Home Sociale Pylltaria dhe zhvillimi rural

Pylltaria dhe zhvillimi rural

149
0
SHARE

Xhelal Shuti

Koordinator i Federatës Rajonale të Pyjeve dhe Kullotave – Kukës

Në Shqipëri kur flitet për zhvillimin rural ka një tendencë të përfshihen vetëm sektorët e bujqësisë dhe blegtorisë. Ndërkohë që pylltaria shihet si sektor më vete apo i izoluar që lidhet vetëm me sigurimin e lëndës drusore, druve të zjarrit apo produkteve të tjera drusore dhe jo drusore si dhe me mbrojten e tokës nga erozioni. Pyjet luajnë një rol të rëndësishëm në përmirësimin e prodhimit bujqësor e blegtoral, duke u bërë shpesh mburojë buzë kanaleve në mbrojtjen e kulturave bujqësore dhe rregulluar rrjedhjen e ujit si dhe janë burim ushqimi për blegtorinë. Në fakt kjo lidhje e pyjeve me bujqësinë dhe blegtorinë  nuk është e panjohur nga familjet rurale por në nivel politikash kombëtare kjo mbështetje e pyjeve për bujqësinë nuk është marrë në konsideratë. Ndërkohë politika europiane e zhvillimit rural 2014 – 2020 përfshin mbështetjen e të dy sektorëve njëkohësisht me një vlerë prej 100 billion eurosh. Prandaj, ka ardhur koha që edhe në Shqipëri qeveria qëndrore dhe ajo vendore të bëjnë përpjekje për gjetjen e një qasjeje gjithëpërfshirëse të zhvillimit rural, ku të përfshihet edhe sektori pyjor. Më poshtë do të jap disa arsye pse kjo gjë duhet të ndodhë sa më shpejt të jetë e mundur duke u nxitur në nivel qëndror dhe zbatuar në nivel vendor.

Bujqësia dhe pylltaria janë dy komponentët kryesorë të jetës rurale në ekonominë tonë kombëtare. Fshatarët menaxhojnë njëkohësisht si tokën bujqësore dhe atë pyjore sipas disa sisteme tipike agro-pyjore. Në vitin 1992 këto sektorë kontribuonin me 42.5% në vlerën e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) ndërsa pas këtij viti kjo shifër u ul ndjeshëm.

Sot fondi pyjor dhe kullosor përdoret për prodhimin e druve të zjarrit dhe për sigurimin e bazës së nevojshme për kullotjen e bagëtive. Kontributi i tyre është i rëndësishëm në të ardhurat e familjeve rurale i cili shkon deri në 20% të të ardhurave totale të familjeve.

PYLLTARIA NË NIVEL VENDOR, INVESTIMET DHE MUNDËSITË

Për sa i përket qakut të Kukësit pyjet zënë një sipërfaqe të konsiderushme prej rreth 75% të të gjithë territorit. Tashmë në nivel qarku janë  transferuar në pronësi të qeverisjes vendore 141 558 hektarë pyje e kullota, nga 186 965 hektarë qe ka gjithsej. Nga kjo sipërfaqe 40% e këtyre burimeve përdoren në mënyrë tradicionale nga familjet ose afro 56 000 hektarë.

Rreth 62% e pyjeve të Kukësit gjenden në terrene me një pjerrësi më të madhe se 40%. Përkundër kësaj toka dhe  faktorët e tjerë pengues, bëjnë  që rritja e pyjeve në pyjet e larta të jetë mesatarisht 1.4 m3 /ha/vit, ndërsa në pyjet me përdorim tradicional (pyjet në afërsi të fshatrave me kushte më të favoreshme dhe në mbrojtje të komuniteteve rurale) rritja është mesatarishte 4m3/ha/vit.

Qarku i Kukësit është gjithashtu i pasur me bimë mjekësore si nga sasia, cilësia  dhe shumllojshmëria  e tyre  dhe janë burim i madh të ardhurash për banorët e këtyre zonave. Potenciali prodhues i tyre është afro 3067 ton/vit, në një areal prej 16 350 hektarësh.

Ndër bimët medicinale më kryesoret janë sherebela, trumza, boronica, rigoni, zhubrica, trëndafili i egër, dëllinjat, salepi, etj. Kjo tregon se ky rajon është i njohur për traditat e grumbullimit të prodhime të dyta pyjore të cilat kanë një rëndësi të jashtëzakonshme ekonomike dhe përdorim familjar për banorët e këtyre zonave.

Ndër prioritet e zhvillimit të rajonit të veriut ku përfshihet dhe qarku i Kukësit është edhe zhvillimi i sektorit të arrorëve. Ky sektor me 2700 hektarë gështenja (Tropoja 2000 ha  dhe Kukësi 700 ha me prodhimtari afro 17 350 ton fruta në vit), Arra 334 ha, Lajthia 1190 ha, përbëjnë një potencial ekonomik dhe mjedisor.

Bujqësia në qarkun e Kukësit, përbëhet nga  një sipërfaqe të ulët të tokës bujqësore, afro 11%  të sipërfaqes së përgjithshme, në nivelin kombëtar, ky raport është 24% . Përdorimi i tokës bujqësore për frymë në qark është në shifrën (0.22 ha).

Të ardhurat familjare nga sektori bujqësor dhe jo bujqësor janë 7965 lek/vit dhe niveli varfërisë është 22.5 %.

Faktorët që kontribuojnë në gjendjen aktuale janë mundësitë e kufizuara për të pasur zona të punueshme për shkak të terreneve të vështira si dhe infrastruktura e dobët bujqësore (mjetet mekanike, sistemet e ujitjeje, mungesa e përdorimit të plehrave kimike etj). Lëvizjet ndërajonale të popullsisë po ashtu kanë ndikuar direkt në shifrat e përdorimit të tokës bujqësore. Toka bujqësore shumë e fragmentuar përbën një nga problemet kryesore për zhvillimin e mëtejshëm të bujqësisë.

Qarku i Kukësi është një  zonë e varfër, ku 90 %  e të ardhurave vinë nga blegtoria dhe vetëm 10 % nga bimët e arave.

Nga analiza e rezultateve të burimeve natyrore dhe faktorëve të tjerë rezulton se pylltaria shihet si potencial i madh për të ndihmuar rikuperimin e ekonomisë. Pylltaria në nivel vendor është pak e zhvilluar dhe ka nevojë për përmirësimin e politikave apo reformave, rritjen e investimeve dhe ngritjen e kapaciteteve për menaxhimin e kësaj pasurie. Në kohët ku jetojmë është bërë mjaft e qartë se zhvillimi i qëndrueshëm mund të arrihet vetëm përmes përfshirjes së banorëve që jetojnë në zonat rurale dhe zhvillimit të burimeve që ata disponojnë. Prandaj, strategjitë e zhvillimit duhet tu mundësojnë njerëzve akses sa më të sigurtë mbi burimet natyrore dhe përmirësimin e të ardhurave të tyre familjare nëpërmjet përdorimit të tyre.

Këto strategji duhet të nxisin aktivitete të tilla si grumbullimi dhe përpunimi i produkteve pyjore dhe jo pyjore  si arrorë, bimë mjekësore, fruta pylli, mjaltë, biomasë për prodhim energjie etj. Përpunuesit dhe grumbulluesit kanë nevojë për informacion të saktë mbi tregjet ekzistuese dhe potencialin, lehtesim për mënyra se si të regjistrojnë bizneset pyjore, kryesisht në përpunimin e prodhimeve të dyta pyjore dhe operacione te tjera shfrytëzimi/transporti.

Shërbime per zhvillimin e turizmit malor dhe rekreatetin.

Sektori i bimëve mjekësore dhe aromatike ofron një mundësi të mirë të punësimit sezonal të femrave, grupmoshës së tretë të popullsisë si dhe fëmijëve. Përqindjen më të madhe të mbledhësve të bimëve mjekësore dhe aromatike e përbëjnë gratë në masën 50%, pastaj vijnë fëmijët në masën 30% dhe vetëm 20% prej tyre janë meshkuj (pasi ata jane te aktivizuar ne procese te tjera per sigurimin e te ardhurave te familjes).

Vlerat ekonomike të bimëve mjekësore lidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë me përfitimet e popullsisë që merret me këtë aktivitet. Aktiviteti i mbledhjes dhe kultivimit të tyre rrit në mënyrë të ndjeshme nivelin e punësimit si dhe të ardhurat. Për shumë banorë të zonave rurale, që shtrihen afër rajoneve të pasura me BMA dhe pemë frutore, marrja me këtë veprimtari paraqet një burim të ardhurash shtesë të rëndësishme. Për disa familje këto të ardhura paraqesin burimin e vetëm të të ardhurave familjare.

Ne e konsiderojmë pylltarinë në nivel vendor si gama e aksioneve për të menaxhuar apo rritur burime pyjore dhe administruar ndërmarrje të vogla bazuar mbi mallrat apo shërbimet pyjore, të ndërmarra nga pronarë të vegjël, grupe prodhuesish, njerëz që varen nga pylli dhe grupime të tjera lokale, mbi të cilat ata kanë një fuqi thelbësore vendim-marrëse.

Me investime kuptojme kuadrin e gjerë të aksioneve që mund të përmirësojnë asetet e pylltarisë në nivel vendor, kryesisht sigurimin e financimeve dhe zhvillimin e burimeve njerëzore dhe sistemeve praktike të menaxhimit te pyjeve. Rëndësia politike e kësaj çështjeje theksohet duke thënë se: pylltaria në nivel vendor mund të jetë një kontribuues i fuqishëm në të ardhurat lokale dhe zhvillimin e qëndrueshëm, kjo kërkon përmirësimin e investimeve për të arritur këtë potencial, ndërkohë që këto investime mungojnë apo nuk shkojnë në vendin e duhur.

Pylltaria në nivel vendor po zgjerohet me shpejtësi pasi qeveritë, po transferojnë pronësinë, menaxhimin apo të drejtat e përdorimit tek komunitetet lokale me marrëveshje të ndryshme institucionale. Transferimi i pyjeve tek pushteti lokal, nuk është thjesht një kthim i pyjeve tek tradita, por i përgjegjësive për menaxhimin e pyjeve me njerëzit që jetojnë pranë tyre. Proçesi është i gjatë, sipërfaqet pyjore duhet të vazhdojnë të transferohen në pronesi/përdorim të familjeve dhe fshatrave për një përdorim tradicional dhe të qëndrueshëm. Prandaj ky proces sipas kësaj filozofije është gjithashtu pjesë e procesit të fuqizimit dhe ngritjes së kapaciteteve të pushtetit vendor, rritjen e bashkëpunimit me aktorët lokal, si Shoqata e PPKK, grupet lokale të interesit, biznesit që ka për bazë ekonomike burimet natyrore si, turizmin, zhvillimin e blegtorisë, bletarisë, grumbullimin dhe përpunimin e bimëve mjeksore, integrimin e rrjetit tregar që nga grumbulluesi e deri tek kompanitë importuese të produkteve bujqësore dhe prodhimeve të tjera pyjore dhe jo pyjore.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here