Home Politike Intervistë e Kryeministrit Edi Rama për Zërin e Amerikës

Intervistë e Kryeministrit Edi Rama për Zërin e Amerikës

90
0
SHARE

VOA: Zoti Kryeministër, mirë se vini në programin e Zërit të Amerikës!

Kryeministri Edi Rama: Mirë se ju gjej! Faleminderit!

VOA: Zoti Kryeministër, në fjalën tuaj sot, ju thatë që Shqipëria do të bëjë pjesën e saj për ta bërë të ardhmen dhe botën tonë më të mirë dhe kuptohet, ndihmesën kryesore ju mund ta jepni në vendin tuaj. Ju sapo e keni filluar mandatin e dytë katërvjeçar të qeverisjes dhe mandati që keni marrë këtë herë nga votuesit, mund të cilësohet si ndër më të fuqishmit e qeverive paskomuniste në Shqipëri. Në katërvjeçarin e kaluar, ju i jeni përgjigjur kritikave, shpesh, se gjendja e vendit ishte shumë e keqe nga qeverisja e mëparshme demokrate dhe më pas keni fajësuar edhe aleatin në koalicion, LSI-në. Tani që keni të gjithë votat e mjaftueshme, çfarë ndryshimesh pritet të shohim?

Kryeministri Edi Rama: Së pari, duke vlerësuar një trashëgimi të rënduar të së shkuarës, nuk do të thotë se kemi fajësuar, apo kam fajësuar persona apo subjekte të veçanta. Nga ana tjetër, unë e kam vlerësuar dhe gjithmonë do ta vlerësoj çka koalicioni i mandatit të parë ka bërë në funksion të një sërë reformash që, përndryshe, do të kishin qenë të pamundura. Sigurisht që edhe vota e 25 qershorit e nxori në pah shumë qartë. Një faqe e re është hapur dhe ne do bëjmë çmos që ta shkruajmë këtë faqe të re me ndershmëri, me atdhedashuri dhe me dinjitet në funksion të një Shqipërie më të mirë, me një ekonomi më të fortë, me më shumë punësim real, me më shumë investime të huaja dhe natyrisht, me shërbime shumë më dinjitoze për qytetarët, duke filluar nga shërbimet më të thjeshta në sportele dhe deri tek shërbimet e rëndësishme publike si arsimi, shëndetësia e me radhë.

VOA: Zoti Rama, në fjalën tuaj në Parlamentin e ri, ju u shfaqët me tone paqëtuese ndaj opozitës, duke ftuar që sëbashku të diskutoni për çështjet me rëndësi për vendin. Por ka një mosbesim të madh ndaj jush. Kryetari demokrat, Lulzim Basha ka përsëritur disa herë se marrëveshja e majit mes jush ka vdekur. LSI-ja gjithashtu është bërë tepër e ashpër në kritika ndaj jush. Sa janë shanset që klima politike në Shqipëri të ndryshojë?

Kryeministri Edi Rama: Secili zgjedh qasjen dhe rrugën e vet, por një gjë është e sigurt, që asnjë qasje dhe asnjë rrugë nuk mund të përjashtojë Shqipërinë dhe faktin që Shqipëria ka nevojë për të gjithë. Kjo është qasja jonë. Kjo është rruga jonë. Ne do vazhdojmë të këmbëngulim që, në çdo rast kur paraqitet mundësia, të ftojmë palët e tjera në një bashkëpunim në të mirë të vendit, pasi vendi ka humbur shumë kohë me konflikte dhe me protagonizma që në fund fare nuk është se kanë sjellë ndonjë vlerë të shtuar. Është koha për t’u bërë bashkë për Shqipërinë në ato çështje ku Shqipëria na bashkon. Ndërkohë që padyshim jemi të ndarë në shumëçka na bën të ndryshëm, për fat të mirë dhe për shumëçka jemi të ndarë, do vazhdojmë të përplasemi në llogoret tona. Është shumë e thjeshtë.

VOA: Zoti Kryeministër, do doja të merrja mendimin tuaj për një zhvillim të këtyre ditëve në Tiranë. Siç e dini, qindra banorë të Shkozës po ankohen për prishjen e shtëpive. Shkoza duket se simbolizon, në një farë mënyre, të gjithë ato probleme të ndërlikuara, të shkaktuara gjatë viteve në Shqipëri me çështjen e pronave. Kryetari i Bashkisë së Tiranës tha se përgjegjësia e Bashkisë është vetëm nga ana sociale. Një nga ankesat e përbashkëta të banorëve është mënyra sesi u soll shteti me ta, pa u dhënë ndonjë njoftim zyrtar që të ankimoheshin nëpër gjykata. Disa ankohen për legalizime selektive, të tjerë thonë se projekti është ndryshuar, duke prishur më shumë shtëpi. Pra, ka një lloj pakënaqësie, vihet re një lloj arrogance e shtetit ndaj tyre. A keni ju ndonjë koment për rastin e tyre?

Kryeministri Edi Rama: Shkoza nuk përfaqëson asgjë dhe nuk meriton, besoj, koment deri në New York e në Washington. Megjithatë, ju e bëtë pyetjen dhe unë po ju përgjigjem. Është një proces si shumë e shumë procese të tjera, ku ka qenë e domosdoshme dhe mbetet e domosdoshme që të shemben ndërtimet pa leje, aty ku pengohet zhvillimi i infrastrukturës për të mirën e përbashkët. Kush ka ndërtuar pa leje, duke zënë akset kryesore, duke zënë hapësirat e zhvillimit, patjetër që nuk mund të pretendojë as të përkëdhelet, as të dëmshpërblehet, as të shpronësohet, por thjesht duhet dhe meriton të trajtohet me kujdes, duke mos e lënë të pastrehë, por duke i dhënë mundësinë e një qiraje të paguar nga kolektiviteti, pra, nga i gjithë komuniteti, për një periudhë të caktuar, derisa familjet pastaj të akomodohen aty ku ato do të gjejnë mundësinë të akomodohen me forcat e tyre. Kjo është Shkoza dhe pastaj historitë me arrogancë, me prepotencë, me shtet shurdh dhe me shtet qorr janë histori që realisht nuk kanë vend. Shteti ka detyrë t’iu shërbejë qytetarëve dhe ka detyrë të mbështesë të gjithë procesin transformues, për të pasur një Shqipëri me shtet, me punë dhe me mirëqenie. Të bësh shtet, të bësh punë dhe të bësh mirëqenie nuk ka shumë rrugë. Rruga është e qartë dhe në këtë rrugë, sigurisht do të ketë dhe shqetësime të kësaj natyre, por këto janë shqetësime që i përkasin një pakice shumë të vogël, në krahasim me rëndësinë madhore që ka zgjidhja e këtyre problemeve për shumicën.

VOA: Zoti Rama, pas thuajse një viti, dekreti i ish Presidentit Bujar Nishani, i cili rrëzoi të ashtuquajturin ligj për importin e mbetjeve, është futur në programin e Parlamentit. Megjithatë, kryetari i grupit tuaj parlamentar deklaroi se do ta tërhiqni. E para, përse u bë ky ndryshim dhe si do të realizohet konkretisht, pasi dekreti i Presidentit duhet të votohet. Cili është plani i qeverisë suaj, do ta miratoni dekretin, pra, të rrëzoni projektligjin dhe më pas të hartoni një ligj të ri për këtë çështje?

Kryeministri Edi Rama: Kryetari i grupit ka qenë shumë i qartë. Ne do të rikthejmë në një diskutim të gjerë dhe shterues me publikun këtë temë, me të cilën lloj-lloj sharlatanësh, lloj-lloj karagjozësh, lloj-lloj politiko-çakejsh në kazanin politik dhe mediatik kërkojnë të fitojnë pikët e tyre, duke mashtruar publikun. E patjetër, në respekt të ndjeshmërisë së lartë dhe të drejtë të publikut, ne do marrim gjithë kohën e nevojshme që njerëzit ta kuptojnë që këtu s’bëhet fjalë fare për gjithçka kazani mediatik dhe kazani politik vorbullon në funksion të axhendave tërësisht politike apo vetjake, por bëhet fjalë thjeshtë dhe vetëm për një proces modernizues, europianizues të Shqipërisë dhe për mundësinë që Shqipëria të ketë një kapacitet riciklues të mbetjeve të gjelbërta, siç e kanë të gjitha vendet e tjera. Jemi i vetmi vend që nuk e kemi. Megjithatë nuk ka urgjence. Qentë le të lehin, karvani do eci përpara.

VOA: Zoti Rama, në programin e Parlamentit gjithashtu është dhe një projektligj tjetër për dekoratat gjatë kohës së diktaturës, i propozuar nga ju dhe zoti Balla, që në fundin e 2015-ës, për të cilin gjithashtu u njoftua tërheqja. Si mund të shpjegohet një ndryshim i tillë qëndrimi brenda një kohe kaq të shkurtër. Sapo propozimi përfshihet në program, ju vendosi ta tërhiqni.

Kryeministri Edi Rama: Nuk është sapo. Ju e thatë vetë, ka një kohë të gjatë dhe kërkon një rishikim në funksion të nevojës për ta përmirësuar ende më shumë atë nismë ligjore. Kështu që nuk keni pse çuditeni, përkundrazi, janë lajme të mira kur një shumicë, siç thatë dhe ju, e fuqishme, e dalë nga vota e popullit, ka dhe kapacitetin të reflektojë në funksion të respektit për ndjeshmërinë e njerëzve dhe në funksion të respektit për veten, në mënyrë që çdo nismë të jetë sa më e përsosur dhe sa më aktuale.

VOA:  Zoti Rama, vitin e kaluar ju mbyllët një marrëveshje 3-vjeçare me FMN. Cila do të jetë marrëdhënia e mëtejshme me këtë institucion? Do të jetë ajo klasikja që ka çdo vend tjetër anëtar, apo do të kërkoni një marrëveshje tjetër, por në terma më lehtësuese nga ajo e mëparshmja?

Kryeministri Edi Rama: Jo, është një program i ri që është brenda, le të themi, portofolit të FMN-së. Nuk është vazhdimi i të njëjtit program dhe është krejt normal në një proces ku tanimë, ne kemi të garantuar një stabilitet shumë të qëndrueshëm makroekonomik dhe ku padyshim, roli i FMN–së nuk është aq i pranishëm saç ishte, por mbetet i nevojshëm, pasi është një partner i rëndësishëm në një proces ku ne kemi nevojë të bëjmë përparime ende më të mëdha.

VOA: Zoti Rama, një nga pikat e marrëveshjes së majit me PD ishte ajo për reformën zgjedhore, e cila pritet të jetë reformë madhore. PD kërkoi zyrtarisht ngritjen e një komisioni parlamentar. A do të kërkojë partia juaj ndryshimin e sistemit aktual, proporcional rajonal?

Kryeministri Edi Rama: Së pari, ne nuk kemi asnjë arsye që të hyjmë në detaje. Së dyti, PD duhet të mësojë që ka të gjitha të drejtat të kërkojë, por ka dhe detyrimin të dëgjojë dhe të plotësojë, le të themi, edhe kërkesat e palës tjetër, në mënyrë që të ketë dialog. Ne nuk mundet të ecim me menynë e paracaktuar nga PD, por sigurisht duhet të ecim në një proces ku palët ndërveprojnë dhe mirëkuptohen, duke përfshirë në axhendën e dialogut, çështje të një rëndësie të përbashkët, sipas këndvështrimeve të tyre. Me këtë dua të them që e mirëkuptojmë tërësisht kërkesën e PD, por tryeza e dialogut nuk mund të jetë një tryezë me një meny të përcaktuar nga njëra palë. Tryeza e dialogut duhet të përfshijë disa tema, ku reforma zgjedhore patjetër që është shumë e rëndësishme dhe ne jemi gati që të përfshihemi në të. Por nuk do të ecim në këtë proces sipas ritmit të PD, por sipas një ritmi të dakordësuar sëbashku, nëse vërtetë PD do dialog.

VOA: Zoti Rama, ju jeni shprehur më parë të bashkëpunoni me Turqinë, për të krijuar një linjë ajrore me flamur shqiptar. Në maj të këtij viti, ju deklaruat se shpresonit që në harkun e këtij viti do të nisnin fluturimet e para dhe se brenda tre muajve do të jepnit hollësi të tjera. Ku ndodhet ky proces?

Kryeministri Edi Rama: Kur të vijë koha do t’ua japim hollësitë e tjera.

VOA: Faleminderit!

Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit!

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here