Home Sociale Katundi i vjetër

Katundi i vjetër

254
0
SHARE

Katundi i Vjetër është një fshat i vogël në Njësisë Administrative Rubik, pjesë e Bashkisë Mirditë. Ky fshat edhe pse jo shumë i njohur nga të gjithë, është i pasur me bukuri natyrore dhe ruan tradita shumë të mira për mbrojtjen dhe zhvillimin e këtyre bukurive. Rrugës për në fshat vihet re që pyjet dhe burimet natyrore janë ruajtur me fanatizëm nga vetë banorët. Kryetari i fshatit tregon që kanë trashëguar brez pas brezi sipërfaqe të caktuara pyjesh të cilat janë ndarë mes familjeve në fshat dhe secili mbron dhe përdor pjesën e vet.

Pyjet janë të rëndësishme për banorët e Katundit të vjetër pasi ata aty sigurojnë drutë e zjarrit, kullotin bagëtinë, mbrojnë tokat e tyre rreth shtëpive nga gërryerjet dhe erozioni dhe jo vetëm…Gjendja e mirë e pyjeve dhe burimeve të tjera natyrore të Katundit të Vjetër kanë tërhequr kohët e fundit gjithashtu vëmendjen e turistëve vendas dhe të huaj. Në fshat tashmë ka filluar të ngrihen disa hotele dhe restorante që ofrojnë strehim dhe ushqimin tradicional të zonës.

Loading...

Aktorët vendorë për një qeverisje më të mirë të pyjeve

Në vazhdim të aktiviteteve që Federata Kombëtare e Pyjeve dhe Kullotave Komunale po organizon në kuadër të Strategjisë Kombëtare të Angazhimit, me datë 15 Maj 2017, në fshatin Katund i Vjetër u organizua një takim dialogues mes aktorëve vendorë të përfshirë në menaxhimin e pyjeve dhe burimeve natyrore. Në takim morën pjesë përfaqësues të Bashkive Lezhë dhe Mirditë, administratës së zonave të mbrojtura, Federatës Rajonale të Pyjeve Lezhë, Shoqatave të Përdoruesve të Pyjeve Fan dhe Orosh si dhe kryetari i fshatit Katund i vjetër.

Në pjesën e parë të aktivitetit pjesëmarrësit vizituan një sipërfaqe pyjore të përdorur dhe mbrojtur nga kryetari i fshatit në bazë të traditës së vjetër. Përgjegjësi i sektorit të Pyjeve në bashkinë Mirditë, z.Gjovalin Nikolli, bëri aty një prezantim në lidhje me situatën e pyjeve në Bashkinë Mirditë pjesë e të cilës është edhe fshati Katund i Vjetër. Në fakt, Bashkia Mirditë është ndër Bashkitë e vendit me sipërfaqe të konsiderueshme pyjesh dhe kullotash prej rreth 73 mijë hektarësh. Në kuadër të reformës territoriale dhe administrative pranë kësaj Bashkie është ngritur Agjensia e Shërbimit Bujqësor, Veterinar dhe Pyjor. Struktura përgjegjëse për pyjet është e përbërë nga 13 specialistë, teknikë dhe inxhinierë pyjesh. Sipas përfaqësuesit të bashkisë, të ardhurat e siguruara nga fondi pyjor dhe kullusor për vitin 2016 janë 11 235 967 lekë, përkatësisht nga shitja e lëndës drusore në këmbë 2 409 450 lekë dhe dhënia në përdorim e fondit pyjor dhe kullusor 8 284 967 lekë.

Më pas, kryetarja e Federatës Rajonale Lezhë, znj.Albana Leshaj, bëri një prezantim rreth domosdoshmërisë së dialogut mes aktorëve vendorë për një qeverisje sa më të mirë të pyjeve. Ajo foli rreth rolit që legjislacioni i ka caktuar secilit aktor shtetëror dhe jo shtetëror për menaxhimin e pyjeve. Shpesh rolet dhe përgjegjësitë e aktorëve në nivel vendor dhe qëndror nuk janë të qarta duke krijuar mbivedosje dhe keqkuptime. “Takime të tilla nxisin bashkëpunimin mes strukturave në nivel vendor dhe shkëmbimin i informacionit”, tha ajo, në përfundim të prezantimit.

Vështirësitë aktuale të qeverisjes së pyjeve në nivel vendor

Në pjesën e dytë të takimit, pjesëmarrësit diskutuan në lidhje me problematikat aktuale të qeverisjes së pyjeve në nivel vendor. Përfaqësuesit e Bashkive Lezhë dhe Mirditë thanë se kanë patur shumë vështirësi në sigurimin e druve të zjarrit për banorët në fshat dhe qytet. Këto vështirësi kanë lindur edhe për shkak të mungesës së planeve të menaxhimit, të cilave ju ka mbaruar afati 10-vjeçar i zbatimit. Një tjetër, problematikë që hasin këto bashki si shumë bashki të Shqipërisë, është mungesa e mjeteve dhe infrastukturës përkatëse për stafet e pyjeve. Këtyre ju shtohet edhe mungesa e fondeve dhe përvojës së tyre në administrimin e pyjeve. Ndërkohë, rregjistrimi në hipotekë i pyjeve të transferuara Bashkive me Vendim të Këshillit të Ministrave shihen si një aspekt tepër i rëndësishëm për zhvillimin e pyjeve duke qenë se do ti bënte Bashkitë të ndihen vërtetë pronare.

Pjesëmarrësit u shprehën gjithashtu se shpesh në terren rolet dhe përgjegjësitë e Bashkive, Inspektoriatit të mjedisit, administratës së zonave të mbrojtura, Shoqatave të Pyjeve kanë mbivendosje dhe paqartësi.

Për sa i përket Shoqatave të Pyjeve dhe përdoruesve ato gjithashtu kanë mungesë të kapaciteteve dhe mundësi të vogla financimi. Edhe pse kufijtë e vjetër të ndarjes së pyjeve respektohen nga vetë banorët, vakumi ligjor duke mos i njohur këto të drejta ka krijuar hapësira për abuzuesit. Bashkitë nuk kanë nisur dhënien në përdorim të pyjeve për banorët edhe pse kuadri ligjor aktual e mundëson këtë.

Përvojat pozitive

Megjithë vështirësitë e identifikuara, pjesëmarrësit ndanë mes tyre edhe disa përvoja të mira. Struktura e pyjeve në Bashkinë Mirditë është e përbërë vetëm nga specialistë (teknikë dhe inxhinierë) pyjesh duke u bërë shembull për shumë Bashki të Shqipërisë, ku jo në pak raste janë punësuar njerëz jashtë profilit pyjor.

Bashkia Lezhë nëpërmjet shërbimeve sanitare në 10 hektarë pyje gështenje të Njësisë Administrative Ungrej ka mundur të sigurojnë një pjesë të druve të zjarrit për disa shkolla. Kjo përvojë duhet të shtrihet në të gjithë vendin ku nevojat për dru zjarri për institucionet si shkollat, kopshtet, spitalet, qëndrat shëndetësore etj. janë shumë të larta si dhe do krijonte një bashkëpunim të vazhdueshëm mes këtyre institucioneve.

Një tjetër eksperiencë pozitive vjen nga administrata e zonave të mbrojtura Lezhë, e cila falë mbështetjes së donatorëve dhe qeverisë janë pajisur në një kohë të shkurtër me uniforma dhe mjete. Stafi i zonave të mbrojtura ka filluar mbështetjen dhe sensibilizimin e banorëve për promovimin e vlerave turistike të zonës. Gjithashtu ata kanë mundur të krijojnë një bashkëpunim të mirë me inspektoriatin e mjedisit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here