Home Ditar E dha jetën për një Shqipëri te lire

E dha jetën për një Shqipëri te lire

261
0
SHARE

Me rastin e 75 vjetorit të rënies heroike të Heroit të Popullit Misto Mame në Tiranë, më 16 Gusht 1942 –

Misto Mame lindi më 21 Korrik 1921 në Erind të Lunxhërisë – Gjirokastër. Ishte i vetmi vëlla ndër katër motra. Në vitin 1932, mbaron shkollën fillore në Erind. Në Gusht 1932, i del bursa për të vazhduar shkollën Plotore të Voshtinës ku mësonte shumë mirë, por vazhdoi 3 vjet. Pastaj shkon në Athinë te xhaxhai i tij Gaqua, ku punonte dhe mësonte. Që nga viti 1935 deri në Dhjetorin e vitit 1940. Mistoja u përfshi aktivisht në lëvizjen Antifashiste dhe në tërësi në atë demokratike të popullit grek. Misto Mame mori pjesë në grevat e demostratat, lëvizjet e punëtoreve për paga e kushte më të mira. Nga lëvizja punëtore e komuniste greke, Misto do të fitonte edhe kulturën politike. Që këtu spikatën një serë tiparesh të revolucionarit si: guximi, trimëria, konspiracioni, njohjen e gjendjes dhe forcave që duheshin organizuar dhe hedhur në lufte. Në vitin 1936 pas një sëmundje të rëndë i vdes i ati. Humbja e të atit, ishte një goditje e rëndë për të  e familjen e tij. Në fund të vitit 1940 qeveria greke e burgos në Athinë dhe vendosi për largimin e tij nga Greqia për qëndrimin dhe luftën Antifashiste që bënte.

Loading...

Në fund të Dhjetorit 1940, Misto së bashku me motrën Lefteri, largohen nga Greqia dhe kthehen në fshatin e tyre Erind tek e ëma e tyre Aspasi. Në fillim të pranverës 1941, Misto Mame vjen në Tiranë për të gjetur ndonjë punë. Këtu u takua me bashkëfshatarin e tij Mihal Duri e të tjerë nga Erindi. Me ndërhyrjen e Mihal Durit, Misto Mame fillon punë në zdrukthtarinë  “Impaza Paulini” pronë e një italiani. Kjo do të bëhej qëndër e takimeve dhe bisedave me shokët. Mihal Duri në shtëpinë ku banonte në rrugën e Kavajes, organizoi takimin e Misto Mames me Komandantin e Përgjithshëm. Këtij takimi Mihal Duri do të ishte garanti i parë dhe kryesor për antarësimin e Misto Mames në Grupin Komunist të Korçës, Dega e Tiranës. Themelimit të PK dhe Rinisë Komunistë Shqiptare Misto Mame do t’u paraprinte dhe me shumë veprimtari e aktivitete të tjera revolucionare. Misto e vlerësonte shtypin si një nga format e propagandës për shpalosjen e ideve dhe transmetimin e tyre në masat, prandaj Misto Mame u bë një nga themeluesit e shquar të shtypit klandestin. Shtypi illegal komunist nisi veprimtarinë e tij që para themelimit të Partisë. Qe nga viti 1940 e në vazhdimësi në Tiranë, u krijuan rreth 30 baza ilegale të teknikes së shtypit, ku punonin një numër i zgjedhur shokësh e shoqesh. Misto ndihmoi në sigurimin e bazës materiale. U vunë në funksionim shtypshkronjat e para partizane. Në këtë shtypshkronjë do të shtypeshin traktet e para, komunikatat dhe organet “Zëri i Popullit” dhe “Kushtrim i Lirisë”.

Në Shtator 1941, Mistoja bashkë me Mihalin mbushën me parrullaa Tiranën: “ Jashtë okupatori nga Shqipëria”. Kurse në bustin e Gjeneral Telinit mbuluan me Drapër e Çekan dhe V.F.L.P. tek Bashkia e Tiranës, u ul flamuri fashist dhe u ngrit flamuri Kombëtar, i cili i tmerroi fashistët. Aksionet që organizoi dhe mori pjesë Misto Mame janë të shumta, të njëpasnjëshme me fushë të gjërë veprimi dhe që të gjitha kanë përfunduar me sukses, me dëme të mëdha për armikun dhe pa deme seriose të skuadrave guerilase që drejtonte.

Misto Mame  dha një ndihmesë të rëndësishme si për themelimin e PKSH dhe për krijimin e organizatës së Rinisë Komuniste. Ai u zgjodh anëtar i KQ të Rinisë Komuniste dhe sekretar organizativ i RK Qarkut të Tiranës. Midis Qemal Stafës dhe Misto Mames do të ndërtohej një bashkëpunim i ngushtë, i cili i dha hov punës me rininë në Tiranë. Misto nuk qe vetëm trim, por edhe i mënçur, i qetë në përcaktimin e objektivit që vinte në shenjestër dhe në studimin e marrjen e masave. Misto Mame merr pjesë në aksionin Kombëtar për shkatërrimin e sistemit telefonik të fashizmit më 24 Korrik 1942 ku u prenë 36 shtylla duke nxjerrë  jashtë funksionit të gjithë linjën telefonike Tiranë-Shkodër.

Misto Mame ra më 16 Gusht 1942. Ai shkoi të shihte rezultatin e aksionit, një ditë më pare, ku i kishin vënë zjarrin depos së xhenjos në rrugën që të shpinte nga “Varri i Bamit”. Tymi dukej që nga larg, djegia kishte vazhduar tërë natën. Alarmi dhe shqetësimi i fashistëve ishte i madh. Ushtarë të armatosur dhe spiunë kishte shumë në rrugë dhe në pika të tjera. Mistoja pasi kishte vrarë dy nga fashistët e patrullës, ishte gjendur i rrethuar nga shumë të tjerë. I bën thirrje të dorëzohej, por ai nuk dorëzohej i plagosur por gjithnjë në këmbë.  Ai mundohej të çante rrethimin dhe pasi i mbaruan fishekët, hodhi edhe dy bombat e fundit mbi fashistët dhe ra si Hero për Çlirimin e Atdheut.

Dhimbja për humbjen e madhe, shoqërohej me angazhimin për t’ia marrë hakun për ta bërë edhe më të ashpër luftën, ashtu siç kishte bërë Mistoja, udhëheqës i rinisë, themeluesi i njësiteve guerile, që kishte frymëzuar dhjetëra e qindra njerëz në luftën antifashiste. Për të nderuar heroizmin e Misto Mames në vitin 1943 njeri nga batalionet partizane mbante emrin Batalioni Partizan “Misto Mame”. Pas Çlirimit, Presidiumi i Kuvendit Popullor i ka dhënë titullin më të lartë “Hero i Popullit”. Emri i Heroit të Popullit Misto Mame, është vendosur për ta nderuar në rrugë e  shkolla të Tiranës. Gjithashtu populli e poetët, i kanë kushtuar këngë e poezi. Misto Mame gjatë LANÇ-it u bë dhe mbeti një nga figurat më të shquara për brezat e sotëm dhe të ardhshëm të popullit shqiptar.

Lavdi kujtimit dhe veprës heroike të Heroit të Popullit, Misto Mame, i cili dha jetën për një Shqipëri të lirë!

XHEVDET ÇELMETA

LILJANA NACI

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here