Home Sociale BASHKIA E TIRANËS TESTON AUTOBUSIN E PARË ELEKTRIK

BASHKIA E TIRANËS TESTON AUTOBUSIN E PARË ELEKTRIK

94
0
SHARE

Transporti publik në Tiranë ka hyrë në një epokë të re. Bashkia e Tiranës nisi sot testimin e autobusit të parë elektrik, duke shënuar një hap të madh drejt modernizimit të transportit publik në kryeqytet, miqësor me mjedisin. Në prani të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ministrit të Infrastrukturës dhe Energjetikës, Damian Gjiknuri, ministrit të Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi, ambasadorit të Polonisë në Shqipëri, Karol Bachura, kompania e njohur polake “Solaris”, autobusët e së cilës përdoren në 32 vende të botës, prezantoi sot mjetin elektrik që do të testohet në linjën urbane Kinostudio-Kombinat.

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u shpreh i kënaqur që edhe Tirana po bëhet pjesë e këtij ndryshimi të madh, ndërsa theksoi se me këtë teknologji kryeqyteti po ndjek të njëjtin hap zhvillimi si dhe shumë qytete të zhvilluara në botë. “Ajo që po bëjmë në Tiranë është në fakt ajo që po ndodh edhe në Paris, ku zyrtarët e Bashkisë atje po testonin dy autobusë elektrikë në linjat e Parisit. Të qenit pas me zhvillimin të jep mundësinë të kapërcesh fazat, pra në vend që ta mbushim Tiranën me kabllo trami dhe teknologji që i përket viteve 70-80, po zhvillohemi duke kapur teknologjinë e fundit, atë më modernen. Në këtë kuptim, Tirana sot është në avantgardë. Ndihem realisht krenar që në qytetin tonë jemi duke bërë të njëjtin diskutim që po ndodh në Paris, në Amsterdam, në Barcelonë, Varshavë etj”, tha Veliaj.

Ai u bëri thirrje kompanive që operojnë në fushën e transportit publik që të nisin sa më parë porositjen e autobusëve të kësaj teknologjie. Në të kundërt, ai paralajmëroi se Bashkia e Tiranës po mendon të krijojë një kompani publike të transportit urban, nëse kompanitë aktuale të transportit nuk do t’i përgjigjen këtij standardi. “Kur thashë se do krijoja një kompani publike të pastrimit të qytetit, operatorët privatë e morën me shaka. Por, e krijuam në kohë rekord. Po ju them sërish sot, do të krijojmë një kompani publike të transportit, nëse operatorët privatë nuk do të na përgjigjen në këtë shkallë modernizimi. Detajet do t’i bëjmë specifike më vonë, por ajo që do të kërkojmë është që, në mënyrë graduale, nga 10% apo 20%, të kërkojmë kthimin e flotës në autobusë elektrikë”, tha Veliaj.

Për të bërë të mundur realizimin këtij synimi, ai tha se në bashkëpunim edhe me qeverinë qendrore do të jepen incentiva për operatorët privatë që të përqafojnë sa më shpejt këtë teknologji që mbron mjedisin. “Mund të jetë një ulje në taksa, në doganë, mund të jetë subvencionim i energjisë që shkon vetëm për autobusët elektrik; sot jemi një qytet që kemi vet hidrocentral, shumë shpejt do të kemi një termocentral nga shndërrimi i mbetjeve në energji, pra vetë qyteti do të gjenerojë energji që mund të përdoret dhe mund të incentivojë operatorët. Nga testimet e ndodhura në SHBA në një dekadë, një autobus kursente 500 mijë dollarë karburant, do të thotë që s’do as mend dhe as kalem për të kuptuar që edhe ekonomikisht në afatgjatë, ky është një investim që vlen”, tha Veliaj.

Veliaj siguroi se përveç kostove që mund të ketë fillimisht blerja e autobusëve të rinj, futja e kësaj teknologjie do të jetë një investim i favorshëm për të ardhmen dhe financat e operatorëve, kjo për faktin se ato do të punojnë me një kosto më të ulët. “Jemi në fazën e parë dhe Tirana po bëhet pjesë e këtyre qyteteve pilot që futet në këtë teknologji. Por, siç kemi parë edhe në teknologjitë e tjera, duke filluar që nga celularët apo nga mjetet e tjera, sa më shumë ecën zhvillimi, aq më shumë bie çmimi. Ajo që parashikojmë është që me futjen e aktorëve në një treg që deri më tani është rritur me 20% në vit, por që presim të 5-fishohet në të ardhmen, sigurisht me gjithë inovacionin që po ndodh, edhe çmimet do të fillojnë të reduktohen dhe besoj se shumë shpejt do jetë më e përballueshme edhe për ata aktorë lokalë në qytetin tonë që të kenë mundësi të blejnë apo të transformojnë flotën e tyre”, u shpreh ai.

Veliaj shtoi se pas testimeve, brenda këtij viti do të hartohet dhe një plan që do iu vendoset në dispozicion të gjithë operatorëve për të bërë dhe transformimin e flotave të tyre. “Ky është vetëm fillimi, sot po bëjmë një hap të guximshëm. Ka disa ditë që ka filluar testimi i linjës Kombinat-Kinostudio; autobusi do të testojë edhe disa linja të tjera, në fund do të marrim një raport për mënyrën se si performon dhe çfarë pakete baterish do duhet të porosisim për qytetin e Tiranës. Brenda këtij viti do t’i japim një platformë të gjithë operatorëve se çfarë presim si kalendar i viteve të ardhshme për shndërrimin e flotës. Por, sot është një ditë e bukur për Tiranën, ku para dy vitesh disa gjëra dukeshin si përralla me mbret, ndërsa tani po bëhen realitet”, theksoi kryebashkiaku Veliaj.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi falenderoi kryebashkiakun Veliaj për ndërmarrjen e kësaj nisme që kontribuon për një mjedis më të pastër. “Kjo që po prezantojmë sot është një nga pjesëzat e vogla të një mekanizmi të madh që duam të ndërmarrim, për të pasur mundësi që ta transformojmë mënyrën e të menduarit për mjedisin. Jemi në bisedime të vazhdueshme edhe me shoqatat e autolëvizjes, edhe me ata që bëjnë tregtinë e mjeteve motorike në Shqipëri, për të pasur mundësinë që nëpërmjet akteve normative t’i shkojmë për shtat zhvillimit të një biznesi të qëndrueshëm në këtë fushë. Përgëzojmë këtë nismë të Bashkisë së Tiranës, e cila kërkon të sjellë në Shqipëri një nga metodat më moderne dhe një nga metodat më efikase sot në botë, për të pasur një mjedis të qëndrueshëm”, deklaroi Klosi.

Edhe Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Erion Veliaj, përgëzoi Bashkinë e Tiranës për këtë hap të rëndësishëm të hedhur në fushën e transportit publik. “Realisht dua ta përgëzoj Bashkinë e Tiranës për këtë nismë të guximshme, e cila patjetër ka edhe sfida brenda dhe kërkon një projekt të mirë menduar. Edhe qeveria shqiptare duhet të mendojë se si të incentivojë më shumë automjetet që punojnë me energji elektrike, si automjete të cilat adresojnë edhe problemet e ndotjes, por edhe objektivat që kemi në lidhje me efiçensën e energjisë elektrike. Është testi i parë, do kuptojmë avantazhet ekonomike, pse jo me mbështetjen edhe të donatorëve, por edhe roli që do të luajë qeveria shqiptare në projektet e efiçensës së transportit, nëpërmjet transportit ekologjik, autobusëve me energji elektrike. Unë do të angazhohem së bashku me kryetarin e Bashkisë për të bërë gjithçka në këtë drejtim dhe realisht dua ti them bravo Erionit për këtë nismë të parë”, theksoi Gjiknuri.

Pas prezantimit, kryetari i Bashkisë së Tiranës, përfaqësuesit e kompanisë “Solaris”, ambasadori i Polonisë, përfaqësues të kompanive shqiptare të transportit që operojnë në Tiranë dhe gazetarë, bënë një udhëtim me autobusin elektrik duke parë nga afër mënyrën se si ai performon në trafikun dhe rrugët e Tiranës.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here