Home Ditar Zaho Koka, në 73 vjetorin e rënies

Zaho Koka, në 73 vjetorin e rënies

344
0
SHARE

-Me rastin e 73 vjetorit te rënies-

Zaho Koka lindi në fshatin Vuno të Himarës në vitin 1920. Pushtimin fashist e priti me urrejtje. Në krye të njesitit partizan të Bregdetit, kreu shumë aksione e detyra të rëndësishme. Në Gusht të vitit 1942, kreu atentatin kundër tenente Moretit, një fashist  që terrorizonte gjithë krahinën. Zaho Koka punoi dhe arriti suksese të veçanta në mobilizimin e popullit të Himarës në LANÇ.

Loading...

Jeta e Zahos qe shumë e shkurtër. Në të vërtetë ai jetoi vetëm ata dy vjet e gjysëm që ishte në mal, kur shpërthyen energjitë e tij të vrullshme revolucionare, kur shkëlqeu trimëria e tij e rrallë, kur u duk talenti i tij për të mobilizuar e organizuar masat kryengritëse. Më përpara, ai ishte nje djalë i thjeshtë fshati, të cilin nuk e njihte njeri përveç shokëve të tij. Me ta luante e këndonte brinjave të bregdetit dhe, bashkë me vëllezërit e tij, bënte njëqind punë, por gjithnjë mbetej i varfër.

Jeta e Zaho Kokës mori një kthesë vendimtare në fund të vitit 1941, kur, ndër të parët, iu përgjigj thirrjes për luftëë kundër fashizmit dhe u bë një nga pionierët e parë të Lëvizjes Nacional-çlirimtare në krahinën e Himarës. Në Prill të vitit 1942, ishte thirrur për të shkuar ushtar. Por Zahua, në vend që të shkonte në qendrën e rekrutimit, doli në mal së bashku me tre shokë e tij.

Në ato kohë qe fillimi i luftës dhe kundër tij u vërsulën si të tërbuar repartee të posaçme të ndjekjes, të karabinierisë dhe milicisë fashiste. Por ai nuk u bë firar që të humbiste maleve. Megjithëse koka e tij kërkohej me çdo kusht nga pushtuesi, Zahon e takoje kudo, në mbledhjet  ilegale dhe të hapura, në fushë, ku gratë mblidhnin ullinj dhe midis të rinjve që luanin fushave e brinjavee të fshatit, në breg të detit te peshkatarët dhe në mal te barinjtë që kullosnin bagëtitë. Ai i mobilizonte për luftë kundër pushtuesve.

Njesiti që komantonte Zaho Koka, u bë shumë shpejt tmerr i vërtetë për armiqtë, por emri i Tij, u bë shumë i njohur kur kreu një nga atentatet më të guximshme, atentatin kundër tenente Moretit, në Gusht të vitit 1942. Moreti ishte një oficer i karabinierisë italiane i dërguar me mission të posaçëm në Himarë. Ai ishte një kuadër policie me eksperiencë të gjatë dhe i përgatitur për diversionee politike. Duke kombinuar egërsinë me djallëzinë, Moreti ishte bërë një terrorizues i tërbuar.

Një ditë, ai u kishte thënë burrave të fshatit: “Ose do ta sjell unë këtu përpara jush kufomën e Zaho Kokës, ose nuk do të largohem i gjallë nga Himara”. Por Zaho Kokës nuk i trembej syri; ai e pranoi sfidën e Moretit. Kur u vendos që ky të zhdukej, Zahua e mori vet përsipër kryerjen e aksionit.

-Më takon mua të flas me Moretin, – u tha shokëve Zaho.

Vendi i quajtur Vishë, gjendet midis Vunoit të Himarës. E kush nuk ka dëgjuar për të? Rruga ndërmjet këtyre dy fshatrave të bregdetit tonë të Jonit ka shumë të përpjeta e të tatëpjeta. Por në Vishë automjetet e ngadalësojnë shpejtësinë se duhet të ngjisin goxha të përpjetë. Këtë e dinë të gjithë bregasit që e bëjnë shpesh këtë rrugë dhe kur mbërrijnë në Vishë, të thonë: “Ja këtu e vranë tenente Moretin”. Dhe nëse ti je nga një krahinë tjetër e vendit, ata të tregojnë ngjarjen.

Tre shokë, Shaban Seferi, Imer Veshi dhe Filat Muço u ndeshën në Gusht të vitit 1942 në malin e Vunoit me një skuadër legjionesh të milicisë fashiste. Ata u nisën nga Vranishti dhe shkonin në Vuno të takonin Zaho Kokën, për të biseduar për punët e luftës. Në përpjekje mbeti i vrarë Shaban Seferi. Toger Moreti urdhëroi që trupin e Shabanit ta vendosnin në qendër të fshatit  Vuno, për t’u futur tmerrin vunjotasve, të cilët strehonin ilegalë si Zaho Koka me shokë.

Duke treguar me gisht trupin pa jetë të Shabanit, Moreti kërcënonte të pranishmit: “Kështu do ta pësojnë të gjithë ata që ngrihen kundër nesh. Edhe Zaho Koka me shokë kështu do të përfundojnë, prandaj mblidhni mendjen”. Fashistët u bënë presion vunjotasve që trupi i Shabanit të mos varrosej, por fshatarët nuk u tremben. Ata në mënyrë të heshtur e të qetë, e varrosën si djalin e tyre dhe varrin e tij e mbuluan me lule dhe aty për aty u ngrit kënga:

“Fli i qetë, o Shaban djali,

plot me lule t’u mbush varri”….

Moreti e kish mbushur kupën. Njesiti me Zaho Kokën në krye, i vuri pritë në Vishë. Njesiti shfrytëzoi rastin kur Moreti dhe shokët e tij po ktheheshin nga Dhërmiu, qëlluan njëkohësisht mbi fashistët, duke lënë të vrarë së pari toger Moretin. Më 26 Gusht 1942, me një telegram shifër, kuestura fashiste e Vlorës njoftonte me urgjencë Tiranën:

“Dje, rreth orës tete, në Vishë të Himarës, autoja 10019 që transportonte togerin K.K.M.M. Moreti te Himarës dhe dy karabinierë të tjerë bashkë me një civil, gjeti rrugën e nxanun me gur. Mbasi makina kje shtrengue me u ndal, u qëllue me një bombë dore, e cila mbyti togerin dhe autistin” e plagosi karabinierin tjetër. Shkoi në vend koloneli, komandanti i legjionit lokal me disa ushtarë ku gjendet edhe tash. Kemi me ju njoftue ma gjatë”. Të nesermen, më 27 Gusht, i shkruante Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë në Tiranë: “Në vijim të telegramit tonë të shifruar, datë 26 k.v., me të njëjtin numur, komunikojmë se autorët e vrasjes së tenente” Luigi Morettit dhe të karabinierit Fulvio, kanë qenë katë ose më trpër, të kryesuar prej të quajturit Zaho Koka, të gjithë nga i njejti katund.

Në Brigadën V-të ku ishte zv/komisar i batalionit të 3-të, nuk kishte partizanë që të mos e njihte e të mos e admironte Zahon dhe të mos donte ta takonte e të bisedonte me të.  Sado i lodhur që të ishte, sado që të kishte hequr e vuajtur, kur takoje Zahon dhe shihje gjallërinë, buzëqeshjen e humorin e tij, e ndjeje veten të qetësuar dhe forcat të përtëriheshin. Po ta kishe Zahon në krye, mund të shkoje kudo pa frikë, në do aksion, sado i vështirë që të ishte, sado rrezik që të kishte. Ai kishte cilësinë e rrallë t’u ngjallte siguri e besim në forcat e tyre shokëve të vet, t’i bënte trima.

Shpesh Partia e e ngarkonte Zahon me misione të vështira politike e luftarake. Dhe ai nuk diti kurrë të refuzonte e të ankohej ose të tërhiqej përpara pengesave. Si sorkadhe i ngjitej malit të Cikës, kur shkonte të takohej me shokët e Komitetit Qarkor në Ramicë apo në Mallkastër, në kohë të mirë apo të keqe, kur tufani i dëborës dhe acari të zinte frymën ose kur vdisje për një pikë ujë në vapën e verës. Shëmbulli i Zaho Kokës e ndihmoi shumë pjesmarrjen në luftë në krahinën e Himarës. Me punën dhe luftën e tij, ai arriti të fitojë një autoritet të madh dhe një respekt të thellë midis himarjotëve.

Në ato kohë kishte reaksionare të regjur në dallavere, intriga e kompromise. Të luftoje kundër tyre, sidomos në fillim, kur ata ende nuk e kishin deklaruar hapur armiqësinë, nuk ishte gjë e lehtë. Por Zahua, i cili kish me vete drejtësinë, me fjalën e tij të zjarrtë, i mundi ata në debatet e hapura publike ashtu siç i mundi edhe në sheshet e betejave me trimërinë e tij të rrallë. Ai s’dinte kurrë të çlodhej, të rrinte një minutë pa bërë gjë, pa u menduar për diçka.

Në një përpjekje të përgjakshme me gjermanët në fshatin e tij të lindjes, i ndërgjegjshëm për rrezikun, edhe pse shokët ju lutën të mos shkonte, ai shkoi në vendin më të rrezikshëm të përpjekjes. Dhe nuk mund të mos ishte në ballë, kur bashkë me të, luftonin jo vetëm burrat, por edhe gratë e fshatit. U ndesh ballë për ballë me gjermanët, ashtu si dikur me tentente Morettin. Por këtë radhë, armiqtë kishin zënë një pozicion shumë të favorshëm dhe lufta që e pabarabartë.

Zaho Koka ra heroikisht ashtu siç u ka hije trimave, më 8 Qershor 1944.

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here