Home Aktualitet Gratë dhe vajzat, pa dallim bindjesh politike, t’i japin votën e besimit...

Gratë dhe vajzat, pa dallim bindjesh politike, t’i japin votën e besimit PS

243
0
SHARE

Fjala e Kryeministrit Edi Rama, njëkohësisht kryetar i Partisë Socialiste, në takimin elektoral me gra dhe vajza të Beratit:

 

Loading...

Shumë faleminderit!

Nuk ka pamje më të bukur sesa gjithë ky det me gra dhe burrat si kodër, në fund fare. Aty të rrini!

Është një pamje e jashtëzakonshme.

 

Jam shumë mirënjohës për këtë mikpritje dhe këtë prani kaq fantastike grash dhe vajzash dhe më vjen shumë mirë që më jepet mundësia të ndaj me kaq shumë prej jush, disa mendime që besoj ia vlejnë të diskutohen pas, mes jush dhe me tjera gra dhe vajza, fqinje, kushërira, mikesha sepse besoj që Beratit i takon të japi një mesazh shumë të fortë në 25 qershor, për PD në radhë të parë, por jo vetëm.

 

Për PD që ju fton t’i bashkoheni për një republikë të re dhe që mendon se në republikën e re, nuk ka vend për asnjë grua dhe asnjë vajzë nga i gjithë qarku i Beratit.

PD mendon se në republikën e saj të re gratë dhe vajzat e Beratit, të Fierit, të Elbasanit, të Gjirokastrës dhe të Kukësit nuk kanë të drejtë të zgjedhin një grua dhe një vajzë që t’i përfaqësojë në parlament. Kjo është skandaloze!

Pas gjithë atyre përpjekësh, vështirësish, mundimesh, sakrificash, pengesash që kanë hasur gratë shqiptare, në rrugën për të vendosur kushtin e respektit të barabartë për burrat dhe gratë, e kanë bërë në radhët e shoqërisë civile, e kanë bërë në radhët e politikës, e kanë bërë në radhët e aktivisteve të komuniteteve dhe pas gjithë asaj beteje që ka bërë hap pas hapi PS për të vendosur dhe për të sanksionuar në fillim në statutin e saj, kuotat për pjesëmarrjen e grave,  në të gjitha nivelet përfaqësuese brenda partisë, pastaj në ligj, kuotat për pjesëmarrjen e grave në këshillat bashkiak, të cilat në fillim ishin më pak, pastaj shkuan 50% dhe për të arritur tek ajo që ishte e paimagjinueshme, vetëm 44 muaj më parë, që qysh në mandatin e parë PS do kishte një qeveri me 50% gra dhe 50% burra, – na del tani republika e re dhe iu thotë grave dhe vajzave, në Berat, në Fier, në Gjirokastër, në Kukës, juve mund të zgjidhni vetëm burra. Dhe kë? Të zgjidhni një burrë që maternitetin e ka marrë dhe e ka bërë universitet privat që u mbyll, se ishte në fakt një piramidë e mirëfilltë që grabiste paratë e prindërve.

Është vërtetë një nga gjerat që më bën të ndihem keq përpara jush, fakti që nuk patëm mundësi, në këto 44 muaj ta ndërtojmë maternitetin e ri, por unë ju premtoj se ne do ta bëjmë beratin dhe qarkun me maternitetin më modern të Shqipërisë. E sigurisht për të bërë jo vetëm maternitetin, por për të bërë shumë më shumë gjëra tjera, të cilat mirë do ishte të ishin bërë më kohë, natyrisht do duhej t’i bënim edhe ne po të kishim patur mundësitë, por këto ishin mundësitë.

Na duhet që në 4 vitet e ardhshme të na jepni dhe shqiptarët të na japin një besim edhe më të madh se 4 vite më parë. Të na japin një mandat të plotë, të na japin një mandat për të pasur përgjegjësi të plotë, në mbajtjen e timonit të qeverisjes dhe për të mos pasur të tjerë në prehër, me një dorë në timon, që ta lëvizin timonin sa herë duan të fitojnë ndonjë gjë ose sa herë kanë frikë nga ndonjë reformë.

Nga ana tjetër, mua besoj se më takon të jem shumë i hapur dhe shumë i drejtpërdrejtë me të gjithë në këtë fushatë. Është e vërtetë që ne kemi pasur një qeverisje në koalicion që ka bërë reforma që nuk u bënë në çerek shekulli. Por është po kaq e vërtetë që nuk kemi mundur as t’i afrohemi, jo më ta ndërmarrim një reformë themelore që është reforma brenda administratës shtetërore, dhe që atë që kemi filluar të bëjmë në administratën publike, në shërbimin civil, ta bëjmë në të gjitha nivelet e administratës për të mos lejuar më, që gra dhe vajza të detyrohen të marrin tesera partie për të mbajtur vendin e punës apo të ikin nga puna se nuk pranojnë të marrin teserat e partisë.

Unë kam qënë i tronditur, por kam mbyllur gojën, – kjo është e vërteta, – përballë dëshmive të jo pak grave që janë larguar nga puna për shkak se janë socialiste dhe kanë dashur të mbeten pjesë e PS dhe nuk kanë pranuar të ndryshojnë partinë për të mbajtur vendin e punës. Ky është fakt! Do thoni ju po pse e ke mbyllur gojën? Sepse ka një logjikë më të madhe, që është mbajtja bashkuar e koalicionit për të bërë të gjithë ato reforma të rëndësishme, të cilat nuk bëheshin dot pa koalicionin. Por ama kësaj historie duhet t’i vijë fundi. E kësaj historie nuk i vjen fundi nëse e hap apo s’e hap unë gojën, pas zgjedhjeve. Kësaj historie i vjen fundi nëse gratë dhe vajzat, të gjitha sëbashku, pa dallim bindjesh politike, i japin votën e besimit PS për të investuar besimin e tyre, tek skuadra e vetme që mund të bëjë shtet.

Kush mund ta bëjë tjetër? Luli?!

 

Luli nuk e bën dot dhe për më tepër meriton të ndëshkohet në radhë të parë nga gratë dhe nga vajzat për diskriminimin e hapur, që ju bëri me refuzimin që t’i përfaqësojë në parlament.

 

Petriti?! Nuk e kam për këtë këtu, e kam për atë shokun tim në Tiranë, ai do e bëjë?!

Që të mos i marr me radhë, “Kaubojsin”, Benin, Shpëtimin, etj., janë të gjithë, jo në kërkim të mandatit të kryeministrit, atë e dinë që nuk e marrin. Janë në kërkim të votave për të mos lejuar mua dhe PS që ta kemi timonin e qeverisjes vetëm.

 

Ne nuk jemi absolutisht kundër bashkudhëtarëve, por ama ne duam që të mbajmë timonin vetëm për të mbajtur përgjegjësi të plotë për gjithçka ndodh. Që të mos i ikim më, duke bërë sikur s’dëgjojmë, duke bërë sikur s’kuptojmë gjithë atyre ankesave të dëshpëruara të grave, në lloj-lloj vendesh pune, nëna me fëmijë, që pas dekadash si sanitare hiqen nga puna se nuk pranojnë të marrin një teserë partie, infermiere që pas dekadash hiqen nga puna se nuk pranojnë të marrin tesera partie dhe lotët e shumë e shumë të tjerave që nuk e thonë, por gëlltisin dëshpërimin bashkë me lotët, duke pranuar të marrin teserën, formularin, të gjitha detyrimet se nuk lënë dot fëmijët pa bukë. Kjo nuk mund të vazhdojë më kështu!

 

Dhe këtu nuk është çështja e disa njerëzve apo e një partie apo një partie tjetër. Këtu është çështja e një sistemi, kështu është ndërtuar ky sistem që kur të ashtuquajturat parti të vogla që garantojnë demokracinë u futën më të gjithë mekanizmat për t’u rritur përmes marrjes së territoreve përmes shtetit, duke kthyer administratën shtetërore në një tokë si Bosnja të ndarë në republika partish. Për patentat është një republikë, për hipotekat është një republikë tjetër, për subvencionet është një republikë tjetër, për pyjet është një republikë tjetër, dhe me radhë e më radhë dhe në këto republika vendosen flamujt e partive të koalicionit, sipas radhës.

Pastaj bëhet e vështirë, në mos e pamundur që ti gjesh punës njeriun, sepse sistemi imponon njeriut t’i gjesh punën, pavarësisht se është apo s’është për atë punë. E kështu ndodh që për të marrë dokumentin e hipotekës, për të marrë patentën, për të marrë licencën, për të shmangur gjobën diskriminuese duhet të kesh akses në republikën e partisë përkatëse. Kështu ndodh!

 

E dini kush është baza e suksesit në policinë e shtetit? Në policinë e shtetit që ditën e parë, ne vendosëm traun që bllokonte hyrje-daljet e partive për të vendosur komisarë e drejtorë dhe shefa, dhe i dhamë autoritet policisë së shtetit që të kthehet në polici e shtetit, jo në polici me një uniformë  e ndarë në copa, sipas partive. E ja ku është policia e shtetit që sigurisht ka dhe shumë për të bërë. Kush është baza e suksesit që ka nisur të ndjehet përditë e më shumë në arsim?

Është se ne ndalëm partitë që të fusin duart në sistem, që të heqin mësuesit sipas qejfit dhe t’i marrin sipas qejfit. T’i detyrojnë me presione, për formularë dhe për tesera apo t’i përzënë se kanë bindje e tesera të tjera. Pse të gjitha partitë janë kundër reformës në arsim? E keni menduar? Pse të gjitha partitë janë kundër portalit? Të gjitha thonë është i paligjshëm. Çfarë ka të paligjshëm portali? Portali garanton që çdo grua, çdo vajzë, çdo burrë, çdo djalë që do të futet në trupën e “Mësues për Shqipërinë” ta bëjë këtë përmes konkursit, përmes pikëve dhe këtu në Berat unë kam parë me sytë e mi dhe kam takuar dhe dëgjuar një numër impresionues mësuesesh të reja, që kanë hyrë përmes portalit dhe më kanë thënë “përndryshe kurrë nuk hynim dot të bënim mësuesen se duhet të kalonim nga dyert e partive”.

Kjo është reforma e reformave.

Kjo është reforma që do shkrijë dhjamërat, shtresat pas shtresash të dhjamërave të korrupsionit në administratë, sepse njerëzit nuk do jenë më të lidhur me një parti apo me një parti tjetër, kur shërbejnë dhe me gjithë detyrimet e nëndheshme që rrjedhin nga këto shërbime. Por do jenë të lidhur me vendin e punës, do jenë të lidhur me dinjitetin dhe respektin për veten, do jenë të lidhur me qytetarin, të cilit i shërbejnë si në çdo vend normal ku ka shtet. Ky është një hap i madh që duhet ta hedhim sëbashku. Ky është hapi që përmbyll të gjithë bazën për të ndërtuar shtetin që duam.

Prandaj na duhet vota e sa më shumë njerëzve. Prandaj njerëzit kur të shkojnë në zgjedhje duhet të mendojnë në radhë të parë si shqiptar. Çfarë i duhet sot Shqipërisë? Çfarë i duhet Shqipërisë sot, që Shqipëria të jetë më e mirë nesër? Patjetër Shqipërisë sot që të jetë më mirë nesër i duhet fuqia e Partisë Socialiste. Çerek shekulli e kanë premtuar të gjithë ata që dalin në fushatë sot, reformën në drejtësi, që të gjithë.

Nuk ka asnjë virgjëreshë në këtë fushatë. Të gjithë kanë kaluar një herë e dy herë e shumë herë nga korridoret e pushtetit. Të gjithë kanë pasur mundësinë të tregojnë se çfarë dinë të bëjnë. Reformën në drejtësi e morën përsipër çerek shekulli dhe bënë arna pas arnash, që e bënë më keq drejtësinë, që nga “plepat” e Saliut, deri në degradimet e pafundme që bënë që, në Shqipëri, imagjinojeni, gjyqet për kujdesin e fëmijëve pas divorceve t’i fitojnë me shumicë burrat.

A e imagjinoni ju që shumica e burrave shqiptarë dinë të kujdesen për fëmijët më mirë se shumica e grave?! Por i fitojnë burrat gjyqet. A e imagjinoni ju që gjyqet për dhunë ndaj grave në shumicë i fitojnë dhunuesit e grave. Këto janë gjykatat. Kush u ngrit kundër këtyre gjykatave? Kush e tha që ky Pallat Drejtësie duhet shembur nga themeli? Partia socialiste. Kush e çoi përpara Reformën në Drejtësi? Partia Socialiste!

Kur ju thoja, këta do rrotullohen, do bëjnë xhiron e botës dhe do vijnë ta votojnë, shumëkush thoshte, “kjo nuk ka mundësi”. Erdhën, e votuan. Nuk kam parë ndonjëherë parlamentin me 140 kartona jeshilë, si kullotë dhe 140 krerë me kartonin jeshil lart, ndërsa pjesa Saliu me shokët me kokën poshtë. Të votosh pro e të vajtosh, unë ata kam parë! E votuan. Shkuan në çadër. Filluan gjithë ato historitë me çadrën që mos t’i kthehemi tani, por thelbi kush ishte? “Edi Rama të largohet para se të vrasë veten!” Ne vettingun nuk e votojmë kurrë.” Unë, as u largova. Veten e kam me vete. Ata vetting-un e votuan si “çeço”.

Këtë e bëri forca e votës, siç ka bërë forca e votës dhe shumë gjëra të tjera. Na duhet forca e votës, edhe më e madhe këtë herë, që të bëjmë atë që është më e dhimbshmja për partitë, atë që partitë i tmerron, të humbasin pushtetin mbi shpirtrat e njerëzve që punojnë në administratën e shtetit. Duhet ta rrëzojmë këtë pushtet të partive dhe duhet që njerëzve t’ju japim dinjitetin e munguar prej kaq shumë vitesh kur shërbejnë në zyrat e shtetit, që Hipoteka të jetë Hipotekë; që çdo zyrë ku jepen dokumente të jetë pasqyrë e respektit për njerëzit dhe që gjithsecili që hyn në zyrën e shtetit për të marrë shërbimin të ndihet qytetar i barabartë, njësoj siç do ndihet pas vetting-ut i barabartë çdo qytetar që do hyjë në gjykatë.

 

Nuk do jetë më drejtësia mall, që e blen kush ka më shumë lekë. Kjo është një histori e re që po shkruajmë. Tani është momenti vendimtar: o çajmë përpara dhe lëmë prapa fantazmat e të shkuarës, ose kthehemi prapa dhe përjetojmë një tjetër rrënim të themeleve që mezi i kemi ndërtuar.

 

Ka plot njerëz që mund të thonë me të drejtë, “Çfarë thua? Po na flet nga sheshi i Beratit”? “pedonalja më e gjatë”, – thotë Fadili i Shqipërisë. Ashtu është në fakt, derisa të hapet lungomare pas disa ditësh. Mund të thotë, “po, të shoh, bukur shumë, me drita, me pllaka, me pemë, me të gjitha të mirat. Por unë jetoj në fshat, larg. Tek unë nuk ka ardhur asgjë, unë të kam dhënë votën”. Ka shumë të drejtë. Por ama, po ashtu, unë me plot të drejtë i them, “çfarë u shkatërrua në çerek shekulli, apo nuk u bë në çerek shekulli, nuk mund të bëhej plotësisht në 44 muaj”.

 

Prandaj na duhen dhe 4 vjet të tjera që këtë transformim ta çojmë në komuna, ta çojmë në

fshatra, që t’i japim mundësi, siç ka filluar, projekti i qendrave të komunave në Urën Vajgurore, që njerëzit të ndihen njerëz, që familjarët të ndihen familjarë, që fqinjët të ndihen fqinjë. I keni dëgjuar kur thonë, “fasada, drita, pllaka, trotuare, shëtitore, bulevarde, lulishte. Për çfarë duhen këto”, thonë? Këto, nuk iu duhen vetëm deleve. Delet duan vetëm bar dhe stallë. Këta e lanë çdo qytet sikur ishte i populluar jo me njerëz, jo me familje, jo me vajza dhe me djem, jo me të moshuar, që kanë nevojë të ndihen pjesë e një komuniteti, por sikur ishin tufa delesh. Çfarë ishte këtu para 4 vitesh? Një tmerr. Një rrugë me gropa. Çfarë ishte atje? Një parkim i madh me autobusë, me gropa dhe me plehra. Sot është diçka krejt tjetër.

Ju thashë përpara 4 vitesh do bëjmë për Beratin çfarë nuk është bërë në çerek shekulli të marrë së bashku? E bëmë, apo nuk e bëmë? Ja ku është. Janë mbi 20 milionë dollarë vetëm për këtë qytet këtu. Transformim urban, bashkë me ujësjellësin. Do vazhdojmë më tutje me rrugët. Do vazhdojmë më thellë me rrugët e prodhimit, me transformime. Që kur njerëzit dolën nga shpella dhe vendosën të jetojnë bashkë, gjëja e parë që bënë, bënë sheshin. Edhe demokracia në shesh lindi. Nuk lindi në kazan të plehrave.

I gjithë ky transformim ka sjellë, ju e shikoni vetë, një rritje të vazhdueshme që do vazhdojë dhe më shumë të vizitorëve në Berat. Vizitorët sjellin më shumë kërkesë. Ka më shumë konsum, më shumë ekonomi vendore, më shumë turizëm. Harta e integruar e të gjithë qarkut, me gjithë bukuritë që janë edhe jashtë këtyre qyteteve, do bëjë që kjo zonë në vitet në vijim të prodhojë shumë më tepër fitim, shumë më tepër mirëqenie për të gjithë. Do bëjë që të ndërtohen pikat e argoturizmit më thellë, pasi këtu ka prodhime që vazhdojnë e shtohen. Do bëjnë që njerëzit të vijnë ta kapin nga këtu deri tek kanionet poshtë në Skrapar.

 

Por ama, nisesh nga Berati, shkon më tutje në Poliçan, vazhdon më tutje në Çorovodë dhe prek qyteza të transformuara, ku ke qejf të rrish, ku ke qejf të dalësh, ku ke qejf të takohesh, ku ke qejf të flasësh. Nuk ke frikë se po bie në ndonjë gropë dhe nuk të gjen dot gruaja.

Nuk dua të zgjatem më shumë, megjithëse pamja është kaq e bukur sa mund të rri këtu gjithë natë, por kjo nuk do ishte mirë për trafikun. Ajo që dua të them në mbyllje, është, ju lutem, duhet ta kuptoni dhe duhet ta kuptojnë të gjithë. Këtu nuk është fjala për pushtet personal. Nuk është fjala për më shumë pushtet për partinë. Është fjala për më shumë pushtet për të bërë më shumë dhe shumë më shumë shtet dhe për të bërë përmes bërjes shtet shumë më shumë për të gjithë ju pa dallim.

 

Vota nuk është biletë për stadium. Qendra e votimit nuk është stadium për të shkuar për të bërë tifozin, “jam me këtë, jam me atë”. Ji me kë të duash. Bindjet mbaji si t’i kesh. Por mendja duhet të punojë dhe të thotë kë do marrim në punë për katër vitet e ardhshme? Kë do marrim që të na bëjë, këtë, këtë, këtë? Kur të marrim rrugën për të shkuar në Tiranë, nga Berati nuk shkojmë të pyesim shoferin e makinës, a je socialist, apo je demokrat? Por hipim në makinë. Nuk themi, “ky qenka i partisë tjetër, unë po shkoj me karrocë se karrocieri është i partisë time”, se nuk mbaroj punë.

 

Kur shkojmë të çojmë fëmijët në shkollë, mundohemi t’i çojmë tek mësuesit më të mirë. Nuk i pyesim, “çfarë është ky mësuesi, socialist, apo demokrat?” Edhe kur thërrasim mjekun, nuk pyesim “për kë voton”? Duam mjekun më të mirë. Pra duam të bëjmë punën sa më mirë, që t’i bëhet sa më mirë shtëpisë tonë, njerëzve tanë.

E njëjta gjë është vota. Nëse partia për të cilën ke votuar nuk është gati për të bërë punën, ti do votosh për ata që bëjnë punën. Ç’të duhet t’ia japësh votën një partie që nuk është gati të bëjë punën? Kur të bëhet gati, jepi votën. T’ia japin edhe të tjerët madje.

Kemi mundësinë historike që flamurin tonë, që aq shumë e kemi përdorur e përfolur, flamurin kuqezi, ta bëjmë flamurin e 25 qershorit. Të mos shikojmë ngjyra-ngjyra, por të votojmë kuqezi, të votojmë për flamurin e Skënderbeut, të Ismail Qemalit, të gjithë atyre emigrantëve që rropaten dhe mendjen e kanë tek Shqipëria dhe të gjithë fëmijëve që meritojnë nesër të kenë shtetin që duan dhe të gjithë fëmijëve që shkojnë në shkollë e që meritojnë të vazhdojnë të edukohen me librat e “Oxford”-it, të “Pearson”-it, të “Cambridge”-it, që i futëm ne, pasi hoqëm një mal me libra të profesorëve me diploma fallco të Saliut. Iu bënë çantat fëmijëve si male. U bënë fëmijët me hernie. Tekste që, kush është nënë këtu që i ka parë, në atë kohë nuk i kuptonte. Mësuesit nuk i kuptonin. 600 tekste i hoqën mësueset vetë. “Aman, hiqini se nuk i kuptojmë”.

Sot, kemi hyrë në një proces që, për dy vite, gjithë shkolla, nga klasa e parë deri në fund të gjimnazit do të ketë librat e “Oxford”-it, të “Pearson”-it dhe të “Cambridge”-it. Pra, të gjithë fëmijët e Shqipërisë, deri në dalje të gjimnazit do kenë po ato libra që kanë fëmijët në Europë. Për çfarë do t’i votoni ata që thonë, “gjëja e parë që do bëjmë, do rrëzojmë ligjin e arsimit”. Për çfarë? Për çfarë do i votoni ju ata që thonë, “jo, nuk shkon ashtu, se duhet t’i kemi ne kopjet që duhen për Maturën, që t’ua marrim votat të rinjve”. Për çfarë do i votoni ata?

Nga njëra anë, ju them të gjitha mësueseve, të gjitha infermiereve, të gjitha punonjëseve të shtetit: pas orarit të punës mos lini minutë pa bërë fushatën e Partisë Socialiste.

Kujtdo që ju thotë, “po shkuat të bëni fushatë për Partinë Socialiste, do t’ju heqim nga puna”. Ose, “hajde bëni fushatë për ne që t’ju marrim në punë, sot, apo nesër”, do i thoni, “shihemi bashkë në 26 qershor”!

Rrofshi o gra, o vajza!

Edhe ju burra, dëgjojini gratë në 25 qershor!

Rrofshin të gjitha gratë dhe vajzat e Beratit, të gjitha gratë dhe vajzat e Shqipërisë!

Edhe Shqipëria grua është!

Fitore Partisë Socialiste!

Votoni numrin 2! Ua bëni më të lehtë dhe demokratëve. Numrin 2!

Faleminderit shumë!

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here