Home Opinion Skenarët e bllokimit të foltores, hemorragji e problemeve të PD

Skenarët e bllokimit të foltores, hemorragji e problemeve të PD

91
0
SHARE

Fjala në seancën e sotme parlamentare e Kryetarit të Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla:

Duket qartë që ne kemi lexime të ndryshme të zgjedhjeve të 25 qershorit.

Fatkeqësisht Partia Demokratike ka të njëjtin lexim, sikurse e kishte njëlloj më 23 Qershor 2013. Keni thënë vetëm një fjali: Fajin pse PD është në opozitë, e ka veçse populli shqiptar.

Fajin e ka populli që nuk e kuptoi dot, nuk e imagjinoi dot se si mund të ishte Republika e Re.

Miqësisht: Mjaft i lexuat raportet për zgjedhjet nga vrima e çelësit të derës së hallit tuaj. Nuk lexohen raportet kështu. Hallin harrojeni se mund t’jua zgjidhin raportet. Hallin mund t’jua zgjidhin veçse shqiptarët, nëse do të ndaleni t’i shihni shqiptarët si problemin e hallit tuaj. E rrallë kjo. Nuk ka vend në botë që të gjesh një parti, që të thotë “mua fajin se jam në opozitë, ma ka populli”.

Fajin e humbjes së radhës e paska edhe kundërshtari juaj, apo aleatë të njërit krap apo krahut tjetër. Ju nuk po mbani dot as përgjegjësinë e Partisë Demokratike, larg qoftë që t’i shkojë ndonjërit në mendje që të besojë se ju mund të merrni edhe përgjegjësinë e Shqipërisë. Ju keni thyer pasqyrën e vetvetes më 22 korrik të 2013. E keni bërë  më 22 korrik 2017, do ta ribëni dhe më 22 korrik të 2021-it.

Dhe, besoj, ti e di për çfarë e kam fjalën. Sepse edhe këto skenarët e bllokimit të kësaj foltoreje këtu, janë hemorragji e problemeve të brendshme të Partisë Demokratike. Një të enjte e bllokon grupi i Lulit, të enjten tjetër e bllokon grupi i Berishës foltoren e Kuvendit. Shyqyr që nuk na hyri dhe grupi i Jozefinës, sepse do e bllokonte dhe ai.

Larg qoftë të mendosh se partitë politike janë një mall që falet apo trashëgohet.

Të dashur miq, nuk trashëgohen partitë, as nuk falen, partitë fitohen. Larg qoftë kush i sheh partitë politike si mallin e babës, e kush i sheh ato si mall haram, ashtu sikurse e sheh ti Partinë Demokratike.

Thënë të gjitha këto, këtu nuk ka nevojë për ndryshim të kodit elektoral, por ka nevojë për dëshirën për të parë gabimet dhe fajet te vetja në radhë të parë. Ju vazhdoni të mos kuptoni që shqiptarët ju kanë dënuar, ndaj ose duhet të ndryshoni ose do të dështoni përsëri.

Për Partinë Socialiste rrini kështu siç jeni, me këtë gjuhë e me këtë fjalor ne na bëni nder, por Shqipërisë jo.

E duke qenë se Shqipërisë nuk i bëni nder, as ne jo, duam t’ju kemi partnerë ndaj mos u kompleksoni nga historia e marrëveshjeve. Marrëveshjet i bëjnë mirë edhe Partisë Demokratike edhe Partisë Socialiste, sepse mbi të gjitha i bëjnë mirë Shqipërisë.Ne përsëri vazhdojmë t’ju shtrijmë dorën për të bashkëpunuar, e ti Lulëzim mos ki frikë nga bashkëpunimi me ne.

Meqë ju iu referuat raportit! Është hera e parë që një raport për zgjedhjet tregon me gisht një parti politike për listën e kandidatëve për deputetë.

Lexoje raportin! Pse nuk e respektove, ti z. Basha, kuotën gjinore në asnjë prej 12 listave? E kemi futur në kod që prej vitit 2013, së bashku me z. Berisha. Kemi futur në kod së bashku që 1/3 të jenë zonja, ose nga gjinia tjetër siç kemi termin korrekt, ku në tre të parët të kemi një zonjë. Preferove të paguash 10 milionë lekëshin e gjobës, për të mos futur asnjë zonjë në tre të parat e listave. Ky është leximi juaj për zgjedhjet.

Kush është leximi ynë për zgjedhjet?

Shqiptarët votuan dhe zgjodhën!

Sot Shqipëria ka një qeveri dhe një parlament të ri. Është koha që së bashku të shohim përpara dhe të punojmë për shqiptarët e të përmbushim premtimet që u kemi dhënë atyre për Shqipërinë. Për më shumë punë, për më shumë shtet, për më shumë mirëqenie.

Pavarësisht se këto ishin zgjedhjet më të mira që janë zhvilluar ndonjëherë, falë edhe përfaqësimit të opozitës në qeveri, ne nuk i shmangemi përgjegjësive tona.

Ne do të vazhdojmë të angazhohemi bashkë edhe në këtë Komision, me asistencën e vyer të partnerëve ndërkombëtarë për dialog me ju, opozitën, për të arritur standardin më të lartë dhe më të mundshëm të zgjedhjeve në Shqipëri.

Dhe një ndër arsyet që shqiptarët votuan masivisht në 25 qershor Edi Ramën dhe Partinë Socialiste, ishte pikërisht edhe përpjekja e opozitës për të penalizuar dhe, pse jo, ndoshta edhe për t’i bojkotuar zgjedhjet.

Në emër të kërkesave ultimative për ndryshimin e kodit zgjedhor 3 muaj para zgjedhjeve, viktimizimi në zgjedhje nga frika e rezultatit në zgjedhje është një histori frikacakësh, që në këtë vend duhet të marrë fund njëherë e përgjithmonë. Një udhëheqës i cili mendon se nuk e bën dot, nuk e fiton dot betejën, ai nuk është udhëheqës; dhe nuk mund të bëhet  i tillë sepse në fund do ta braktisin të gjithë.

Shqipëria nuk mund të vazhdojë më me këtë histori, që pas çdo palë zgjedhjesh dhe pas çdo humbjeje, opozita ta përdorë si barkë shpëtimi nga problemet e saj, kodin zgjedhor.

Por kjo nuk do të na pengojë që sa herë të ketë nevojë për ndryshime të rekomanduara nga vëzhguesit ndërkombëtarë, ne t’i bëjmë ato për të mirën e zgjedhjeve. Po e fillojmë herët këtë histori për t’i hequr nga duart edhe alibinë e kohës kryetarit të opozitës, edhe pse ai ose do ta zvarrisë ose do gjejë arsye të tjera për t’i ikur betejës. Shumë shpejt do të dëgjojmë në këtë foltore apo në ndonjë çadër se zgjedhje lokale nuk mund të ketë, pa ndryshuar hartën administrative.

Të dashur njerëz të zakonshëm të Shqipërisë,

Ne nuk kemi ndërmend të hyjmë në spiralen e betejave të shpikura të opozitës. Këtyre nuk u duhet debati për zgjedhjet për t’i përmirësuar ato, por për të shpëtuar veten e tyre nga përgjegjësia për humbjen. Ne nuk i ndihmojmë dot në këtë histori. Kemi përpara punë më të rëndësishme dhe përgjegjësi konkrete për qeverisjen e vendit, të cilat duhet t’i kryejmë, pasi për ato na kanë votuar shqiptarët.

E di se për të ngjizur një opozitë të re të bashkuar, një aleancë të re mes PD e LSI, duhet një gjë që t’i bashkojë.

Meqë kanë një jetë të tërë që tradhëtojnë njëri-tjetrin, tani e vetmja gjë që i bashkon është humbja e 25 Qershorit. Për këtë shkak, ata po përpiqen të ngrenë aleancën e re me të vetmen pikë bashkimi, humbjen e 25 Qershorit. Ata bien dakord me njëri-tjetrin vetëm për arsyen që kanë humbur; është e vetmja gjë që i bashkon deri tani. Është një aleancë e ngritur mbi humbjen, dhe si e tillë vështirë se ka për t’i çuar ndonjëherë drejt fitores. Sidoqoftë është problemi i tyre dhe le të merren me të.

Shqiptarët nuk janë “non stop” në proces zgjedhor. Ata janë në zgjedhje një herë në katër vjet për të zgjedhur parlamentin e tyre, dhe zgjodhën më 25 Qershor. Opozita për këto katër vite ka kohë të merret me veten e me qeverisjen, por nuk është mirë të penalizojë shqiptarët për humbjen e saj. Se ata kanë veshë e dëgjojnë, dhe kur të vijnë zgjedhjet prapë do t’i ndëshkojnë.

E njëjta gjë ndodh dhe me zgjedhjet lokale. U bëtë një herë bashkë kundër Edi Ramës më 2011 dhe nuk e mundët dot.  U deshët të gërmonit në kazane plehrash për të falsifikuar mandatin e Lulzim Bashës, pasi kishte ikur nga Ministria  Brendshme me duar të përgjakura pasi vrau katër qytetarë. E futët me dhunë dhe vjedhje votash në Bashkinë e Tiranës, t’i iknin njollat e gjakut nga duart e t’i zinin kallo duart nga puna. Në fakt i zuri kallo vetëm kurrizi nga gjumi në zyrë për katër vjet. Dhe menjëherë më pas, qytetarët votuan masivisht Partinë Socialiste.

Bëjeni tani diferencën me atë që është sot: 24 orë në punë dhe këtë që e kishit 24 orë në gjumë.

Të mos njohësh përgjegjësinë përse ke humbur dhe përse nuk të kanë votuar shqiptarët, është një gabim i rëndë politik, pasi historia do të përsëritet. Shqiptarët ndjehen të qetë për votën e tyre më 25 Qershor, dhe tani e kanë betejën me ne që duhet të mbajmë premtimet. E kanë me ne që duhet të reformojmë Ministrinë e Bujqësisë, të Transportit, të Mjedisit dhe sektorë të tjerë jetikë të qeverisjes, që ishin kthyer në çerdhe militantësh dhe ryshfetesh. Shqiptarët e dinë mirë këtë. Madje e thonë me zë më të lartë se ne, që: “Ende kemi skrupuj dhe ndjehemi bashkëfajtorë për këto probleme.”

Nëse nuk e kuptoni përse nuk ju votuan shqiptarët më 25 Qershor, nuk do t’ju ndihmojnë dot as ndryshimet në Kod Zgjedhor, as një reformë elektorale dhe mbi të gjitha asnjë alibi para zgjedhjeve, duke ngritur çadra e duke i ikur betejës. Ky nuk është problemi ynë, por juaji.

Ne ditëm ta menaxhojmë edhe këtë problem të shpikur nga frika juaj falë guximit politik të Edi Ramës, që nxori opozitën nga çadra duke ju besuar qeverisjen e vendit për tre muaj dhe duke jua besuar pothuajse tërësisht rolin e qeverisë në zgjedhje. E keni gabim që jeni bërë pishman për marrëveshjen e 18 Majit. Askush nuk humb nga dialogu.

Raporti “vlerëson pozitivisht marrëveshjen politike të 18 Majit si një hap i cili siguroi pjesëmarrjen e opozitës në zgjedhje dhe kontribuoi në një proces zgjedhor më gjithëpërfshirës, më pak të polarizuar dhe me më pak tension politik sesa zgjedhjet e mëparshme”

Marrëveshja e 18 Majit e shpëtoi Partinë Demokratike, dhe shqiptarët e vlerësuan këtë si shenjën më të lartë të transparencës së Partisë Socialiste dhe si një nga pafytyrësitë më të mëdha të Partisë Demokratike, e cila edhe pse qeveriste vendin dhe zgjedhjet, pas zgjedhjeve ankohet për to

Që nga viti 2009, kur ne kemi kaluar në sistemin proporcional rajonal, për herë të parë raporti për zgjedhjet bën këtë fotografi: “Administrimi i zgjedhjeve u bë shumë më mirë se çdo herë tjetër dhe ankimimet e apelimet u mbyllën në një kohë të shkurtër pa reklamime, duke mos vonuar procesin zgjedhor”.

Shqiptarët zgjodhën të ndëshkojnë jo vetëm mungesën e vizionit të opozitës, por dhe paranojat e tyre, teoritë konspirative që lodhën shoqërinë shqiptare. Nuk mund të rrish katër vite në opozitë duke transmetuar negativitet dhe skenare konspirative mbi shoqërinë, dhe pastaj të marrësh votën e tyre. Do të marrësh gjithnjë përbuzjen e tyre, siç e keni marrë

Pavarësisht se sipas çdo raporti ndërkombëtar këto ishin zgjedhjet më të mira që janë zhvilluar ndonjëherë, falë edhe përfaqësimit të opozitës në qeveri, ne nuk i shmangemi përgjegjësive tona.  Ne do të vazhdojmë të angazhohemi bashkë me partnerët ndërkombëtarë për dialog me opozitën, për të arritur standardin më të lartë të mundshëm në zgjedhje, sepse ne jemi të përgjegjshëm.

Po ngremë në kohë Komisionin e Reformës Zgjedhore, duke ju rikujtuar edhe një herë që të mos ta shikoni atë si një alibi për çadrën dhe bojkotin e radhës. E meqenëse ky debat i pakuptimtë, i sajuar nga halli i këtij krahu të sallës për një çështje që nuk ka nevojë për debat, sa kohë kemi rënë dakord në Marrëveshjen e 18 Majit për vijimin e Reformës Zgjedhore, u ndal në leximin e Raportit, Grupi Parlamentar Socialist shpreh vlerësimin për konkluzionet objektive dhe konkrete të Raportit të OSBE/ODHIR, kontekstin e gjerë politik të zgjedhjeve të përgjithshme të 25 Qershorit, frymën inkurajuese të rekomandimeve që Shqipëria duhet të ndërmarrë për përmirësimin e kuadrit ligjor dhe institucional të zgjedhjeve, si dhe mbështetjen e shprehur ndaj Shqipërisë në adresimin e këtyre rekomandimeve. Le të jenë këto rekomandime detyra jonë e shtëpisë.

Faleminderit të gjithë shqiptarëve që me pjesëmarrjen e tyre në zgjedhje dhe votën e tyre, na kanë dhënë besimin e madh t’i përfaqësojmë, secilin prej nesh, pa dallim kahesh politike.

Faleminderit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here