Home Aktualitet Rama: Harrojeni se do të imponoheni duke bllokuar foltoren!

Rama: Harrojeni se do të imponoheni duke bllokuar foltoren!

102
0
SHARE

Fjala e Kryeministrit Edi Rama sot në Kuvend:

Jemi ftuar sot, në një diskutim që vetëm diskutim nuk ka shans të jetë. Javën e shkuar u mor peng kjo foltore për, medemek, ndalimin nga ana e Kryetarit të Kuvendit pikërisht të këtij diskutimi. Ndërkohë që sipas Rregullores së Parlamentit nuk ishte kërkuar një diskutim i tillë. Sot, diskutimi është në rendin e ditës, sepse u kërkua sipas Rregullores, por edhe pse, në fakt, që dje, formalisht ju jeni në rregull me normat e shkruara e bashkëjetesës në këtë sallë, që harrojeni se do të imponoheni duke bllokuar foltoren dhe duke u çjerrë për mungesën e lirisë. Ne, siç e shikoni, jemi këtu bashkë me ju, të kyçur në kornizën e kërkesës suaj. Faktikisht, ju nuk e bëni dot një diskutim, në kuptimin  që ka kjo fjalë për qytetërimin demokratik. Jeni bërë shëmbëlltyra e asaj shprehjes së famshme, “kush nuk di ta përdor lirinë e fjalës, ankohet për mungesën e saj”. Sa më të paftë janë politikanët në kushtet e lirisë, për ta përdorur lirinë e fjalës, aq më shumë çirren se ju mungon liria. 

Loading...

Na keni përfshirë edhe ne në një tjetër kthinë tuajën, me daulle e me krisma verbale, në çadrën e vjetër të konfliktit, të sherrit dhe të baltës. Natyrisht, siç jeni mësuar të bëni në kësi rastesh, tundni një raport ndërkombëtar, që e lexoni fiks sipas qejfit, por, në fakt, sipas hallit tuaj. Sa më i madh është halli juaj, aq më për qejf ju lexoni raportet ndërkombëtare, për t’u treguar shqiptarëve se çfarë mynxyre jemi ne, shumica e zgjedhur prej tyre, për Shqipërinë e për ata vetë.

E vërteta sot dhe në Raport është e shkruar qartë si drita e diellit, më 25 qershor, shqiptarët votuan me një qartësi, që nuk lë asnjë vend për të diskutuar rezultatin. Procesi  zgjedhor, – e thotë Raporti, – ishte në përputhshmëri me angazhimet e OSBE-së, me detyrimet  e tjera ndërkombëtare dhe standardet për zgjedhjet demokratike. Ky është thelbi i Raportit.

Natyrisht që Raporti dhe vetë procesi zgjedhor do ta meritonin, sepse e meriton Shqipëria, e meritojnë shqiptarët, një diskutim të vërtetë, serioz, të përgjegjshëm, për shumëçka duhet përmirësuar në vijim dhe padiskutim ka shumëçka për të përmirësuar në vijim, sepse në procesin zgjedhor ka ende jo pak probleme që kërkojnë zgjidhje. Por ne nuk e bëjmë dot, sot, diskutimin që kërkon kjo temë, për shkakun tuaj, që keni dy jave që flisni për këtë diskutim dhe akoma nuk e keni filluar diskutimin, sepse jeni bosh. Bosh lart e bosh poshtë, bosh para e bosh mbrapa, sepse ju nuk jeni as të vërtetë, as seriozë, as të përgjegjshëm në raport me vetveten, në radhë të parë, çka e tregon katandia ku gjendeni sot brendapërbrenda jush dhe pastaj, në raport me rezultatin e zgjedhjeve. Rezultati, që e tregon edhe kjo sallë, ishte i thellë, por edhe kuptimplotë për këdo që ka dëshirën dhe vullnetin ta lexojë me objektivitet, por me keqardhje për ju.

Ju nuk jeni humbës, pse nuk fituat zgjedhjet. Mund të mos fitosh zgjedhjet. Ju jeni humbës, se nuk keni as dëshirën dhe as vullnetin, për të mos e kthyer edhe leximin e votës së 25 qershorit në një tjetër kapitull të qitapit tuaj të stërvjetër, të akuzave, shpifjeve e baltës për fituesit e zgjedhjeve. Këtë keni bërë tërë jetën dhe këtë vazhdoni të bëni dhe sot, prandaj jeni këtu ku jeni, të katandisur, siç jeni katandisur sot.

Partia Socialiste mori më shumë vota se 4 vjet më parë. Partia Demokratike mori shumë më pak vota se 4 vjet më parë. Si rrjedhojë, ne kemi ardhur këtu nga këto zgjedhje, me një ndjenjë përgjegjësie më të lartë, sepse kemi më shumë vota, me një vullnet më të mirë për të qeverisur, sepse tek ne është investuar më shumë besim dhe me një dëshirë më të madhe për të bashkëpunuar me opozitën, sepse na takon kjo përgjegjësi. Ndërsa, për vajmedet, ju keni ardhur këtu me çadrën tuaj të vjetër në krah, me të njëjtin avaz, po aq të vjetër, akuzash, shpifjesh dhe balte në gojë. Në thelb me të njëjtën mungesë përgjegjësie të 4 viteve më parë, me të njëjtin vullnet destruktiv dhe me po atë qasje, sa negative ndaj vendit, aq dhe vetëshkatërruese për ju, që për 4 vjet me radhë ju mbajti peng, si qasje të disfatës së 4 viteve më parë. Asnjë reflektim, zero! Asnjë vizion, bosh! Asnjë program, fushë! Asnjë ide dhe asnjë tingull të ri në këngën tuaj të vjetër! Shaj, shaj, e shaj se diçka do të mbetet. Dhe me shumë keqardhje e them, zero lidership!

Mesa duket, përgjegjësi është një fjalë e huaj për ju dhe ju kurrë nuk do ta kuptoni domethënien dhe rëndësinë e saj, nëse dy disfata, – pa llogaritur atë në mes të dyjave, – njëra më e rëndë se tjetra nuk ua ka ndezur llambën e reflektimit në raport me përgjegjësinë që keni, si partia e parë opozitare e vendit, alternativa e parë qeverisëse. Përgjegjësi është një fjalë çelës për suksesin e çdo organizate, çdo partie, çdo sipërmarrjeje, çdo skuadër sportive dhe po të doni, edhe çdo klase shkolle. Por, në e paçi pasur ndonjëherë këtë çelës, është pak, po e sigurt, që ju e keni humbur prej kohësh dhe bashkë me të keni humbur qartësisht, aftësinë për të bërë sukses. Ju nuk bëni dot sukses. Ju dini vetëm të ndërtoni strategji kundër suksesit të të tjerëve, por, për të bërë suksesin tuaj, harrojeni, sepse keni humbur çelësin e suksesit, përgjegjësinë!

Përgjegjësi është koncept themelor, që, në fakt, të gjithëve ne këtu dhe kur them ne, d.m.th ne dhe ju, prindërit dhe mësuesit tanë janë munduar të na e ngulisin në kokë, qëkur kemi qenë fëmijë. Ashtu si ne, ne dhe ju dhe mësuesit e tyre mundohemi t’ua ngulisim sot, fëmijëve tanë, por, fatkeqësisht, ju keni zgjedhur të na bëni ne fajtor për disfatën tuaj e kështu ta lini opozitën si institucion jetim të papërgjeshmërisë suaj. Mua, ne, është e qartë, s’ka sekret dhe nuk është mëkat, nuk na shqetëson fare fati i Partisë Demokratike, por na shqetëson fati i opozitës si një institucion. Ju me tuajën jeni krejt në rregull. Jeni në rregull, se ju sa herë kapni mikrofon, nuk lini gjë pa sharë dhe pastaj hidheni përpjetë, nëse dikush nëpër dhëmbë ju thotë “keni rrjedhur”.

Fundja të gjitha këto, juve nuk ju duhet. Edhe këto që flas unë, edhe e qeshura juaj e sheshtë, portreti juaj që qesh, i qetë, është shëmbëlltyra më kuptimplotë, se të gjitha këto që unë po them, për ju janë pa lidhje, se ju jeni të pafajshëm. Nuk është faji juaj, pse shkoni nga humbja në humbje. Nuk është faji juaj, pse shkoni nga disfata në disfatë. Nuk është faji juaj, që dilni nga ky Kuvend për të bërë revolucion, për të bërë “republika të reja” dhe ktheheni në këtë Kuvend, gjithmonë edhe më të pakët.

Ju s’keni faj. Nuk është faji juaj, pse, jo ne, por ata që ju votojnë, jo socialistët, por demokratët, jo deputetët tanë dhe jo forumet tona, por forumet tuaja, nuk e kanë dëgjuar një fjalë të vetme reflektimi për çfarë ka ndodhur me Partinë Demokratike. Qoftë pas zgjedhjeve të 2013-s, qoftë pas zgjedhjeve të 2015-s, qoftë pas zgjedhjeve të 25 qershorit. Çfarë lidhje keni ju me këtë muhabet? Çfarë lidhje keni ju me këto?  Ju s’keni faj. Ju jeni të pafajshëm. Asnjë shenjë përgjegjshmërie. Zero përgjegjësie mbi shpatulla, megjithëse kurrizi, siç e shikoni, po ju rëndohet.

Në vitin 2013 e kishte fajin populli që nuk votoi, megjithëse ju bëtë mrekulli për Shqipërinë dhe populli nuk ju kuptoi. Në vitin 2015 e shpallët humbjen fitore dhe paralajmëruat një fitore edhe më të madhe në 2017-n. Në vitin 2017 e hapët fushatën, duke festuar në çadrën e dasmave rrëzimin e gjysmës së qeverisë, ju kujtohet. Dhe në vend të një alternative për Shqipërinë, gjatë gjithë fushatës mblidheshit nëpër cepa rrugësh dhe shpallnit marshimin final, për të rrëzuar edhe gjysmën tjetër. Ju nuk keni asnjë faj. Çfarë faji keni ju?!

Fajin e kemi ne që votohemi. Fajin e kemi ne që fitojmë. Fajin  e kemi ne që bëjmë sukses. Ju nuk keni asnjë faj dhe jeni kthyer këtu, pas atij marshimi, qesharak që pasoi një ngujim tre mujor, edhe më qesharak, me një çadër dasmash si gjysma gjel. Jeni 9 më pak seç ishit, kur u nisët për të bërë “Republikën e Re”. Një gjysmagjel, se pa u skuqur, pa u zverdhur, pa asnjë qerpik që ju dridhet, zëri jo që s’ju dridhet, por ju trashet e megjithëse krahasuar me katër vite më parë keni sot, 200 mijë pupla më pak, se i latë puplat rrugës, bëni trimin dhe ngriti këtu volumin, njësoj si frikacaku që këndon me zë të lartë, kur përshkon pyllin në errësirë. Po çfarë faji keni ju? Ju e keni gjithçka në terezi. Ju keni krimin, ju keni drogën, ju keni mafien. Sa të ketë krim, drogë dhe mafie, ju e keni në terzi. Juve ju mjafton “krim, drogë, mafie”, 100 fjalë të tjera për garniturë, se aq keni, kur filloni tek fjala e 101, ju merret goja dhe për 100 vjet të tjera, ju jeni në rregull. Rrini e priteni  pushtetin t’ju vijë.

Keni marrë për partiturë këtë herë, Raportin e OSBE/ODIHR-it dhe i bini po atyre qemaneve, po atyre lahutave, çiftelive e sazeve të po atij grupi folklorik, që e keni ngritur qysh në krye të herës, kur e filluat rrugën nga humbja në humbje. Bëni një muzikë që ka vetëm një qëllim, si t’i çorodisë shqiptarët e mbi të gjitha, si t’i çorodisë ata që ju vijnë juve pas, që mundësisht mos ta dëgjojnë zërin e arsyes se ju jeni të pandjekshëm, të pabesueshëm, të pavotueshëm dhe faktikisht, të papërdorshëm për Shqipërinë.

Fundja, fajin kush e ka? Fajin e kanë shqiptarët. Shqiptarët nuk ju kuptojnë, shqiptarët nuk ju shikojnë, shqiptarët nuk e dëgjojnë atë që kuptoni ju, atë që shikoni ju, atë që dëgjoni ju, largpamësit. Shqiptarët e kanë fajin që “po shiten e po blihen me qindra mijëra nga krimi, nga droga” dhe që “votën e përdorin për të zezën e tyre”. Ata, shqiptarët e shkretë, se ju po ua thoni, ju po ua përsërisni, ju jeni bërë “La voce del Padrone”. E njëjta pllakë gramafoni.

Shqiptarët nuk e dëgjojnë muzikën tuaj, ata e kanë fajin. Këtë muzikë kaq tërheqëse dhe mbresëlënëse, pas të cilës duhet të shkojnë të gjithë pas jush, por çuditërisht, pas çdo kënge, në fakt edicioni të asaj kënge, shqiptarët janë gjithmonë e më të pakët pas jush. Juve, drita e arsyes, drita e diturisë, drita e urtësisë, mbeteni në opozitë keq e më keq, çdo herë e më për dreq, pse?

Fajin e kanë shqiptarët, çfarë faji keni ju? Fajin e kanë shqiptarët, që nuk e shikojnë, janë të rrethuar gjithandej me kriminelë. Janë të zhytur në drogë, janë të blerë, janë të shitur, janë të mbuluar nën gjethe dhe nuk shikojnë dritën e “Republikës së Re”, që ju ua dhatë me aq shumë mund dhe me aq shumë energji me atë çadrën e dasmave, mu si lopa që e mbush kovën me qumësht dhe pastaj i bie me shkelm, gjithë inat, a thua se fajin e ka qumështi!  

Edhe miku im Lulzim Basha, këtu, pasi bëri më në fund një akt lidershipi me marrëveshjen e 18 Majit, e mohoi. E mohoi se u tremb. U tremb nga frëngjitë e Jozefinës dhe të Astrit Patozit. U tremb nga kryengritja në pallat. U tremb nga ofiqarët e SHQUP-it, që humbën karriget e tyre dhe natyrisht nuk diti më se çfarë të bëjë, përveçse të kthehet aty ku janë rehat, secili prej jush, te çadra e dasmave, tek lufta me krimin, me drogën, tek lufta me të keqen e madhe.

E mohoi dhe çfarë bëri? Ripohoi politikën qorre, politikën shurdhe, politikën memece, që për katër vite, ju katandisi juve në një gjysmagjel. Nga një gjel i lagur, po krenar në 2013-ën, sot jeni një gjysmagjel, edhe i lagur, edhe krenar, por edhe për të ardhur keq. Shto këtu miqtë e LSI-së, që qetësinë dhe dashurinë e linjës së vjetër e kanë zëvendësuar me llapazanërinë dhe me vajmedetërinë e linjës së re dhe panorama e opozitës bëhet: Bir o Lul vëllai, kë të qaj më parë, ty a motrën tonë, që keni një hall?!

Kjo natyrisht është një pyetje e kotë, retorike, sepse kam shumë emocion se kë të qaj më parë. Kë të qash më parë, vëllain apo motrën, që kanë një hall dhe që halli i ka bërë bashkë në një kazan si ky, nga ku dëgjohen vetëm thirrjet bombastike si të luftojmë krimin, si të luftojmë drogën, se në fakt, krimi dhe droga e kanë fajin që ju jeni pa përgjegjësi.

Natyrisht, emocionet e mia janë të kota. Pyetja ime retorike është e kotë, sepse nuk jeni ju që duheni qarë. Ju jeni në rregull. Ju s’keni faj. Ku ka më në rregull se ju! Ju zgjoheni, kriheni, sa ju del televizori përpara, luftoni për lirinë. Mbyllet ekrani, shkoni flini gjumë. Ju jeni në rregull. Problemi është halli i atyre që ju votuan dhe ju besojnë akoma. Ai duhet qarë. E vërteta është se ne nuk dimë si ta qajmë. Halli i këtij vendi, që në vend të opozitës, sot ka dy shartore. Bam me gojë e bum me dhëmbë! Bam me duar, bum me këmbë! Shaj e shpif! Çfarë dini të bëni tjetër ju?! Edhe kur dilni, ktheheni në shtëpi dhe njerëzve të shtëpisë u thoni “hë se kështu e ka politika, tani çfarë do bëjmë!”

Ju nuk keni faj, që dolët copë e çikë nga zgjedhjet. Fajin e kemi ne që ju erdhëm për 4 vjet vërdallë, si reja nëpër pantallona dhe sa erdhën zgjedhjet, çfarë bëtë? Ikët nga Parlamenti, shkuat dhe u mbyllët në çadër. Aty kërkuat të shtyni zgjedhjet, pasi për tre vjet e gjysmë thoshit “i duam të parakohshme”. Sa iu erdhi koha, ju i donit të prapakohshme.

Çfarë faji keni ju! Erdhën zgjedhjet. Erdhën përpara se shqiptarët të ndriçoheshin nga drita e “Republikës së Re”. As ju, as ata, lëri ata atje në fund, ju s’keni faj fare. Ata jo e jo. Ata ishin “e treta e vërteta”. Se çfarë iu ndodhi, që donin të bëheshin “e para e papara” dhe shkuan e i ranë murit me kokë. Të dy bashkë, sot jeni në thelb në të njëjtin hall, si ta lini fajin kopil në një martesë tjetër. Në cilën? “Martesa” jonë me krimin. Aty është faji. Çfarë humbni ju?! “Martesa” jonë me krimin dhe prandaj, o burra, krimi në gjuhë, krimi në buzë, krimi në faqe, krimi në gojë, krimi në qafë, krimi në gjoks, krimi në bark, s’po shkoj më poshtë, krimi kudo.

Përtej të gjithave, a e dini pse nuk mbani dot asnjë përgjegjësi? Ju nuk mbani dot përgjegjësi, jo se nuk doni, por se jeni të paaftë të mbani përgjegjësi. Këtu dallojmë ne, tek përgjegjësia. Këtë fjalë ju nuk e njihni. I është dashur Partisë Demokratike të mos e ketë në ADN-në e vet përgjegjësinë, sepse do duhej që Sekretari i Partisë së Punës të mbante përgjegjësi karshi Partisë së Punës.

Unë nuk u i kam europianët dhe amerikanët në xhep, siç i bini ju daulleve, kur nuk doni Reformën në Drejtësi, apo sa herë nuk ju pëlqejnë as rezultati i zgjedhjeve, as të tjera gjëra që ndodhin dhe për fat të mirë i bëjnë mirë Shqipërisë, jo neve. Po të jetë për ne, nga ana e ngushtë e fjalës, zgjedhjet i kemi fituar dhe me ju i fitojmë sa herë të bëhen. Se ju nuk keni përgjegjësi, ju s’keni faj që humbni. Kur një forcë politike e ndan mendjen që, po të humbë s’ka faj, mund të humbë sa herë të dojë. Ju e keni garantuar këtë gjë. Luani me qarin.

Unë nuk jam as përdorues, nuk jam as shitës, nuk jam as trafikant, nuk jam as bos i trafikut të drogës. Juve këto ju duhen të gjitha. Përdorini! Jepini dhe shpresoni atë që është e pamundur, që shqiptarët të jenë budallenjtë, që nuk janë dhe të vijnë pas jush.

S’jam unë as duarlidhur nga ndonjë lidhje me krimin dhe s’kam pasur ndonjëherë lidhje, në fakt, me gjithçka që ju nuk e thoni sot, – sot tingëllon më fort se jeni ju në hall, – por keni 18 vjet që më keni futur në kallëpin e asaj bote. Ja ku më keni, këtu. Sepse ata që ju dëgjojnë, nuk janë budallenj. Sa më shumë t’i merrni për budallenj, aq më të pakët do vini këtu. Mos u çudisni, në qoftë se një ditë do thoni ku është Partia Demokratike? Janë gjëra që ndodhin. Iu kanë ndodhur partive të tjera.

Unë jam thjesht një njeri vullnetmirë dhe i gabueshëm. E kam vetëdijen e plotë të gabueshmërisë time dhe herë kollaj, herë me pak vështirësi i pranoj gabimet mia, por mbaj përgjegjësi për veprimet që bëj dhe për vendimet që marr. Kjo vlen edhe për Partinë Socialiste. Ne s’jemi të përsosur. S’jemi aspak të pagabueshëm. Engjëj mbi tokë, as nuk bëhet fjalë që nuk jemi. Por ama ne marrim përgjegjësi për Shqipërinë dhe për njerëzit e këtij vendi. Ne nuk i bëjmë bisht as detyrave, as detyrimeve tona. Ju vazhdoni na shani, ne do vazhdojmë t’ju themi: Dakord! Mbaruat të sharat? Si do bashkëpunojmë? Ku? Për çfarë? Kur jeni gati? Ku e keni mendjen?

Ne i dëgjojmë njerëzit. Mbaruam zgjedhjet, një muaj dëgjuam njerëzit, sepse ne mundohemi ta mësojmë çfarë mendojnë, çfarë i shqetëson, çfarë mund të bëjmë më mirë dhe më shumë për ta. I dëgjojmë edhe sot. Kemi katër vite që i dëgjojmë, qysh se kur jemi në qeveri, përmes anketimeve për veten tonë, për të kuptuar sesi mendojnë. Dhe po ju them, njerëzit nuk mendojnë se ne nuk kemi të sharë, absolutisht! Por, megjithëse i shqetësojnë shumë gjëra, po ju them dhe më mirë se të gjithë ju e di kryetari i partisë suaj, njerëzit nuk i shqetësojnë  gjërat për të cilat çirreni ju. Por ju vazhdoni, sepse ju duhet patjetër faji kopil, nuk është i juaji, është i “martesës” sonë me krimin. Aty lëreni. S’ka problem!

Ne dimë këtë: njerëzit besojnë se ne, sot për sot jemi të vetmit që mund të bëjmë më shumë dhe më mirë për Shqipërinë. Po nuk e kuptuat këtë, ka zgjedhje prapë. Siç e patë këtë herë, prapë do ta shikoni. Nuk i ndaloni dot zgjedhjet. Nuk i ndryshoni dot rezultatet me kërcënime dhe me dasmorë që nuk sjellin as peshqeshe, por që i paguani t’ju vijnë në dasmë. Të jeni të bindur se, për sa kohë do vazhdoni të mos mbani përgjegjësi për veten tuaj, për partinë tuaj, për njerëzit tuaj; sa kohë do vazhdoni të na e hidhni neve fajin, pse ju jeni katandisur kokoshi një thelë nga zgjedhjet në zgjedhje; sa kohë vazhdoni të na batërdisni me të shara e me fyerje, që janë çdo sekondë – kjo është më e bukura, ju shani e akuzoni, fyeni me mikrofon dhe pastaj ngriheni të gjithë përpjetë, bllokoni foltoren se njëri nëpër dhëmbë thotë “ore kanë rrjedhur këta?” – për aq kohë, ju do shijoni vetëm një gjë, shijen e zhgënjimit dëshpërues të disfatës.

Jua kam thënë këtu, pas zgjedhjeve të shkuara. Jua kam përsëritur këtu, sa herë janë hapur diskutime, shqiptarët mund të jenë të varfër, por vetëm budallenj nuk janë. Askush nuk i bën dot për budallenj. Shqiptari më i pashkollë nuk ka shkencëtar që e bën për budalla. Futeni në rradake. Ju dhe jo vetëm ju, por bashkë me ju, edhe analistët, opinionistët, komentatorët dhe kamerdaret e kazanit mediatik e keni paguar dhe do vazhdoni ta paguani shumë shtrenjtë këtë fakt, nënvlerësimin që iu bëni shqiptarëve dhe fyerjen e vazhdueshme që i bëni, sa herë hapni gojën për këto marrëzira, mençurisë së tyre.

Shqiptarët jetojnë në Shqipërinë për të cilën ju flisni. Ndërsa Shqipëria për të cilën ju flisni nuk është Shqipëria e tyre. Kjo është arsyeja pse ju nuk fitoni dot zgjedhjet. Kjo është arsyeja pse ju jeni këtu gjithmonë e më të pakët dhe edhe më të pakët do të jeni, po vazhduat kështu. Shqiptarët nuk kanë ardhur në Shqipëri në 2013-ën, – këtë nuk kuptoni ju, – kur ju nxorën nga zyrat me një votë, që, siç thuhet në gjuhën sportive, ishte dru shembullor. As nuk kanë ardhur sot shqiptarët në Shqipëri, që dëgjojnë broçkullat tuaja, “krimi, droga, mafia, droga, mafia, krimi”. Ata janë këtu prej shumë kohësh dhe kur dëgjojnë broçkullat tuaja për zgjedhjet, sigurisht që thjesht e vetëm mendojnë që e meritonit drurin, edhe më të fortë se 4 vjet më parë, se ua rrokanisët kokën. Po na fusni edhe neve në këto lloj diskutimesh dhe për fat të keq dukemi të gjithë njësoj dhe s’kanë faj ata, thonë me çfarë flasin, me çfarë merren, zgjedhjet kanë mbaruar.

Këtu ka shumë çështje të tjera që duhen diskutuar. Kurse ju keni vetëm çështjen tuaj, çështjen si të justifikoni humbjen dhe si të garantoni që humbja tjetër do duket si fitore.

Shqiptarët e dinë sa kishin në xhep, kur ju ra mbi kokë tavani i piramidave tuaja.

E dinë se e kanë në xhepat e tyre. E dinë sa krim dhe korrupsion kishte, kur ua shembën juve, mu mbi kokë, tavanin e pushtetit tuaj. E dinë sa fitonin, e dinë sa paguanin, e dinë sa blinin, e dinë sa kursenin, kur na e dhanë ne mandatin e parë. Tani që na kanë besuar mandatin e dytë, pa të tjerët në prehër, ata e dinë si ishin edhe spitalet, edhe shkollat në kohën e kiameteve tuaja. E dinë si merreshin diplomat, kur ju i kthyet universitetet në një gallatë globale. E dinë si ishte Tirana, kur Luli gërhiste në zyrën e kryetarit të Bashkisë. E dinë edhe si ishte Durrësi, Vlora, Korça, Elbasani, por po të doni, edhe Puka, Malësia e Madhe, Divjaka dhe Belshi, kur ju qeverisnit. I dinë shqiptarët të gjitha këto. Ju nuk po flisni me një popull që ka ardhur sot dhe nuk ju njeh e nuk na njeh. Kujt ia tregoni këto broçkulla? Kujt ia tregoni fotografitë, si s’ju vjen zor? Shkoni te Dem Rreli, punoni part-time aty dhe bëni fotografi. Ka lezet Saliu, të paktën, i ka fotografitë që bëheshin te Skënderbeu, njëherë e një kohë.

Shqiptarët i kanë sytë në ballë, i kanë veshët në vend. Shqiptarët dinë të shohin. Shqiptarët dinë të dëgjojnë. Për sa kohë ju nuk do ta vini vath në vesh, që shqiptarët vetëm për budallenj nuk i bën dot njeri dhe s’ka zog kanarine, që me këngën e vet ua bën mendjen shqiptarëve aq sallatë, sa të shkojnë pas jush. Ju provojeni, kaloni nga zogu në zog dhe shiheni. Unë e kam thënë publikisht dhe e kemi thënë, ata nuk na votuan se bëmë ndonjë çudi, apo se i bëmë të gjitha mirë dhe patjetër që nuk i kemi bërë të gjitha mirë, jo vetëm se kishim ata, por se ishim bashkë edhe ne, me të metat tona dhe me gabimet tona. Por shqiptarët besojnë se jemi të vetmit që marrim përgjegjësi, tek kjo fjalë ndahemi ne me njëri-tjetrin dhe që kemi vullnetin e mirë të bëjmë shtet, me shumë vështirësi, me gabime, patjetër, me mundime, sigurisht. Por ata e vendosin dhe ata e dinë se përpjekjet tona janë përpjekje të sinqerta për të vënë rend ligjor, për të vënë rend publik.

Sot që ju flisni për krimin, sigurisht na duhet kujtesa e shqiptarëve që nuk është e shkurtër, siç shumëkush nga ju këtu mendon. Shqiptarët e kanë kujtesën mjaftueshmërisht të gjatë, që t’i mbajnë mend mirë historitë e fotografive, historitë e lidhjeve me krimin, historitë e operacioneve policore që tradhtoheshin nga paradhoma e ministrit e të tjera. Ju nuk keni faj. Ma lini mua fajin. Na e lini neve fajin. Ju jeni të pafajshëm. Thjesht ju nuk keni çfarë bëni. Çfarë faji keni ju që humbni?! Pse faji juaj është që sa herë shkoni në zgjedhje, keq e më keq?! Nuk është faji juaj, ky. Unë thjesht them atë që ne gjykojmë, pse shqiptarët na dhanë më shumë vota se 4 vjet më parë dhe pse juve ju dhanë shumë-shumë më pak.

Na ftoni këtu në një diskutim për zgjedhjet dhe kapeni pas Raportit të OSBE/ODHIR-it,  ndërkohë që thelbi i Raportit është i qartë e ndërkohë që qëndrimi zyrtar i të gjitha institucioneve ndërkombëtare dhe i shteteve partnere është shumë i qartë. E paskeni ju shqetësim dhe nuk e ka askush, as shqiptarët, as ndërkombëtarët, këtë çështje! Ju nuk e kuptoni që fjalët tuaja për zgjedhjet, nga një vesh iu hyjnë dhe nga tjetri iu dalin shqiptarëve, sepse ata ju njohin shumë mirë juve, shokët tanë atje poshtë, na njohin neve. Të gjithëve na njohin shumë mirë, e dinë shumë mirë ç’raport kemi me zgjedhjet etj. 

Kjo kuturisja juaj, që bëni rolin e viktimës së një konspiracioni imagjinar me maunet imagjinare të parasë së krimit dhe drogës, ndërkohë që të dyja palët jeni viktima të vizionit tuaj dritëshkurtër dhe të bëmave tuaja, por në radhë të parë, të gafave tuaja strategjike. Është shumë e thjeshtë, – prandaj jeni këtu, sepse të dyja palët keni mungesë aftësie për të marrë përgjegjësi.

Ne do vazhdojmë të mbajmë përgjegjësi. Prandaj jemi këtu sot dhe prandaj, në vend se të isha nisur për ku e kemi sot programin, jam këtu, për të marrë dhe për të mbajtur përgjegjësi. Ndërsa ju do vazhdoni ta refuzoni përgjegjësinë. Ja pse ne do vazhdojmë të udhëheqim Shqipërinë, ju do vazhdoni të udhëhiqni njëri-tjetrin! Ja pse ne do ta afrojmë Shqipërinë më shumë me Europën, ja pse ju do të vazhdoni të bëni çmos, që ta mbani të ndarë Shqipërinë nga Europa! Është qëllim i hapur, jo i fshehtë ky, jo se jeni antishqiptarë, – nuk e them kurrë këtë, se këtë na e thoshit juve ne, – jo se nuk e doni Shqipërinë në Europë, por çështja është se ju nuk keni përgjegjësi. Ju doni veten tuaj dhe aq. Aty mbaron historia juaj.

Jeni njerëzit e gabuar në vendin e gabuar. Nëse ju ndiheni më mirë, sinqerisht, kur hidhni baltë e hidhni kokteje molotov kundër meje, kundër nesh, për krimin, për drogën e për mafien, bëjeni! A ju bën kjo të ndjeheni revolucionarë? A jua jep kjo, atë adrenalinën e iluzionit se ju do marshoni për të çliruar Shqipërinë? Bëjeni! Vazhdoni jetojeni marrëzinë tuaj deri në fund! Unë them që kjo nuk do ju bëjë as më të mirë, as më të besueshëm, as më të votueshëm. Jua kam thënë në 2013-ën, jua kam thënë para 2015-ës, jua kam thënë para 2017-ës dhe po ju them përsëris, 2019-a do vijë. Nuk bëheni dot! Jo se ne jemi të pakonkurrueshëm, por se ju nuk jeni fare në garë. Ju jeni si ata që thonë, luajmë te zona e outside-it, futboll.

Që këto ishin zgjedhjet më të qeta dhe më pozitive që ka pasur Shqipëria, këtë e thonë të gjithë. Por që ne jemi gati dhe do përfshihemi në diskutim, edhe me partnerët, edhe me ju. Vullneti është i qartë, komisionin do e ngremë.

Si ta përmirësojmë procesin zgjedhor? Do vazhdojmë të luftojmë për standarde, do vazhdojmë të përpiqemi edhe në këtë aspekt, për standarde më të mira. Kjo është përgjegjësia jonë. Nuk e bëjmë për ju, e bëjmë sepse ne marrim përgjegjësi. Ju vazhdoni njehsojeni Shqipërinë me krimin, njehsojeni Shqipërinë me drogën, njehsojeni Shqipërinë me mafien. Mos lini rast pa e përdorur anglishten, për ta bërë Shqipërinë dele të zezë, natyrisht “për fajin tonë”. Dëmi është i Shqipërisë, turpi është i juaji. S’ka problem, e mbajmë ne turpin tuaj, se ju nuk keni faj. Ju s’keni faj, se ju nuk mbani përgjegjësi për Partinë Demokratike, llogarite të mbani përgjegjësi për këto gjëra që flas unë! Përgjegjësi është diçka që ju nuk e kuptoni. Prandaj, me ngushëllimet e mia më të sinqerta, unë dua t’i siguroj po kaq sinqerisht zgjedhësit tuaj, se ata nuk janë jetimë, siç jeni ju. Ju jeni jetimë. Jetimë të papërgjegjshmërisë.

Ne do ta qeverisim vendin pa i ndarë njerëzit në tanët dhe tuajt, por duke iu shërbyer me besnikëri çdo njeriu dhe çdo familjeje të zakonshme të këtij vendi, që e do Shqipërinë me shtet, me punë dhe mirëqenie.

Dilni këtu e thoni çfarë të doni, vetëm miqësisht, kur të jeni vetëm, bëjani vetes një pyetje: Pse duhet t’ju votojnë juve, shqiptarët? Për vizionin e ri? Ku e keni! Laj, thaj, shaj! Shaj, laj, thaj! Ky është vizioni juaj. Për programin e ri? Ju program keni laj-thaj kanotierën e sulmuesit të Saliut, që ju ka mbetur dhe sot e gjithë ditën, pjesa më dinjitoze e programit. Për skuadrën e re? Ju jeni top i gjatë, rrëmujë para porte dhe të dalë ku të dalë. Për këtë do ju votojnë shqiptarët, apo do ju votojnë për liderin? Më vjen shumë keq, po arno, kthe rrobat e të vjetrit, dil në fushë dhe thuaj skuadrës, merruni me këmbët e kundërshtarit, se topin shohim dhe bëjmë. Ky nuk është lidership. Bjerini këmbëve këtu sa të mundeni, ne do vazhdojmë me topin.

Ju s’keni faj. Unë dëshmoj përpara popullit shqiptar, ju s’keni faj! 

                                        * * *

Kryetari i PD e nisi fjalën e tij, duke thënë se ne të gjithë jemi të rrjedhur, çka është një konstatim, siç edhe në rastin e djeshëm, ishte thjesht një konstatim. Njerëzit gjykojnë, por Sali, larg qoftë, që unë të të shaj ty dhe Lulin. Janë vrarë njerëz në bulevard, s’të kam thënë kurrë, këtu, vrasës dhe nuk i them sot, Lulzimit, që, kur më tregon mua një vajzë të plagosur, të shikojë faturën që shteti duhet të paguajë për Gërdecin dhe 21 janarin: 10 milionë dollarë, pa Strasburgun akoma. 10 milionë dollarë!

Por nuk i them vrasës, ashtu sikundër nuk ka në rekordin e këtij Parlamenti, një rast të vetëm që t’i jem drejtuar kujtdo, shkëlqesisë suaj, në radhë të parë, si mafioz, si kriminal, si vrasës. Kështu që dallimi është shumë i madh.

Përsa i përket të sharave nga karrigia e Kryeministrit, e di kurrizi i Erion Braces, e di kurrizi i Taulant Ballës dhe e dinë shumë shpina të tjera folësish këtu, se ç’ju ke bërë nga aty, por ti ke bërë tënden, Luli bën të vetën, ju bëni tuajën dhe jeni të pafajshëm. Ju s’keni faj, sepse ju s’keni ditur kurrë të mbani përgjegjësi. Në fakt, Sali, për të thënë të vërtetën, ti e ke mbajtur përgjegjësinë, kur je larguar pas humbjes. Kjo është vërteta, prandaj them, laj-thaj, Partia Demokratike, kanatieren e sulmuesit, kanatieren tënde ka. Pa atë kanotiere, s’ka Parti Demokratike dhe për këtë fatkeqësi je i pari që duhet të mendohesh ti. Kështu, të mos hyjmë në këtë garë.

Populli ka mjaft shprehje se çfarë të ndodh, kur fle me qenin, çfarë të ndodh, kur fle me macen etj.. Çfarë të ndodh, e kemi provuar, kur je i përfshirë në një lloj batërdie si kjo këtu, sidomos në klubin që kishim 4 vjet këtu në sallë. Detyrimisht, për fat të keq, edhe nuk shpëton ndonjëherë nga infeksioni. Por kush është vatra e infeksionit, kush është virusi, kush janë mikrobet, shqiptarët le ta gjykojnë, nuk e gjykoj unë.

Përsa i përket thirrjes së madhe që u përsërit këtu, që të gjithë shqiptarët të bashkohen, ejani t’i bashkojmë me votën e emigrantëve, t’ia japim të gjithëve mundësinë të votojnë, edhe atyre që janë këtu, edhe atyre që kanë ikur, edhe atyre që ikin dhe atyre që vijnë. Le t’u themi atyre që ikin, ja ku e keni mundësinë, nga Roma, nga Athina, nga Londra, nga New York-u, jashtë kthetrave të krimit të jepni vendimin tuaj. Ta bëjmë këtë, por kam shumë frikë se në fund do thoni jo. Sepse të vërtetën e dimë dhe unë mund të them shumëçka për kryetarin e PD-së, por jam dëshmitar që ai i di të vërtetat. Kështu që nuk mund të them dot, që ai nuk e di të vërteten.

Lexoni barometrin e Ballkanit e bëni shumë mirë. Por lexoni edhe çfarë thonë sot, demokratët; 12% e demokratëve që besojnë akoma te PD, nuk besojnë më te kryetari i PD-së. Anketime janë, ju s’keni faj. Sigurisht, fajin e kanë ata, në rast se kjo është e vërtetë. Lexoni çfarë thonë sot, sondazhet; Jeni shumë më keq në opinionin publik, seç ishit në 25 qershor. Si ka mundësi që vini këtu dhe vazhdoni po atë muzikë!

Ju jeni bërë si historia e festivalit të 13-të. U bë festivali i 11-ti dhe doli festival reaksionar. Saliu i di këto, se ka qenë atëherë, ka marrë pjesë në këto punë. U bë i festivali i 12-të, vunë një kazmë, një pushkë, një yll në skenë. Kur u bë i 13-ti, diskutonin si do e bënin skenën. Njëri tha “si e kishim vjet? E përsërisim prapë”. Kështu jeni edhe ju, po ajo muzikë, po ai gramafon, po ajo këngë. Mendoni se do ju çojë larg? S’keni faj, jeni top i gjatë, rrëmujë para porte, të dalë ku të dalë.

Sa i përket ndjenjave anti-europiane, ju flisni sikur shqiptarët kanë ardhur sot. Shqiptarët ishin këtu përpara zgjedhjeve. E bëtë çadrën e dasmave, vatër rezistence kundër Europës dhe SHBA-ve. Unë kam opinionet e mia për BE-në, doni, s’doni ju dhe si europian i shpreh dhe as nuk kompleksohem fare, por nuk kam thënë ndonjëherë “bullshit” për ato që thotë Komisioni Europian. E keni thënë ju. Nuk e kemi ftuar ndonjëherë në kor, Partinë Socialiste të bërtasë “bullshit, bullshit”. E keni ftuar ju. Nuk kam thënë ndonjëherë, ambasadori amerikan është i blerë nga Sorosi dhe Sorosin e ka blerë Edi Rama, apo anasjelltas. E keni thënë ju. Prandaj kur flisni, kini parasysh që shqiptarët na  dëgjojnë dhe nuk janë budallenj. Nuk ka zog kanarine që i bën për budallenj shqiptarët. Shqiptarin më të pashkollë nuk ka shkencëtar që e bën për budalla, jo këtu, jo në shqip, po as në arabisht, se në anglisht jo e jo, edhe po të mos dijë asnjë fjalë anglisht. Mos i merrni kaq lehtë shqiptarët, ata nuk vijnë pas berihait. Për çfarë të vijnë pas jush, aq më tepër që ju s’keni faj.

Thotë këtu “guximi” për të përmendur me emra kriminelët. E kuptoni që e keni bërë Parlamentin e Shqipërisë një shartore? Është një trup, sepse Shqipëria do shtet, ju në 4 vjet i keni dalë kundër haptas, me forcë, të gjitha reformave që mund të kenë qenë të papërsosura, por kanë pasur qëllimin që të vendosin rregulla për të bërë shtet.

Shqipëria do punë. Të gjitha përpjekjeve për të rritur punësimin, i keni dalë kundër. Shqipëria do investime më shumë. Të gjitha kushteve për të pasur më shumë investime, i keni dalë kundër. Ju vini këtu, flisni e flisni, fiken kamerat, ikni në punën tuaj. Ju s’mbani përgjegjësi, ju s’keni përgjegjësi. Ju humbni e shpallni fitoren. Humbni më keq e shpallni triumf, humbni edhe më keq, shpallni fundin e Shqipërisë. Çfarë faji keni ju! Ju jeni të pafajshëm.

Unë me top e ju me këmbë. S’ka problem, bjerini këmbëve fort, aty te kaviljet.

Në korrik dhe në gusht, ne ishim bashkë në qeveri dhe u përgatitëm për të filluar fazën e dytë të operacionit kundër rrjeteve kriminale, aseteve kriminale dhe të fortëve të feudeve, lart e poshtë. E kam thënë në mënyrë të përsëritur, por nuk ka qenë vetëm çfarë kam thënë në takimet me Task-forcën kundër kanabisit. Më vjen mirë që se përmendni më kanabisin, se e kuptoni që është histori e mbyllur. Mbyllja me sukses e një kapitulli që u hap prej nesh dhe që e mbyllëm ne, pavarësisht vështirësive, pavarësisht kundërgoditjeve, pavarësisht problematikës për ta hequr përfundimisht Shqipërinë nga harta e kultivueseve të lëndëve narkotike, nuk është përfundimi i betejës sonë. Tani është faza për të shkuar drejt rrjeteve kriminale, aseteve kriminale dhe të fortëve të feudeve. Kemi filluar bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë dhe jemi duke mbyllur krijimin e grupit të eksperteve ndërkombëtarë, agjentë të krimit, agjentë të antidrogës, që do përfshihen drejtpërdrejtë në këtë operacion, nga SHBA, nga Gjermania dhe nga vende të tjera të BE-së. Kështu që ajo shprehja “s’keni parë gjë akoma” është aktuale, sot që po ju flas.

Më e bukura, ambasadori amerikan takon kryetarin e opozitës, i kërkon mbështetje për këtë operacion. Kryetari i opozitës vjen këtu – siç e ka zakon, që me fjalët e të huajve bën atë që e ka mësuar të bëjë lideri legjendar, që i përdor takimet me të huajt siç i do qejfi, – bën atë paralajmërimin e famshëm “prit se javën tjetër do ta dëgjoni”. E çfarë do dëgjonim? Do dëgjonim ekzaktësisht atë për të cilën kemi tre muaj që bashkëpunojmë, domosdoshmërinë për të sulmuar rrjetet kriminale. Kur them bashkëpunojmë, bashkëpunojmë në planin e burimeve njerëzore. Brenda muajit nëntor do të vijnë këtu, agjentë të specializuar që do të punojnë ngushtësisht me ministrin e Brendshëm, me Policinë e Shtetit, me Shërbimin Informativ dhe me të gjitha agjencitë e tjera për këtë punë. Për këtë ka kërkuar bashkëpunimin e opozitës, për të mos u bërë kjo një luftë, siç do donit ta bënit ju. Ambasadori amerikan doli kundër qeverisë dhe tani o burra, vutë ambasadorin amerikan përpara. Ndërkohë s’latë gjë pa i thënë, kur ishte puna e reformës në drejtësi. Mirë shqiptarët që i merrni lehtë, por si ka mundësi që s’e mësuat akoma si funksionon bota. 

Nëse doni të luftoni krimin, jepni kontribut real. Kjo që bëni ju, nuk është luftë kundër krimit. Është e njohur botërisht në të gjitha vendet që kanë këto problematika, ajo pjesë e politikës që e ka, e mban krimin këngë nga mëngjesi në darkë, e stimulon krimin, lobon për krimin dhe sheh te krimi mundësinë e vetme për t’u rikthyer në pushtet, për të krijuar destabilizim, për të krijuar kaos, për të krijuar pasiguri. Arrin deri aty sa thotë se në bankat shqiptare jepen lekë me fajde. Kjo është skandaloze, por e pafajshme. Mos e merrni si akuzë, ju jeni të pafajshëm. Faji është i joni, faji është i shqiptareve, faji është i ndërkombëtarëve. Të gjithë janë fajtorë, ju jo. Thjeshtë, unë po bëj konstatime.

Ne kemi regjimin më të ashpër për pastrimin e parave, që kontrollohet drejtpërdrejtë nga agjencitë ndërkombëtare. Saliu e di shumë mirë, sepse kur ishte Kryeministër ka qenë pjesë e ndërtimit të këtij sistemi dhe s’kishte ku të shkonte, jo se donte ta ndërtonte atë sistem. E di shumë mirë Saliu si funksionon, si alertohet çdo transaksion në Shqipëri dhe se ku shkon alerti. Shkon deri në majë të Amerikës. Ku ka këtu, banka që pastrojnë para, jeni a s’jeni në vete? 

Këto janë shprehje të dëshpërimit tuaj. Prandaj, përsa i përket historisë me të cilën ju keni zgjedhur të bëni opozitë, po ju them vetëm kaq; është gropa që po i hapni vetes, thellë e më thellë, me shqiptarët. Shqiptarët janë këtu, kanë qenë këtu, nuk e hapin sot, televizorin për herë të parë dhe po ju shohin juve, luftëtarët e mëdhenj. Na u bëtë të gjithë si komisarët e filmave italianë, komplet qesharakë!

Edhe deklarata e ambasadorit amerikan dhe të tjera deklarata më parë dhe më pas janë pjesë e të njëjtës përpjekje dhe nuk janë ashtu siç i pikturoni ju. Jeni ju, jo që se keni idenë sesi luftohet krimi dhe si bëhen punët, por që po hoqët krimin nga fjalori, s’dini çfarë të thoni. Provojeni të bëni një fjalim pa fjalën krim, drogë, mafie, kriminel, pa fjalën Elvis Roshi. Hiqini këto dhe po bëtë dot një fjalim, ma tregoni. Shumë- shumë mund të flisni tre minuta.

Na morët në qafë edhe ata shokët tanë atje. Na i futët edhe ata në këtë valle. Ata kanë hall tjetër, s’kanë hallin tuaj. Ata numërojnë përditë trigonët që ikën nga tepsia. Na prishët edhe shokët në këtë histori.

Do bëjmë luftë me fotografi? Ai që nxore me Blendi Klosin me fotografi dje, sapo ma çuan, kur po flisje ti në çadrën e lirisë, Lulzim. Kujt t’ia çoj fotografinë,  Lulzim? Ç’do bëjmë, do luftojmë me fotografi? Çfarë përgjegjësie ke ti, se kush të vjen te çadra e Lirisë.

Unë jam në çdo fotografi dhe këtë luftën e fotografive vazhdojeni, por të paktën këshillohuni me këtë fotografin e Enver Hoxhës, ja ku e keni, se ky s’bën gabime, s’bën retushe. Ky është i fotografive, ja ka mësuar Sulo Gradeci. Ju bëni gabime të rënda, merrni fotografi nga mitingjet. Ja pra, personi që keni nxjerrë në fotografi me Blendin Klosin, për turpin tuaj, në çadrën e lirisë. Për “Republikën e re” ka ardhur ai? Ai ka ardhur aty, ka dalë në fotografi me deputetet tuaj. Tani, çfarë do them unë, se jeni ju të inkriminuar? E kuptoni ku na katandisët, apo jo? Është turp kush na sheh, na përfshitë dhe ne në këtë.

Tani mblidhuni tek SHQUP-i dhe bëni një eksperiment, çfarë do flasim ne, po hoqëm fjalën krim, drogë, kriminel dhe fjalën Elvis Roshi nga goja. Nuk bëni dot një fjalim.

                                        * * *

Lulzim Basha tha “peshkatari është peshku më i madh”. Përsa i përket përgjegjësisë e dëgjuan të gjithë. Bëri shumë herë pyetjen “çfarë përgjegjësie të mbaj unë”. Në fakt, çfarë përgjegjësie mund të mbajë kryetari i Partisë Demokratike, që shkon nga humbja në humbje?! S’ka çfarë përgjegjësie të mbajë, se hiri i së vërtetës e do të thuhet, Saliu është si është, është kush është, përgjegjësinë kur humbi, e mbajti. Kurse kryetari aktual i Partisë Demokratike i shtron parlamentit pyetjen “çfarë përgjegjësie të mbaj unë”.

Nuk jam unë që duhet ta them se çfarë përgjegjësie duhet të mbajë – edhe po ta them, nuk e kupton, – është e gjithë Partia Demokratike sot, që nuk e kupton se çfarë përgjegjësie ka. Nuk e kupton që për një opozitë që kërkon të vijë në qeveri, është përgjegjësi çdo gjë që thotë. Është përgjegjësi kur thotë “arresto këtë, arresto atë, se i ke provat aty”. Një opozitë që do të vijë në qeveri dhe që ka provat, nuk thotë “i ke provat aty”, por i nxjerr provat dhe me ato prova bën betejën. Por ju keni aq prova, saç keni pasur gjithmonë, sa here ju kemi çuar nëpër gjyqe dhe jeni dënuar për shpifje.

Nuk do harroj kurrë, adashin tim këtu, që u çua përpara gjykatës dhe unë nuk e besoja dot kur thoshte “është politike”. Pra, të gjitha akuzat penale kundër meje ishin politike. “Këto më ka thënë partia të them. Unë them ato që di partia dhe unë nuk pyes partinë nga i di dhe si i di”. Këta jeni ju! Kështu doni të vini ju në qeveri? Kështu do e luftoni krimin ju?

Ju jeni komplet të pafajshëm. Ne kemi taksiratin që të rrimë këtu dhe të debatojmë me ju për llogari jo vetëm të atyre që na votojnë, por edhe të atyre që ju votojnë juve, se ju e keni lënë jetime PD-në, ju e keni lënë opozitën jetime. Opozita pa përgjegjësi nuk është opozitë. Por ata që janë qytetarë si gjithë të tjerët, ne nuk mund t’i lëmë jetimë.

Lulzim më the “je me rreth të kuq”. Mos u merr me rrethin tim, shiko vizën e kuqe që ke ti dhe të vënë jo nga ndërkombëtarët, por nga shqiptarët. Sa më shumë vazhdon kështu, aq më teposhtë e çon opozitën dhe me aq më të trashë do ta kesh vizën e kuqe, kur të vijnë zgjedhjet e tjera. Unë nuk kam asnjë problem me këtë e nuk më shqetëson fare sesa rrokopujë shkoni ju, por sigurisht më shqetëson që vendi sot ka një parti, plus një tjetër, që kanë zënë karriget që janë të opozitës dhe nuk ka opozitë. Ky është problemi. Ka vetëm dy shartore, që janë në një garë kush bërtet më shumë: “krimi”, “droga”.

The, do flasim për ekonominë, do flasim për bujqësinë e për të gjitha problemet e vendit, por s’është kjo koha. Pse, se është koha për të folur për hallin tuaj? Ju flisni këtu për hallin tuaj. Ju nuk keni lidhje me krimin si hall. Ky është halli juaj, ju doni të mbani sa më shumë grushtbashkuar partinë.

                                        ​* * *

Ilustrim shumë modest i arsyeve të dhimbjes që prodhon këtë lloj politike:

Ndërmarrja Shtetërore e Transmetimit të Energjisë Elektrike – Specialist i Zyrës së Pagave, nuk ka përfunduar shkollën e lartë, në vazhdim;

Zyra e Projektimit të Impianteve, drejtori – politikë agrare;

Specialisti në Sektorin e Telekomunikacionit, me masë sigurie arrest me burg, është vazhduar të paguhet deri në fund të muajit shtator;

Specialist i Sigurimit teknik, Zooteknik;

Manovrator, Histori-Gjeografi;

Remontier, arsim 8 vjeçar;

Specialist i Sigurimit Teknik, Arkitekturë;

Remontier, Gjuhë-Letërsi;

Elektriciste kryesore, Psikologji;

Elektricist kryesor, arsimi i mesëm Agronomi;

Elektricist kryesor, Merceologji;

Drejtuese e Njësisë Operativë, Shkenca Politike;

 Financiere, Gjuhë të Huaja;

Përgjegjës nënstacioni, arsimi bachelor;

Remontier në Njësinë Operative, Histori-Gjeografi;

Remontier në sektorin e linjave, Fiskulturë;

Specialist në sektorin e Sigurimit Teknik, Agromjedis.

Është e thjeshtë, këta remontierë janë thjesht të punësuar të partisë, për të marrë vota e për të detyruar të tjerët të marrin vota dhe tani, lufta me krimin është në rendin e ditës. 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here