërtuar sistemi, nga kjo pikëpamje, nuk ka mundësi që ajo që të takon ty, ta marr unë, e kur të shikosh listën të thuash si ka mundësi që s’jam unë, po është ky. Ti më ke pasur  në klasë dhe ke parë  që je më i mirë sesa unë . Konkurruam të dy në një degë dhe fitoj unë. Pse? Sepse kam një parti që më çon atje me telefon, se kam babin me lekë, apo se kam kushërinj që njohin dikë që merret me këtë punë. Kjo nuk ndodh dhe është arritje e jashtëzakonshme.”

Në bisedë me të rinjtë, Kryeministri i siguron se sistemi është i tillë që nuk lejon ndërhyrje dhe secili do të marrë atë që meriton. “Ka njerëz që mendojnë se iu është ngrënë haku, sepse nuk kuptojnë ose nuk bëjnë verifikimin e duhur që në fakt nuk është ndërhyrë, nuk ka kompjuterikisht, se aty është verifikimi. E njëjta gjë me portalin “Mësues për Shqipërinë”. Unë marr çdo rast, që mësues, mësuese më thonë “kam fituar portalin, por hyri dikush tjetër.” Të gjitha verifikohen dhe nuk rezultojnë ashtu. Kur filluan ankesat u bë zhurmë e madhe. Por 10 preferencat janë domosdoshmëri, janë minimumi. Po të kesh më pak preferenca, ti rrezikon të digjesh. Bota nuk ka fare limit. Ti mund të kesh 100 preferenca, sa të duash ti. Ne ndërtuam një Taks – Forcë dhe verifikonim të gjitha ankesat. Në sistem çdo gjë lë gjurmë dhe verifikohet. Kur u bë hyrja nëpër auditorë, aty ishte më e lehtë për të shikuar si ka ndodhur. Për shembull Fakulteti Juridik. E gjithë lista e atyre që kishin dashur të shkonin në Juridik dhe të shikoje pikët nga A tek i fundit, nuk kishte asnjë që kishte më shumë pikë të ishte më poshtë në listë dhe dikush që kishte më pak pikë të dilte më lart. Sepse sistemi i tillë është.”

Mesatarja për pranimin në universitet është 6,5 – 7, nuk mendoni, që është disi e ulët për të nxjerrë  vërtetë profesionistë? – ishte pyetja e një të reje.

“Ne vumë mesarën 6 vjet dhe u  ngrit në këmbë, i madhi e i vogël që ka mundësi të dal në ekran edhe tha se ky është persekutim. Sepse po i stresoni kalamajtë, na thanë. E para, stresi është pjesë e garës dhe po i mësuam fëmijët që gjerat merren pa garë, i kemi praktikisht të kthyer në ushtarë që të vriten që në ditën e parë që dalin në luftën e jetës. Rritja e mesatares do të vazhdojë, por do të vazhdojë gradualisht. Nuk e bëjmë dot të menjëhershme. Kur kemi shkuar ne në universitet, kush ishte me 6-të, jo që nuk shkonte në Universitet, jo që nuk ndihej i diskriminuar, por ishte aq i qartë dhe aq i qetë në këtë aspekt, që Universiteti nuk është fare rruga ime. Ai shkonte gjente një zanat,” – përgjigjet Kryeministri.

Të rinjtë, nënvizon Kryeministri, duhet të orientohen drejt profesioneve që përputhen me kërkesat e tregut të punës. Ky është një problem real në Shqipëri, ku mungesa e forcës së kualifikuar të punës është edhe një problem për sipërmarrjen. “Të gjithë sipërmarrësit në Shqipëri, realisht kanë problemin e kualifikimit të krahut të punës. 25 vjet, çerekshekulli pa arsim profesional. Por ka filluar të ndryshojë dhe ne e shohim nga regjistrimet. Ne kemi gjetur në arsimin profesional 3 mijë nxënës. Këtë vit janë 27  mijë. Sërish janë shumë pak. Por janë shumë më tepër seç ishin dhe mbi të gjitha, sistemi që ne kemi ndërtuar me arsimin profesional është dual, gjysma e kohës në shkollë dhe gjysma e kohës në ndërmarrje. Janë 6 shkolla ekselence profesionale që do ndërtohen, me një partneritet me shtete të tjera, me Zvicrën, me Gjermaninë, me Italinë etj.. Edhe eksperienca e trupës mësimore duhet të jetë eksperiencë e kombinuar vendase dhe të huaj. Sipas nevojës së tregut bëhen edhe programet e aksesit në arsimin profesional. Është një sistem i tërë dhe na qëlloi neve t’i bëjmë nga  e para këto gjëra.”

“Prindërit e mi, ose familja ime është një familje demokrate dhe po më dërgojnë përshëndetje. Ata janë habitur të gjithë nga fakti i prezencës time këtu,” – ndërpret bisedën një e re.

“Ata, sot më përshëndesin mua, – shprehet Kryeministri, – se i shpëtova, se do ngeleshin pa votuar. Duke qenë se i shpëtova, kuptuan edhe një gjë tjetër. E kanë kuptuar ata, por e kanë kuptuar edhe të tjerë  si prindërit e tu, që djalli nuk është aq i zi sa duket. Kështu që, bëju edhe ti të fala. Pastaj votën si të duan. Rëndësi ka që ne jemi sot në një moment, mbas një krize që ishte kriza e Partisë së prindërve të tu dhe që rrezikoi të bëhej një problem, në një moment që këtë krizë mund ta shfrytëzojmë për të bërë një gjë të re. Ka një shprehje që unë e kam gjithmonë  parasysh dhe gjithmonë ia them edhe bashkëpunëtorëve të mi: “Mos e humb shansin e madh që të jep një krizë”. Madje në gjuhën kineze, kriza dhe shpresa kanë një hieroglif. Ai hieroglif, në varësi nga konteksti lexohet shpresë, ose lexohet krizë. Kështu që në politikë, gjithmonë, kriza jep një mundësi. Kudo, edhe në biznes, edhe në sport, kriza është një mundësi, sepse të jep mundësinë jo të kthehesh atje ku ishe, se atje ku ishe s’kthehesh dot, por të kalosh në një stad tjetër. Edhe në organizëm ndodh kështu.

Kjo është një mundësi që të shkojmë në një stad tjetër, të kemi një politikë që komunikon, të kemi përfaqësues politikë që nuk e trajtojnë njëri- tjetrin si armiq dhe që nuk e përdorin gjuhën si pushkë për të vrarë njerëz, që në fakt nuk vriten, por ngelen gjallë që të bëhen zhele. Mbi të gjitha që të sillemi si vend me një seriozitet po themi minimal, sepse  është seriozitet minimal të thuash që unë dua të vij në Bashkimin Europian, të kesh kapacitetin që të komunikosh dhe problemet e brendshme të paktën t’i trajtosh pa pasur nevojë që të presësh të vijnë nga Brukseli, nga Berlini, nga Washingtoni, se është skandal. Në këtë aspekt, kjo është shumë pozitive. Diskutohej për këtë marrëveshje nëpër këto klubet e katundit të medias, ku unë realisht nuk futem. Unë s’lexoj gazeta. Vetëm marr informacionet bazë nga zyra. Diskutohej dhe të gjithë thoshin “pazari”. Pazari, se morën kaq ministra e aq drejtorë, do bëjnë tendera, do bëjnë kështu e ashtu. Të gjithë merreshin keku, byreku, revania, sultjashi, sepse, për fat të keq, ata ashtu e konceptojnë, se ashtu e duan dhe ashtu e bëjnë.

Ndërkohë që pika më e rëndësishme e asaj marrëveshje nuk është as sa ministra, as sa drejtorë, – për më tepër nuk janë fare ministra e drejtorë që do bëjnë tendera, se këto të gjitha janë procese që ne i kemi bllokuar pa u bërë kjo, – por është kjo përpjekje për të bërë zgjedhje ku opozita të ndihet e parënduar nga presioni i administratës, i pushtetit etj.. Në marrëveshje thuhet, është pjesë e përpjekjes së vazhdueshme për të hapur negociatat. Pra, që të jemi bashkë kur flasim me të huajit dhe të jemi përballë kur flasim me njëri- tjetrin, siç funksionon në çdo vend. Nuk ka marrëdhënie dashuria mes qeverisë dhe opozitës, në asnjë vend. Armiku më i madh i Barack Obama-s ishte Kongresi dhe Senati Amerikan. Senati Amerikan arriti ta kërcënoi për ta çuar në default, domethënë që të ngrinte komplet buxheti i Amerikës, vetëm inat politik.

Mirëpo cilësia e demokracisë, ashtu si cilësia e jetës në familje, nuk varet në sa biem dakord, varet nga me sa njerëzillëk jetojmë mosdakrodësinë. Nëse një dakordësi na çon në një debat, cilësia e jetës midis nesh varet nga cilësia e atij debati. E nëse një mosdakordësi na çon në sharje, atëherë cilësia e jetës është mizerabël, në fyerje, në sharje, në qenëri. Kurse, nëse mosdakordësia mund të bëhet default, – nuk ka ndodhur këtu ndonjëherë që të votojë opozita, ose t’i bllokojë parlamenti buxhetin një  Kryeministri, – do të vinin nga hëna, jo nga Amerika, do të thoshin çfarë bëni! Në fakt atje bëhet. Por bëhet në një mënyrë që është pjesë e një bashkëjetese që tjetri është kundërshtar, por nuk është armik.

Kalimi nga armiku te kundërshtari është kalimi nga diktatura te demokracia, se në komunizëm nuk kishte vend tjetri, o do ishe me mua, o do ishe armik, nuk kishte oponent, nuk kishte kundërshtar. Ajo periudhë la në kokat e atyre që e jetuan atë periudhë, përfshirë edhe ne, rrezatimin atomik që vjen mbas bombës, kur fillon duken ato deformimet, shtrembërimet “o me mua, o kundër meje”, përndryshe je hajdut, maskara. Si ka mundësi në momentin që njerëzit ndërrojnë pozicion, s’janë më të tillë! Kështu që në këtë aspekt, prindërit e tu kanë të drejtë që më përshëndesin mua sot.

Drama në këtë histori nuk është se zihen politikanët. Drama në këtë histori është që ky lloj sistemi bashkëjetese me njerëzit, që shumë shpesh duket sikur kanë katër këmbë dhe jo dy këmbë, kur komunikojnë me njëri- tjetrin, është në të gjitha nivelet e shoqërisë për shkak të shembullit mizerabël dhe të  mënyrës sesi politikanët kërkojnë të triumfojnë. Edhe kur janë komshinj, nuk i flasin njëri – tjetrit, ndërkohë që problemet i kanë njësoj, i kanë të përbashkëta, fëmijët i kanë të njëjtat shkolla dhe shkollat e fëmijëve kanë të njëjtat halle. Megjithatë një gjë është e sigurt, që Shqipëria, pavarësisht të gjitha problemeve që ka, ka një virtyt, se nuk është e mërzitshme asnjëherë.”

Biseda vazhdon me pasionet dhe interesat e të rinjve jashtë studimit, duke u ndalur veçanërisht tek librat më të pëlqyer.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here