Home Ditar Pjesëmarrja aktive e gruas se Gorës gjate luftës

Pjesëmarrja aktive e gruas se Gorës gjate luftës

76
0
SHARE

Që në hapat e para të lëvizjes ANÇ edhe në krahinën e Gorës u përhap ideja e luftës për çlirim nga pushtuesit e huaj që kërkote mobilizimin e mbarë popullit, burra e gra, të rinj e të reja. Si rrjedhojë, edhe gruaja gorore ka vendin e merituar. Mandej duke parë me vëmendje qëndrimin e saj gjatë etapave të historisë se ajo qëndron në tabanin e familjes si qeliza e shoqërisë njerëzore, rreth së cilës vërtitet tërë jeta familjare e përveç kësaj, atë e gjejmë në krah të burrit duke e ndihmuar në punët e bujqësisë apo duke çuar bukë ose fishekë kur ai ndodhej në luftë. Eh, sa plagë kanë mjekuar nënat gorore nga ato të kapedanëve që luftonin për lirinë e Shqipërisë. Sa shumë efekte bënin ato barnat popullore! Por më shumë se barnat, trimat i shëronte dora e ngrohtë e atyre nënave zemërbardha e bujare që s’kursenin asgjë për lirinë. Gruaja gorore kur ishte nevoja, dinte të rrëmbente pushkën e luftonte bashkë me burrin. Ndodhi një herë me kapedan Kajo Babijenjin që i rrethuan shtëpinë e tij, po aty ishte Kaçja, e shoqja, e cila rrëmbeu armën dhe luftoi krah tij. Të dy e çanë rrethimin, i shpëtuan vdekjes për bukuri. Pjesëmarrja aktive e qëndrimi dinjitoz i gruas gorare në ndërtimin e çerdhes familjare, në marrëdhëniet shoqërore, në pritjen me bujari të mikut e në qëndrimin e guximshëm ndaj armikut pushtues, kanë ngritur lart figurën e gruas gorare. Në mbarë krahinën e Gorës, është treguar në breza ndjenja e respekti për gruan dhe jo ngërçi i dhunës. Por dashuria bashkëshortore, uniteti familjar, kanë qenë të përhershme. Figura e gruas gorare shkëlqeu më tepër se kurrë në periudhën e lavdishme të LANÇ, ku Gora u bë djepi i çetave, batalioneve dhe brigadave partizane. Në fillim të lëvizjes ANÇ, në çetat partizane të Gorës, kishte akoma pak shoqe. Qarkori i Korçës për zonën e Gorës, ngarkoi shoqen Kleopatra Maliqin si aktiviste. Punuan nëpër bazat e krahinës për pjesëmarrjen e grave në LANÇ, shumë gra e vajza dolën partizane. Pushtuesit dogjën dhe masakruan, ato që u përballën ishin nënat e gratë, duruan dhunën dhe shtuan urrejtjen por kurrë s’u përkulën. Duke shkruar për gruan gorare e kujtoj me shumë respect trimëreshën e luftës për liri Pashako Selmani. Historia jonë njeh shumë të tilla heroina. Po nënë Pashakua, a s’është një prej tyre? Katër djemtë, i vuri në shërbimin e lirisë së atdheut, dy i mori lufta ranë dëshmorë, njeri u tret nga torturat, i fundit u tregon brezave që vijnë si luftuan vëllezërit për Shqipërinë tonë, për lirinë e grabitur. Rënkimin e atdheut e ndjenin të katër djemtë dhe s’ndenjën duarkryq. Çfarë përballoi nënë Pashakua e djemtë e saj gjatë LANÇ, këtë e tregon më së miri filmi “Yjet e netëve të gjata”. Hoqi nënë Pashakua por a u thye? Ajo ishte një luaneshë para torturave të pushtuesit. Sfidoi armikun me qëndrimin e tyre burrëror sepse i urrente ata. Ajo ishte nënë. Të gjithëve na kujtohet shprehja: “Kështu i thua nënës more harram?!”

Meriko Selamnllari, më 16 Qershor 1944, shtëpia e saj në Dalanec të Gores, u rrethua nga gjermano-ballistët. Ishte bashkë me vajzën e saj Shqipërien 18 vjeçe. S’kishte rrugë tjetër, mori një sëpatë, e bija një qyluke, siç i themi ne nga Gora. I thotë së bijës “Shiko çupë, nuk na lejohet të na dhunojnë shtëpinë. Do ta mbrojmë me jetën tonë”. Kur gjermanët thyen portën, Merikua të parit i ra gjermanit me sëpatë në kokë, gjermani i dytë me breshëri sharrsi, i rrëzoi të dyja, ëmë e bijë përtokë. Ato të dyja kishin një aktivitet në favor të LANÇ. Të dyja ranë për atdhe dhe mbajnë titullin e Dëshmores së Atdheut.

Ajo ishte 19 vjeçe, Mahmudija, ishte vajza e partizanit të orëve të para Halim Blushi, nga Grybeci i Gorës, i trajtuar në ditarin e shkrimtarit partizan Fatmir Gjata me emrin xha Limi si dhe vajza e Rabije Blushit, e nisi shpejt udhën e luftës dhe që në fillim një nga aktivistet e gruas në fshat. Rabija ishte motra e tre vëllezërve. Ganiu partisan në Brigadën e I-rë Sulmuese, Qemali dhe Raifi me çetën e Teki Kolanecit. Si Rabija u bënë dhjetra e qindra gra gorare. Ëndrrat e Mahmudisë u përzien me idealet e luftës. Në operacionin gjermano-ballist, Qershor 1944, në Zvarisht të Gorës, vranë pleqtë, fëmijët, burra e gra, u pushkatuan 12 veta, midis tyre ishte dhe Mahmudija që u ndodhën në një mbledhje Rinie. Aty u vra dhe At Jorgji Papa, kleriku i nicës, i cili ishte dhe kryetar i këshillit të LANÇ, në krahinën e Gorës. Zybrije Agolli, burrëresha e Dolanit, siç i thërrisnin gjatë luftës dhe sot e kësaj dite mbahet në gojë. Para bashkëfshatarëve, ajo i that ë birit: “Nisu partisan, biri i nënës. Atje e ka vendin djalëria, pushka top o bir!” Dhe ajo vetë punoi me mish e me shpirt për luftën çlirimtare.

Merushe muçollari nga Babijenji, së cilës pushtuesit i dogjën shtëpionë e gjithçka, I tha kriminelit ballist Njazi Cezma: “Ti s’je shqiptar, por një gjerman i urryer. Je burracak, matesh me gratë. Turp o faqezi! Shko, ja atje lart i ke partizanët, shko te të shoh sat ë vlen lëkura ose nëma koburen e ta provosh kush janë gratë e Gores”.

Qerime Jahollari nga Tresova, e nisi të birin, nesim Jahollarin në Brigadën e I-rë Sulmuese dhe kur i thanë lajmin se i biri i saj ran ë fushën e nderit, nënë Qerimeja tha: “Hallall ia kam bërë lirisë! Ka të tjerë trima nëna juaj. Pushka e tij të kalojë në duart e djalit të vet. Nisu, bir, vazhdo udhën e tët vëllai!” Neshe Agolli nga Moçani e çoi djalin e saj Gani Agollin partisan që në vitin 1942. Ai u bë komandant kompanie në Brigadën e I-rë S. U shqua për guxim e trimëri, u përlesh me armiqtë deri sa ra dëshmor i atdheut. Neslija krenohej që gjaku i gjakut të saj vaditi tokën  e zhuritur për liri. Medije Lozhani, një nga veprimtaret e aktivistet më të para gjatë LANÇ-it, e cila qe delegate në Kongresin e grave që u zhvillua në Tetor 1944. Shumë nga gratë e Gorës siç qene Dhora Nica, Parashqevi Voskëpoja, Nezirkë Qëncka, Xhemile Agolli e shumë nëna, të cilat u thanë djemve të shkonin atje ku i thërriste zëri i Atdheut dhe bijtë e tyre shkuan, luftuan dhe mbetën të pavdekshëm për Shqipërinë.

Pas çlirimit, shumë gra e vajza, morën arsimin në fushën e mësuesisë e të mjekësisë. I gjithë populli këto gra e vajza trimëresha, i nderon me shumë respekt, të cilat luftuan e punuan për lirinë e Shqipërisë.

BEXHET FEZOLLI

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here