Home Aktualitet Mblidhet Grupi Parlamentar i PS, ja diskutimet e hapura për publikun

Mblidhet Grupi Parlamentar i PS, ja diskutimet e hapura për publikun

87
0
SHARE

Fjala e ministrit të Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PS: 

Akti Normativ ka dy elemente thelbësore.

Një është financimi i importit të energjisë elektrike, duke mbështetur sistemin e energjisë të paguajë detyrimet ndaj buxhetit të shtetit, por pa procedura në mbledhjen e energjisë.

E dyta është një rialokimi i fondeve të investimeve publike, duke balancuar midis projekteve që nuk kanë ecur shpejt dhe projekteve që kanë ecur shpejt. Është shlyerja e gjithë detyrimeve të TVSH-së të projekteve të mëdha dhe projekteve IPA, që kanë ngelur pa u paguar në pesë muajt e fundit. Është një furnizim me fonde i Ministrisë së Mbrojtjes për dy arsye kryesore. Një është çështje politikash financiare me NATO-n, e dyta është financimi i radarit. Është furnizimi me financim i llogarisë së shpronësimeve publike. Ka një sërë investimesh publike që kanë mbetur prej mungesës së fondeve në këtë llogari.

Janë dy elemente të rëndësishme, që është mirë t’i dini në përballje me opozitën, përsa i përket aktit normativ: që ne e kemi ruajtur nivelin e deficitit pa ndryshuar. Kemi një balancë primare pozitive dhe dua të ndaloj vetëm disa sekonda këtu. Kur bëjmë debat për borxhin, ka një element që bën diferencë dhe nuk ka përtej çdo debati shifrash. Nëse një qeveri krijon deficit primar automatikisht ka filluar borxh të ri; nëse një qeveri nuk krijon deficit primar, por përkundrazi ka balancë primare pozitive do të thotë që i ka shërbyer borxhit. Pra ka kursyer dhe ka paguar borxhet që ka trashëguar në kurriz. Ky debat i borxhit, unë them që duhet kapur këtu, që të mos kapet me jo “rritët borxhin”, jo “ulët borxhin”; të kapet këtu. Është teknike, është politike dhe ta shpjegojmë prapë qartë për qytetarët se çfarë do të thotë deficit primar dhe balancë primare pozitive: që do të thotë se kur një qeveri është treguar e përgjegjshme, nuk krijon borxh të ri por paguan borxhin e vjetër ose anasjelltas. Unë besoj që na ndihmon në debat. Buxheti vazhdon të furnizojë direkt dhe indirekt rritjen ekonomike. Me datën 29 del dhe shifra e re e rritjes ekonomike; për tremujorin e parë është 3.94. Të gjitha statistikat reale, të nxjerra jo nga qeveria, tregojnë që ekonomia është përshpejtuar dhe në tremujorin e dytë sigurisht jo aq sa duam ne. Ne duam 6,7, por besoj e përshkallëzuar po shkon drejt katrës, që është pozitive. Besoj ja vlen t’i përmendim qoftë indekset e prodhimit, qoftë indekset e pagave, 50 mijë vendet e reja të punës, qoftë uljen e papunësisë që janë shumë të rëndësishme, i keni që të gjitha atje. Unë dua t’ju them që Akti Normativ është betejë shumë specifike për të mbajtur deficitin dhe borxhin. Domethënë, natyrshëm qeveria ka presion shumë të madh për alokime dhe për fonde, por besoj platforma që u sakrifikua në katër vite për ta ndërtuar përsëmbari, ashtu siç u bë e balancës makroekonomike dhe rritjes ekonomike, furnizohet besoj unë më së miri nga një ekuilibër shumë strikt makro dhe fiskal, që vazhdon akti gjithashtu.

Fjala e deputetit Saimir Tahiri në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste:

Mund të them diçka për këtë, sepse i detyrohem kolegëve të Komisionit të Ligjeve me të cilët bëmë një diskutim lidhur më këtë çështje. Unë mendoj që ne nuk na shërben qasja e kontabilistit në këtë historinë e Vettingut dhe as duhet parë si çështje financiare. Po e them edhe atë që e thashë në Komision: Ne s’mund të jemi të lirë në miell dhe të shtrenjtë në krunde kur vjen puna të paktën tek historia e Vettingut, pse kemi marrë një vendim politik dhe pse duhet ta çojmë deri në fund. Mbi të gjitha për t’i hequr justifikimin atyre trupave që nesër mund të na vijnë në Parlament dhe të na thonë ”s’na mbështetët, prandaj nuk po bëjmë detyrën”.

E them këtë se ndoshta jo pa shkak, por dy nga institucionet thanë aty “ne nuk bëjmë dot detyrën me këtë buxhet”. Po sigurisht propozimi i tyre duhej futur në një kornizë ligjore dhe kishte nevojë të paktën për t’u latuar. Kur këto institucione thonë që sot që “nuk bëjmë dot detyrën”, nesër çfarë do na thonë?

Ndoshta duhet parë me pak fleksibilitet nga ana jonë, ndoshta dhe nga Ministria e Financave, në mënyrë që nesër në seancë, jo pse kjo po kthehet në garë kush i do më shumë trupat e Vettingut, po pse ne duhet t’u heqim çdo justifikim atyre njerëzve që janë mandatuar atje, për të ardhur siç do na vijnë një herë në vit në parlament dhe të na thonë “s’e bëmë detyrën, se ju s’na dhatë lekët”.

Ne nuk kemi asnjë raport llogaridhënieje me ato trupa, për shkak se kështu është ligji, por të paktën nga pikëpamja e mbështetjes buxhetore të kemi mundësi t’i kërkojmë llogari për atë që bëjnë dhe të mos fshihen pas vendimmarrjeve tona.

Mund të jetë siç thotë Ministri i Financave dhe unë nuk kam asnjë dyshim. Meraku im është që në Komision,- na e thanë dy nga institucionet që “nuk bëjmë dot detyrën të cilën na ka ngarkuar parlamenti”,- e ritheksoj, ne nuk kemi asnjë marrëdhënie llogaridhënieje me të treja trupat. Po ne e dimë shumë mirë që e bashkëndajmë faturën në qoftë se ata s’funksionojnë. Kur na e thonë sot, kam merakun që do na e thonë prapë mbas një viti që “nuk e bëmë dot detyrën, se nuk na dhatë lekë”. E nëse fatura për të mbështetur këto Komisione sot është e diskutueshme, unë them është në të gjitha rastet më e vogël se fatura që kanë paguar shqiptarët në 20 e kusur vite për padrejtësitë.

Dhe hajde të shkurtojmë diçka tjetër, ku di unë, shkurtojmë borde, bishta institucionesh që ndoshta kanë nevojë të shkurtohen; këtu nuk duhet të kursejmë, pikërisht për të mos u fshehur pas vendimmarrjes sonë, këta njerëz që kemi deleguar të pastrojnë drejtësinë nga të korruptuarit. Ndoshta ka nevojë për t’u parë në aspekte të caktuara, të cilat ne i thamë edhe në Komision, por duhet që ditën e premte kur të fillojnë punë të mos e kenë këtë justifikim këta njerëz. Justifikimin që parlamenti nuk na mbështeti dhe prandaj s’jua bëjmë dot punën. Ky është meraku im i vetëm. Unë s’kam asnjë merak tjetër. E kuptoj edhe nikoqirllëkun nga pikëpamja financiare. Por unë them që kjo është një situatë e pazakontë që duhet zgjidhur; këto janë trupa të pazakonta që duhen zgjidhur me mjete të pazakonta dhe ne duhet ta përballin këtë faturë.

Faleminderit!

Reagimi i ministrit Ahmetaj pas fjalës së Saimir Tahirit:

Unë jam plotësisht dakord me Sajmirin në logjikë, dhe kuptohet që detajet janë të rëndësishme në këtë histori. Unë e ftoj Sajmirin të ulet me mua, të shohim detajet dhe ai të dalë i qetë që i kemi dhënë mbështetjen maksimale strukturës nga ana financiare. Kemi ndërtuar së bashku me Komisionin e Ligjeve një strukturë qoftë materiale thelbësore, qoftë mbështetëse të plotë. Prapë dua ta theksoj atë që tha Kryeministri: Jemi duke thënë do kenë 100% rritje rroge, që e kanë me ligj, apo do kenë 120%, 150% apo 200%. Pra jemi duke folur për mbështetje ekstra. Struktura është e plotë dhe, më vjen mirë që e thekson Sajmiri, nuk ka pasur logjikë kontabiliste në strukturë. Struktura ka logjikë funksionale dhe kontabiliteti është rrjedhojë e funksionalitetit. Kështu është parë me Komisionin e Ligjeve dhe besoj që është bërë më e mira e mundshme. Unë po jua them edhe shifrën shtesë 242 milionë lekë e 211 nëse doni, sepse e kam të fiksuar, dje jam marrë detajisht me atë, që janë shtesa të konsiderueshme. Nuk është puna këtu, këtu është tek 18 milionë dollarë shtesë në 2019, dhe mos harroni që janë dhe disa institucione, të paktën 3 ose 4 nëse nuk jam gabim z. Xhafa dhe zonja Ministre për t’u formuar, që kanë nevojë po për mbështetje financiare me struktura standarde.

Kjo është marrëveshja; është një praktikë e konsoliduar në shumë parlamente dhe parti politike të vendeve të Europës Perëndimore.

Shqyrtimi i çështjeve të rendit të ditës të seancës plenare të datës 28 shtator 2017.

Fjala e kryetarit të Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla:
Siç e dini, çështja e parë dhe më  e rëndësishme e rendit të ditës është akti normativ nr. 2, datë 16.08.2017  “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 130, 2016, “Për buxhetin e vitit 2017”.
Në dosje keni një informacion të përgatitur në konsultim me Komisionin për Ekonominë dhe Financat; është aneksi 1 i dosjes tuaj.

Informacioni që ka ardhur nga Ministria e Ekonomisë dhe Financave, ajo përmbledhje që është bërë edhe nga Kryesia e Grupit në konsultim me Komisionin, është shteruese. E sigurisht që materiali tërësor është dokument bazë për përgatitjen e diskutimeve nga ana e deputetëve, të cilët do të përcaktohen nga Kryesia e Grupit për të mbajtur qëndrime në seancë.

Kemi edhe 3 marrëveshje:

1.   Ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Suedisë për programin “Për forcimin dhe policinë në komunitet”.

2.   Marrëveshja ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë për bashkëpunim financiar 2016, për projektin, programin  “Për rinovimin e konvikteve në Kampusin Universitar të Tiranës” sipas parimit të efiçencës energjetike.

3.   Marrëveshja ndërmjet Republikës së Shqipërisë, Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut, që plotëson Konventën Europiane “Për ekstradimin në vitin 1957”.

Komisionet përkatëse janë në shqyrtim apo i kanë shqyrtuar, dhe sigurisht ato do të jenë gati për seancën e ditës së enjte.

Gjithashtu, si pjesë e rendit të ditës kemi një njoftim që do të jetë i përhershëm i mbledhjes së Grupit Parlamentar, për nisma të depozituara apo që janë ende të pashqyrtuara në kuvend.

Besoj se është e qartë, me miratimin e kryeministrit unë si Kryetar Grupi do firmos kërkesën që këto tre projektvendime  t’i kërkohen kryetarit të Kuvendit dhe Konferencës së Kryetarëve të hyjnë në seancën e ditës së enjte.

Ministri i Drejtësisë së bashku me Komisionin e Çështjeve Ligjore do të duhet të bëjnë sqarimet përkatëse për të gjithë këtë tymnajë që mundohet të ngrihet. Fakti është që edhe pse janë parashikuar javën tjetër, ne do të kërkojmë që këto të kalojnë menjëherë; sepse është shumë e rëndësishme që e gjithë kjo strukturë që rregullohet me këto tre projektvendime, të jetë sa më efikase dhe gati për të filluar punën.

Kemi dhe dy çështje të tjera organizative:

Së pari, kolegë deputetë, prej ditës së enjte secili prej jush do të marrë vendin në sallë sipas komisionit që ka dhe Kryetari i Komisionit me secilin prej komisioneve do të bëjë gati së bashku me sekretariatin e grupit një skemë të vendosjes në sallë.

Dua t’ju informoj se kemi filluar një dialog shumë konstruktiv me Kryetarin e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike lidhur me formësimin e një jete parlamentare shumë më të rregullt, edhe përsa i përket agjendës.

Sigurisht nuk jam sot për t’ju dhënë një konkludim tërësor të gjithë këtyre ndryshimeve, por dua t’ju them se sipas modeleve më të mira qoftë të Parlamentit Europian apo vendeve të BE-së, do të duam që edhe agjenda e jetës parlamentare në Shqipëri të ketë një kohë sa më të madhe në dispozicion për takimet me zgjedhësit.

Për këtë qëllim, ne do të kemi mbledhje sa më intensive përsa i përket komisioneve apo seancës, por do synojmë që jeta parlamentare në agjendën e vet të ketë sa më shumë kohë për takimet me zgjedhësit.

Lidhur me reformën zgjedhore do të doja thjesht të merrja miratimin tuaj si hap të parë, përveç miratimit të kësaj kërkese në kuvend për ngritjen e Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore. Do doja që t’i kërkoja grupit miratimin që bashkëkryetar i këtij komisioni, sipas formulës së paracaktuar tashmë prej vitesh, të ishte kolegu ynë Bledi Çuçi.

Fjala e kreut të Komisionit të Ekonomisë dhe Veprimtarive Prodhuese, Erion Braçe:

Lidhur me vendimin për Vettingun, për strukturat dhe pagat e tyre.

Kam përshtypjen se është një vendim që ka në mënyrë të qartë efekt financiar. Kësaj radhe u tejkalua, mirëpo unë kërkoj që herë tjetër kjo gjë të mos ndodhë më, që vendime të tilla të mos kalojnë në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave.

Reagimi i kreut të Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla:

Është shumë e drejtë. Të gjithë kryetarët e komisioneve janë prezentë në Konferencën e Kryetarëve, dhe është kërkesa juaj në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve që ajo çështje të merret në shqyrtim.

Sa herë që bëhet fjalë për projektligje apo projektvendime me faturë financiare, është detyruese. Me këtë rast i tërheq vëmendjen shërbimeve edhe të kuvendit më pas, që kjo çështje të adresohet menjëherë dhe të mos ketë ligj apo amendim që të mos kalojë në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave.

Fjala e deputetit Paulin Stërkaj:

Këto dy javët e fundit ka pasur një problem me mediat për një situatë që ka ndodhur në Malësi të Madhe. Dua të informoj Grupin Parlamentar që ajo nuk ka patur lidhje fare me prishjen e shtëpisë së heroit Prek Cali. Ne Prek Calin as nuk mund ta rrisim as nuk mund ta zvogëlojmë, atë e ka bërë historia, e ka vënë në atë vend. Por në shtëpinë e Prek Calit, ca individë të veshur me pushtet edhe parlamentar dhe me ish-pushtet vendor kanë vendosur t’i rikonstruktojnë shtëpinë Prek Calit. E kanë prishur atë, e kanë shkatërruar atë; thjesht Bashkia e Koplikut, që unë nuk kam punë me të, por është pjesë e bashkisë. I është kërkuar ndihmë nga familja e mbetur e Prek Calit, nga nipi, nga djali i vajzës së tij, që: “Po më grabisin shtëpinë e dajës”. I është vënë në dispozicion; ka bërë procedurën bashkia sipas ligjit për policinë e ndërtimit. E ka mbajtur të bllokuar dy javë, dhe pas dy javëve ka shkuar e ka prishur muret e vjetra.
Në këtë kohë na del një deputet, atje në publik, dhe garanton që nuk do e bëjë dykatëshe, por do e bëjë trekatëshe, se ka lënë njerëz Prek Cali gjallë. Deputeti që ka dalë është 15 breza larg. Si e ka ai, e kam edhe unë Prek Calin. E ky është dëm i madh, sepse ndërtohen gjëra të pakëndshme në opinionin publik. Pra, ne veçse e kemi ruajtur shtëpinë e Prek Calit dhe trojet e Prek Calit, sepse një grup i caktuar interesash, sepse ka shkuar rruga deri në Vermosh. Çfarë mund të bëjmë; kujt mund t’ia marrim? Janë nja 40 dylym te shtëpia e Prek Calit. Duke i thënë që “e kam gjysh”, për t’ia marrë tokën e për ta përdorur për biznese të veta.
Këtë desha t’i sqaroja Grupit Parlamentar. Nuk ka asnjë lidhje politike, asnjë lidhje me heroin Prek Cali. Ka thjesht lidhje t’i ruajë trojet dhe shtëpinë Prek Calit nga pushteti vendor dhe nga ana jonë, që e kemi atë pushtet atje. Prandaj çdo thashethem atje nuk ka fare lidhje me figurën e Prek Calit. Ne dimë gjithçka ka ndodhur, që me ngjarjet e ’45 të asaj kohe, por ne kemi lidhje me trojet e shtëpisë së Prek Calit, që si pushtet lokal kemi marrë denoncim nga nipi i vetëm që ka lënë Prek Cali, që “Po na përdhunojnë shtëpinë e dajës”.
Kisha dhe një problem tjetër, që si deputetë të gjitha këto reforma i përshëndesim, unë të paktën personalisht, por duhen edhe ca gjëra që realisht na mungojnë: kushtet për të shkuar normalisht në parlament. Shkojmë në seancë parlamentare, dalim jashtë e gjejmë gjobën. Po kështu ka ndodhur edhe para 4 vjetëve. A ka mundësi të na krijohet një kusht që ne të mos penalizohemi dhe të krijohen kushte që deputetët ta kenë parkimin me pagesë, që realisht edhe i ruhet makina por edhe nuk penalizohet nga policia.

Reagimi i kreut të Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla:

Në fakt është diçka që e kam diskutuar në çështjet organizative; e kam zgjidhur këtë problem për të gjithë deputetët e parlamentit. Me mbështetjen e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, çdo deputet që ka nevojë do të parkojë në një parkim privat ngjitur me parlamentin. Kjo çështje ka marrë një zgjidhje. Sikurse më pas, me punën që po bën Bashkia e Tiranës është planifikuar që prej vitit tjetër tek xhamia e Namazgjasë janë 250 vende parkimi, të cilat janë të parashikuara edhe për deputetët. Për deputetët e Partisë Demokratike ju e dini që ata e kanë parkimin falas, sepse kanë marrë SHQUP-in qyl, por edhe për ta kemi gjetur të njëjtën zgjidhje siç po e gjejmë për ju. Ndërkohë jemi duke bërë përpjekje që edhe këtu ku zhvillojmë mbledhjet e grupit, me të njëjtën frymë dhe formulë në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës dhe me subjekte private që operojnë në sistemet e parkimit, të gjejmë një zgjidhje.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here