Home Aktualitet Skuadra e re do fitojë betejën e 18 qershorit

Skuadra e re do fitojë betejën e 18 qershorit

234
0
SHARE

*Nga Edi Rama 

Së pari, faleminderit që jeni këtu edhe në këtë orë të pazakonshme!

Loading...

Nuk dua t’ju mbaj deri pas mesnate, dua thjesht të bëj një përmbledhje sa më të shkurtër për skuadrën tonë përfaqësuese që do zbresë në fushë për betejën e 18 Qershorit. Do ta filloj me një shprehje mirënjohjeje për të gjithë deputetët dhe deputetet që kontribuan dhe që ishin pjesë e rrugës sonë, nga Shqipëria që kishim te Shqipëria që kemi.
Duke filluar nga Namik Dokle, duke vazhduar me Valentrina Leskajn, padyshim Arta Daden dhe të gjithë të tjerët me radhë; ndaj të cilëve kam falenderimet më të sinqerta dhe shprehjen e jo vetëm të mirënjohjes, por edhe të respektit më të madh për gjithçka bënë si përfaqësues të Partisë Socialiste në Kuvendin e Shqipërisë.

Skuadra e re përfaqësuese ka misionin jo thjesht të fitojë ndeshjen e 18 Qershorit, betejën e 18 Qershorit, por edhe të bëjë të mundur që në këtë fazë tjetër të rrugëtimit tonë, nga Shqipëria që kemi te Shqipëria që duam, ne t’ia dalim faqebardhë përpara të gjithë atyre që do të na japin besimin për të ecur përpara.
Është një skuadër që harmonizon, besoj unë, mosha, eksperienca, treva, komunitete. Mendoj se është momenti për të falenderuar të gjithë udhëheqësit e qarqeve, të cilët kanë bërë një punë si asnjëherë më parë, të lavdërueshme, për të qëmtuar me kujdes të gjitha ndjeshmëritë, të gjitha potencialet, të gjitha kandidaturat e mundshme të cilat kanë qenë mbi 1500, për të arritur në një listë apo në një tërësi listash përfundimtare që nuk duan të thonë se kjo është e gjitha, pasi patjetër që edhe shumë të tjerë, burra e gra, djem e vajza fare mirë mund të kishin qenë pjesë e kësaj skuadre, por ashtu siç në çdo aktivitet ku ka një garë skuadrash, ka një numër të përcaktuar lojtarësh. Edhe për ne, numri i përcaktuar imponon në fund një seleksion shumë rigoroz.
Seleksioni ka qenë rigoroz në të gjitha aspektet por këtë herë, duke pasur parasysh edhe një kuadër të ri ligjor, ne kemi përfshirë në këtë proces përzgjedhjeje edhe përpjekjen për të verifikuar përputhshmërinë e plotë të të gjithë figurave të skuadrës sonë përfaqësuese me ligjin e pastërtisë së figurës së shërbëtorit publik. E jo vetëm kaq, por në mënyrë shumë rigoroze është shqyrtuar në çdo detaj CV-ja e çdo kandidati e kandidateje. Kështu që, besoj që sot me plot gojën mund t’u themi njerëzve se jemi gati në këtë moment të fillojmë fazën finale të ballafaqimit për sa shumë kemi bërë, sa shumë mbetet akoma për të bërë dhe sa shumë ka për të humbur nëse ndalemi në këtë rrugë.
Dua të nënvizoj dy elementë, sepse ju dëgjuat përshkrimin e të gjitha listave për çdo qark, por janë dy elementë që unë dua t’i nënvizoj në mënyrë pak më të posaçme. Nga njëra anë përfshirjen e përfaqësuesve të denjë të komunitetit minoritar grek në skuadrën tonë, përmes një figure të njohur dhe shumë të respektuar në zonën e minoritetit si Andrea Marto; dhe përfshirjen e një zonje nga komuniteti i vockël maqedonas. Këtu, më lejoni që të nënvizoj se jam shumë krenar për Shqipërinë që kemi. Në këtë aspekt, edhe Shqipëria që kishim nuk bënte fort dallim kur respektohen minoritetet vërtetë në mënyrë shembullore. Duke qenë se sot ne shohim me shumë shqetësim atë që ndodh në vendin fqinj, shpresoj që askush nuk do të ndjehet i provokuar kur them se një minoritet me pak mijë banorë ka përfituar një vëmendje të veçantë nga Aleanca për Shqipërinë Europiane dhe me reformën administrative-territoriale është kthyer në një bashki më vete thjesht vetëm në respekt të atyre njerëzve; i është ndryshuar emri bashkisë duke respektuar dëshirën e atyre njerëzve – quhej Liqenas dhe quhet Pustec. Besoj se jemi në të drejtën tonë që t’i kujtojmë fqinjëve tanë maqedonas se do dëshironim shumë që shqiptarët në Maqedoni,- që nuk janë një minoritet por janë një popullsi shtet-formuese, janë një nga dy entitetet që formojnë Maqedoninë,- të gëzojnë respektin, liritë, të drejtat 100% të barabarta me maqedonasit.
Ne duam një Maqedoni stabël. Ne duam një Maqedoni të zhvilluar demokratikisht dhe ekonomikisht, sepse ne duam që Maqedonia të jetë shëmbëlltyrë e  harmonisë mes fqinjësh dhe të jetë në të njëjtën kohë vendi ku asnjë shqiptar mos ndjehet qytetar i dorës së dytë.
Thirrja e përsëritur për qetësi, për durim dhe për sa më shumë vullnet edhe në këto kushte të vështira, për të mos u përfshirë në një konflikt politik dhe për të mos lejuar që shqiptarët të përdoren si alibi për atë konflikt, është shprehje kuptimplotë e dëshirës sonë të madhe që Maqedonia të kapërcejë këtë krizë që vazhdon të përshkallëzohet, ku fatkeqësisht lufta për pushtet ka përfshirë si alibi shqiptarët.

Së fundi, përpara se sa patjetër t’i përgjigjem edhe ndonjë pyetjeje, sepse ju jeni këtu pothuajse gjithë ditën, dua të nënvizoj se unë vazhdoj të mendoj se Partia Demokratike do hyjë në zgjedhje. Jam i bindur që nuk është një iluzion, por është një mundësi reale, sepse këtë bindje e kam pasur gjithmonë. Jam po ashtu besimplotë se ne, ashtu siç e kemi shprehur në vijimësi, do të mund t’i krijojmë Partisë Demokratike dhe partive të tjera rreth saj mundësinë që të regjistrohen. Natyrisht në formatin aktual, secili më vete, edhe jashtë afatit. Natyrisht që ka një afat mundësish fizike për përgatitjen e fletëve të votimit. Unë uroj që afati final të sjellë edhe më shumë arsye. E patjetër jemi të gatshëm që t’i ofrojmë Partisë Demokratike mundësinë që në 7 maj, në Kavajë të shkojë me një kandidat dhe jo me një turmë njerëzish të manipuluar.
Këto ishin ato që kisha për të thënë.

Në fakt, vetë z. Damian Gjiknuri, por edhe z. Ruçi nënvizuan faktin që ju jeni vendosur i gjashti në listë dhe z. Ruçi i nënti në Fier. Më shumë si një ftesë dhe një mesazh për opozitën që ju besoni që ajo do të futet në zgjedhje, gjë që dhe je thatë. Por më shumë duket si një besim i tepruar që ju do t’i merrni ato mandate, derisa e keni vendosur vetë i gjashti dhe numrin dy i Partisë Socialiste i nënti në Fier?

Këto nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën. Nuk është ftesë për Partinë Demokratike; është bindje qoftë e imja qoftë e Gramozit, se kush ka përgjegjësitë më të mëdha duhet të japë shembullin se përgjegjësia është përgjegjësi. Ndërkohë dua të them që Gramozi ka vendosur veten aty ku është objektivi i Partisë Socialiste: në zgjedhje sëbashku me Partinë Demokratike. Unë po ashtu, por unë edhe për një arsye tjetër, sepse udhëheqësi i qarkut të Vlorës është Damian Gjiknuri, nuk jam unë, dhe me punën e jashtëzakonshme që ka bërë dhe me impaktin që ka krijuar meriton vërtetë të jetë drejtuesi im politik në Vlorë.

Duhen edhe 13 minuta që të përfundojë afati zyrtar. Edhe sa kohë do ta prisni Partinë Demokratike? Kanë mbetur vetëm pak minuta për të numëruar, e para.
Dhe e dyta, nëse më lejoni: Ripërfshihet sërisht në listën e Partisë Socialiste Spartak Braho. Pse?

Ne nuk e presim Partinë Demokratike. Ju siç e shikoni, ne nuk po presim Partinë Demokratike dhe nuk kemi ndërmend të ndalemi me shpresën se do vijë Partia Demokratike. Nëse Partia Demokratike do të kërkojë që t’i bashkëngjitet këtij procesi themelor demokratik,- natyrisht në një kohë të arsyeshme, që nuk e vendosim ne por e vendosin afatet fizike të përgatitjes së materialeve zgjedhore,- ne nuk do themi ‘jo’. Madje, unë jam i përgatitur që të them ‘po’, edhe për të gjitha kërkesat e parashtruara në platformën e kompromisit nga miqtë e Partisë Demokratike të partive popullore, duke e përjashtuar sigurisht afatin e zgjedhjeve që s’ka më sens të shtyhet. Ndërsa të tjerat janë të gjitha në tavolinë. Mirë se të vijnë. Por kuptohet, duhet të merremi vesh pak për Vettingun.

Për sa i përket Spartak Brahos, Spartak Braho nuk ka qenë në fakt asnjëherë deputet i LSI në kuptimin juridik. Ka qenë deputet i Partisë Socialiste, kur Ilir Meta krijoi LSI. Pastaj në 2009, në mos gabohem, s’ka qenë deputet fare. Pastaj në 2013 ka qenë deputet i Partisë Socialiste. Ka një rol të posaçëm në marrëdhënien mes dy partive kur është kohë e nxehtë dhe patjetër që ka edhe një eksperiencë, të cilën ne e kemi çmuar gjithmonë. Pra, asnjëherë nuk ka qenë një pengesë; asnjëherë nuk ka qenë një zjarrnxitës; ka qenë gjithmonë një urë që kur na është dashur kemi kaluar, qoftë unë qoftë presidenti i zgjedhur.

Shumë faleminderit! Edhe njëherë, respekt për mundin tuaj deri në këtë orë!

*Fjala e kryeministrit Rama në selinë e Partisë Socialiste pas shpalljes së listës së kandidatëve për deputetë

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here