Home Aktualitet T’i mbetemi besnikë nevojës për të qeverisur shumë më mirë shqiptarët

T’i mbetemi besnikë nevojës për të qeverisur shumë më mirë shqiptarët

102
0
SHARE

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste:

Së pari, dua të falenderoj drejtuesit e grupit për organizimin e kësaj hapësirë në funksion të mbledhjes së grupit, duke pasur parasysh se  salla e mbledhjeve në selinë tonë u bë e vogël, për numrin e deputetëve që dolën nga zgjedhjet e fundit.

Loading...

Sot është një  moment i posaçëm për këtë legjislaturë, përsa na takon, sepse e nisim punën e përbashkët me një Marrëveshje shumë të rëndësishme Mirëkuptimi, ndërmjet kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste të Shqipërisë në emër të gjithë deputeteve, Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Socialiste të Shqipërisë,  në emër të strukturave drejtuese të Partisë Socialiste në të gjitha nivelet dhe ministrave të qeverisë sonë.

Kjo marrëveshje synon që të çojë në një nivel të ri bashkëpunimin mes këtyre palëve, që në fakt janë pjesë e së njëjtës skuadër, për të rritur cilësinë e punës  së përbashkët dhe përgjegjshmërinë individuale dhe kolektive të këtyre pjesëve përbërëse të skuadrës, në funksion të përmbushjes së detyrimeve të mëdha që burojnë nga kontrata e Partisë Socialiste me popullin shqiptar për vitet 2017-2021.

Kjo është një marrëveshje që dakordëson fushat dhe instrumentet që sigurojnë bashkëveprimin mes qeverisë, grupit dhe partisë, në funksion të një cilësie të re të komunikimit të brendshëm dhe komunikimit me publikun, kohezionit të vendimmarrjes dhe të jetësimit të objektivave dhe të vendimeve që marrim së bashku, trajtimin në kohë dhe  me cilësi të ankesave dhe kërkesave të njerëzve të zakonshëm në çdo komunitet.

Kjo marrëveshje përbën një pikë të palëvizshme referimi për Grupin Parlamentar Socialist dhe për çdo deputet, për kabinetin qeveritar dhe për çdo ministër, për Sekretariatin e Partisë Socialiste dhe për nivelet drejtuese qendrore dhe vendore të saj, në funksion, në radhë të parë, të jetësimit të bashkëqeverisjes me njerëzit e zakonshëm.

Për elementet e marrëveshjes do të referojë në mënyrë të detajuar kryetari i grupit, që unë  e falënderoj së bashku me Sekretarin e Përgjithshëm, për një punë shumë cilësore të bërë edhe në bashkëpunim me ekspertë, për ta hartuar këtë dokument që është një libërth rregullash të bashkëjetesës sonë  politike.

Dua të rinënvizoj domosdoshmërinë që ne të vazhdojmë t’i mbetemi besnik asaj që besoj të gjithë së bashku mësuam nga leximi i zgjedhjeve të 25 qershorit, nevojës për t’u bërë më të mirë dhe për të qeverisur shumë më mirë, nisur nga fakti se shqiptarët, në radhë të parë na votuan për atë që ne mund të bëjmë dhe jo për çka bëmë në katër vitet e para.

Është një pikënisje që do të jetë pikënisja e çdo dite për secilin prej nesh, për të bërë më mirë dhe më shumë, duke e bërë edhe përpjekjen tonë të përbashkët, një përpjekje më të mirë për më shumë.

* * *

Është e qartë për të gjithë që ne jemi të dëshiruar të vazhdojmë ndërveprimin me opozitën, në frymën e Marrëveshjes së 18 majit, e cila është një frymë në shërbim të interesit të përbashkët kombëtar dhe publik. Natyrisht që një kërkesë për të adresuar çështje që lidhen me procesin zgjedhor është krejtësisht brenda kornizës së Marrëveshjes së 18 majit, por nga ana tjetër, Partia Socialiste nuk është një klient që ulet në tryezë për të pranuar menunë që i vihet përpara. Që do të thotë, Partia Socialiste është palë dhe një palë e rëndësishme, pa të cilën natyrisht s’mund të ketë asnjë tryezë dhe si e tillë, Partia Socialiste ka të gjithë vullnetin e mirë që të çelë një diskutim për përmirësimin e mëtejshëm të procesit zgjedhor, por në kuadër të një konceptimi tërësor të marrëdhënies qeveri-opozitë PS-PD, që do të thotë se nuk është vetëm procesi zgjedhor, por ka dhe të tjera çështje me rëndësi të madhe publike, që meritojnë të adresohen bashkërisht.

Natyrisht, nëse flasim për një tryezë dialogu dhe për një bashkëpunim midis qeverisë dhe opozitës, nuk flasim për një tryezë ku ne bashkohemi për të gjitha gjërat që na ndajnë si kampe, por flasim për një tryezë ku ne ulemi për interesa të rëndësishme të njerëzve dhe të vendit.

Thënë të gjitha këto, e përsëris,  mirëpresim Partinë Demokratike në një dialog të vërtetë dhe realist të lidhur me procesin zgjedhor, por dëshirojmë paraprakisht të përcaktojmë së bashku me Partinë Demokratike një kornizë të qartë, brenda të cilës do të zhvillohet dialogu dhe bashkëpunimi i shumicës parlamentare me opozitën.

Kjo natyrisht nuk përjashton opozitën tjetër. Përkundrazi, e integron atë, por boshti i dialogut është Partia Socialiste dhe Partia Demokratike. Pastaj, në zgjatimin e këtij boshti është e mirëpritur edhe opozita tjetër parlamentare të japë kontributin e vet, që do të thotë se, nëse synojmë konsensus dhe ne konsensus synojmë për këtë çështje, baza e konsensusit është Partia Socialiste dhe Partia Demokratike.

Përsa i përket çështjes së dekreteve, ne do të mbajmë një qëndrim, siç e kemi shprehur, në respekt të procedurës së Kuvendit të Shqipërisë dhe do të tërhiqemi nga projekti si i tillë, në këtë fazë, pasi besojmë jo se ata e kundërshtojnë projektin kanë të drejtë, jo që Presidenti i mëparshëm që ktheu projektin ka të drejtë, por që është e drejta e të gjithë qytetarëve që të jenë të mirëinformuar për këtë projekt. Flas për projektin e riciklimit të mbetjeve, që nuk ka të bëjë asgjëkund me të gjitha spekulimet dhe manipulimet e paskrupullta të opinionit publik për axhenda tërësisht politike, apo tërësisht pa lidhje me axhendën e modernizimeve dhe integrimit të vendit.

Ne jemi shumë të qartë se për çfarë bën fjalë projekti dhe ku duan të dalin ata që i janë kundërvënë projektit, por dua të theksoj edhe njëherë që kjo është një lëvizje në drejtim të qytetarëve. Na intereson që të mos ngelet asnjë shqiptar pa u informuar deri në fund, lidhur me ç’është në thelb projekti i riciklimit të mbetjeve në vend.

Së fundi, më vjen shumë keq që është hapur një debat steril lidhur me Vetting-un, që e lidh Vetting-un me numrin e punonjësve. Ne jemi në një fazë ku po bëjmë një ristrukturim të thellë dhe modernizues të mekanizmave të pushtetit ekzekutiv, duke filluar nga ministritë dhe e dimë shumë mirë se nuk është çështje numri punonjësish, por është çështje strukturimi si duhet i një institucioni, për të marrë rezultatin maksimal. Nuk do të thotë që sa më shumë punonjës të kesh, aq më shumë rezultat ke. Përkundrazi! Për më tepër, në rastin konkret, kur është fjala për një proces kaq të rëndësishëm sa është procesi i Vetting-ut, ne jo vetëm nuk do të kursejmë asnjë burim që qeveria ka dhe duhet t’ia vërë në dispozicion këtij procesi, por përkundrazi do të bëjmë gjithçka që është e nevojshme. Ama, asnjë tejkalim i kotë dhe abuziv nuk mund të pranohet me arsyen se kjo është çështje e rëndësisë së veçantë.

Debati mirë se të vijë! Ne, të enjten do të jemi të gatshëm t’i japim të gjitha përgjigjet e nevojshme. Thjesht ia vlen që t’i paralajmërojmë kolegët tanë që të përgatiten mirë, sepse rrezikojnë të dalin krejtësisht qesharakë, në rast se do të vazhdojnë me argumentet që kanë përdorur deri më sot, përballë argumenteve me të cilat do të përballen ditën e enjte.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here