Home Opinion Pse PS-ja fitoi e vetme zgjedhjet

Pse PS-ja fitoi e vetme zgjedhjet

145
0
SHARE

Nga Alfred Peza

 

Plot një javë më parë në këtë gazetë, në shkrimin me titull “Gjashtë skenarët e 25 qershorit!” kisha parashikuar si mundësi të parë, pikërisht këtë që edhe ndodhi në fakt. Skenarin e fitores së PS deri në 75 mandate deputetësh, me mundësinë për ta krijuar e vetme qeverinë, pa ndihmë e aleatëve. Parashtrova shkurtimisht disa nga arësyet që mund të çonin në këtë rezultat. Por sot, do të doja ta shtjelloja më tej këtë tezë. Duke u munduar që të analizoj një nga shkaqet kryesore që i mundësuan PS-së, këtë fitore të pamenduar më parë nga shumëkush. Madje, rezultati duket se ka tejkaluar ndoshta edhe pritshmëritë e ekipit të Edi Ramës vetë, ideatorit dhe artikuluesit kryesorë të tezës së mbajtjes së timonit të qeverisjes i vetëm, në 4 vitet e ardhshme. E cila u bë edhe lajtmotivi kryesor i të gjithë fushatës së tij, anekënd Shqipërisë.

 

Arsyeja themelore lidhet me përgatitjen e partive kryesore pretendente, për këtë fitore. “Nëse dështon të përgatitesh, dije se në fakt ti po përgatitesh që të dështosh”, është një thënie shumë e njohur në politikë. Edhe nëse nuk ke shumë informacion, mjafton të ndjekësh rezultatin e arritur nga secila prej partive politike, për të kuptuar fare mirë se përgatitja e tyre është në harmoni të plotë me rezultatin e marrë. PS dhe Edi Rama menjëherë pas miratimit të reformës së ndarjes së re administrativo- territoriale të vendit, filluan punën për ta përshtatur organizimin e PS në terren, me këtë realitet të ri. Për të ndërmarrë përpara të gjitha partive të tjera, një sërë hapash shumë të rëndësishëm organizativ, duke filluar me fushatën e anëtarësimeve të reja, zgjedhjeve të reja brenda partisë, zgjedhjen e strukturave drejtuese, krijimin e rrjeteve të koordinatorëve, patronazhistëve, organizimin e ri digjital të PS, riorganizimin rrënjësor të forumit rinor, forumit të gruas, zgjedhjen e 12 të deleguarve të Kryesisë në 12 qarqet e vendit dhe puna e përditshme dhe e përjavshme në terren, në përgatitje të zgjedhjeve.

 

Ndërkohë që PS punonte çdo ditë, PD as që e vuri ujin në zjarr, duke vijuar me një stil spontan drejtimi dhe organizimi, në gjurmim të kauzave rastësore dhe betejave pa thelb brenda e sidomos jashtë Parlamentit. Kjo detyroi Lulzim Bashën kur u kujtua se po afronte fushata e zgjedhjeve, që të hynte tri muaj në çadër. E nga ku nëpërmjet saj, mendoi se gjeti shkopin magjik të Harry Potterit, për të zgjidhur jo vetëm problemet e së shkuarës, por edhe ato të së ardhmes. E në fakt, duke dështuar të përgatitet, kryetari i PD u përgatit që të dështojë, siç edhe e tregon rezultati i arritur të dielën. I cili është një nga më të dobëtëve në historinë 27 vjeçare të kësaj partie.

 

LSI nga ana tjetër, nuk dështoi së përgatituri. Por u përgatit nëpërmjet një projeksioni të gabuar, për të arritur synime të gabuara strategjike. Ku padyshim, në mos forcë e parë, jam i sigurt se objektivi ka qenë për tu shndërruar në forcën e dytë politike të vendit, nëpërmjet dyfishimit të rezultatit, për tu bërë gati në këtë mënyrë, për të qeverisur së shpejti Shqipërinë. Një nga gabimet e LSI besoj se ka qenë qasja për tu bërë parti e madhe, nëpërmjet kauzave të vogla. Kauza e punësimit në shtet apo në administratën publike, sado që të ketë funksionuar në segmente të caktuara kohore e të shoqërisë, ishte e destinuar që të linte ne baltë jo vetëm LSI po këdo forcë tjetër me ambiciet e saj. Jo vetëm për shkak të limiteve praktike që kjo mundësi ka në Shqipëri, por edhe për shkak se ajo nuk arrin që të krijojë një perspektivë programore afatgjatë, që do ti bënte shumë qytetarë të tjerë që ta përqafonin atë masivisht dhe t’i bashkoheshin asaj sot e në të ardhmen.

 

PDIU është nga të paktat parti parlamentare që ka qenë shumë e qartë për forcën dhe limitet e veta. Duke maksimizuar me të gjitha energjitë, çdo votë në qarqet ku ajo ka edhe më shumë ndikim dhe mbështetje. E duke u treguar racionale, në hapësira të tjera urbane, ku nuk ka qenë e mundur që të merrte rezultate që do ti përkthente në mandate deputetësh. Duke arritur që t’i bëjë “alkiminë” vetes, kjo forcë politike mund të quhet e suksesshme, me rezultatin e arritur. Ndërkohë që partitë e reja si “Libra” e Ben Blushit apo “Sfida për Shqipërinë” e Gjergj Bojaxhiut, kanë qenë të destinuara të dështojnë që në start, pikërisht për shkak se dështuan të përgatiten për të fituar. Sepse liderët e tyre më shumë i kushtuan rëndësi formës, sesa përmbajtjes. Dukjes, sesa thelbit. Parashtrimit, sesa brendisë. Daljeve televizive dhe efektit virtual mbi qytetarët, sesa organizimit piramidal dhe kapilar të punës organizative në terren. Për të prekur me dorë realitetin e Shqipërisë, duke trokitur derë më derë, duke u parë me njerëzit sy më sy e duke takuar sa më shumë duar, për të fituar sa më shumë zemra e për të marrë sa më shumë vota.

 

Modeli më i freskët i suksesit spektakolar të një partie politike në Europë, është ai i Presidentit të ri francez, Makron. E themeluar vetëm 15 muaj më parë, “La Republique en Marche” arriti që të triumfonte jo vetëm në garën e parë presidenciale, por edhe në zgjedhjet Parlamentare, duke siguruar një shumicë absolute, për të realizuar tashmë të gjitha reformat e thella të premtuara. Çelësi i suksesit meteorian i Makron,- e konsideruar më spektakolari pas Luftës II Botërore,- në skenën e madhe konservatore pariziene, konsiderohet organizimi. Përgatitja për të fituar. Duke filluar me një aksion të padëgjuar më parë, të trokitjes në dyert e 300 mijë familjeve franceze anekënd vendit, nga ku filloi kontakti me njerëzit, thithja e ideve, shqetësimeve dhe lidhjes së kontakteve me ta. E për të krijuar nëpërmjet formularëve të plotësuar në çdo takim, një database fantastike nevojash të zgjedhësve, e cila u përkthye më pas në një program brilant politik dhe një platformë elektorale fituese. Një fitore kundër ekstremizmit, proeuropianizmit dhe një program ambicioz reformash sociale-ekonomike që pritet të shkundin pluhurin e një politike të vjetër që dështoi e u ndëshkua me votën e qytetarëve.

 

Në Shqipëri, partiçkat e reja më shumë shqetësohen për minutat dhe hapësirat mediatike të kryetarëve, sesa për të ndërmarrë hapat e mundimshëm, të një qasje të re për dhe tek qytetarët. Duke i bërë ata të besojnë realisht, se kemi të bëjmë me parti, programe, ekipe dhe liderë ndryshe nga ata që kemi sot. Sepse siç thotë Dr. Albert Schweitzer, “shembulli (i liderit), nuk është gjëja kryesore për të influencuar të tjerët. Është e vetmja gjë”. Nëse ti nuk arrin dot që të bëhesh bartësi i idesë së ndryshimit, ai nuk ka për të ndodhur kurrë.

 

Është ndoshta kjo arsyeje, që duke parë këtë boshllëk në skenën politike shqiptare, Edi Rama rroku një model të ri përpjekjesh të një partie dhe një kryeministri. Për të bërë reformat më të thella të shtetformimit modern të pas 1990-ës. Duke arritur rezultate të prekshme në disa sektorë kyç nëpërmjet stabilitetit makroekonomik të vendit, rritjes së pagave dhe pensioneve, rritjes ekonomike, legalizimeve, reformës në drejtësi, programit të rilindjes urbane dhe rritjes së imazhit pozitiv të Shqipërisë në rajon dhe në botë. Edi Rama performoi ndoshta një nga fushatat më interesante që një lider dhe një parti politike kanë realizuar ndonjëherë gjatë zgjedhjeve në Shqipëri. Duke i bërë qytetarët e këtij vendi të përqafojnë masivisht, lutjen e tij për t’i dhënë mundësi që me anë të votës së tyre, t’i çojë ato më shpejt dhe në lartësi të reja, gjatë mandatit të dytë. Por këtë radhë, duke ia besuar “timonin” e qeverisjes së Shqipërisë vetëm PS, pa aleatët e tjerë në prehër.

 

E si në atë shprehjen e njohur, Edi Rama ia arriti që ta shfrytëzojë rastin. Sepse me intuitën e një politikani të sprovuar tashmë, ai e di se jeta është një rast. Ai njeri që shkon larg, zakonisht është ai që është i gatshëm të bëjë dhe të guxojë. Sepse “barka e sigurt, kurrë nuk lundron shumë larg bregut”. Ai guxoi që të kërkonte dhe të punonte për të fituar, atë që pakkush e besonte deri dy ditë më parë. Por, intuita me siguri e ka drejtuar, duke i thënë se 25 qershori është rasti. E ai, jo vetëm e besoi, por edhe e shfrytëzoi për ta fituar atë. Për të siguruar një mundësi që vjen vetëm një herë në jetë. Shansin për ta drejtuar i vetëm Shqipërinë, deri në vitin 2021.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here