Home Aktualitet Prezantohet programi elektoral i Partisë Socialiste

Prezantohet programi elektoral i Partisë Socialiste

355
0
SHARE

Fjala e z. Erjon Braçe

Mirëdita të gjithëve!

Loading...

Ne socialistët shqiptarë po ndërtojmë Shqipërinë e të gjithëve. Me shtet funksional, punë të sigurt, mirëqenie për qytetarët dhe të ardhme për gjeneratën tjetër.

Shqipëria që kemi sot është ende një shtet pa drejtësi. Mungesa e drejtësisë sjell pabarazi dhe pabarazia mbetet burimi i varfërisë për një numër të konsiderueshëm shqiptarësh ende. Ndaj një Shqipëri më e drejtë është nevoja jetike sot. Respektimi i kushtetutës, ndarja e pushteteve, zbatimi i ligjit dhe barazia para tij, drejtësia po sfidohen në mënyrë të vazhdueshme nga një grusht politikanësh , prokurorësh dhe gjykatësish të korruptuar duke bllokuar kushtetutën dhe cënuar rëndë institucionet, ekonominë, shoqërinë, familjen.

Ne jemi të vendosur ta reformojmë këtë pushtet. Ta reformojmë drejtësinë si një nga elementët kyç të shtetbërjes dhe thelbin e një shoqërie demokratike. Për ne, reforma në drejtësi është rruga për të ndërtuar një Shqipëri më të drejtë në të cilën të gjithë qytetarët pavarësisht nga origjina, pozita dhe statusi ekonomik e shoqëror, të gëzojnë akses të barabartë ndaj të drejtave, burimeve, pjesëmarrjes ekonomike, shoqërore dhe trajtimit prej sistemit qeverisës, garantimit prej tij duke i mbrojtur nga abuzimi, shfrytëzimi dhe përjashtimi.

Për të pastruar e rithemeluar mbi bazë aftësie, merite, ndershmërie, paanësie, përgjegjshmërie degën gjyqësore të qeverisjes, rikthimin e saj në shërbim të ligjit dhe të çdo qytetari të ndershëm që kërkon drejtësi.

Për të shembur murin e pandëshkueshmërisë, hequr imunitetin e të paprekshmit, për politikanë e pushtetarë që kanë shkelur dhe shkelin ligjin. Familjarë dhe ortakë ekonomikë që grumbullojnë përfitime të paligjshme, duke i marrë ekonomisë gjithçka për vete.

Për të garantuar një ekonomi të hapur, të lirë, konkuruese, që ofron mundësi të barabarta për të hyrë në të, punuar, zhvilluar, rritur e fituar për cilindo sipërmarrës por edhe punëtor; për të tatuar ndershmërisht përfitimet dhe të ardhurat e tyre, njohur nga ligji.

Për të mbrojtur të drejtat e punëtorëve nga fuqia e madhe e punëdhënësit privat apo publik. Mbi parimet e një pune të ligjshme e të mirëpaguar, të tatuar ndershmërisht dhe të mbrojtur me sigurime shoqërore e shëndetësore; si dhe përfitime të tjera të ligjshme për të garantuar trajtim ligjor të barabartë, të ndershëm, të shpejtë e efikas për çdo sipërmarrje, vendase ose të huaj.

Për të zbatuar të njëjtat rregulla loje të njohura, të qëndrueshme, të pandikuara nga pushteti ose nga lidhja me të. Për të rritur konkurueshmërinë, efiçencën dhe efektshmërinë në tregje.

Për të reduktuar në maksimum kostot e mungesës së besimit, korrupsionit apo pasigurisë.

Për të ndëshkuar dhe zhbërë deri në fund çdo veprim të padrejtë apo akt të dhunshëm të grabitjes dhe tjetërsimit të pronave të vjetra e të reja të qytetarëve nëpërmjet pushtetit ekzekutiv, gjyqësor dhe të parasë, pozitës zyrtare apo forcës banale.

Për të çliruar tregun e pronës nga pronësia e rreme, pronarit po të tillë, dhe për t’ua kthyer këtë pasuri të madhe ekonomike të zotëve dhe ekonomisë kombëtare, zhvillimit të saj.

Për të garantuar që solidariteti i një shoqërie të tërë shkon tek të pamundurit, tek të varfrit e harruar, duke mbrojtur secilin prej tyre nga pamundësia e marrjes apo mohimit të kujdesit shëndetësor, shërbimit arsimor dhe çdo shërbimi tjetër publik dhënë me ligj, përfshirë mjetet e domosdoshme monetare për të patur kushte minimale jetese dhe dinjitet gjatë gjithë jetës.

Për të çuar deri në fund betejën e nisur e në zhvillim kundër krimit, kultivimit dhe trafikimit të drogës, krimit kundër jetës dhe pronës. Betejën kundër borgjezisë së krimit që pasurohet përmes tij, me një ekonomi kriminale që qarkullon një pasuri po të tillë, por që duhet sekuestruar, tjetërsuar e përdorur për të financuar betejën e madhe kundër krimit dhe shpërblyer viktimat e këtij aktiviteti kriminal.

Përmes drejtësisë, ne garantojmë një qeverisje funksionale dhe të përgjegjshme, një shtet të drejtë si një kontratë e ligjshme e monitorueshme dhe e kontrollueshme mes të zgjedhurve dhe qytetarëve të lirë. Por edhe më shumë, një qeverisje të përmbajtur  dhe efikase qendrore në ekuilibër të plotë dhe ndarje të qartë të përgjegjësive, financave dhe pasurive. Me qeverisjen vendore si mbartësen e demokracisë lokale, efektive dhe funksionale.

Shoqëria e mirëqenies është në thelb të modelit tonë ekonomik. Vazhdimësia e reformave të nisura me produkt të prekshëm punësimi dhe shërbimi ndaj qytetarit, të ardhurat dhe mirëqenia e tij, është qëllimi ynë.
Ne do të vazhdojmë të zhvillojmë politika që vendosin barazi mes qytetarëve por edhe që mbrojnë individin nga arroganca e pushtetit dhe fuqia e tepruar e tregut të lirë. Nuk ka rritje pa punësim e as mirëqenie pa të, ndaj angazhimi ynë qeverisës do të synojë një vend pune për cilindo që ka aftësitë dhe kërkon të punojë në këtë vend.

220 mijë vende të reja pune është angazhimi ynë solemn që del sot nga ky kongres. Ne do të luftojmë për çdo vend pune, veçanërisht për të rinjtë. Do të bëjmë për çdo vend pune betejën që po bëjmë për drejtësinë në këtë vend. Tregu i punës, gjithëpërfshirës, fleksibël dhe me rregulla. Pagë minimale në rritje dhe punë të paguar denjësisht për çdo punëtor, mbetet prioriteti ynë.

Ne 4 vite ne u mundësuam shqiptarëve 183 mijë vende të reja pune dhe 30 mijë të tjera janë sot në zyrat tona të punësimit. Në fund të mandatit tjetër me 220 mijë vende të reja pune, për herë të parë pas kaq vitesh, do të ulim papunësinë në këtë vend në nivelin një shifror.

Po theksoj edhe njëherë, 240 milionë dollarë do të transferohen nga paratë publike të buxhetit të shtetit tek fondet e pensioneve, me qëllim që çdo i moshuar në këtë vend të ndiejë pranë dorën e një shteti të drejtë dhe të barabartë edhe për ta.

Bujqësia do vijojë të mbetet një nga degët më të rëndësishme për ekonominë. Për punësimin, për ushqimin dhe eksportet shqiptare; të ardhurat e bujqëve dhe të familjeve të tyre, produktet bujqësore, cilësore dhe të shtuara në llojshmëri e sasi. Duke filluar nga Myzeqeja, Lushnja, Fieri, Divjaka, Kruja, Berati, Korça, Lezha e Shkodra, Saranda – do të konsolidohen në tregjet aktuale, do të gjejnë e konkurojnë tregje të reja. Do të kemi ferma të riorganizuara, me fokus të posaçëm fermat mbi 5 hektarë në zmadhim, deri në nivelin e ndërmarrjeve ekonomike të profilizuara, shumë më konkurruese dhe të përshtatura ndaj teknologjisë më të përparuar, për të fituar në sasi, llojshmëri, hershmëri e cilësi të produkteve dhe të subvencionuara nga inputet për prodhimin dhe produktin final të tij, si dhe duke garantuar burimet profesionale dhe të kreditimit. Mbështetje paralele për sipërmarrësit në bujqësi, punëtorët e bujqësisë dhe të vetëpunësuarit  në bujqësi, blegtori, grumbullim, përpunim dhe eksport.

Ndaj ne nga këtu, sot, angazhohemi të thellojmë mbështetjen për bujqësinë, sipërmarrësit e bujqësisë dhe punëtorët e bujqësisë. 100% e tokës bujqësore do të jetë nën ujë dhe ky është angazhimi ynë solemn.

Në 4 vite dyfishuam sipërfaqen e tokës bujqësore nën ujë. Sot janë 225 mijë hektarë që vaditen e kullohen normalisht.
Puna dhe investimet janë në ritmin e duhur drejt objektivit ‘100% vaditje dhe kullim në çdo parcelë të tokës bujqësore në Shqipëri’.

Më shumë para publike për bujqësinë, është angazhimi ynë. 232 milionë dollarë është financimi ynë i drejtpërdrejtë i programuar për bujqësinë, për bujkun, blegtorin, infrastrukturën në shërbim të tyre, në 3 programe mbështetje të drejtpërdrejtë për bujqit.

14 milionë dollarë çdo vit mbështetje për bujqësinë e zhvillimin rural nga fondet europiane, prej 76 milionë eurosh. Investime në rrugët rurale me qëllim lidhjen e fermave dhe aksesin më të shpejtë në treg nga fondet e Bankës Botërore prej 100 milionë dollarësh. Ndërkohë vijon të jetë aktiv e të konsolidohet programi i mbështetjes së linjës së kreditimit, duke garantuar për çdo fermer kolateralin me rreth 95 milionë euro fonde.

20 milionë dollarë të tjera do të jetë ndihma e drejtpërdrejtë për bujqit çdo vit, përmes heqjes përfundimtare të tatimit mbi vlerën e shtuar për inputet bazë të domosdoshme në bujqësi: plehrat kimike, pesticidet, farat dhe fidanët. TVSH 0 për ta që nga viti i parë i qeverisjes.
Legalizimi dhe ligjërimi i pronësisë mbi tokën dhe ndërtimet do të vijojë të jetë puna jonë e përditshme. Në 4 vite ne ia dolëm të legalizojmë  138 mijë e 580 ndërtime pa leje, janë 7 herë më shumë se në 8 vite të marra së bashku; falas, mos harroni, falas për çdokënd.
Ne do ta mbyllim këtë proces. 100% e ndërtimeve pa leje të legalizuara dhe të certifikuara si pronë e çdo familjeje që i disponon, është angazhimi ynë i sotëm për këtë mandat qeverisës. 100% e ndërtimeve të legalizuara dhe të certifikuara.

Tani njohim punën, kemi profesionistët e kësaj fushe në punë. Kemi buxhetuar fondin e mjaftueshëm për ta kryer këtë proces falas dhe në kohë për të mbyllur legalizimin 100% të ndërtimeve pa leje. Ne jemi të vetëdijshëm se procesi i certifikimit të çdo prone të legalizuar , por edhe të çdo parcele bujqësore në pronësi të bujqëve anembanë Shqipërisë, nuk ka pasur këtë ritëm. Ka qenë edhe i ngadaltë, edhe klientelist dhe në shumë raste edhe korruptiv.  Por ne, në fund të këtij procesi, do t’ia dalim. 100% e certifikatave të pronësisë për çdo bujk është angazhimi ynë i qartë dhe i vendosur, edhe për tokën bujqësore në fshat, edhe për çdo bujk që merret ditë për ditë me të.

Natyrisht që ju do të keni dhe shqiptarët do të kenë një dokument shumë të detajuar, në atë që përbën sot manifestin politik dhe elektoral të Partisë Socialiste për mandatin e dytë qeverisës. I ndershëm dhe i llogaritur deri në qindarkën e fundit për të sfiduar jo vetëm veten tonë, por cilindo që do të guxojë të dalë rrugëve për të gënjyer shqiptarët.

Jemi të vetëdijshëm që e gjitha bëhet me punë, ne vetëm punën kemi.  Punës do t’i përkushtohemi për secilin prej jush në këtë sallë dhe për çdo shqiptar anekënd Shqipërisë, që do të jetojë me djersën e ballit dhe me punën e ndershme në këtë vend.
Faleminderit!

Fjala e ministrit Arben Ahmetaj

Përshëndetje të gjithëve!

Teksa po fokusohesha te fillimi i fjalës time, një gjë më erdhi në mend për shkak të historisë së kësaj partie. Këtu shoh jo tre, po katër gjenerata, duke filluar që nga profesor Serveti dhe tek ata studentët që kanë pasur në ADN-në e kontributit të tyre bërjen shtet. Sot kjo parti është fokusuar tek shtetbërja, shtetformimi dhe tek shteti për qytetarët.

Kjo parti më shumë se një herë ka shpëtuar këtë vend, këtë shtet nga falimentimi: në ’97, në 2013.  Dua t’ju garantoj të gjithëve që ky është një program i mirëmenduar dhe i mirëkalkuluar dhe nuk është një përrallë për të gënjyer shqiptarët; por përkundrazi, është një platformë që na çon në të ardhmen, të sigurt.

Ne do të garantojmë në mandatin tonë të dytë një rritje prej 5.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Do të kalojmë nga fazat e para të vlerës së shtuar në industrializimin e lehtë të vendit, për të lënë më shumë vlerë të shtuar për qytetarët, për ekonominë dhe patjetër për buxhetin e shtetit.

Reformat, reforma në drejtësi, reforma e parë, nëna e reformave do të jetë fokusi i mandatit tonë të dytë dhe drejtësia garanton shtet, punë,mirëqenie.

Ne do të mbajmë investimet publike në nivelin 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto që do të thotë, që vetëm nga buxheti i shtetit në mandatin e dytë do të investojmë 2.8 miliardë euro dhe këtu pa përfshirë një miliardshin, paketën prej 1 miliardë dollarësh të hedhur nga kryeministri vetëm pak muaj më parë.

Ne arritën që në mandatin e parë t’i çonim investimet e huaja në 1 miliardë dollarë. Në fund të mandatit të dytë investimet e huaja do të shkojnë 2 miliardë dollarë.  E gjitha kjo do të bazohet në një platformë konsolidimi fiskal.

Kjo parti nuk ka keqmanaxhuar kurrë financat publike. Është herë e parë në një vit parlamentar që deficiti buxhetor nuk ekziston, jemi në suficit. Për herë të parë të ardhurat tatimore dhe doganore nuk kanë ikur për poshtë, por ikur vetëm në rritje.

Në të njëjtën kohë, ne garantojmë në mandatin e dytë uljen e borxhit publik, kësaj gangrene në kurriz të qytetarëve, nën 60% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

E ndërkohë, ne garantojmë rritjen e të ardhurave të disponueshme për çdo qytetar shqiptar me 25%.  Do ta ritheksoj atë që tha Erioni: Ne garantojmë 220 mijë vende të reja pune në mandatin e dytë dhe ulim për herë të parë papunësinë në nivelin një shifror. Është për t’u theksuar dhe me këmbëngulje, që Reforma në Drejtësi do të bëjë të mundur uljen e papunësisë, më shumë punë, më shumë mirëqenie, më shtet të fortë për qytetarët.

Në fund të mandatit do të kemi rritur pagat me 40 %, pagat e të gjithë punonjësve buxhetorë; dhe do të rrisim pagën minimale në 30 mijë lekë. Ne tani sa rritëm pagën minimale në 24 mijë lek, pra me 9 %, dhe në fund të mandatit do ta kemi rritur me 30 mijë lekë. Për të thënë në shifra konkrete: do të përfitojnë 315 mijë qytetarë, rreth 22.5 miliardë lekë vetëm nga kjo rritje page.

Politikat fiskale do të vazhdojnë të synojnë lehtësimin e ngarkesës për qytetarët. Progresiviteti,-kush fiton më shumë, paguan më shumë,- do të vazhdojë të jetë i konsoliduar ashtu siç e filluam në mandatin e parë. Tatimi i biznesit të vogël do të do të vazhdojë të jetë zero, ashtu siç premtoi Kryeministri një vit më parë. Tatimi i fitimit për bizneset nën 8 milionë do të vazhdojë të jetë 5 %, ashtu siç Kryeministri premtoi 1 vit më parë.

Do të vazhdojmë lehtësitë fiskale për biznesin.

Do të mbështesim bujqësinë. Do të heqim TVSH-në për inputet bujqësore. Do të përjashtojmë nga TVSH-ja ato inpute që kanë kërkuar fermerët. Plehrat kimike,  farat, pesticidet dhe fidanët. Një ndihmesë prej 2 miliardë lekë në vit për fermerët dhe për bujqësinë.

Do të ulim tatim fitimin nga 15% në 5% për kompanitë e prodhimit të teknologjisë së informacionit, për të rritur vlerën e shtuar në Shqipëri dhe për ta kthyer prodhimin shqiptar në në prodhim të teknologjisë dhe informacionit, duke tërhequr kompanitë prestigjoze nga rajoni dhe nga bota.

Në të njëjtën kohë do të ofrojmë ndihmë për familjet e reja; ka një paketë të tërë për të ndihmuar familjet e reja në funksion të përmirësimit demografik. Njohja si shpenzime të zbritshme të interesave të kredive të marra për shtëpitë e para, do të jetë që në muajit e para të fillimit të mandatit.

Fjala e ministres Milva Ekonomi

Mirëdita të gjithëve!

Në fakt ne në këto 44 muaj qeverisje jo vetëm që kryem reforma, por i kryem ato edhe me cilësi. Këtë na e konfirmoi “Doing Business”, botimi i Bankës Botërore, ku e renditi vendin tonë në pozicionin e 58 nga 190 ekonomi botërore, duke shënuar një rritje me 32 pozicione.

Ne do të vazhdojmë me këmbëngulje që të zbatojmë reformat e synuara në mandatin e ardhshëm, por përsëri me cilësi shumë të lartë. Falë transformimeve në Qendrën Kombëtare të Biznesit, ne bëmë të mundur për herë të parë publikimin e 75 mijë pasqyrave financiare të sipërmarrjes.

Mandati i ardhshëm do të garantojë realizimin e plotë të nënshkrimit elektronik të bizneseve, duke lehtësuar maksimalisht raportimin financiar gjatë vitit. Ne ndihmuam shumë kompani të përpunimit aktiv nëpërmjet kontratës së qerasë simbolike 1 euro dhe i mundësuam ata të investojnë 1.6 miliardë lekë, të angazhojmë në punësim mbi 30 mijë punonjës.

Në mandatin e ardhshëm do të vazhdojmë të ndihmojmë bizneset duke u vënë në dispozicion objekte shtetërore me kontratën simbolike 1 euro, për të qenë incentiva në rritjen e investimeve dhe në numrin e të punësuarve që do të shumëfishohet.

Krijuam një departament që e thirrëm “Kujdes i vazhdueshëm për të gjitha problematikat që ka kontrata fason”. Ndaj numri i bizneseve të  regjistruara në përpunimin aktiv u rrit me 6 mijë, të cilat ndikuan në rritjen e eksportit me 26% dhe hapën 5 mijë vende të reja pune.

Në mandatin e ardhshëm do të punohet që të sigurohet shumëfishimi i këtyre shifrave por duke synuar, siç tha dhe kolegu Ahmetaj, më shumë produkte që mbajnë markën Made in Albania.

Ne premtuam të rikthejmë turizmin në një degë të fortë të ekonomisë kombëtare, dhe e arritëm. Kontributi i kësaj dege në GDP u rrit me 1.5 miliardë euro të ardhura ose 38% më shumë. Numri i turistëve që vizituan Shqipërinë u rrit me 1.5 milionë në krahasim me vitin 2013. Ne premtuan turizëm gjithëvjetor dhe po ia dalim.

Incentivuam sipërmarrjen turistike me uljen e TVSH-së për shërbimin e akomodimit; dhe nga shkalla standarde 20% shkuam në atë 6%. Ndaj në mandatin e ardhshëm qeverisës do të nxisim formalizimin e këtij sektori dhe do ta bëjmë turizmin shqiptar më konkurrues në garën e ashpër të nisjes së turistëve në të gjithë rajonin; dhe do të shtojmë investitorët e huaj në këtë sektor.

Në këtë muaj që ne qeverisëm investimet e huaja direkt u rritën me 9% të prodhimit të brendshëm bruto. Mandatin e ardhshëm synojmë të rrisim në dyfishim vlerën e stokut të investimeve të huaja, duke shkuar në 2 miliardë dollarë.

Në mandatin e ardhshëm do mundohemi të mbështesim teknologjinë e informacionit jo vetëm si mjet i domosdoshëm për administratën publike, por edhe për administrimin më të mirë të bizneseve dhe modernizimin e tyre, duke bërë që të sjellim një rritje ekonomike. Ndaj nxitja e investimeve në teknologjinë e informacionit do të realizohet nëpërmjet një stimuli fiskal, ku bizneset që investojnë  në zhvillimin e teknologjive do të kenë një normë tatimi mbi fitimin prej 5%.
Do të rrisim përdorimin e teknologjisë së informacionit edhe nga administrata lokale, për të minimizuar kontaktet që ato kanë me njerëzit në terren.

Gjatë mandatit të ardhshëm do të vazhdojmë me këmbëngulje dialogun me biznesin duke përdorur platformën e Këshillit të Investimeve të Komisionit të Tregtisë dhe Këshillit Ekonomik Kombëtar, si platformë për ndryshime në reformat tona ekonomike.

Por ne dimë gjithmonë që është shumë i rëndësishëm plotësimi i nevojave për punëtorë të kualifikuar. Prandaj edukimi profesional dhe formimi profesional do të mbetet një prioritet qeverisës në mandatin e ardhshëm.

Ne do të përpiqemi fuqimisht që në mandatin e ardhshëm t’i japim vëmendje jo vetëm arsimit profesional, por edhe arsimit në përgjithësi, sepse e dimë që aty fillon ekonomia e dijes.

Ndaj vështrimi ynë për arsimin në të ardhmen do të jetë një vështrim gjithëpërfshirës. Më shumë shkolla, 100 shkolla më shumë do të ketë në Shqipëri; do të kenë sistem ngrohjeje dhe nuk do të punohet më me dy turne. Do të japim vëmendje edhe për edukimin e lartë dhe për kërkimin shkencor.

Ju faleminderit!

Fjala e ministres Olta Xhaçka

Përshëndetje të gjithëve!

Edhe kryesisht këtyre të rinjve e të rejave këtu, që i japin kaq shumë entuziazëm kësaj salle dhe janë motivi kryesor që na angazhon të gjithëve që Shqipëria e gjeneratës tjetër të jetë ajo e ëndrrave dhe aspiratave të vajzave dhe djemve të mrekullueshëm të këtij vendi.

Vizioni i qeverisë Rama dhe angazhimi i gjithsecilit prej nesh ka në themel përmirësimin e cilësisë së jetës për çdo qytetar qoftë ai nga Tirana, nga Tropoja apo nga Konispoli. Të gjithë atyre që presin më shumë nga ne! Të gjithë atyre që kanë më shumë nevojë që ta kenë shtetin krah në përkujdesjen dhe rimëkëmbjen e tyre. Janë njerëzit me ndihmë ekonomike, janë të moshuarit, fëmijët në rrezik, të shfrytëzuar apo të pa mbrojtur, persona me aftësi të kufizuar, gra, viktima të dhunës që kanë nevojë për ndihmën tonë për t’u shkëputur prej saj. Por janë edhe gratë, vajzat, djemtë, profesionistë të rinj që kanë nevojë të besojnë se Shqipëria e gjeneratës tjetër do të besohet tek talenti, tek puna, tek arsimi dhe bashkëpunimi.

Ne jemi këtu sepse besojmë me forcën e mendjes dhe të zemrës se shteti duhet t’i gjindet në krah gjithkujt, më së shumti më të dobtëve dhe të pamundurve të shoqërisë tonë. Dhe është me këtë vetëdije që nisëm reformën e thellë të ndihmës ekonomike, e cila pas shtrirjes në të gjithë Shqipërinë do të sjellë dyfishim dhe trefishim të ndihmës për të gjitha familjet në nevojë.

Në mandatin e ardhshëm do ta dyfishojmë buxhetin për ndihmën ekonomike, i cili do të shoqërohet me një rritje të përfshirjes në skenë të të gjitha familjeve të varfëra, që kanë qenë të përjashtuara nga mundësia e përfitimit të saj.

Do të thellojmë programin e ndihmës ekonomike, në program për riintegrim social përmes përfshirjes së përfituesve të ndihmës ekonomike në programet e punësimit dhe kualifikimit, që i nxisin drejt tregut të punës.

Do të zbatojmë sistemin e ri të vlerësimit të aftësisë së kufizuar, bazuar jo thjesht në problemet mjekësore, por në nevojat e çdo individi për shërbime sociale, rehabilituese, riintegruese; me qëllim përmirësimin e cilësisë së jetës për të gjithë personat me aftësi të kufizuar.

Do të vijojmë të sigurojmë mbrojtje të veçantë për grupe të caktuara, të identifikuara si të rrezikuara nga varfëria apo të pambrojtura, përmes zgjerimit të shërbimit të kujdesit social.

Do të rrisim me 10 % numrin e përfituesve nga shërbimet komunitare dhe shërbimet alternative sociale; do të zgjerojmë hartën ekzistuese me shumë më tepër shërbime të reja.

Falë pakteve sociale me të gjitha bashkitë e vendit, në 4 vjeçarin e ardhshëm do të ngremë më shumë paketa shërbimesh pranë qytetarëve kudo ata jetojnë, jo vetëm në qendra qarqesh por në çdo bashki kudo ata jetojnë.
Çdo bashki do të jetë aktive dhe pjesëmarrëse në referimin e nevojave të qytetarëve dhe ofrimin e këtyre shërbimeve në nivel lokal. Për këdo që është në vështirësi, do të thotë të dijë se falë këtij bashkëpunimi mes pushtetit qendror dhe atij vendor, në çdo bashki do të jetë dikush që kujdeset dhe ndihmon fëmijët t’i kthehen shkollës, prindërit të angazhohen në punë, që ndihmon familjet të funksionojnë shëndetshëm, që ndihmon moshën e tretë të rivitalizohet, fëmijët të integrohen suksesshëm në komunitet pavarësisht aftësive të tyre ndryshe.

Falë këtij vizioni dhe angazhimit tonë të plotë, do të sigurohemi që në mandatin tonë të ardhshëm t’i sigurojmë çdo fëmije me aftësi të kufizuar mundësinë të ndjekë shkollën, se arsimi dhe gjithëpërfshirja, të gjithë e dimë, se janë çelësi që ndikon në rritjen e përfshirjes dhe mirëqenies te të gjithë personat me aftësi të kufizuar.

Do të sigurojmë që 100 % e fëmijëve romë dhe egjiptianë të regjistrohen në shkollë dhe të përfundojnë arsimin e detyruar. Do të sigurohemi të promovojmë, në bashkëpunim me organizatat rome dhe egjiptiane, programe mbështetëse për rritjen e numrit të djemve dhe vajzave rome dhe egjiptiane që ndjekin arsimin e lartë.

Do të bashkëpunojmë me pushtetin vendor për të lehtësuar kriteret e përfitimit të banesave sociale dhe alternativat e ndryshme për strehim, për sa më shumë familje në nevojë.

Me besimin se familjet e shëndosha krijojnë një shoqëri të zhvilluar, do të mbështesim të gjithë ata që kërkojnë të hedhin hapin e parë drejt ndërtimit të familjes duke blerë shtëpinë e tyre të parë me anë të një kredie.

Do të ndihmojmë të gjitha familjet e reja për blerjen e shtëpisë së tyre të parë, duke ua njohur si shpenzime të zbritshme të interesave të kredive të marra për shtëpinë e parë, që në fillim të mandatit tonë qeverisës, që në fillim të vitit tonë të parë të mandatit të ardhshëm.

Do të vazhdojmë përpjekjet për të krijuar një mjedis të favorshëm për rritjen e sigurt dhe të shëndetshme të fëmijëve, duke i dhënë një mundësi për zhvillimin e potencialit të tyre të plotë fizik dhe psiko-social.

Fëmijët në situatë rruge, fëmijët pa kujdes prindëror, fëmijët e shfrytëzuar në punë do të kenë gjithë vëmendjen dhe mbrojtjen tonë, si dhe gjithë përkujdesjen e nevojshme që meritojnë.

Do të vazhdojmë të fuqizojmë gratë dhe vajzat nëpërmjet nxitjes së kreditimit dhe sipërmarrjes së tyre; nxitjes së punësimit, formimit profesional dhe buxhetimit gjinor në politikbërje dhe vendimmarrje.

Do të ulim me 10 % punën e papaguar të grave duke rritur aksesin e shërbime sociale si çerdhe, kopshte; shërbime për moshën e tretë; shërbime për gratë dhe fëmijët me aftësi të kufizuara; shërbime për gratë rome dhe egjiptiane; dhe shërbime të tjera, që do të jenë gjithnjë e më pranë vendbanimit të tyre.

Do të fuqizojmë gratë e zonave rurale nëpërmjet uljes së punës së papaguar në sektorin bujqësor, përmes fuqizimit të skenave të subvencioneve, rritjes së aksesit në shërbimet shëndetësore dhe sociale dhe rritjes së formalizimit të punës së tyre.

Të gjithë e dimë  që investimet në kapitalin njerëzor dhe cilësinë e arsimit e të kualifikimit janë në qendër të një ekonomie inovatore e konkuruese, që ofron shumë vende pune.
Kush më shumë se të rinjtë energjikë dhe të talentuar të këtij vendi meritojnë që ne të angazhohemi maksimalisht për politika dhe projekte që mundësojnë arsim, fronte të reja pune, mekanizma lidershipi, vullnetarizëm apo angazhim në komunitet sipas standardeve më të mira.

Megjithatë, pavarësisht mbështetjes që u kemi dhënë të rinjve në punësim, jemi ende shumë larg ambicies sonë pasi struktura e deri tanishme socio-ekonomike kaq na ka lejuar. Për këtë arsye, në mandatin e ardhshëm të rinjtë do të jenë prioritet për qeverinë tonë me mbështetje në nivele dhe fronte të reja.

Gjatë 4 vjeçarit të ardhshëm do të vijojmë të zbatojmë programe që nxisin punësimin dhe vetëpunësimin e të rinjve, si dhe programe që zhvillojnë potencialin e tyre krijues dhe rrisin pjesëmarrjen në tregun e punës.

Do të rrisim punësimin e të rinjve nëpërmjet mbështetjes së programevestart up,  arsimit cilësor, shkollimit dhe formimit profesional. Do të rrisim pjesëmarrjen e të rinjve në vendimmarrjen politike dhe do të ruajmë dhe do të mbrojmë gjithkënd që meriton vëmendje dhe vullnet të veçantë.

Së fundi, por jo për nga rëndësia, për të gjithë ata që janë në kapërcyell të jetës. Për pensionistët që kanë punuar gjithë jetën për t’u siguruar familjeve të tyre strehim, ushqim, shkollim dhe të ardhme dhe e kanë bërë me shumë dashuri dhe sakrificë – përpjekja e tyre nuk ka qenë thjesht një sprovë për të sjellë bukë në tryezë në fund të ditës për familjet e tyre, por ka qenë një provë guximi, krenarie, vlerash dhe respekti. Tani është radha jonë që të kujdesemi për ta me të njëjtin respekt dhe me të njëjtën vendosmëri. Kujdesi për moshën e tretë do të vazhdojë të theksohet edhe në mandatin tonë të dytë.

Ndryshimet rrënjësore në sistemin shëndetësor dhe avancimet drejt mbulimit universal do të ndikojnë sidomos tek moshat e treta. Kujdes i veçantë do t’i jepet edhe trajtimit financiar të tyre, dhe do të vazhdojmë të konsolidojmë zbatimin e reformës së pensioneve. Përmes paketës së solidaritetit për pensionistët prej 24 miliardë lekëve, do të vazhdojmë rritjen vjetore të pensioneve duke u angazhuar që çdo pensionist të marrë si shpërblim fundviti nga 7 deri në 10 mijë lekë, duke nisur nga viti i parë i qeverisjes. Një pjesë e rëndësishme kësaj kategorie janë edhe ish të përndjekurit e gjallë, që falë një premtimi të mbajtur të qeverisë tonë u dëmshpërblyen për vuajtjet e tyre, por një pjesë duke përfituar edhe këstin e shtatë. Shumë shpejt do të procedohet edhe me këstin e tetë. Skema jonë e re e kompensimit, falë ndryshimeve ligjore, ka krijuar hapësirën që çdo ish i përndjekur politik që nuk ka përfituar por që jeton dhe ka aplikuar jashtë afatit, të përfshihet.
Në shenjë solidariteti dhe detyrimi moral të shoqërisë tonë për ta, mandati ynë i ardhshëm do të zgjidhë njëherë e përgjithmonë këtë kalvar të dhimbshëm vuajtjesh për të gjithë këta njerëz që meritojnë gjithë respektin tonë.

Fjala e ministres Ogerta Manastirliu

Përshëndetje të gjithëve!

4 vjet më parë të gjithë bashkë filluam rrugën e mundimshme të transformimit të shëndetësisë.

Më shumë se 2 dekada rrënimi të sektorit shëndetësor ua kishin vrarë shpresën shqiptarëve për të patur një shërbim të drejtë.

Sot, 4 vjet më vonë, mund të themi se i sëmuri i madh, që ishte shëndetësia shqiptare, ka dalë nga rreziku për jetën dhe tashmë po ngrihet në këmbë. Prandaj kemi ende shumë për të bërë për kujdesin shëndetësor shqiptar.

Partia Socialiste në programin e saj do të garantojë kujdes shëndetësor për të gjithë nëpërmjet mbulimit shëndetësor universal, si qëllim afatgjatë i sistemit tonë shëndetësor. Pavarësisht nga statusi shoqëror, pavarësisht nga gjendja ekonomike, garanti për shëndetin do të jetë vetëm një: shteti. Për mbrojtje financiare, shërbime cilësore dhe akses në barna efektive dhe të përballueshme për të gjithë.

Në mandatin e parë financimin publik për kujdesin shëndetësor e rritëm nga 43 në 57%  të shpenzimeve totale për shëndetësinë.
Sot, 600 mijë të pasiguruar marrin shërbim shëndetësor falas tek mjeku i familjes. 1.2 milion shqiptarë kanë mundësinë të kryejnë kontrollin mjekësor bazë. 150 mijë qytetarë përfitojnë nga skema e rimbursimit të ilaçeve.

Sot tarifat për konsultat e specializuara janë fare simbolike, ndërsa radha e pritjes për ekzaminimet jetëshpëtuese është ulur 2 deri në 3 herë.
Sot çmimet e barnave kushtojnë 30% më pak dhe shërbimet jetike për shëndetin ofrohen dhe pranë vendbanimeve, prandaj qytetari sot shpenzon më pak për t’u kuruar.

Në mandatin tonë të dytë do të rrisim më shumë financimin publik për më shumë shërbime shëndetësore falas, sepse nuk do të lejojmë që shpenzimet për shëndetin të rëndojnë mbi buxhetin e familjeve shqiptare. Programi ynë garanton që çdo shqiptar të marrë shërbim shëndetësor në kohë dhe me cilësi, duke e konsideruar shëndetin si një e drejtë e patjetërsueshme.

Një vend që kujdeset për shëndetin e njerëzve të tij, dallohet se nga sa shpejt i përgjigjet urgjencës mjekësore. Asnjë qytetar nuk duhet të privohet nga e drejta për shërbim të urgjencës. Urgjenca kombëtare mjekësore është tashmë një sistem i ngritur në programin tonë; do ta fuqizojmë edhe më tej me burime njerëzore, mjekësore dhe duke rinovuar tërësisht flotën e ambulancave.

Ne do të garantojmë një standard të ri, duke iu përgjigjur çdo rasti urgjent brenda 10 deri 15 minutash në zonat urbane dhe 20 deri në 35 minutash në zonat rurale.

Në 4 vitet e mandatit të parë hapëm kantierin e shëndetësisë në çdo cep të Shqipërisë, nga qendrat shëndetësore në spitalet rajonale, në spitalet universitare.

Por shumë më tepër do të investojmë në mandatin e dytë. Do të ndërtohet për herë të parë një qendër e re spitalore ekselence në Fier. Do të fuqizojmë rrjetin e kujdesit parësor dhe shërbimin e mjekut të familjes me ngritjen e 10 qendrave  të reja shëndetësore, me mjedis dhe pajisje moderne në të gjithë vendin, aty ku janë nevojat e qytetarëve.

Në qendrën më të madhe spitalore në vend, përmes programit të zhvillimit dhe modernizimit të qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, do të ndërtojmë një spital të ri për kirurgji; do të zgjerojmë spitalin e pediatrisë; do të ndërtojmë një spital të ri për sëmundje të brendshme.

Këto investime do të sjellin më shumë shërbime cilësore për pacientët dhe kushte më dinjitoze të punës për stafin mjekësor.

Ne e dimë që shqiptarët meritojnë më shumë, prandaj nuk kemi kohë për të humbur dhe programi i Partisë Socialiste për Shqipërinë është garancia jonë për qytetarin, për shëndetin, për mirëqenien.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here