Home Aktualitet Spitali i Traumës me pajisje dhe infrastrukturë moderne

Spitali i Traumës me pajisje dhe infrastrukturë moderne

52
0
SHARE

Pas dekadash pa investime, Spitali Universitar i Traumës falë reformimit të thellë të shërbimit shëndetësor me pajisje dhe infrastrukturë moderne, më në fund ofron shërbim bashkëkohor dhe cilësor. Ndërhyrja radikale në Spitalin e Traumës nisi në vitin 2015 dhe sot, spitali ka 11 salla operatore krejtësisht të rehabilituara dhe me pajisje mjekësore të reja. Gjatë vizitës në spitalin e Traumës, Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, vlerësuan investimin si një faqe e re për Spitalin e Traumës. Investimi mori edhe pëlqimin e ekipit tëmjekëve dhe infermierëve që punojnë aty. “Është një investim realisht i madh. Unë kam 30 vjet që punoj në Reanimacion dhe Anestezi. Kemi shpëtuar edhe ne tani, me këto aparaturat e fjalës së fundit, jemi më të sigurt, më të qetë, punojmë më lehtësisht. Sigurisht, edhe të sëmurët janë më të garantuar. Edhe pse unë jam duke ia lënë stafetën të rinjve, meriton falenderime, sepse do punojnë shumë më qetë e shumë më mirë”, – u shpreh një nga mjekët më të vjetër të këtij spitali.  Ndërsa një tjetër mjek u shpreh “Ka ndodhur një revolucion teknik i paparë. Sot mund të krahasohemi me spitalet bashkohorë që kemi parë në Itali e Gjermani”

Në spital para kësaj ndërhyrjeje nuk kishte ambient pritjeje, çka sillte konfuzion për të sëmurët e familjarët e tyre. Gjithashtu, Reanimacioni dhe Urgjenca e Politraumës kishin pajisje mjekësore të vjetra, që datonin prej vitit 1970 dhe kushtet e papërshtatshme rrisnin rrezikun e infeksioneve spitalore. Barnat ruheshin në kushte të papërshtatshme, fizioterapia dhe rehabilitimi ishin thuajse jashtë funksionit, me vetëm dy pajisje të vjetruara dhe ambientet laboratorike nuk siguronin funksionimin sipas standardeve. “Spitali i Traumës, që prej ndërtimit të tij asnjëherë nuk është investuar. Janë dy investime radikale që janë kryer për ndryshimin e të gjithë shërbimeve, nga Urgjenca, Reanimacioni, shërbimet pritëse dhe pastaj është realizuar gjithë pajisja e plotë me aparaturat biomjekësoe dhe pajisjet spitalore”, – u shpreh ministrja Manastirliu.

Sot, Reanimacioni është rikonstruktuar dhe pajisur me instrumente të reja. Spitali ka një shërbim bashkëkohor fizioterapie, laboratorësh dhe imazheri të fuqizuar me pajisje të fjalës së fundit të teknologjisë. Duke u ndalur në palestrën e repartit të Fizioterapisë, një shërbim unikal në sistemin tonë publik me të gjitha pajisjet e riaftësimit, Drejtori i spitalit, Gjovalin Bushi theksoi se me këtë investim janë fuqizuar kapacitetet e tij. “Llogarisim rreth 16 të sëmurë, vetëm të spitalit dhe ata që kanë mbaruar periudhën akute, do shkojnë në shtëpi por përsëri do vijnë të ushtrohen këtu”.

Kryeministri Rama u shpreh se ky investim e ka kthyer Spitalin e Traumës në një ndër spitalet më të mira në vend, si dhe shprehu ambicien për ta çuar këtë cilësi në shërbim dhe infrastrukturë në çdo spital rajonal. “Para katër vitesh, – nënvizoi Kryeministri, – ishte një spital lufte, se nuk ishte vënë më dorë. Sot është një gjë krejt tjetër dhe fakti që është i gatshëm për t’u akredituar e për t’u certifikuar me certifikatat e Bashkimit Europian, duke filluar nga gjithë instrumentet mjekësore, procesi i sterilizimit, plus dhe gjithë zonat e reja të pritjes, të trajtimit, të rehabilitimit, është realisht një ëndërr që bëhet realitet. Sigurisht që ka ende shumë për të bërë, por ambicia është që të njëjtën cilësi ta çojmë në të gjithë spitalet rajonale të Shqipërisë. Ajo që është themelore është se investimet janë bërë e po bëhen me shumë vëmendje, për të mos harxhuar për gjëra të panevojshme, por për të filluar me më të nevojshmet, për t’i shkallëzuar deri tek plotësimi i të gjithë ciklit.”

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here