Home Aktualitet Partia socialiste, e vetmja forcë që bën shtet

Partia socialiste, e vetmja forcë që bën shtet

257
0
SHARE

Fjala e Kryeministrit e njëkohësisht kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama, në takimin me gra dhe vajza në Peshkopi:

Mirëmbrëma dhe mirë se ju gjeta!

Loading...

Shumë faleminderit që jeni këtu!

Është me shumë rëndësi për ne, me shumë rendësi për mua që të shfrytëzojmë çdo moment të mundur dhe çdo mundësi që na jepet për të komunikuar sa më pranë me gratë dhe me vajzat. Kjo, për një arsye shumë të thjeshtë. Për sa më takon mua, kam bindjen time që Shqipërinë e kanë marrë më qafë burrat, nuk e kanë marrë në qafë gratë. Eksperienca në punë qysh kur kam qënë ministër kulture, pastaj kryetar bashkie, pastaj me radhë, vetëm sa më ka aprovuar dhe stërprovuar sesa shumë të drejtë ka pasur Çajupi i shkretë kur thoshte “Burrat nën hije, lozin kuvendojnë, pika që s’i bie se nga gratë rrojnë”.

Me thënë të drejtën gjithë kjo periudha e pas rënies së diktaturës dhe fillimit të rrugës së re të lirisë për të ndërtuar demokracinë, e ka stërprovuar që problemi janë burrat, nuk janë gratë.

Nga ana tjetër, jam i bindur po ashtu, që nuk ka burrë që edhe pse nuk pranon me gojë, nuk e di, që pa gratë në shtëpi është i mbaruar. E pavarësisht sesa hapin derën e shtëpisë bëjnë atë komandantin që i di të gjitha, e dinë shumë mirë që kur hyn në shtëpi ministri i brendshëm është dikush tjetër.

Kështu që në cilësinë e kryeministrit, ju kërkoj të gjithave ju si ministre të brendshme të shtëpive tuaja që të bëni gjithçka deri në 25 qershor për të garantuar që 25 qershori të jetë një vendim i suksesshëm për të vazhduar çka kemi nisur, në emër të interesit të çdo familje, pavarësisht nëse prindërit janë socialistë apo demokratë. Sepse në fund fare, një gjë në Shqipëri duhet të kuptohet më në fund. Që vota nuk është bast për skuadrën e futbollit dhe tek vota nuk vjen e para besnikëria ndaj skuadrës së futbollit, nuk vjen e para besnikëria ndaj ngjyrave të fanellës të flamurit të partisë. Tek vota gjëja e parë është interesi i familjes, interesi i fëmijëve, interesi i më të moshuarve, interesi i komunitetit ku jeton dhe patjetër interesi i vendit të cilit i përket.

Sepse nuk bëhet fjalë për të hedhur një votë dhe për të fituar një ndeshje. Bëhet fjalë për të vendosur me votë se kë do marrësh në punë, kë do marrësh në punë për të gjitha nevojat që ke; kë do marrësh në punë për të garantuar arsimin e fëmijës tënd; kë do marrësh në punë për të garantuar ata, që janë të pamundur në shtëpinë tënde apo nesër kur të kesh nevojë të çosh dikë apo larg qoftë veten në spital të marrësh shërbim sa më të mirë.

Kë do marrësh në punë që të ndjehesh e sigurte, kur nxjerr fëmijën në rrugë apo kur ecën vetë bashkë me shoqet në rrugë edhe natën.

Kë do marrësh në punë për të pasur garancinë që nëse ke nevojë të fitosh një të drejtë në gjykatë, ta marrësh sepse të takon, jo ta blesh sepse të duhet. Mund të vazhdojë me radhë për të gjithë sektorët e jetës se në fund të ditës vota është për të marrë në punë grupin e njerëzve që do të kryejnë sipas teje, punët për të cilat ti ke nevojë.

 

Po e marr nga fëmijët, duke menduar për të gjithë prindërit që janë demokratë. Demokratë jemi të gjithë ne, sidomos pasi takova dhe Lulin, dhe unë demokrat jam, por flasim për ata që janë me bindje, që thonë “jemi të djathtë”.

Ne trashëguam një situatë në shkollë, këtu ka me siguri plot nëna që i kanë kaluar mundimet për t’i shpjeguar fëmijëve tekstet pakuptim që ishin deri përpara 2-3 vitesh, 600 prej të cilave me votën e mësuesve ne i hoqëm, se ishin një batërdi për mendjen e fëmijëve dhe një çmenduri për prindërit dhe për mësuesit. E nuk i zëvendësuam me një batërdi tjetër, por morëm tre alternativa nga Britania e madhe, Oxfordin, Cambridge, Pearson dhe i filluam në klasë të parë, klasë të pestë, viti i parë gjimnaz.

Fëmijët që kanë hyrë në klasë të parë në këtë vit që përfundon, kanë marrë mësim me librat njësoj si fëmijët në Britaninë e Madhe apo në vendet e tjera të Europës, nga shtëpitë botuese më prestigjioze në Europë për didaktikën dhe arsimimin e fëmijëve. Po kështu ata në klasën e pestë, po ashtu ata në vitin e parë gjimnaz.

Tani, për dy apo tre vjet, ky cikël mbyllet dhe gjithë shkolla jonë nga klasa e parë, deri në vit të fundit gjimnaz, do jetë vetëm me këto libra për gjithë sa i takon njohurive të përbashkëta të njerëzve të kësaj bote.

Pastaj historia e Shqipërisë, gjeografia e Shqipërisë, gjuha shqipe, letërsia sigurisht janë tekste që shkruhen nga njerëzit tanë. Por ama, kur vjen puna tek gjithë shkenca ekzakte shoqërore, fëmijët tanë nesër kur të jenë qytetarë të BE, do kenë të njëjtën bazë dijesh si fëmijët e tjerë që janë sot bashkëmoshatarët e tyre.

Tani prindërit e tyre që janë medemek, apo vërtet me PD, i them tani: A mund të shkosh ti të votosh që kjo punë të prishet? Ata kanë thënë që do e prishim.

A mund t’ja bësh ti këtë fëmijës tënd që t’ja kthesh prapë nga e para gjithë batërdinë e librave që botoheshin, pasi shkruheshin me kopje nga profesorë, treçereku i të cilëve i kishin diplomat false? Se kështu vjen puna e votës, se ti këtë ke, votën ke. Një here në 4 vjet do vendosësh. Por ama ja çfarë i bën fëmijës nëqoftëse përpara interesit të fëmijës dhe shkollës së fëmijës, ke hall të bësh Lulin kryeministër.

Si mund të jesh prind dhe të bësh Lulin kryeministër. Si mund të jesh një qytetar që do të mbarojë punë dhe do të bëjë Lulin kryeministër? Ishte 4 vjet kryetar i bashkisë së Tiranës, 4 metra larg e kishte sahatin e Tiranës dhe sahati 4 vjet s’punoi. Kjo do të thotë që ai ka sahatin e vet. Dhe një kryetar bashkie që nuk rregullon sahatin e qytetit, imagjinoni ta bësh kryeministër dhe ti thuash hajde rregullo tani gjithë këto gjëra që ka për të bërë se ka shumë për të bërë. Pavarësisht se sa shumë kemi bërë ne, ato që kemi për të bërë janë shumë më tepër.

Vijmë tek shëndetësia. Patjetër që sot spitalet dhe shërbimet shëndetësore, nuk janë ashtu siç ne duam të jenë në Shqipërinë që ne duam për njerëzit e zakonshëm të këtij vendi. Por nuk ka qënë 440 vjet përpara, ka qënë 44 muaj përpara, koha kur në spital duhet të shkoje me batanije, me çarçafë dhe kur shkoje dje të thoshte mjeku “ik më merr dhe një palë doreza plastike, shko më merr dhe shiringë, më gjej dhe ilaçin”. Pra, shkoje në spital, s’kishe shërbim, kishe vetëm doktor.

Pa harruar faktin që katandia e spitalit këtu dhe e shumë spitaleve të tjera rajonale apo spitale më të vegjël, pa mjek të specializuar, erdhi nga fakti që ata i mbyllën specializimet. 4 vjet nuk kanë specializuar asnjë njeri. Ndërkohë që ne i rihapëm dhe jo vetëm i rihapëm, por i rihapëm sipas meritës dhe këtu ka mjeke dhe mjekë specializantë nga Dibra, pyetini, dhe do t’ju thonë që kanë hyrë sipas meritës. Ashtu sikundër, do gjeni nga ata që s’kanë hyrë herën e parë, kanë hyrë herën e dytë.

Tani, ne jemi shumë të vetëdijshëm që shumë gjëra duhet të ishin bërë me kohë, por s’mund të na kërkohet ne, po nuk u bënë të gjitha gjërat për 44 muaj që nuk u bën për çerek shekulli apo që u bënë mbrapsht për çerek shekulli. Se po të kishim arritur t’i bënim të gjitha për 44 muaj, unë s’do isha këtu duke bërë fushatë, do më kishin marrë të bëja magji edhe të zgjidhja ngrohjen globale. Qeverisja është punë, nuk është magji. Nuk është faji ynë që po të shikosh shpenzimet e shtetit shqiptar për çerek shekulli për ujësjellësa, vetëm të marrësh malin e lekëve, që janë harxhuar për të bërë ujësjellësa na rezulton që me ato lekë mund të ishin bërë ujësjellësat e Shqipërisë dy herë.

Jo që s’janë bërë 2 herë, por ka akoma shumë për t’u bërë për ujësjellësat. Nuk është faji jonë që me lekët që janë harxhuar çerek shekulli për kanalet ujitëse dhe kulluese, kanalet ujitëse dhe kulluese do ishin bërë tre herë.

Dhe ne morëm detyrën 44 muaj përpara dhe çfarë gjetëm? Nga 300 mijë plus hektarë që Shqipëria duhet të ketë patjetër, që ujiten dhe kullohen për t’i dhënë mundësi njerëzve që jetojnë në fshat që të mos rrinë me sytë nga qielli dhe të mos vdesin për bukën e gojës, vetëm 120 mijë ujiteshin e kulloheshin, të gjitha të tjerat ishin të bllokuara. Jo vetëm që nuk i ndërtuan, por as nuk i kanë pastruar, për çerek shekulli.

Ne bëmë sa mundëm, dhe sa mundëm nuk është pak. Sot kemi 240 mijë hektarë që ujiten dhe kullohen dhe brenda sezonit të ardhshëm do kemi 310 mijë, pra do arrijmë në shifrën e nevojshme për të patur një bujqësi ku kush do të punojë, të paktën ujin e ka dhe nuk i vjen t’i përmbytet toka me gjithë shtëpi se është i bllokuar kanali kullues.

Të gjitha këto nuk janë shkencë, të gjitha këto janë punë të thjeshta, por si ka mundësi që nuk u bënë? Si ka mundësi që u desh të kalonte çerek shekulli që të rindërtohej bulevardi i Peshkopisë? Edhe më e bukura është që vazhdojnë edhe thonë “c‘është kjo punë me pllaka, me palma, me drita, me shatërvanë? Pse duhen këto? Normal, kujt nuk i duhen këto? Këto nuk i duhen deleve. Delet nuk kanë nevojë as për pllaka, as për palma, as për shatërvan. Delet kanë nevojë vetëm për bar dhe për stallë. Edhe qytetet tona u bënë si konvikte vetëm për të fjetur, se nuk dilje dot në bulevard se të mbytnin makinat, pluhuri, balta dhe nuk kishe ku të çojë dot fëmijët. Asnjë fëmijë apo pak më i rritur nuk e përjetonte dot jetën sociale se ku të shkoje? Të gjithë sheshet e qyteteve parkingje, me baltë, me pluhur dhe me zhurmë.

E nga ana tjetër nuk shohin, se as nuk e kuptojnë, që falë këtyre projekteve, që janë 400, që janë bërë në gjithë Shqipërinë është rritur pasuria, vlera e pasurisë, vlera e apartamenteve, vlera e dyqaneve, është rritur dhe do vazhdojë të rritet kudo ku ne të bëjmë këto ndërhyrje. Jam i bindur që edhe këtu kur të mbarojë, në mos ka filluar që tani, do të rritet vlera.

Unë isha sot në mëngjes në Ulëz, bashkë me Ilirin. Në Ulëz, ishte bërë një perlë e më thanë, që është dyfishuar çmimi i apartamenteve. Sepse njerëzit nuk janë budallenj, njerëzit nuk kanë vetëm bark. Njerëzit kanë mendje, kanë emocione, kanë marrëdhënie.

Ne kemi hedhur themelet.

Kush i ka thënë punës mirëmëngjesi e di shumë mirë që tjetër është puna, tjetër janë llafet që mjafton t’i thuash dhe bëhen gjërat pa lëvizur nga vendi.

Tani na duhet që mbi këto themele, të vazhdojmë të ndërtojmë shtetin. Se ka plot gjëra që akoma nuk shkojnë. Por ama është e sigurtë, dhe nuk ka nevojë ta provojmë, që në rast se ne, Partia Socialiste nuk kemi timonin e reformave për të vazhduar drejt e ta kemi vetë pa ulur në prehër dhe të tjerë, pa rrip sigurie që ta lëvizi timonin rrugës,  që ndalo këtu e ktheu aty, gjërat mund të shkojnë mbrapsht.

Sepse Partia Socialiste dhe këtë e di dhe Saliu, – Saliu nuk e thotë e nuk ka për ta thënë ndonjëherë, por brenda vetes e di, – është e vetmja forcë që bën shtet.

Nuk bëjnë dot shtet ata. Askush tjetër. Fjalim e llafe të bukura e historira e plane, sa të duash, por shtet, jo! Dhe shembulli më kuptimplotë është reforma në drejtësi. Reforma në drejtësi, që ishte një reformë që të gjithë, 20 e kusur vite të gjithë thonin do ta bëjmë, e ca bënin? Bënin arna. Edhe gjykatat ishin e vazhdojnë janë akoma Pazar, sa të fillojë tamam vettingu.  E drejta, si patate, si domate, si vezë, sa më të madhe ta kesh të drejtën, aq më i rendë çmimi. Shko atje, blej domate, nuk ke lek, ti merr tjetri domatet edhe hajde mirupafshim. Kështu e drejta. Dhe kështu erdhëm ne në pikën që jemi në mes të Europës me 8000 konflikte, me vrasje, me plagosje, me goditje, me dëmtime fizike për pronën.

Pronën që e kanë lënë të parët tek çdo brez e që e morën gjykatësit e Saliut dhe e bënë çorap. E habiten kur thonë, po c’lidhje ka drejtësia me ekonominë, po vettingu pse? Vettignu do na ndihmojë? Vettingu ne do na bëjë që të rritemi ekonomikisht më shumë se asnjëherë më përpara, për arsyen më të thjeshtë. Nëse unë kam një palë letra për këtë tokën këtu, ti ke një palë letra për të njëjtën tokë, tjetri ka një palë letra për të njëjtën tokë, kush do investojë këtu? Ne nuk e kemi mendjen të investojmë, kjo do ngelet e djerrë se ne kemi mendjen të mos investoje tjetri.

E kush do vijë nga jashtë të investojë këtu e të merret me tre palë pronarë? Askush!

Ama nëse ne i japim fund kësaj historie dhe gjykatësve të korruptuar, prokurorëve të korruptuar me vetitngun ju tregojmë rrugën që meritojnë, të shkojnë ata të parët para djegësisë, atëherë ekonomia e punësimi në këtë vend, në 4 vitet e ardhshme mund të rriten si asnjëherë më përpara. Ne jemi rritur me 3.5%. Njerëzit nuk hanë shifra! Duhet më shumë dhe që ne të bëjmë një ekonomi që rritet me impakt më të madh e që prek të gjitha familjet, ne duhet të kalojmë 5%.

Unë ju siguroj që ne do ta kalojmë 5% në mandatin e ardhshëm e do të luftojmë me të njëjtën kokëfortësi e këmbëngulje, siç luftuam për vettingun, edhe për të rritur ekonominë dhe punësimin si asnjëherë më përpara.

Përmendi Iliri rrugën e Arbrit. Është çështje ditësh! Ministria e Financave  duhet të japi miratimin për hapjen e pjesës së fundit të procedurës, projekti dhe kompania sipas ligjit janë vlerësuar nga Ministria e Transporteve. Tani duhet hapur finalja, dhe besoj brenda dy javëve të para të qershorit do hapet, 45 ditë, e pas 45 ditësh fillon procedura e lidhjes së kontratës, e do fillojë më në fund, pas kaq shumë vitesh llafe, por pa projekte, pa e mbajtur mend fare mbas fushatave, rruga e Arbrit do fillojë të ndërtohet. E lidhja këtu me Tiranën do jetë si lidhja e një lagjeje të madhe të një kryeqyteti, në kryeqytetet europiane që nuk është fare çudi që të jesh brenda të njëjtit qytetet e të duhet të bësh një orë rrugë.

Kështu do të ndodhi dhe është konkrete. Pse nuk e bënë? E dëgjova prap Lulin, kishte thënë do bëjmë rrugën e Arbrit. Ç’rrugë Arbri do bëjë Luli? Luli nuk rregulloi dot sahatin e Tiranës. E ku shkoi, në çdo ministri që shkoi bëri vetëm nga një gropë atje dhe iku tek tjetra. Çfarë do bëjë Luli? Unë ju siguroj që ne jemi në gjendje sot, të bëjmë vërtet gjënë e duhur. Ehe në fund të ditës, i mirëkuptoj të gjithë ata që thonë “të kam dhënë votën”. “Këto të gjitha, dakord, i shoh në televizor, e di që në Tiranë po bëhet kjo, e shoh që në Korçe po bëhet kjo, e shoh dhe që po bëhet kjo këtu në Peshkopi, por unë jam atje, në Kala të Dodës psh. Çfarë ke bërë për mua”?

Patjetër që duhet të ishte bërë më shumë. Por pyetja është, si mund të bëhej gjithçka në një kohë kaq të shkurtër e nga ana tjetër, kush mund ta bëjë tjetër atë që duhet bërë, përveç nesh që dhamë provën, që ne dimë të bëjmë këtë punë. E mbi të gjitha, sot, të gjithë ata që janë me PD-në, na kanë dhe një borxh se e nxorëm udhëheqjen nga çadra. E nxorëm nga çadra dhe ju dhamë mundësinë të përfshihen ne zgjedhje. E ne nuk duam më shumë vota se duam më shumë pushtet për vete.

Po të ishte puna për pushtetin për vete, i linim ata në çadrës, se askush nuk na shtrëngoi t’i nxirrnim nga çadra përveç bindjes që nëse do të përfshiheshim të gjithë në zgjedhje, do të fitonte Shqipëria. I linim në çadër, merrnim 100 e ca deputetë ne, por nuk është kurrë për ne, interesi pjesor i Partisë, për pushtet, më i rëndësishëm se interesi i Shqipërisë dhe interesi që shoqëria të ndihet në paqe, që të ndihet e integruar nga pikëpamja njerëzore, pavarësisht se njëri është me PS dhe tjetri me PD. Armiqësimi i njerëzve duhet të marrë fund se ka zgjatur shumë dhe luajti mendsh ky milet.

Ju jeni nëna këtu, dhe e dini shumë mirë çfarë halli është të edukosh fëmijën e ti thuash të keqen mami, mos shaj, se fëmija sheh parlamentin dhe thotë mami flet kot, se unë jam burrë e burri është vetëm për të sharë. Kështu ka ndodhur. Lere pastaj pjesën tjetër që u bëmë gaz i botës me partnerët ndërkombëtarë. Një palë këtej, një palë andej dhe shaj anglisht vendin tënd. Se bën kurrë njeri në botë. Politikanët gjermanë, kurrë jashtë Gjermanisë nuk thonë një fjalë të keqe për kundërshtarët e tyre në Gjermani. E kurrë nuk thonë një problem të vendit të Gjermanisë, jashtë Gjermanisë. Rregull! Shtet! Njerëz normale. E kështu shumë të tjerë. Kurse ne e luajtëm mendsh Europën me këto muhabete.

Pa llogaritur pastaj që me të ardhur të tjerë, ambasadorë të huaj që bëjnë shkesin, “aman takohuni”. Tmerr! E pas çdo zgjedhje, njëra palë fiton, siç fituam ne këtu në Dibër, pala tjetër del e të bën blozë. Me marrëveshjeje është e qartë. Kush fiton qeveris, kush humbet pranon humbjen e qeveria dhe opozita duhet t’i japim fund sherrit anglisht. Anglisht nuk kemi sherr me njëri-tjetrin. Kur flasim me të huajt, kur flasim me partnerët, kur shkojmë në Bruksel, flasim për Shqipërinë e flasim me një gjuhë, jo me dy palë letra.

Për këtë arsye, ne kemi shansin që t’i japim fund një historie që na ka mbajtur larg dyerve të Europës dhe brenda këtij viti, me këto zgjedhje, prandaj ia kemi dhënë dhe të gjithë ministrat, deri më 25 qershor janë ata. Ia kemi dhënë, urdhëro, merri shihi nga brenda vetë që të mos na luash mendsh, “mi vodhe votat”. E t’i japim fund e të hapim bisedimet për anëtarësim në BE. Këtë vit. Duke mbaruar zgjedhjet e duke vazhduar në këtë rrugë, por ama na duhet vota për PS. Se nuk do rrimë prapë të justifikohemi. Nuk do rrimë prapë të justifikohemi që, “unë jam inxhinier, shkoj atje për të filluar një punë, atje duhet inxhinier e shkon fillon punë një marangoz”. Këto muhabete nuk janë muhabete serioze për një vend që do të bëhet anëtarë i BE.

Ka vetëm një zgjidhje. Vota për PS, sepse në fakt ne jemi të vetmit që nuk i shohim njerëzit nga çfarë tesere ke, përpara se t’i shohim sa mend ke, e çfarë diplome ke. Ky është fakt.

Po të shikojmë procesin e legalizimeve, është shumë kuptimplotë se çfarë dallimi ka midis atyre dhe nesh. Edhe midis kujtdo tjetër dhe nesh. Ata bënë 21 000 legalizime në 8 vjet. E ju e mbani mend kur shkonte Saliu e thoshte kurrë mos e votoni Ramën, bathorja është mrekullia e tetë e botës, ju jeni të vetmit në botë në historinë e njerëzimit  që keni ndërtuar një qytet pa leje komplet. Edi Ramën mos e votoni se do jua prishi. E ndërkohë nuk ua legalizonte.

Nga 21 mijë legalizime 85% janë në kurrizin tuaj dhe në kurrizin e gjithë popullit. Janë karburante, hotele, motele, restorante në tokën e shtetit. Kur merr rrugën nga këtu për të shkuar në Tiranë, gjithë çfarë shihni në anë të rrugës, nga kthesa në Lezhë, deri në Tiranë, janë tokë shteti. Po të vijë puna për të hapur një korsi sigurie atje, duhet të shpronësojmë, se i kanë dhënë titullin e pronësisë në tokë të shtetit për biznes. Ndërkohë që ne, sot që flasim, kemi arritur 135 mijë legalizime dhe 93% janë shtëpi. E nuk kemi vajtur t’i shohim se për kë votojnë. Por i kemi dhënë me një kriter të vetëm. Janë të gjitha familje shqiptarësh që kanë lënë gjak në emigracion, kanë derdhur djersë, e kanë ngrënë bukën me lot për të kursyer për të bërë ato shtëpi, e duhet të marrin shtëpinë. E marrja e atyre shtëpive nuk është leja që nuk do të prishen, marrja e atyre shtëpive është kthimi i atyre tullave, llacit, tjegullave e gjithë lekëve që janë hedhur për atë shtëpi, në pasuri.

Se për sa kohë nuk e ke lejen dhe nuk e ke hipotekën, ti e ke shtëpinë për të fjetur, për të ngrënë, për t’u mbrojtur nga shiu, por nuk shkon dot as ta shesësh se nuk ta blen njeri pa leje, as në bankë që të thuash më jep një kredi që unë të hap një biznes, një fermë të vogël sepse të thotë banka ku e ke shtëpinë. Ku i ke letrat? Se ajo është pasuria.

E ne i kemi bërë këta njerëz me një pasuri që është e tyrja, me ato letra që i kemi dhënë. Pse nuk bënë ata? E vetmja gjë që ju thonin, mos votoni Ramën, se ai ju thotë “çeçen”, ai nuk i do veriorët, e ku di unë histori të tilla. Ajo që ka padiskutim rëndësi është ndarja përfundimisht nga vota si tifozllik. Mos të votojmë për tifozllik.

Unë nuk e njoh deputeten, tani po e shoh nga afër. Të jem unë demokrat e mos t’i jap votën asaj?! Me të gjitha të mirat. E pe kur foli? I thashë, -Muharrem, ku e keni fshehur këtë, kjo qenka ezber, mezi paska pritur. Siç është rasti i Muharremit. A mund të votohej Shrefedini? Jepi votën Sheros e ajo votë në Dibër që nuk kupton Luli, që thotë droga bëri namin, ishte votë për të vlerësuar kush mund të ma bëjë më mirë këtë punë, e mori gjithë ato vota edhe nga të djathtë.

Kështu duhet të jetë vota.

Nëse nesër, PS katandiset larg qoftë si PD sot, ju qofshi po t’i jepni votën. E nëse në PD del ndonjë alternativë e del ndonjë ekip punëtoresh, t’ia jepni patjetër. Sepse vota është për të marrë njerëzit në punë. Merrni ju në punë njerëz që nuk dinë të bëjnë punën? A i thoni dikujt që njihet si hajdut shtëpiash që më ruaj shtëpinë? Si mund ta bësh? Nuk bëhet.

Shumë faleminderit!

Ju jam shumë mirënjohës dhe mbi të gjitha jam i bindur që kemi një skuadër këtu që do të bëjë për ju, ju duhet kjo skuadër, me këtë deputete këtu, kam dëgjuar për aktivitetin e saj. Keni garancinë që nesër dini ku trokisni, dini çfarë thoni, dini çfarë dëgjoni, e në fund nuk do t’ju mbylli telefonin të paktën.

Shumë faleminderit!

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here