Home Ditar Formimi i batalionit te dyte partizan i grupit te Pezës

Formimi i batalionit te dyte partizan i grupit te Pezës

163
0
SHARE

-Me rastin e 74 vjetorit te formimit te batalionit te dyte partizan te Grupit te Pezes

Në pranverën e vitit 1943, në fshatrat gjatë rrjedhjes së lumit Erzen, vepronin dy Çeta partizane. Ajo e Bulticës me Komandant Bejte Bulticën dhe komisar Xhevdet Petrelën dhe Çeta e Erzenit me komandant Vait Qehaj, komisar Haxhi Libohova dhe zv/komandant Rexhep Gjuzi. Duke marrë parasysh që gjatë verës 1943,këto dy çeta u rritën shumë në numër u bë i domosdoshëm krijimi i një batalioni. Me porosi të Komandantit të Përgjithshëm të UNÇlSH. Më 9 Shtator të vitit 1943 në katundin Bulticë, u krijua Batalioni i dytë partizan i Grupit te Pezës. Në këtë batalion përveç dy çetave, u përfshinë mjaft partizan të rinj të ardhur nga Tirana, nga fshatrat Vaqarr, Barldushk, Petrelë, të fshatrave Mëzez, Yzberisht, Yrshek, Kashar të drejtuar nga Rexhep Shaba e Kasem Shima. Me këto prurje të rinjsh Batalioni e kaloi shifrën 300 partizanë e partizane, raporte këto që kërkonin drejtim më të specializuar ushtarak.  Për këtë arsye në fillim Komandant i Batalionit u caktua Abdi Mati, i cili kishte kryer studimet në Akademinë Ushtarake; zv/komandant u caktua trimi dhe patrioti Bejte Bultica dhe komisar Ludovik Shllaku. Menjëherë pas organizimit të këtij Batalioni, filloi aksioni luftarak kundër armikut. Në fillim nisi lufta për pastrimin e zonës, duke goditur armikun në Sauk, Sharrë, Vaqarr etj.

Loading...

Më 22 Shtator 1943, në  bashkëpunim me Batalionin “Dajti” u sulmua kolona gjermane në rrugën Elbasan-Tiranë, duke liruar rreth 800 ushtarë e oficerë Italian, ku një pjesë e mirë e tyre u rreshtuan në radhët partizane dhe të tjerë u shpërndanë në familjet e fshatrave të zonës, të cilët i pritën me kënaqësi, duke i strehuar e bërë si pjestar të familjes së tyre. Në këtë betejë u siguruan shumë armatime e municione për të cilat kishte nevojë Batalioni. Më 25 Shtator 1943, ky Batalion zhvilloi një luftë të rreptë kundër forcave gjermane në Petrelë, luftimet zgjatëmn shumë. Në këtë luftë vritet Komisari i Batalionit Ludovik Shllaku dhe tre partizanë të tjerë: Llazar Llazari, Bajram Sula e Mustafa Bali.

Pas kësaj Abdi Mati transferohet në njesi të tjera partizane. Tani në krye të Batalionit emërohet Bejte Bultica komandant dhe Xhevdet Petrela komisar. Batalioni i dytë i Bulticës ka zhvilluar luftime të ashpra me gjermanët, të cilët donin të asgjesonin Brigadën e tretë Sulmuese të krijuar më 9 Tetor 1943 në Arbanë deri më 7 Nëntor 1943, ditë në të cilën lëvizi kjo brigadë  qëndroi në krahinën e Pezës. Gjatë lëvizjes deri në Zhëllimë e Rovë u shoqërua prej Batalionit të parë e të dytë të Grupit të Pezës, ku u ndeshën në pritat gjermane në kodrat nga Petrela në Krrabë. Komandanti i Grupit te Pezës, Babë Myslimi dha urdhër që këto dy batalione që shoqëruan Brigadën e 3-të S, e cila doli jashtë rrethimit, u tërhoqën drejt Vrapit e Shënkollës.

Megjithë dimrin e egër të vitit 1943-1944, mungesën e ushqimeve e veshmbathjes si dhe sëmundjeve partizanet u përballuan këto vështirësi. Grupi partizan i Pezës më 11 Maj 1944, organizoi një aksion të përbashkët për prerjen e ndërlidhjes armike në rrugën Tiranë-Elbasan, ku gjermanët patën humbje të madhe. Gjermanët duke shfrytëzuar rastin që nuk kishte partizane në Arban e Bulticë, me forca të shumta gjermane e xhandarmërie u vuri flakën 14 shtëpive partizane. Në të gjitha luftimet që ka zhvilluar Batalioni i dytë një ndihmesë të madhe kanë dhënë fshatarët e fshatrave Arban, Bulticë, Damjan, Fortuzaj, Sharrë, Picall, Petrelë, Baldushk, Bërzhitë, Kashar. Në luftime kundër armikut kanë rënë dëshmor: Ludovik Shllaku, Llazar Llazari, Bajram Sula, Mustafa Bali, Osman Ibrahimi, Haxhi Libohova, Baftjar Xjabafti, Rexhep Gjata, Xhemal Sultafa.

Më 18 Shtator 1944, në Pezë u krijua Brigada e 22-të Sulmuese si njesi e madhe partizane ku u përfshi edhe Batalioni i dytë partizan i Bulticës, i cili riorganizohet si battalion i dytë i kësaj Brigade me Komandant Sotir Spiron, komisar Xhevdet Petrela, zv/komandant Ziso Dako, zv/komisar Shaban Sula, intedent Nasi Marjani.

Batalioni i dytë partizan në Brigadën e XXII-S vazhdoi rrugën luftarake në drejtim të Shqipërisë së Veriut për çlirimin e plotë të vendit. Për t’u përmendur janë luftimet në Gëziqe e Shënpal të Mirditëes nga 19-26 Tetor 1944 për Çlirimin e Mirditës. Luftimet në shpatet e rrapës e të Kabashit më 18-20 Nëntor për Çlirimin e Pukës. Batalioni i dytë partizan i Brigadës – 22-të S, zbriti nga Puka nëpër shkallët e ashpra të Dushit së bashku me batalionin partizan “Pukë” natën e 23 Nëntorit 1944 për në Vaun e Dejës ku kaloi me vështirësitë e kapërcimit të lumit të Drinit më 24-25 Nëntor 1944 në Vaun e Dejës me trap e lundra dhe mori pjesë në Çlirimin e Shkodrës më 26-29 Nëntor 1944.

Pas Çlirimit të Shqipërisë ky battalion si pjesë e Brigadës 22-të Sulmuese, kaloi kufirin e inkuadruar në Divizionin e 6-të Sulmuese për Çlirimin e tokave të Jugosllavisë deri në Dhjetor 1945, kur kthehet në Elbasan me krenarinë e festës së LANÇ-it mbi bishën nazifashiste.

Aktiviteti dhe kontributi i këtij batalioni gjatë luftimeve të ashpra kundër nazistëve gjermanë në Çlirimin e tokave të Malit të Zi dhe Bosnjës deri në Vishegrad është i madh duke dhënë jetën 19 partizan dëshmor si: Asllan Tresa, Hajdar Çelkavaja, Hasan Balla, Masar Mali, Masar Sala, Osman Hoxha, Qazim Bega, Rexhep Fortuzi, Sali Zeneli, Kasem Shima, Shyqyri Shima, Shaqir Shima, Rexhep Myrto, Hamdi Cenoymeri, Enver Topalli, Ali Halili, Kasem Çaushi, Ibrahim Brahja, Ibrahim Greca.

Lufta kundër armiqve, sakrificat e panumërta, gjaku i derdhur për Çlirimin e vendit, nuk duhet të shkoj kot, ai është dhe duhet të jetë i brumosur thellë në ndërgjegjen e çdo shqiptari. I skalitur në lapidarët e ngritur për t’i kujtuar ato heroizma.

Lavdi Batalionit të dytë partizan të Grupit të Pezës!

Lavdi Dëshmorëve të rënë për Çlirimin e Shqipërisë!

XHEVDET ÇELMETA

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here