Home Sociale Zhvillohet “Kids marathone”, pjesëmarrës 2300 nxënës nga 82 shkolla të ndryshme

Zhvillohet “Kids marathone”, pjesëmarrës 2300 nxënës nga 82 shkolla të ndryshme

61
0
SHARE

Maratona e Tiranës zhvilloi sot garën e saj të parë në rrugët e kryeqytetit. E dedikuar tërësisht për fëmijët, në garë morën pjesë 2300 nxënës nga 82 shkolla të ndryshme të cilët vrapuan për 2 kilometra.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ndau çmimet për fituesit e kësaj gare, ndërsa u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të kontribuojnë për mbarëvajtjen e aktivitetit më të madh sportiv të zhvilluar ndonjëherë në Shqipëri. “Sot ishte vetëm një nxehje, ndërkohë që e di që shumë prej jush do të jenë nesër, duke na ndihmuar si vullnetarë ose duke ndihmuar turistët që janë në qytet për t’u orientuar, ose duke ndihmuar dikë që duhet të gjejë rrugët nga do kalojë, në momentin që qendra e qytetit do jetë e bllokuar”, tha Veliaj.

Ndërkohë që, të gjithë ata që tashmë janë regjistruar, bip-in mund ta tërheqin te Sheshi “Nënë Tereza”. “Dua të njoftoj të gjithë ata që janë vrapues profesionistë, që tashmë kemi filluar që dje, tek sheshi “Nënë Tereza”, ku po japim çipat, numrin, që secili të ketë mundësi që të evitojë radhën dhe të mos kemi vonesa nesër, për nisjen në kohë”, tha ai.

Kreu i Bashkisë kërkoi mirëkuptimin e qytetarëve gjatë këtyre ditëve ku qyteti është i mbushur me turistë, duke e shndërruar Tiranën në një kartolinë fantastike europiane. “Qyteti është mbushur me turistë. Do të doja shumë të ishim miqësorë! Do të thotë që të mbajmë pastër, që të mos kemi rrëmujë nëpër qytet. Po të japim të gjithë një dorë, mund ta kemi Tiranën nesër një kartolinë fantastike europiane”, shtoi Veliaj.


Kryebashkiaku Veliaj premtoi se qyteti do të mirëpresë të tjera aktivitete sportive, ndërsa apeloi që të rinjtë të orientohen drejt aktiviteteve sportive për një jetë më të shëndetshme. “Mezi pres që vitin tjetër të kemi më shumë aktivitete sportive. Unë e di që Maratona e vërtetë ndodh në një ditë, por ata që merren me sport duhet të angazhohen përditë dhe lutja ime për secilin prej jush është të mos tundoheni nga ata që ju ftojnë për kafe, nga ata që ju ftojnë për baste dhe tek bingot! Kam takuar shumë njerëz, që në moshën tuaj, që janë bërë 30-40-50-60 vjeç dhe kanë mbetur akoma tek kafet dhe tek bingot. Maratona është një mundësi fantastike, frymëzuese për t’u angazhuar me sport”, tha Veliaj.

Gjatë ditës së nesërme zhvillohen tre garat e tjera të Maratonës:

– Half Marathon (21,0975 km)

– Tirana 10K (10 km)

– We too (5 km)

Në kategorinë We Too do të marrin pjesë të gjithë individët me aftësi ndryshe, duke i parë ata si një shembull motivimi për jetën;

Half Marathon (21, 0975 km) do të marrin pjesë të gjithë qytetarët shqiptarë dhe të huaj, profesionistë dhe amatorë mbi moshën 18 vjeç;

Në Tirana 10k (10 km) do të marrin pjesë qytetarët shqiptarë dhe të huaj, profesionistë dhe amatorë edhe nën moshën 18-vjeç.

Bashkia e Tiranës fton gjithë qytetarët e Tiranës që nuk garojnë, të dalin në datë 15 Tetor dhe të mbështesin sportistët pjesëmarrës.

 

 

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here