Home Aktualitet 25 Qershori, garë për Shqipërinë që duam

25 Qershori, garë për Shqipërinë që duam

148
0
SHARE

Fjala e Kryeministrit dhe njëkohësisht Kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama në takimin me qytetarët e Mallakastrës:

Shumë faleminderit për mikpritjen e jashtëzakonshme, kam qenë dhe herë tjetër këtu në këtë shesh, por asnjëherë nuk ka qenë i mbushur si sot e mua më duket shumëfish dhe për faktin se as shiu nuk ju shpërndau dot.

Loading...

Së pari, dua t’ju them se në 44 muaj të përpjekjeve tona të mëdha dhe reformave që askush më parë nuk kishte guxuar as ti mendonte e jo ti ndërmerrte, ne nuk kemi bërë aq sa duhet sepse çka kemi trashëguar në çerek shekulli pa shtet nuk mund të ribëhet dhe të rindërtohet në një kohë kaq të shkurtër. Por ama besoj, që nuk ka shqiptar të ndershëm e të arsyeshëm që mund ta mohojë faktin se në 44 muaj, ne kemi bërë mjaftueshëm për të provuar se ky vend mund të bëhet dhe se në këtë vend vetëm Partia Socialiste mund të bëjë shtet për të gjithë shqiptarët!

Kemi hedhur vetëm themelet. Shtëpia e shtetit tonë modern dhe europian, e shtetit që i trajton të gjithë qytetarët në mënyre të barabartë, e shtetit që garanton të drejtat e tyre dhe që po ashtu imponon detyrimet për secilin sipas asaj që i takon, – kërkon ende një punë shumë të madhe.

E pjesa e dytë që kemi përpara, nuk është më e lehtë se e para, është më e vështirë, sepse është pjesa që do ndajë përfundimisht, jo për katër vitet e ardhme, por për gjeneratën tjetër nëse Shqipëria më në fund do të bëjë një shtet që u shërben të gjithëve apo do kthehet mbrapa dhe një herë tjetër, duke e parë prishjen e këtyre themeleve të ndërtuara me mund e me sakrifica.

Unë besoj shumë fort se në 25 qershor merret një vendim shumë më i rëndësishëm se vendimi se kush do qeverisë katër vitet e ardhshme. Besoj shumë fort që gara elektorale e 25 qershorit nuk është një garë mes partish të ndryshme, por është një garë për Shqipërinë që duam, me shtet, me punë dhe me mirëqenie!

25 qershori nuk është një takim elektoral i radhës, por është një udhëkryq për të vendosur nëse flamurin kuqezi të Skënderbeut dhe Ismail Qemalit do ta ngremë më lart e do ta çojmë më shpejt në oborrin e Europës së bashkuar apo nëse do të humbasim dhe vite e vite të tjera nën hijen e flamujve të lloj-lloj partive që votën e marrin me premtimin për të shërbyer e pastaj e përdorin vetëm për të rrëmbyer pjesën e tyre nga pushteti që e shohin si tepsi.

Ne kemi bërë shumë reforma, koalicioni ynë ka bërë shumë reforma e kjo është e pamohueshme, por motra dhe vëllezër, sot është momenti për t’ju kërkuar hapur, troç e shumë sinqerisht një votë që do të garantojë përgjegjësi të plotë për Partinë Socialiste. Një votë që do të na japë timonin e reformave pa qenë të detyruar të ulim të tjerët në prehër. Të tjerë që nuk duan të marrin përgjegjësi, por duan thjesht të kenë një dorë në timon për të marrë gjithçka munden në funksion të vetvetes e jo të Shqipërisë.

Ky është një sistem i ngritur prej vitesh e vitesh, që i ka kthyer zyrat e shtetit shqiptar, zyrat e shërbimeve për njerëzit, në degë ku partitë me votat që marrin nga njerëzit, nxjerrin përfitime në kurriz të njerëzve.

Sa prej jush kanë qene të detyruar të shkojnë në hipotekë e të dalin prej aty të fyer, të nëpërkëmbur, të vjedhur?!

Sa prej jush kanë qenë të detyruar që dhe për një kolaudim makine të paguajnë nën dorë pasi kanë ndenjur në një radhë shumë të gjatë?!

Sa prej jush kanë provuar shijen e hidhur të keqtrajtimit në zyrat e shtetit?!

E pra, unë ju siguroj se kjo e keqe e madhe mund të mbarojë, por kësaj të keqeje të madhe mund t’i japi fund vetëm populli, në 25 qershor, duke mos i lejuar partitë që janë mësuar që për një votë më shumë të kërkojnë një drejtori më shumë që të kenë mundësi të shantazhojnë Partinë Socialiste.

Ne kemi një sfidë shumë të madhe e unë jam i bindur që ne mund t’ia dalim!

Sfida jonë është ta rrisim ekonominë mbi 5%, në mënyrë që nga rritja ekonomike, çdo familje të ndjejë përfitimin e saj. Por për ta rritur ekonominë mbi 5%, na duhen dy portat, pa të cilat nuk funksionon një shtet; porta e hapur e drejtësisë për çdo qytetar pavarësisht si quhet, pavarësisht sa lekë ka, pavarësisht se me kë parti është dhe porta e hapur e shërbimeve të shtetit për qytetarin.

Portën e drejtësisë ne kemi filluar ta hapim, me vizion, me kurajë e me kokëfortësi dhe të jeni të sigurt se në katër vitet e ardhshme, ajo portë do jetë përfundimisht e hapur për të gjithë qytetarët dhe e drejta e secilit nuk do jetë më një mall që blihet dhe gjykatat nuk do jenë më një pazar, ku e drejta si mall i shitet atij që ofron çmimin më të lartë.

Ju siguroj se kështu, siç ia dolëm për të bërë reformën në drejtësi, për të bërë vettingun edhe pse shumëkush nuk e besonte kur ne e thonim këtë, edhe pse kundërshtarët tanë, deri në sekondën e fundit, qoftë për reformën në drejtësi qoftë për vettingun, nuk lanë gurë pa luajtur që ta bllokojnë, po kështu ne mund t’ia dalin dhe do t’ia dalim ta rrisim ekonominë dhe punësimin si asnjëherë më parë, në katër vitet e ardhshme.

Ne do t’ia dalim që duke rritur ekonominë deri mbi 5 % për herë të parë në historinë e pluralizmit dhe përpjekjeve për të ndërtuar demokracinë ta ulim papunësinë në një shifër, nën  10%.

Ne do t’ia dalim që rrogën minimale ta bëjmë 300 mijë lekë dhe që në katër vitet e ardhshme t’ju dedikojmë pensionistëve 240 milionë dollarë për të rritur çdo vit pensionin e tyre.

Ne do t’ia dalim që rrogat e mësuesve, të policëve, të infermierëve, të punonjësve të shtetit që po ndërtojmë t’i rrisim 40 % në katër vitet e ardhshme.

Ne do t’ia dalim që çdo fermeri që punon me tokën dhe që kërkon të fitojë duke lagur tokën tokën me djersën e tij, jo vetëm t’i garantojmë ujin në arë, c’ka është një zotim që po bëhet realitet, por edhe t’ia heqim barrën e taksës mbi vlerën e shtuar të imputeve bujqësore dhe ndërkohë ta mbështesim zhvillimin e  bujqësisë me një financim direkt prej 238 milionë dollarësh.

Ne do t’ia dalim që ta luftojmë varfërinë me punë dhe jo me llafe dhe me lëmosha. Ta godasim varfërinë përmes rritjes së prodhimit, rritjes së punësimit që vjen nga investimet prodhuese dhe për të gjitha këto të jeni të sigurt që ne jemi të bindur, por ju lutem kur them më ndihmoni dhe na ndihmoni, duke ka na dhënë të gjithë fuqinë e dëshirave e të nevojave tuaja nga shteti, nuk e them sepse duam më shumë pushtet apo sepse dua unë më shumë pushtet për vete.

Nëse do donim më shumë pushtet për vete, sot e gjithë ditën Luli bashkë me udhëheqjen e PD-së do ishim akoma në çadër. Do ishin në çadër duke u përvëluar nga dielli dhe duke u lutur për një pikë ujë dhe ne do ishim në hije, duke pritur 18 qershorin për të marrë 100 e ca deputetë. Por, nuk është pushteti qëllimi ynë.

Qëllimi ynë është që të bëjmë shtet për Shqipërinë që duam, e prandaj kërkoj nga ju më shumë pushtet për të ecur me shumë më tepër vendosmëri, me shumë më tepër rezultate në katër vitet e ardhshme, përpara.

Ne nuk donim dhe deri në sekondën e fundit kërkuam që t’i fusim në zgjedhje të gjithë, jo vetëm socialistët, por edhe demokratët, jo vetëm ata që besojnë tek ne, por edhe ata që nuk besojnë tek ne. Dhe ia dolëm e tani unë iu them të gjithë atyre që kanë bindje të djathta se në 25 qershor nuk kemi një ndeshje për bindjet, por kemi momentin që të bashkohemi pavarësisht bindjeve me një bindje që është mbi të gjitha bindjet, që flamuri kuqezi është më i rëndësishëm për të gjithë ne, sesa flamujt e partive që na ndajnë e na përçajnë qytet më qytet, e fshat më fshat për të siguruar ndarjen e tepsisë së pushtetit në Tiranë.

Ju jepni votën që ata të bëjnë ato që thonë. Me votat tuaja ata të kushtëzojnë votimin e reformave.

A e imagjinoni ju, që, të kërkosh të kalosh reformën administrative territoriale, një reformë historike për Shqipërinë dhe të të duhet deri në momentin e fundit për të marrë votat të negociosh për drejtori e deri edhe për pastruese që i duhen në këmbim të votave për reforma që bëjnë shtet! Ju nuk e imagjinoni po kjo është e vërteta! Kjo nuk ka të bëjë me, kush jam unë dhe kush janë të tjerët sot. Kjo ka të bëjë me sistemin që është ndërtuar.

Ne, ose e shembim këtë sistem, ose ata që ishin, ata që jemi, ata që do vijnë nuk do jenë në gjendje të bëjnë për ju atë që ju prisni prej tyre. Ose e merr populli i bashkuar në dorë në 25 qershor vendimin që, shteti është i të gjithëve dhe duhet t’iu shërbejë të gjithëve dhe partitë duhet të luftojnë për programet, jo për tepsinë, ose historia e tepsisë do të vazhdojë dhe populli do vazhdojë të mbetet me gisht në gojë, kur hyn në zyra për të marrë një shërbim.

Unë, ju them të gjithë atyre që kanë fëmijët në shkollë, të gjithë prindërve me bindje të ndryshme, në 25 qershor, nëse ju votoni Partinë Socialiste ju garantoni se arsimi do të jetë gjithmonë më shumë i arsimtarëve dhe jo i partive dhe se fëmijët tuaj, nga klasa e parë deri në fund të gjimnazit, do të mësojnë me librat e “Oxforde”, “Cambridge”, “Pearson”, që ne i futem në sistem për të zëvendësuar qindra e qindra libra që i shkruanin, duke i kopjuar keq Fahri Balliu, Bahri Falliu dhe të gjithë profesorët pa shkollë të Saliut.

Një prind, do vendosë çka është më e mira për fëmijën e tij, apo do vendosë të japë votën për t’i gjetur punë Lulit që nuk di të bëjë asnjë punë tjetër, pëveçse të fillojë të flasë kur është përpara kamerave. Luli është artist. Gaz Paja është amator përpara Lulit. Luli është aktor, artist. Luli, po pa kamera ndezur është gati t’ju premtojë edhe një lidhje me internet me të vdekurit që ju ka marrë malli, mjafton që t’i jepni votën. Dilte në Tiranë në fushatë me një bukë në dorë dhe ju thoshte, “kjo bukë është shumë e shtrenjtë, sepse çmimin e bukës e diktojnë klanet e betonit të Edi Ramës. Ma jepni votën mua dhe çmimin e bukës do e vendosë Bashkia.” J’ua mori votën, e harroi bukën dhe i harroi të gjithë ata që ua rrokanisi kokën me premtime çmendurake.

Vota në 25 qershor është për të marrë në punë njerëzit që i duhet vendit, komuniteteve dhe familjeve. Nuk është për t’iu gjetur punë atyre që përfaqësojnë partinë me të cilën je.

Unë demokratëve nuk iu them, “hajde, bëhuni socialist”. As nuk iu them merr teserën e Partisë Socialiste. Rrini demokratë. Saliun mbajeni në zemër. Po të doni mbajini dhe fotografinë te dhoma e pritjes. Fotografinë Lulit vëreni tek dhoma e gjumit. Por, në mendje, kur të votoni mbani Shqipërinë, mbani interesin tuaj, të familjes tuaj, të fëmijëve tuaj, të fshatit tuaj, të punës tuaj dhe pyeteni veten, “kë do marrim në punë?” Kush do të na shërbejë?”

Njësoj siç, kur merrni autobusin për tu nisur në Tiranë, nuk pyesni, “me kë parti është shoferi,” por hipni në autobus dhe nuk shkoni të merrni karrocën e një demokrati, meqë shoferi është socialist, – e njëjta gjë është dhe me qeverinë.

Qeveria është vendimi për të marrë në punë njerëzit e duhur. Unë ju them, mendoni për një moment sikur të pyesnit Ismail Qemalin, “kë të votojmë në datën 25?” Mendojeni! Çfarë do ju thoshte? Prandaj, në datën 25 qershor, t’i lëmë mënjanë bindjet! Beteja e ideve le të vazhdojë gjithë jetën, por beteja për Shqipërinë që Duam në 25 qershor duhet të na bashkojë si shqiptarë, si patriotë, si qytetarë të të njëjtit atdhe, me të njëjtat dëshira për fëmijët dhe me të njëjtat shpresa për të ardhmen.

Iu bëj thirrje të gjithë mësuesve, të gjithë punonjësve të Policisë, të gjithë punonjësve të shtetit, kudo ku janë: mbaron orari zyrtar, mos flini gjumë po luftoni për çdo votë për Partinë Socialiste të Shqipërisë!

Luftoni për çdo votë që të mos humbni të drejtat e fituara dhe që në 4 vitet e ardhshme ne të bëjmë 4-fishin e atyre që kemi bërë në këta 44 muaj!

Luftoni për çdo votë që punën tuaj ta mbrojë aftësia juaj, ta mbrojë merita juaj dhe jo ta vlerësojë një parti, apo një tjetër!

Ka një arsye shumë të fortë, këtu në Fier, që të gjitha gratë të bëhen bashkë, sepse Partia Demokratike nuk mendon që gratë në 5 qarqe të Shqipërisë meritojnë të përfaqësohen në parlament. Ka vënë vetëm burra dhe gratë i ka vënë në fund të listës, njësoj siç liheshin në fund të dhomës, në këmbë, kur burrat hanin keca dhe pinin raki.

Prandaj, gratë dhe vajzat e Mallakastrës duhet të mendojnë njësoj dhe duhet të votojnë njësoj, sepse, mbi bindjet, “e majtë – e djathtë”, është bindja se çdo grua dhe vajzë duhet të respektohet njësoj si, çdo burrë dhe djalë.

Një parti e madhe që thotë, “më jepni votën t’ju qeveris”, nuk mund të votohet përderisa arrin në pikën që të përjashtojë gratë nga qeverisja.

Nuk mund të votohet një parti që thotë do bëjmë Republikën e Re, ku burrat “do lozin, do kuvendojnë dhe pika nuk do u bjerë akoma që nga gratë rrojnë”, duhet të marrë mesazhin se kush guxon të diskriminojë akoma sot gratë dhe vajzat nuk ka shans që të marrë akoma mbështetjen e tyre.

Rroftë Mallakastra!

Rrofshin gratë dhe vajzat e Mallakastrës!

Rrofshin burrat dhe djemtë e Mallakastrës!

Rroftë Partia Socialiste e Shqipërisë!

Rroftë Shqipëria!

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here