Home Aktualitet Për Vlorën do bëjmë sa nuk është bërë në çerekshekulli

Për Vlorën do bëjmë sa nuk është bërë në çerekshekulli

267
0
SHARE

Fjala e Kryeministrit dhe Kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, në takimin me veteranë e pensionistë në Vlorë:

Mirë se ju gjeta!

Loading...

Më vjen shumë mirë që na jepet kjo mundësi të takohemi në këtë moment të rëndësishëm. Na ndajnë shumë pak ditë nga marrja e një vendimi, në këndvështrimin tim historik për Shqipërinë, kur, nëse gjithçka kemi bërë, duke vendosur themelet për të bërë një shtet serioz, dinjitoz, që është shteti i njerëzve, jo shteti i partive, do të vazhdojë, duke ndërtuar mbi këto themele shtëpinë e përbashkët të shtetit shqiptar, si shtet europian që integrohet në Bashkimin Europian, në familjen e bashkuar europiane, apo do përjetojmë një tjetër kthim mbrapa, një tjetër periudhë humbjeje të kohës, të shanseve, të potencialeve tona, duke u bërë dëshmitarë të prishjes së këtyre themeleve. Kjo është zgjedhja.

Natyrisht që është shumë e rëndësishme për mua që, në radhë të parë, ata që na kanë votuar në 2013-ën, të jenë të bindur se jemi ne, jam unë më i pakënaquri me ku jemi, sepse ka shumë akoma për të bërë. Por nga ana tjetër besoj se secili prej tyre duhet të jetë krenar që ne dhamë një provë të madhe. Provën që ne mund të bëjmë shtet dhe që gjithçka kemi bërë mjafton për të thënë se nuk ka asnjë forcë tjetër që mund ta çojë përpara projektin për Shqipërinë që Duam të gjithë, pa përjashtim.

Ne i kemi të gjitha mundësitë që të bëjmë shumë më tepër. Por për të bërë shumë më tepër, na duhet të hyjmë në një fazë të re të kësaj përpjekjeje të madhe të shtetbërjes, të prekim më thellë, me reformat tona, duke ecur me vendosmëri përpara, për të zbatuar Reformën në Drejtësi, për të bërë të mundur që përmes Vetting-ut të pastrohet pallati i drejtësisë nga të korruptuarit që duhet të jenë të parët që duhet të shkojnë para drejtësisë.

Paralelisht me këtë të çelim kantierin e reformës më të domosdoshme dhe më të vështirë, që prek drejtpërdrejtë interesat e partive politike, reformën e administratës shtetërore. Nuk mund të vazhdojë më që historia e administratës shtetërore të jetë historia e një sistemi partish që e gërryejnë administratës nga brenda. Nuk mund të jenë zyrat e shtetit si degë partie. Nuk mund të ndahet administrata shtetërore mes partive si tepsi, që një parti merr “x” inspektorate, agjenci e drejtori, një parti tjetër merr “y” inspektorate, agjenci dhe drejtori dhe nuk ka më rëndësi a e ka apo jo kjo parti njeriun më të zot që i duhet vendit për atë punë. Thjesht, partia ka vendin dhe ka njeriun që i gjen një vend.

Ndërkohë ne duhet të kalojmë në fazën ku punës t’i gjejmë njeriun, jo njerëzve të partisë t’i gjejmë punën në dëm të qytetarëve. Ka shumë njerëz të mirë, shumë njerëz të zotë, shumë njerëz me shkollë, me eksperiencë, me pasion atdhetar që nuk kontribuojnë dot sot në shtetin shqiptar, sepse nuk kanë tesera partie, nuk kanë lidhje partie, nuk kanë partinë që i çon dhe i promovon atje. Në vend të tyre, ndodh rëndom, që vendosen njerëz pa shkollë, njerëz pa eksperiencë, pa asnjë aftësi për të bërë punën. Kështu ne kujtojmë se e zgjidhim problemin e punësimit të disa njerëzve në shtet, por pengojmë zhvillimin shumë më shpejt të ekonomisë, pengojmë rritjen shumë më shpejt të punësimit, sepse administrata shtetërore në të shumtën e herës është penguese, nuk është mbështetëse. Mjafton të shkosh në një hipotekë për ta kuptuar këtë. Si mund të jenë hipotekat e shtetit si filiale partie! Si mundet madje që kapet një drejtor hipoteke për korrupsion, shkon në burg dhe tjetrin e sjell po ajo parti që ka sjellë të parin, se kështu është ndarë shteti, këto janë të kësaj partie dhe kjo parti mund të sjellë një, dy, tre, shko në burg, dil nga burgu. Është e pamundur kjo.

Kjo reformë nuk bëhet, nëse Partia Socialiste nuk ka timonin e qeverisjes. Nëse në timon ka duar të tjera, kjo nuk bëhet, sepse kjo është marrëveshja e vjetër, e heshtur, e turpshme e të gjitha partive politike, pa përjashtim, që nga fillimi i historisë së aritmetikës së koalicioneve, që nuk e lë Shqipërinë të shkojë shumë më shpejt përpara. Kjo i pengon shumë njerëz të mund t’i japin këtij vendi, shumë më tepër se disa që kanë zënë karriget nëpër zyra, që të kontribuojnë për këtë vend.

Ju në Vlorë e njihni ish drejtorin e spitalit që ishte me PD-në. Themelues i PD-së në Vlorë. Kur ishim në opozitë, shkova në spitalin e Vlorës dhe më doli përpara, më përqafoi. Drejtor, ku je? – e pyes. Nuk jam drejtor, -më tha, – se të isha drejtor nuk dilja të të prisja. Unë mora disa nga njerëzit e PD-së në punë, por e mori Nard Ndoka Ministrinë e Shëndetësisë, më krijuan një celulë demokristiane dhe më morën drejtorinë.

Si mund të jetë shteti kështu! Por kështu ka funksionuar dhe kështu funksionon për fat të keq, kur je në koalicione, ku të vjen tjetri të thotë, që të të jap votën, më jap kaq agjenci, kaq drejtori.

Kryeministri holandez, që përsëri ka marrë mandatin për të krijuar qeverinë, mori 23%, por ishte forcë e parë. Forca e parë merr përsipër të krijojë qeverinë dhe fillon krijon koalicionin mbi bazë programi. Pra, koalicionet janë për programe, nuk janë për “do të marrësh kryeministrin?”, atëherë, unë dua kaq drejtori, kaq agjenci, kaq inspektorate, kaq akses në këtë dhe në atë. Si mund të vazhdojmë kështu!

Po nuk i ramë në themel këtij sistemi, nuk e kompletojmë dot projektin për të bërë shtet. Kemi shembuj konkretë që tregojnë pse një parti e madhe është e vetmja forcë që duhet t’i besosh dhe pse këto të voglat janë forca që nuk duhen besuar.

Si e bëmë që Policia e Shtetit të dalë më në fund, nga gjithë ajo zvarritje çerekshekullore,  e leqendisur nga të katër anët? E bëmë, sepse vumë traun për partitë. Komisariatin filan e ka kjo parti, atë drejtorinë filan e ka ajo parti. Edhe vetë deputetët ishin bërë si shefa kuadri, caktonin shefat e komisariatit dhe drejtorët. Si mund të bëhet një Polici Shteti, kur deputetët caktojnë shefat e policisë! Kjo është çmenduri. Kur vinte puna tek rregullat dhe ligjet e shtetit, deputetet parkonin makinat në trotuaret e Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” në mënyrën më vulgare dhe arrogante dhe nuk u thoshte kush gjysmë fjale. Policia kapte njerëzit që nuk njihnin njeri për t’i vënë gjoba, se shkelnin trotuarin me rrotë, ndërsa deputetët nuk njihnin as semaforë të kuq, as trotuare, as shpejtësi të kufizuar, as rrip sigurie, asgjë.

Që në mbledhjen e parë kam thënë se Policia e Shtetit do bëhet e shtetit, ndaj të mos guxojë një deputet të kërkojë nga Ministri i Brendshëm emërime shefash e drejtorësh policie. Shefat dhe drejtorët e policisë duhet të zgjidhen në bazë të karrierës brenda Policisë së Shtetit. Nga asnjë parti nuk dua ta dëgjoj më këtë punë.

Bëmë Polici Shteti! Nuk është ende Policia e Shtetit e ambicies sonë, të cilën unë e kam thënë para 4 vitesh, do bëjmë për 8 vjet, Policinë e Shtetit që të jetë në mesataren e Bashkimit Europian për nga niveli dhe serioziteti dhe do ta bëjmë. Në fillim nuk e besonte njeri, por sot kemi një Polici Shteti që sado është baltosur, sado është goditur, sado është përgojuar, është për herë të parë që nga viti 1991, Polici Shteti. Këtë nuk e mohon dot askush.

Fenomene për të luftuar ka plot, por nuk është më ligj që çdo makinë duhet të ndalojë përpara policit për të dhënë ryshfet. Janë raste shumë të rralla dhe vetëm në këtë vit kemi mbi 100 arrestime nga Policia Rrugore, të drejtuesve të automjeteve që kanë tentuar të japin bakshish. Pra, jemi në një nivel tjetër. E shpëtuam Policinë e Shtetit, se larguam partitë.

Në arsim kemi sot mundësinë të themi se kemi vënë një bazë që mbi të të ndërtojmë godinën dinjitoze të arsimit shqiptar, sepse hoqëm partitë nga emërimet e mësuesve. Mësuesi është mësues, nuk është as rob partie, as leckë që e përdor një parti dhe vjen partia tjetër e hedh dhe merr një leckë tjetër. Kemi ndaluar rreptësisht lëvizjen e mësuesve për arsye politike dhe nuk marrim më në punë mësues me  rekomandime. Kam hasur ankesa pa fund, por për besnikërinë e partisë, nuk tradhtojmë të gjithë fëmijët e Shqipërisë.

Mësuesit bëjnë çdo vit konkursin kombëtar, futen në klasifikim dhe sipas pikëve që marrin në konkurs zgjidhen kur lirohet një vend pune. Po shkon në 4000 numri i mësueseve dhe mësuesve që janë rekrutuar falë meritës së tyre. Janë më të mirët. Më e mira në konkursin e Tiranës doli një mësuese nga Gramshi, e cila kishte 7 vjet pa punë dhe nuk çante dot, sepse nuk kishte partinë e duhur. Doli e para në konkurs në Republikën e Shqipërisë dhe është në punë.

Si do t’i bëjmë hipotekat që t’iu shërbejnë qytetarëve, me parti, apo të shkosh të marrësh patentën e makinës me parti?! Të të ofrojë partia patenta në këmbim të votës! E të tjera zyra pa fund, shërbime pa fund, ku torturohen njerëzit. Po inspektoratet që vënë gjoba kot! Kjo do të marrë fund.

Ne nuk e duam pushtetin për vete. Po të isha ai që më tregojnë të gjithë këta banorët e katundit politik dhe mediatik nëpër banakë dhe tavolina, diktatori i madh që do të vendosë këtu diktuarën, të shuajë demokracinë e të shkrijë partitë, Luli do ishte në çadër dhe ne nuk do të kishim nevojë të bënim fushatë tani. Do të prisnim 18 qershorin, do të merrnim 100 deputetë dhe do kishim Parlamentin me pushtetin më të madh që nga 1991 dhe i kishim të gjitha.

Edhe komunitetin ndërkombëtar e kishim 100% me vete. Ju e patë, Bashkimi Europian doli haptas, si asnjëherë në histori dhe tha zgjedhjet janë legjitime. Shkoni votoni në 18 qershor, fajin e ka PD. Atë natë që është bërë marrëveshja, nëse nuk do kishte marrëveshje, do të dilnin edhe Shtetet e Bashkuara me të njëjtën deklaratë. Ne i kishim të gjitha, por nuk e bëmë këtë, sepse nuk e kemi pushtetin qëllim në vetvete.

Nëse tani ju them na jepni më shumë pushtet, është që të bëjmë më shumë për ju. Nuk e bëjmë dot këtë gjë, nëse ne nuk kemi kontrollin e timonit. Njerëzit në këto zgjedhje duhet të shkojnë për interesin tyre dhe jo për tifozllëk. Edhe ata që janë me bindje të djathta, le ta mbajnë në zemër PD-në, por në mendje ta mendojnë mirë, që, nëse duan të vazhdojmë të bëjmë shtet dhe nëse duan që në vite t’i bëjmë shërbimet publike sportelet e zyrat e këtij shteti, model, siç ishin në Bashkinë e Tiranës, na e jepni neve timonin e qeverisjes.

Pastaj, kush vjen në koalicion, vjen për program, nuk vjen për tepsi. Ose hajde për program, ose ik. Por për tepsi, unë dua këtë apo atë, kjo nuk mund të ndodhë më. Siç ua kemi dhënë mundësinë mësuesve dhe punonjësve të policisë, t’ua japim mundësinë njerëzve që duan t’i shërbejnë Shqipërisë në shtet me dinjitet dhe mos të ndodhë, siç ka ndodhur në Berat, ku sanitaren prej 20 e ca vitesh e heqin nga puna se nuk pranon të marrë teserën e një partie tjetër. Më vjen një e-mal, e kam këtu, nga një zonjë që më shkruan “të dëgjova në Berat. Shumë vonë. Po më mirë vonë, sesa kurrë. Kam mbaruar masterin dhe doktoraturën në Slloveni, ku prej 18 vjetësh si Drejtoreshë e Bibliotekës Shkencore të Universitetit më hoqën nga puna”. Në vend të saj erdhi gruaja e bodyguard-it të një njeriu të rëndësishëm.

Si mundet që edhe institucionet e kulturës të ndahen mes partive, këtë muzeun e dua unë, se dua të fus disa në punë. Ndërkohë që në Francë, ku janë muzeuemet më prestigjioze të botës, me njerëzit më të përgatitur në botë për muzeumet, kur zgjidhen drejtorët e muzeumeve bëhen konkurse ndërkombëtare. Treçereku i tyre janë të huaj. Këtu, kjo s’ka lidhje fare. Një mekanik apo një ish polic merr e bën drejtor muzeu.

Ne duhet të vazhdojmë në një fazë tjetër, sepse themelet i kemi vënë. Por për të ndërtuar katin e parë, katin e dytë dhe katin e tretë të shtëpisë së shtetit, me dhomën e administratës, dhomën e ekonomisë, dhomën e financave, dhomën e shëndetësisë,  na duhet të krijojmë makinerinë administrative që është e shtetit, jo e partive e nuk merr urdhra nga partitë. Një drejtor në një agjenci të rëndësishme i thoshte ministres, nuk të njoh unë ty, njoh kryetarin partisë.

E gjithë kjo histori, është një histori pengmarrjeje, sepse, ose do ta pranosh këtë dhe do bësh koalicionin, ose të thotë tjetri, s’ka problem, shkoj e kap më shumë me tepsinë tek tjetri. Dy partitë e mëdha këtu janë bërë pengje të këtij lloji ankandi. Ky është ankand! Ç’lidhje ka kjo me demokracinë! Ç’lidhje ka kjo me partitë! Ç’lidhje ka kjo me shtetin!

Kush më thotë që kjo është histori demokratike, unë i them demokracia nuk është anarki dhe nuk është pazar. Në qoftë se demokracia funksionon, duhet që shteti të funksionojë. Po nuk funksionoi shteti, demokracia për çfarë? Demokraci për të pasur sa më shumë kryetarë partish në Parlament, që vijnë të gjithë për të kërkuar llokma nga tepsia. Bëjnë parti për të marrë vetëm veten e vet deputet, që të vijnë në Parlament dhe të bëjnë shantazh. Njerëzve ju thonë se përçojnë zërin e tyre. Më çoni mua atje, që të flas me zërin tuaj. Çfarë zëri?! Vetëm shantazh, vende pune, histori të tjera në dëm të atyre që i votojnë. Shumë njerëz nuk e dinë fare këtë gjë. Nuk e dinë si funksionon dhe votojnë për lloj-lloj arsyesh dhe pastaj nuk marrin dot një hipotekë, nuk marrin dot një dokument pa kaluar lloj-lloj filtrash, nuk marrin dot një shërbim minimal, ose duhet të rrinë pas një inspektori që nuk pyet për ligj, se është i partisë. “Partia”, – thotë.

Kemi filluar të ndërtojmë administratën publike lart, që është me një numër të kufizuar dhe funksionon në bazë të një ligji dhe është bërë shumë e vështirë për partitë që të fusin hundët aty. Përsëri edhe aty, o Zot çfarë heqin ata që duhet të jenë gardianët e ligjit, që nga drejtorja e Departamentit të Administratës Publike. Ama ka filluar një gjë që tregon se mund ta bëjmë në të gjithë shtetin. Po nuk bëmë zyrat e shërbimeve, po nuk iu dhamë njerëzve shërbime të shpejta, po nuk i dhamë sipërmarrjes shërbime të shpejta, po i lamë njerëzit nëpër sportele nuk e rrisim dot ekonominë aq sa duam dhe duhet ta rrisim.

Ne po nuk e çuam ekonominë mbi 5% reale, nuk kemi arritur objektivat. Ekonomia mbi 5% reale do të thotë rritje më shumë e rrogave, rritje edhe më shumë të pensioneve, do të thotë impakt i drejtpërdrejtë në ekonominë e familjeve. Ne themi është rritur 3.5% dhe kështu është e vërteta. Por, për shumëkënd, kjo është vetëm shifër, se nuk e ndjen në jetën e tij. Që ta ndjejë, gjithsecili duhet të shkojë mbi 5% e që të shkojë mbi 5% na duhet drejtësi dhe administratë. Pa këto të dyja, të gjitha të tjerat janë të përkohshme. Mund të shkosh mbi 5% me investime, por nuk e mban ritmin vazhdimisht, siç duhet.

Nuk duhet që njerëzit të poshtërojnë veten e të marrin një teser partie dhe të japin deklarata sesa vota i sjellin partisë, që të mund të marrin rrogën. Kjo duhet shkallmuar. E këtë e ka në dorë vetëm populli, nuk e kemi në dorë ne. Nëse na vendosni në kushtet që duhet të bëjmë prapë negociata për drejtoritë, nuk ka rrugë tjetër, çdo parti e madhe është e detyruar t’i bëjë. Se ndryshe nuk bën dot qeverinë dhe nuk i bën dot reformat që kemi bërë. E vërteta e koalicionet tonë është se kemi bërë reforma shumë të rëndësishme, por e vërteta e shtetit tonë prej ’91-it e deri tani është që edhe ky koalicion që ne ngritëm, nuk e preku dot këtë kancer brenda administratës. Një kancer i trashëguar në të gjitha administratat, i rënduar e që vetëm rëndohet dhe kthehet në një art në vetvete, kapja e brendshme e administratës.

Ne nuk kemi bërë sa kemi dashur, kemi bërë sa kemi mundur. Kemi bërë të gjitha përpjekjet për të bërë maksimumin. Besoj se kemi bërë mjaftueshmërisht gjëra për të marrë një besim më të madh në 25 qershor dhe nëse ka një shtresë që mund të thotë, në rregull këto, por për ne nuk keni bërë aq sa meritojmë, janë pensionistët.

Por si mund të bënim më shumë, kur gjetëm një skemë pensionesh në falimentim e sipër?! Si mund të bënim më shumë, kur sistemi i pensioneve për çerekshekulli ishte një sistem që hante veten dhe ishim në prag të falimentimi?! 240 mijë lekë tavani i pensionit dhe le të kishe dhënë jetën për atdheun, aq e kishe tavanin. Një tallje e madhe në vite, vetëm nga një frikë e partive për të prekur sistemin, se mos humbnin vota.

Ne bëmë reformën e pensioneve dhe që nga momenti që reforma ka kaluar, tavani nuk është më pengesë dhe pensionet mund të shkojnë edhe 400 mijë lekë, por vetëm për ata pensionistë që dalin në pension pas reformës. Nëse reforma do ishte bërë 20 vjet përpara, sot të gjithë ata që janë pensionistë të gjallë, nuk do kishin vuajtjet që kanë. Por edhe këtë nuk e bënë, siç nuk bënë gjithë të tjerat. Çfarë i kushtonte të bënin në Vlorë, kaq sa kemi bërë ne, 20 vjet përpara? E imagjinoni të ishte bërë 20 vjet më parë kjo, si do ishte Vlora sot. E imagjinoni që nuk do kishte rrugicë të shtruar në fshatin më të largët. Përmendin palmat e shëtitoret, se për ta ishte më mirë në fakt një trotuar një metër dhe kërcim së gjati për të kaluar kanalet e ujërave të zezë.

Ndërkohë që gjithë ky transformim rrit ekonominë. Mijëra vende pune janë krijuar me këto kantiere. Këtë nuk e llogarisin, por thonë pse ka trotuare. Njerëzit nuk paskan të drejta më shumë, sesa të hanë dhe të flenë, nuk kanë të drejta familjet të dalin, nuk kanë të drejtë qytetarët të ndihen pjesë e një komuniteti. Kush e bën komunitetin, nëse nuk e bën sheshi, nëse nuk e bën hapësira publike, e bën televizori?

Demokracia lindi me sheshin. Vetë demokracia lindi në shesh. Nuk mund të jetë ynë që duam t’i kapim gjërat nga koka. Ne mund të vazhdonim edhe me arna, arno këtu e arno atje, por nuk vazhdonte dot më Shqipëria ashtu.

Duhet të vazhdojmë të rrisim më tej ekonominë,  por duhet të garantojmë zbatimin e reformës në drejtësi dhe këtë e garanton vetëm Partia Socialiste, as mos e dëgjoni se çfarë thonë, se të gjithë nuk e donin reformën në drejtësi. Të vetmit garant të reformës në drejtësi kemi qenë ne dhe kemi pasur dy mbështetje, popullin dhe partnerët ndërkombëtarë, se të ishte për ata, harroje se do vinin ta votonin. Erdhën korrikun e shkuar dhe e votuan në korrik, të vrarë në çehre, koka poshtë e kartoni lart. Sa kohë u përpoq Saliu ta sabotojë, ta kërcënojë, ta bllokojë duke thënë se kurrë nuk do bëhet. Por erdhi e votoi. Edhe për Vetting-un njësoj. Tani, edhe për zbatimin, e njëjta gjë. Ka bërë ankesë Asambleja e Gjykatësve në Gjykatën Kushtetuese. Prapë vazhdojnë. Shqipëria është në fushatë elektorale, ne merremi me 4 vitet e ardhshme, ndërsa ata si skutha kanë çuar në Kushtetuese një ankesë. Duan prapë ta godasin Vetting-un. A e kuptoni se çfarë lloj llumi po prekim ne? U desh të vinim ne në qeveri, se nuk prekej ai llum.

Siç nuk prekej llumi i kanaleve vaditëse. Del Luli e thotë do bëjmë këtë, do i japim të gjithëve ushqim falas. Më kujtohet kur doli për Bashkinë e Tiranës dhe tha se çmimin e bukës do e vendosi bashkia dhe buka në Tiranë do jetë më e lirë se në gjithë Europën. Çfarë t’i thuash! Luli për të marrë vota është gati të thotë, më jepni votën se do t’ju bëj takim në botën tjetër çdo të diel me të vdekurit, sepse kemi gjetur një mënyrë, kemi diskutuar edhe me këshilltarët mistikë të zonjës Merkel.

Ndërkohë që ne kemi prekur pikat më nevralgjike të sistemit të kalbëzimit të shtetit. Po na duhet të mbajmë ne fuqinë për të mbajtur timonin vetëm. Pastaj bashkudhëtarët nuk ka problem. Kush ka zemër e kush do të bashkohet me ne për të ndërtuar Shqipërinë që duam, nuk ka problem, por me programe, jo me përralla në televizor dhe me gjithë dhëmbët në tepsi, kur fiken kamerat. Kështu nuk ka më!

Na ndihmoni e më ndihmoni që të bëjmë më shumë, që të mos justifikohemi, të mos mbyllim gojën kur shohim padrejtësi që bëhen për shkak të një sistemi dhe nuk kemi çfarë i bëjmë.

Na jepni mbështetjen, na jepni fuqinë ta çojmë këtë vend në BE, se nuk i hedhim dot hi syve e nuk na fut njeri në Bashkimin Europian, nëse kemi gjykatës të korruptuar, nëse nuk pastrojmë pallatin e drejtësisë dhe nëse kemi administratë që ndahet si tepsi, mbas çdo zgjedhjesh.

Prandaj demokratët ta mbajnë në zemër PD-në, por të votojnë Partinë Socialiste këtë herë, për të marrë në punë njerëzit e duhur. Zgjedhjet nuk është si të shkosh në stadium e të bërtasësh “Flamurtari”. Në zgjedhje shkojmë që të vendosim kë do marrim në punë për katër vitet e ardhshme. Kur çon fëmijën që ka probleme me veshkat tek doktori, prindi demokrat nuk thotë se nuk po shkoj tek doktori i veshëve se është socialist, por po shkoj tek ai i këmbës se ai është i joni. Shkon tek doktori i duhur. Kur shkon për të marrë një shërbim, shkon tek mundësia më e mirë. Kur nisesh nga Vlora për Tiranë, nuk thua se nuk marr makinën se ai shoferi është i PS-së, por shkoj me karrocën e këtij demokratit tonë. Do marrësh makinën që të mbarosh punë.

Edhe qeveria është një makinë për të mbaruar disa punë. Kë do marrësh, makinën e PS-së, apo këto karrocat e tjera? Por kjo nuk është rruga e Shqipërisë që Duam, prandaj lërini karrocat dhe votoni PS-në. Për Vlorën, ju kam thënë para 4 vjetësh, do bëjmë sa nuk është bërë në çerekshekulli. Tani po ju them, nëse na e jepni timonin vetëm, në katër vitet e ardhshme do bëjmë katërfishin e kësaj që kemi bërë këto katër vite. Nëse sot ju thoni, ndihemi sikur kemi rilindur në këtë qytet, mbas katër vitesh do thoni, nuk e mbaj mend si ishte Vlora, përpara se Edi Rama të bëhej deputet i Vlorës!

Shumë faleminderit!

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here