Home Sociale Është koha te dëgjojmë kambanat!!!

Është koha te dëgjojmë kambanat!!!

295
0
SHARE

Reflektime nga Federata Kombëtare e Pyjeve dhe Kullotave Komunale dhe Shoqata e Gazetarëve të Bujqësisë

Federata Kombëtare e Pyjeve dhe Kullotave Komunale, ka vite që e ngren shqetësimin e shkatërrimit të pyllit shqiptar duke drejtuar rezoluta të nivelit më të lartë ne drejtim të shtetit. Një zë vazhdimisht i humbur në shkretirën e shurdhërisë së politikanëve, që në 27 vitet e pas komunizmit nuk arritën qoftë ti japin vendit një ligj për pyllin shqiptar.

Loading...

Kush ka sy e veshë, kush gjykon për mjedisin ku lind e jeton, lëviz e sheh nëpër Shqipërinë tonë të vogël, apo thjeshtë informohet sadopak nga media, e ka bindjen që mbulesa e gjelbër e tokës tonë  është dobësuar e pakësuar së tepërmi qoftë nga prerja, zjarret, kullotja, gërmimet e gërryerjet. Një klasë politike nëse do ishte normale duhet të reagonte. Pas vitit 2000 taksapaguesit shqiptar mbajnë si pjesë të qeverisjes edhe një Ministri që monitoron e kujdeset për mjedisin shqiptar,  e kjo Ministri  që është parë komode t’ju dhurohet partive të vogla me të cilat ndahet qeverisja, ka meritën e moskallzimit të situatës ku është katandisur pylli e mjedisi shqiptar.  Nëse do të funksiononte  qoftë edhe minimalisht duhej t’ju tregonte taksapaguesve e opinionit shqiptar  që pakësimi i bimësisë në male e kodra, është rrezik për atdheun e jetën  tonë, djepin që na ka lindur e na mban të gjallë. Nëse i bëhet krahasim gjendjes dhe ecurisë së mbulesës pyjore, nuk është e vështirë të konkludohet që në 27 vitet e fundit, dëmet kanë qenë më të mëdha se sa në disa nga shekujt, që kur disponohen materiale e dëshmi  të shkruara e trashëguara. Realiteti është i hidhur, po të mendosh që shoqëria jonë pretendon se është në progres e aq me tepër po realizon kritere për tu bërë e pranueshme nga bashkësia europiane.

Praktikisht duket sikur nuk dijmë të shohim, mendojmë e tregojmë. Të trishton paaftësia e politikanëve por edhe mediave tona për të reaguar,  kur është  cënuar djepi i jetës dhe e ardhmja e saj, në një atdhe me male pa bimë e dalëngadalë pa tokë.  Jetojmë një kohë që e ka sfiduar tokën,  duke e rrezikuar deri në ekstrem zhdukjen pa rikthim të saj në shumë pjesë të vendit, për shkak të budallallëkut tonë, si dhe mungesën e përgjegjësisë personale të çdo individi të shoqërisë, karshi jetës për të sotmen e të nesërmen e shqiptarëve. Nëse shkatërrimi i pyjeve e bimësisë së maleve do të vinte për faktorë që janë jashtë kontrollit tonë, së paku secili nga ne do të ishte krenar dhe i qetë në ndërgjegjen e tij, por është fakt se  shkatërrimi vjen vetëm nga veprimi i gabuar e i verbër i pjesës politikë bërëse e politikë zbatuese  dhe  nga mosveprimi i pjesës së sunduar të shoqërisë tonë, e ky realitet monstruoz  e vendos gjeneratën e inteligjencës aktuale të vendit tonë në një situatë të vështirë morale.

Katastrofa ekologjike është ulur këmbëkryq në malet e kodrat tona, e shokon këdo që sado pak mendon, e në fakt duhet ta trembë realisht gjeneratën që e jetoi,  ndoshta padashje kontribuoi që të arrihej në këtë stad e nuk arriti ta ndalojë të keqen. Çfarë ka ndodhur, nuk mund të çbëhet. Kapërcimet që bëhen shpesh nga ata që shoqëria jonë i paguan për ta parandaluar këtë gjëndje, shpejt do i përgjigjeshin arsyetimit tonë: nuk kemi të dhëna, duhet bërë vlerësime. Në fakt tani secili duhet të bindë vehten se është koha për veprim. Federata Kombëtare e Pyjeve dhe Shoqata e Gazetarëve të Bujqësisë janë të bindura, që i vetmi burim kritik që i duhet popullit është ai vetë. Ne, vetvehtja e secilit, nëse e organizojmë mendimin tonë, nëse marrim një vendim për të gjetur në mënyrë urgjente zgjidhjen, si komb dijet i kemi të mjaftueshme për ta gjetur atë. Dhe për më tepër, nëse e shpëtojmë tokën tonë nga kjo katastrofe ekologjike, i kemi shërbyer mbijetesës sonë e gjeneratave  që na vijnë pas.

Të luftosh me vehten tënde, të jesh militant politik, e të verbohesh prej atij militantizmi  përballë kësaj katastrofe, është realisht marrëzi. Ekspertë e dijetarë të mjedisit, natyrës, medias, librave që janë shërbyes civilë e nuk u tregojnë taksapaguesve të tyre se sa pjesë e vendit digjet, përmbytet, gërmohet e betonizohet, se sa pyll e  tokë humbet, nga frika se i mbetet hatri qeverisë, duket se janë prodhuar e punësuar me bollëk. Imagjino një vend krejt i vogël si yni, ku inteligjenca arriti të japë një kontribut realisht rilindës, para një shekulli, duke u organizuar në Ballkan, Europë e Amerikë, duke e vënë interesin e kombit, mbi shpërblimet që i ofronte perandoria.  Inteligjenca e pas luftës dytë botërore e deri më sot, shpesh ka rënë në kurthin e politkës së ditës duke u shëndrruar edhe në një instrument partizan, duke i shërbyer manipulimeve po aq sa dijes e zhvillimit.

Hapja e vendit pas viteve 1990, ishte një shpresë e hapjes së portave të mendimit e kooperimit perëndimor, por presioni e ndjellja e pushtetit me të gjitha mjetet shpesh e ka mpirë  guximin, duke e synuar  militantizmin si burim ofiqesh e të ardhurash ekonomike. Se sa ka evoluar inteligjenca mjafton një indikator tepër i thjeshtë, si e gjykon dhe sa kontribuon në formulimin e politikave, legjislacionit, kërkimit shkencor e dijes që së bashku kanë rezultuar në gjëndjen aktuale dhe trendet  ku po e çojmë natyrën shqiptare. Mbetet enigmë se nga vjen kjo heshtje, kontribut për politika të gabuara apo  moskundërshtimi i politikave e vendimeve të gabuara të marra si nga ligjvënësit apo qeverisësit të cilët edhe ato vetë normalisht do duhej të ishin të shkolluar e të kuptonin dëmin që shkaktojnë.

Si përfaqësues të përdoruesve të pyjeve shqiptare dhe gazetarëve të bujqësisë, kemi bindjen se  situata në të cilën janë aktualisht pyjet, i ka bërë të ndjeshëm jo vetëm banorët e zonave rurale, por çdo banor që kontakton nga media apo e sheh me sytë e tij situatën. Kjo gërryerje e jetës së maleve në të gjitha kuptimet është koha të vendosë politikë bërësit para dilemës: ta lemë të shkatërohet pa rikthim, duke u pakësuar hapësiren e jetës gjeneratave të ardhshme, apo të gjithë së bashku ti kërkojmë e ti gjejmë shtigjet për të rikthyer jetën në malet tona!!!!!

Shqipëria bëri gabime të rënda në ndarjen e tokës bujqësore, dy herë më e pakët krahasuar me tokën pyjore. Është koha kritike që të hartohet strategjia e ndarjes së tokës pyjore. Pasi strategjia të hartohet, ajo hidhet në diskutim popullor dhe nëpërmjet një referendum popullor, vetë populli vendos për pronësine e ardhshme të pyjeve. Fati i aseteve publike njihet pothuajse nga të gjithë. Ata lihen të shkatërrohen e me pas privatizohen.

Qeveria e ka borxh që të organizojë një referendum mbarë kombëtar, ku shqiptarët të pozicionohen se cila duhet të jetë forma e ardhshme e pronësisë së kësaj pasurie që ju kanë lënë të parët, duke bërë përpjekje maksimale që të korrektohen gabimet që u bënë në ndarjen e tokës bujqësore.

Si informacioni, humanizmi, shkenca apo mirëkuptimi shoqëror, janë ashtu si e gjithë jeta jonë në një tranzicion të lodhshëm. Të parët tonë i patën malet si strehë ashtu edhe burim ushqimi, e bashkë me ta, arritën të mbijetonin, e të na e silllnin deri në kohët e quajtura moderne këtë pasuri. Ata e përdorën pyllin, si strehë, burim ushqimi, burim ngrohje e ndriçimi. Në ato rrethana mësuan, e na i lanë trashëgim emërtimin e sendeve e fenomeneve, më pas i kategorizuan si dhe u gjetën funksionin e përdorimin, çka e ndanë me njeri tjetrin si me gojëdhëna ashtu edhe me rregulla të vendit apo kanune.

Shkollimi klasik erdhi vonë në shoqërinë tonë. Të etur për dije, shumë gjëra u imponuan në nxitim, dhe shumë nga dijet që populli i kishtë përftuar në bashkëjetesën pikërisht me natyrën tonë të brishtë, trashëgimia më e madhe që na lanë të parët sikur të ishim të nëmur, u injoruan, aq sa edhe publikisht u shpall luftë  kundër mendimeve apo sjelljeve të vjetra e prapanike.

Ne shkatërruam pyjet, i vetmi sistem që natyra e ka pajisur me një veçori, që i mungon si bujqesisë ashtu edhe të gjithë sistemeve të tjera që kontribuojnë për njerëzimin. Pylli e siguron ushqimin dhe energjinë e tij, brenda për brenda sistemit, duke i mundësuar dhurata të pafundme qënieve të tjera. Të gjitha sistemet e tjera mvaren nga energji të importuara, të cilat janë të parinovueshme, dhe shkaktojnë ndotje të planetit e rrezikim të jetës.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here