Home Sociale Bashkia e Tiranës rrit bashkëpunimin me Bashkinë e Vienës

Bashkia e Tiranës rrit bashkëpunimin me Bashkinë e Vienës

107
0
SHARE

Bashkia e Tiranës dhe ajo e Vienës po e rrisin edhe më tej bashkëpunimin mes tyre në fusha konkrete, që kanë të bëjnë me zhvillimin urban dhe menaxhimin e qyteteve. Pas vizitës së para pak javëve të kryebashkiakut të Vienës, Michael Häupl, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, priti në një vizitë zyrtare një delegacion të kryesuar nga Drejtoresha e Përgjithshme e planifikimit urban, zhvillimit dhe ndërtimit të qytetit të Vienës, Brigitte Jilka, me të cilin u diskutuan çështje me rëndësi të përbashkët në fusha të ndryshme, si zhvillimi urban, çështjet e transportit, si dhe të përmirësimit të shërbimeve.

Kryebashkiaku Veliaj e vlerësoi si tepër të rëndësishëm bashkëpunimin mes dy bashkive për shkëmbimin e eksperiencave më të mira në fusha të ndryshme, e veçanërisht të ideve inovatore për menaxhimin e qyteteve. “Unë besoj se, detyra jonë, pavarësisht se jemi qyteti më i mirë në Shqipëri, është që të bëhemi akoma më të mirë. Por, për t’u bërë më të mirë duhet të mësojmë nga më të mirët. Prej vitesh, Viena renditet si një nga qytetet më të jetueshëm në botë. Ndaj, besoj se duke bashkëpunuar me menaxherët e qytetit të Vjenës në të gjitha fushat, duke filluar nga transporti publik, te përpunimi i mbetjeve, infrastruktura, kultura, urbanistika, mund të mësojmë nga më të mirët, të sigurohemi që jo vetëm nuk bëjmë gabimet që të tjerët mund t’i kenë bërë përpara nesh, por të shijojmë idetë më inovatore për menaxhimin e Tiranës”, theksoi Veliaj.

Ai u shpreh i kënaqur që për herë të parë, pas takimit midis dy kryetarëve, tashmë skuadra e menaxherëve të qytetit të Tiranës dhe të Vienës po bashkëpunojnë edhe në nivel teknik për të trajtuar çështje të ndryshme. “Marrëdhënia jonë me Vienën është një marrëdhënie reale, ku njerëzit që kemi në krye të punëve më të rëndësishme, të qyteteve respektive, në një farë mënyre po bashkëpunojnë për t’i bërë qytetet tona akoma edhe më të mira”, u shpreh ai.

Drejtoresha e Përgjithshme e planifikimit urban, zhvillimit dhe ndërtimit e Bashkisë së Vienës, Brigitte Jilka, u shpreh se qeverisja e mirë është çelësi për një jetë më të mirë për qytetarët. “Ne ia kemi dalë me sukses të rrënjosim mentalitetin në qendër të Europës dhe unë besoj se kjo është një arsye e mirë që ta fillojmë këtë bashkëpunim. Qeverisja e mirë është çelësi për një jetë më të mirë dhe qeverisja e mirë përfshin mendjen e hapur, përfshin shkëmbimin e ideve dhe eksperiencave, e gjithashtu përfshirjen e shoqërisë civile. Unë mendoj se kjo është ajo çka nisëm në Vienë dhe gjithashtu këtu në Tiranë”, tha Brigitte Jilka.

Ndërkaq, delegacioni i Bashkisë së Vienës dhe përfaqësuesit e Bashkisë së Tiranës zhvilluan edhe një konferencë të përbashkët ku shkëmbyen ide për zhvillimin dhe modernizimin e mëtejshëm të dy qyteteve.

Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku, prezantoi nismat e ndërmarra dy vitet e fundit dhe prioritetet në vitet e ardhshme. “Gjatë reformës administrative, qyteti është rritur në 1200 kilometër katrorë dhe hapësira për të cilën jemi përgjegjës, tani është më e madhe. Jemi rritur me 30% në popullsi. Jemi përgjegjës për thatësirën, për departamentin e zjarrfikësve, përgjigjemi për çerdhet dhe për arsimin parashkollor. Në pjesën e dytë të mandatit do të jemi më shumë të fokusuar në agrokulturë. Kështu, do të kemi më shumë mundësi në kontrollin ushqimor dhe gjithashtu, më shumë përgjegjësi dhe kontroll për çështjet mjedisore, licencat etj”, tha Mazniku.

Urbanistë, arkitektë dhe ekspertë të çështjeve të strehimit social nga e gjithë bota u mblodhën për ditë në Tiranë në Konferencën Ndërkombëtare ENHR 2017 për të diskutuar sfidat e zhvillimit të qyteteve. Gjatë punimeve të konferencës, urbanistët dhe ekspertët ndërkombëtarë u njohën me projektet e banesave sociale në Shkozë, projektet e zhvillimit në zonën e Freskut, Kasharit, Bathore, në zonën e Kodrës së Diellit në kryeqytet, si dhe në zonën e Kënetës në Durrës. Pjesëmarrësit u njohën edhe me situatën, kushtet, sfidat dhe vështirësitë që hasin këto komunitete në drejtim të urbanizimit dhe të infrastrukturës, qasjen mbi politikat sociale dhe ndikimin e tyre në  hartimin e planeve vendore.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here