Home Ditar MiG-15, si u hodhën bazat për kalimin në epokën reaktive të forcës...

MiG-15, si u hodhën bazat për kalimin në epokën reaktive të forcës ajrore

127
0
SHARE

I projektuar dhe prodhuar me shpejtësi, MiG-15 u prodhua në sasi të madhe në katër vende dhe hodhi bazat për kalimin në epokën reaktive të forcës ajrore sovjetike. Bota e njohu në Luftën e Koresë, ku i vetmi avion perëndimor që mund t’i bënte ballë ishte amerikani F-86Sabre.

Në mars 1946, Kremlini kërkoi nga projektuesit sovjetikë që të shpejtonin punën për gjuajtësin transonik (pranë shpejtësisë së zërit). Zyra teknike MiG e themeluar në 1938 nga Artem Mikoyan dhe Mikhail Gureviç e kishte të qartë që ky rezultat mund të arrihej vetëm me një “krah shigjetë” (krahë të tërhequr nga pas, si maja e një shigjete). Në Bashkimin Sovjetik, kërkimet për këtë shpejtësi kishin ecur mjaft, që përpara luftës por, ashtu si në Sh.B.A, prania e ekspertëve gjermanë dhe eksprienca e tyre në fushën e aerodinamikës bënë që të ecej përpara me shpejtësi në ndërtimin e celulës (trupit). Ndërsa në këtë drejtim dhe me katapultën për hedhje në shpejtësi të lartë puna ecte me shpejtësi, në realizimin e motorit kishte prapambetje. Teknikët sovjetikë kishin motorët BMW 003 dhe Jumo 004, por shtytja e tyre ishte e pamjaftueshme për këtë qëllim. Atëhere shkuan në Angli për të studjuar motorët Rolls-Royce “Nene” dhe “Derwent”. Në shtator 1946, bashkimi Sovjetik bleu 10 Nene dhe në mars 1947, edhe 15 të tjerë. Pas kësaj, Vladimir Klimov arriti të realizojë motorin RD-45. Ndërkohë, MiG kishte studjuar variante të ndryshme dhe më në fund një skemë e thjeshtë, në të cilën motori ndodhej në pjesën e pasme; ajri hynte nga pjesa e përparme duke u ndarë në dy drejtime që anashkalonin pilotin.

Në vitin 1947 u prodhuan tre prototipa të quajtur I-310: dy u pajisën me motorin Nene 1 dhe tjetri me Nene 2 (Rd-45). Në 30 dhjetor u krye fluturimi i parë i pilotuar nga Viktor Yuganov. Menjëherë nga Kremlini u kërkua që MiG-15 (ky ishte emërtimi zyrtar) të prodhohej me ritëm të plotë duke filluar nga mesi i 1948-ës. Provat e kryera me tre protototipat sollën ndryshime të rëndësishme nga projekti fillestar. Në qoftë se rezultatet e arritura nga MiG ishin të mira, po kështu ishin edhe ato të rivalit Lavoçkin La-15, për të cilin, gjithashtu, u kërkua të hynte në prodhim.

Në 30 dhjetor 1948, saktësisht një vit pas fluturimit të prototipit të parë, u ngrit në ajër i pari MiG-15 dhe pas konkluzionit përfundimtar në tetor 1948, hyn në shërbim në janar 1949.

Zhvillimi i MiG-15 (NATO e quajti me emrin e koduar “Fagot”), vijoi së bashku me prodhimin. Motorët e parë RD-45, pas pak u zëvendësuan nga më i besueshmi RD-45F. Disa anomali në linjën e montimit dhe që sollën pasoja në fluturim u ndreqën menjëherë. Projektuesi i motorit, Klimov, shumë shpejt arriti të realizojë një version më të fuqishëm. Pas rezultatit të mirë të provave u vendos që të hynte në linjë dhe avioni i pajisur me të nisi të quhet MiG-15bis. Ky është versioni më i prodhuar dhe që nga viti 1955, me të u pajis dhe Aviacioni Shqiptar.

Armatimi i MiG-15 përbëhej nga tre topa të vendosur në pjesën e përparme: dy 23 mm nga e majta dhe një 37 mm nga e djathta. MiG kishte në studim dhe modelin dyvendësh, fluturimi i parë i të cilit u krye në janar të vitit 1949. MiG-15UTI (modeli stërvitor dyvendësh) nisi të prodhohet në seri nga pranvera. Nga ky model u realizua dhe një tjetër i pajisur me radar. MiG-15UTI pati një karierë të gjatë si stërvitor i përparuar dhe ishte shumë i përshtatshëm për kalimin tek MIG-17/19.

 

Njëvendëshi

Për rolin e shoqëruesit u zhvilluan versione me reze të gjatë për të dy variantet bazë të gjuajtësit, të quajtur Mig-15S dhe Mig-15bisS. Këta kishin serbatorë me të mëdhenj të varur tek krahët dhe mund të shoqëronin bombarduesit e rëndë.

MiG-15bisR ishte një model rikonjicioni i pajisur me fotokamera në pjesën e poshtme, por që ruante armatimin me topa. Për kërkime aerodinamike në shpejtësi të lartë u realizua një model i modifikuar tek bishti dhe me komanda hidraulike, i cili në 18 tetor 1949 arriti shpejtësinë Mach 1.01 (1236.24 km/orë) në pikjatë. Më pas komandat hidraulike nisën të vendosen tek të tërë modelet e serisë. Kjo ishte një eksperiencë pozitive për modelin e ardhshëm MiG-17.

MiG-15 pati një rol edhe në industrinë e re të radarëve për gjuajtësit. Një Mig-15bis u pajis me radar Toriy (paraardhësi i Izumrud) të vendosur në pjesën e sipërme të hyrjes së ajrit. Armatimi u zvogëlua vetëm në një top 37 mm (më pas 45 mm). I vetmi version që arriti prodhimin e serisë (edhe pse të kufizuar) ishte MiG-15P i pajisur me radar Izumrud dhe dy topa 23 mm. Të tillë u prodhuan dhe disa dyvendësh UTIMiG-15P.

Versione të tjerë që vlejnë të përmenden janë MiG-15T/bisT, i përdorur për tërheqjen e shenjave ajrore gjatë qitjeve, Mig-15bisF me fotokamera të vendosura në një bllok ndën trup dhe gjuajtës-bombarduesi MiG-15SB. Ky i fundit mund të përdorte raketa shtytëse për ngritje nga pista të shkurtëra ose gjysmë të përgatitura. Për të zvogëluar rrugën e frenimit kishte një parashutë frenimi në bisht.

Me modelin MiG-15ISh janë bërë prova për sulm në tokë, duke u pajisur me varëse të posaçme për bomba ajër-tokë, ndërsa me MiG-15U janë kryer prova me mitrolozë të lëvizshëm të montuar në një bllok poshtë hundës. Disa avionë u pajisën me raketa shtytëse, të cilat, të vëndosura në fund të trupit të avionit, kanë për qëllim të rritin shpejtësinë (përdoret për ngritje nga pista shumë të shkurtëra ose për rritjen e shpejtësisë maksimale në një moment të caktuar). Një tjetër version ishin ata që u provuan për furnizim në ajër nga aeroçisternat TU-4. Po kështu, për rritjen e autonomisë në rolin e shoqërimit të bombarduesve, u provua tërheqja e MiG-15 nga Tupolev TU-4. Por tek MiG me motor të fikur nuk kishte ngrohje në kabinë dhe për rjedhojë, piloti nuk mund të rezistonte më shumë se disa minuta.

 

Prodhimi i huaj

Pavarësisht se MiG-15 u prodhua në sasi të mëdha në fabrikat sovjetike, prodhimi i tij u krye dhe në vende të tjera.

Me disa modifikime për përdorim lokal, MiG-15 u prodhua dhe në Ploni dhe u quajt Lim-1, MiG-15bis/Lim-2 dhe MiG-15UTI/SBLim-1.

Në Çekosllovaki u prodhua me emërtimin S.102 (MiG-15), S.103 (MiG-15bis) dhe CS.102 (MiG-15UTI)

Prodhimi me licensë u bë në Kinë nga Shenyang, e cila prodhoi J-2(MiG-15bis) dhe JJ-2 (MiG-15UTI).

Në total janë prodhuar reth 7500 MiG-15.

 

Në shërbim

Sapo hyri në shërbim, MiG-15 u përdor gjërësisht në luftën e Koresë. Vonë është mësuar që aviacioni sovjetik ka marrë pjesë aktive në luftime. Për të mos u kompromentuar, avionët mbanin shenjat e aviacionit kinez dhe korean, ndërsa pilotët niseshin në mision me uniforma të këtyre shteteve dhe pa dokumenta identifikimi. Në 1 nëntor 1950, MiG-ët rusë hyjnë aksion dhe sulmojnë një grup F-51D Mustang. Në 8 nëntor piloti Russell Brown me një F-80C rëzon një MiG. Ky është duluftimi i parë në histori ndërmjet gjuajtësve reaktivë. Në dyluftimet e para, MiG-15 ishte shumë superior kundrejt gjuajtësve të OKB-së, por me mbërritjen e F-86 Sabre, raportet ndryshuan. Në verë të vitit 1951 filluan të fluturojnë dhe pilotët kinezë e koreanë. Deri atëhere kishin fluturuar vetëm pilotët sovjetikë. Për të mos u kompromentuar në rast rëzimi, nuk kishin uniformat dhe shenjat e aviacionit sovjetik dhe as dokumenta identifikimi. Pavarësisht se ishte superior në disa drejtime kundrejt F-86 Sabre, në duart e pilotëve të papërgatitur mirë koreanë dhe kinezë, MiG u bë një pre e lehtë për ekspertët amerikanë të dalë nga Lufta e Dytë Botërore. Për sa i përket aviacionit sovjetik, në mars 1951 mbërrijnë dy divizione të rinj, njëri prej të cilëve komandohej nga asi i Luftës së Dytë botërore, Ivan Kozhedub. Dy regjimentet e tij, i 176-ti dhe i 196-ti u bënë dy repartet MiG-15 me suksesin më të madh në luftë. Yevgeni Pepelyaev që komandonte regjimentin 196, me 23 avionët e rëzuar u bë piloti më i suksesshëm i luftës. Pati dhe nja dy reparte që erdhën të papërgatitur dhe pas humbjeve të rënda, u zëvendësuan me të parët. Nga avionët perëndimorë, vetëm Sabre mund të përballej me MiG-15. MiG ngjitej më shpejt dhe ruante shtytjen në kuotë të lartë, ndërsa Sabre ishte më i shpejtë dhe më i manovrueshëm në kuotë të ulët. Për pasojë, shumë duele zgjidheshin me MiG-un që ngjitej lart me shpejtësi dhe Sabre që zhytej drejt tokës. Tre topat me ritëm të ulët por me fuqi të madhe të MiG-ut ishin shkatërues po të binin në shenjë, por edhe 6 mitrolozët me ritëm të lartë të amerikanit, shpesh arrinin të bënin më mirë. Në përfundim, raporti fitore/humbje (varet nga burimi i informacionit), ishte ndërmjet 7/1 dhe 13/1 në favor të F-86 Sabre. Kuptohet, shkaku kryesor kanë qenë pilotët e pa përgatitur mirë koreanë e kinezë.

 

Shërbimi në vende të tjera

Duke filluar nga viti 1953, MiG-15 u shpërnda në sasi të mëdha në vendet e Traktatit të Varshavës dhe më pas edhe në vende të tjerë. Gjatë kësaj periudhe MiG-15 u përball disa herë me avionët e NOTO-s. Dueli i parë ndodhi në 10 mars 1953, kur dy MiG-15 u ndeshën me dy F-84G dhe rëzuan një. Disa raste të tjera përfunduan me zbritjen në tokë të avionëve të kapur. Shumë punë patën dhe me “balonat metereologjike” të lëshuara nga CIA dhe të pajisura me aparatura fotografimi. Këto lëshoheshin jashtë teritorit të Traktatit të Varshavës dhe lëviznin sipas rymave të ajrit. Pas hyrjes në shërbim të MiG-17 në 1953, në Bashkimin Sovjetik mbeti në prodhim vetëm dyvendëshi stërvitor MiG-15UTI. Përveç vendeve të Traktatit të Varshavës, MiG-15 është blerë dhe nga këta vende: Afganistani, Algjeria, Angola, Kamboxhia, Kina, Kongo, Egjypti, Finlanda, Guinea, Indonezia, Iraku, Libia, Mali, Madakaskari, Mongolia, Maroku, Mozambiku, Nigeria, Korea e Veriut, Jemeni, Pakistani, Somalia, Sri Lanka, Siria, Uganda, Vietnami. Në disa vende është akoma në përdorim.

 

MiG-15 në Shqipëri

Në mars 1955, në Shqipëri mbërrijnë 24 MiG-15Bis dhe 4 MiG-15UTI (dyvendëshi stërvitor ose spark, siç e quajnë). Me ta u krijuan dy skuadrilje, me të cilat në 15 maj 1955  krijohet formacioni i parë i madh i Aviacionit Shqiptar, Regjimenti “23 Peza” në Kuçovë. Komandant i tij u caktua piloti Niko Hoxha. Në aviacionin tonë, MiG-15 pati vlera të padiskutueshme, sepse e bëri Shqipërinë një vend me aviacion gjuajtës reaktiv dhe për pasojë, hapësira ajrore tani kishte zot. Ashtu si dhe në vendet e tjera socialiste, në këtë periudhë nisën të shfaqen në qiell balona të pajisur me aparatura zbulimi. Lëshoheshin nga perëndimi dhe ndiqnin rymat e ajrit për të lëvizur. Duket qesharake por rrëzimi i tyre ishte shumë i vështirë për shkak të lartësisë dhe përmasave të vogla. Një balon të tillë arriti të rrëzojë piloti i talentuar Vasil Trasha, duke manovruar në lartësinë maksimale të fluturimit. Në vitin 1957, pilotët Kosta Dede dhe Anastas Ngjela ulën në Kuçovë një avion transporti. Ishte hera e parë që ndodhte një gjë e tillë. Më pas, ishte përsëri piloti A. Ngjela së bashku me Mahmut Hysën që detyruan avionin e NATO-s, Lockheed T-33 të ulet në Rinas. Piloti u la i lirë (ishte gabim i tij), ndërsa avioni mbeti këtu. Me krijimin e shkollës së aviacionit në vitin 1962, një skuadrilje MiG-15 u vendos në Vlorë. Me këtë avion janë përgatitur të tërë pilotët e ardhshëm. Përveç atyre të fillimit, më pas kanë ardhur dhe dyvendësh të tjerë MiG-15UTI (CS-103, prodhim çekosllovak).

 

Me MiG-15 kanë rënë në krye të detyrës pilotët:

Kuçovë 23.03.1958; Vasil Trasha, komandant skuadrilje, pilot i klasit I.

Kuçovë 23.03.1962; Hektor Lako, komandant katërsheje.

Rinas 29.03.1980; Armando Gjoka dhe Sabri Toçi (kom. skuadrilje) me MiG-15UTI.

Rinas 22.03.1991; Eduard Kostëdhima dhe Fluturim Molla (kom. katërsheje) me MiG-15UTI.

 

 

 

Karakteristika teknike

MiG-15

Përmasat

Gjerësia: 10.08 m

Gjatësia: 10.86 m

Lartësia: 3.70 m

Sipërfaqja e krahëve: 20.60 m2

Pesha

Normale bosh: 3680 kg

Me ngarkesë maksimale: 6045 kg

Motori

Një turboreaktiv Klimov VK-1 me 26.56 kN shtytje

Arritjet

Shpejtësia maksimale 1075 km/orë

Lartësia praktike e fluturimit: 15 500 m

Autonomia maksimale: 1860 km

Armatimi

Një top 37 mm, dy topa 23 mm (të tre të vendosur ndën hundë) dhe deri 500 kg ngarkesë e varur tek krahet.

 

Gent Domi

Botuar në revistën “AutoMoto plus” Nr.10, tetor 2004

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here