Home Aktualitet Kryeministri Rama me 100 studentë të ekselencës

Kryeministri Rama me 100 studentë të ekselencës

51
0
SHARE

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në takimin me 100 studentë të ekselencës:

Mirë se keni ardhur!

Është kënaqësi e veçantë  t’ju kemi sot, këtu. Kjo është një hapësirë që është e hapur për të gjithë ata që duan ta shfrytëzojnë çdo ditë të javës. Ka dhe bibliotekën, ka edhe një sallë filmi. Kështu që jeni në shtëpinë tuaj.

Nuk është surprizë për mua që shumica e 100 më të mirëve janë vajza. Nga ana tjetër është kënaqësi e veçantë, si gjithnjë kur më jepet rasti të takoj ata që në këndvështrimin tim janë heronjtë e vërtetë të këtij vendi, vajzat e djemtë në 9-vjeçare, në shkollë të mesme, në universitet, që mund të gjejnë të gjitha justifikimet për të mos qenë të shkëlqyer, që mund të kenë prindërit pa punë, mund të kenë të ardhura të pamjaftueshme në shtëpinë e tyre, mund të kenë rreth e rrotull plot të tjera probleme, pas të cilave mund të kapen për të justifikuar mbylljen e librit dhe dergjjen në kafenenë më të afërt, por nuk e bëjnë. Përkundrazi, bëjnë diçka krejt tjetër, me pasion, me vullnet dhe me një fuqi të madhe ëndrrash, për të shkëlqyer edhe aty ku duket sikur s’ka mundësi për shkëlqim. Duke provuar një të vërtetë shumë të thjeshtë, të vërtetën që unë mundohem ta kem parasysh duke marrë shembullin tuaj, duke menduar jo vetëm kur takoj njerëz si ju, por edhe kur nuk i takoj, që për sa kohë ka njerëz të tillë dhe nuk janë pak, ka gjithmonë një arsye shumë të mirë për të luftuar dhe për të besuar që gjërat që duken të pamundura, bëhen të mundura për sa kohë njeriu i ëndërron me sy hapur. Nuk ka ëndërr me sy hapur që njeriu mund ta shohë dhe që nuk mund ta arrijë, përderisa e sheh. Por, sigurisht, mes asaj që e përfytyron dhe shkuarjes për ta përqafuar ëndrrën e vet, është një det plot dallgë në mes, ku jo të gjithë ia dalin ta kapërcejnë matanë.

Sot më vjen shumë mirë që mund të them me plot gojën, se një nga ato ëndrra që kam pasur, kur kam marrë këtë detyrë, është bërë realitet, që çdo djalë e çdo vajzë në këtë vend, pavarësisht si quhet i ati, pavarësisht si quhet e ëma, pavarësisht sa të ardhura kanë prindërit, pavarësisht se del nga shtëpia në mes të Tiranës, apo në një fshat, për të shkuar në shkollë, mund t’ia dalë, nëse e meriton dhe mund të hyjë në derën e universitetit, ashtu siç e meriton, pa qenë e parakaluar apo i parakaluar nga dikush tjetër që ka një baba me emër, që ka prindër të pasur, apo që ka një parti pas vetes.

Ky parakalim ka qenë rutinë në Shqipërinë që kishim dhe studentët ishin klientë të një sistemi, ku ose duhet të kishe para, ose duhet të kishe mik, fis, parti. Sigurisht, kur ishe i shkëlqyer hyje, por hyje duke përjetuar bërryla, shtyrje, rrëzim për tokë dhe parakalimin  e shumë të tjerëve që nuk e meritonin. Kjo ka marrë fund!  E faktikisht, fillimi i fundit të kësaj historie që zgjati për shumë vite ishte rikthimi i dinjitetit të Maturës Shtetërore. Askush këtu në këtë sallë nuk ka nevojë për shpjegime, sepse është dëshmitar i faktit se falë Maturës Shtetërore, të administruar  jo për përfitime politike, as për korrupsion, “më jep kaq, të të shes tezën” dhe as për të bërë shifra fiktive, ju keni marrë atë që keni kultivuar prej vitesh, duke punuar, lexuar, mësuar dhe duke ndjekur me këmbëngulje ëndrrën tuaj që të hyni në universitet.

Sigurisht nuk mbaron këtu. Këtu vazhdon ëndrra për të shkuar diku tjetër, shumë larg, mbas përfundimit të universitetit, por, po të mos ishte platforma hyrëse në arsimin e lartë, të jeni të sigurt që sot, ne mund të thërrisnim këtu 100 të parët, por nuk do ishin 100 më të mirët. Mund të ishin disa nga ju, po do ishin dhe tjerë që do i kishin zënë vendin disa të tjerëve që janë këtu, pasi do ishin të parakaluar për të gjitha arsyet që thashë më lart. Ndërkohë që kjo nuk ndodh.

Jam i bindur që e keni parë me ankth të madh, vitin e kaluar, gjithë atë kazan që zjeu në mes të shtëpisë nëpërmjet televizorit, sikur ububu (!), u shkatërrua universiteti, u shkatërruan ëndrrat, u shkatërruan shpresat, u rrënuan gjithë sakrificat dhe s’po e merr vesh i pari të dytin. Një reformë si çdo reformë kërkon kohën e vet për t’u zbatuar e mbi të gjitha për t’u kuptuar siç duhet. Çfarë ndodhi këtë vit, që ishte e njëjta platformë?! Asnjë pipëtimë. Sepse platforma funksionoi si ora zvicerane dhe ju e keni ndjekur gjithë procesin, kur keni ndjekur ecurinë e emrit tuaj në gjithë rrugëtimin për të marrë degën e dëshiruar. E keni zgjedhur sipas preferencës tuaj, keni pasur mundësi të zgjidhni deri në fund. E mbani mend lojën e kungulleshës, pse dhjetë e jo pesë, pse pesë e jo tre. Muhabete kazani. Ndërkohë, dhjetë alternativat janë për të mirën e shumë më tepër të vajzave dhe djemve, sesa po të ishin tre. Mund të mos fitoje tre dhe nuk kishe çfarë të fitoje tjetër. Ndërkohë në dhjetë alternativa mund të mos fitosh nëntë, por fiton një dhe fiton.

Në proces ju dhe shumëkush tjetër ka edhe të drejtën ta ndërrojë zgjedhjen e vet, sepse qartëson mundësitë reale për të fituar, konsolidon pikëpamjet e vet. Ndërkohë që në sistemin e vjetër kishe dy faza. Në fazën e  dytë as nuk bëhej fjalë të ndryshoje degën, as nuk bëhej fjalë të ndryshoje renditjen, po në fazën e dytë ishte, o ba  gjëmo kë duhet të kapësh, se ngela pa shkollë. I keni dëgjuar, besoj, nga bashkëmoshatarët tuaj këto.

Ju e dëgjoni vazhdimisht kazanin si zien, e gjithë kjo u bë për universitetet private. E vërteta është që nga 26 mijë maturantë që aplikuan këtë vit, 17 mijë u regjistruan në raundin  e parë, domethënë 64% e tyre. E nga maturantët e regjistruar, 87% në universitetet publike dhe vetëm 13% në universitetet private. Pra, 15 mijë me 2 mijë. Të bëjnë “për budalla” mëngjes, drekë, darkë. Po e hëngre u budallepse, po nuk e hëngre, ti vazhdon, ata lehin pas teje.

Themelore në këtë proces është që kjo shifër dhe gjithë aksesi i hapur për meritat në universitet nuk komandohet nga reformat, por orientohet. Orientohet, sepse më të mirët kanë mundësi të zgjedhin. Ne ndërtuam një proces këshillimesh që ka ndihmuar në gjithë ato hapa që ju keni ndjekur me përpikërinë që ju karakterizon dhe sot jemi realisht në kushtet kur është edhe për t’u habitur, zero pipëtimë.

Ndërkohë, për herë të parë është vendosur sistemi arsimor publik shtetëror dhe sistemi privat në të njëjtat pozita, por jo për të favorizuar privatin kundër shtetit. As për ta diskriminuar, sepse të gjithë janë fëmijë të Shqipërisë, të gjithë prindërit janë taksapagues dhe qytetarë të Shqipërisë. Ajo që shteti duhet të bëjë, është që të garantojë që, pavarësisht se çfarë zgjedhje bën studenti aty ku shkon, për sa kohë ai institucion publik i financuar nga shteti, apo publik i financuar nga privati, sipas meje, sepse nuk janë më ndërmarrje fitimprurëse, por janë institucione që funksionojnë pa qëllim fitimi, për sa kohë shteti i ka njohur të drejtën e aktivitetit, studenti duhet të marrë të njëjtin kujdes dhe duhet të dalë me një gjë me vlerë në dorë, jo si ato dhjetëra mijëra diploma që ishin letra pa vlerë, si lekë fals. Kanë harxhuar miliona prindërit, për të marrë në fund “lekë” false, me të cilat nuk bëhet dot asgjë.

Unë nuk dua që as ju e askush që më dëgjon ta marri si një vetëkënaqësi. Sepse ne jemi shumë të vetëdijshëm që përmbajtja e cilësia e procesit, nga hyrja deri në dalje, lë shumë për të dëshiruar. Për këtë arsye, ne kemi marrë një agjenci akreditimi nga Britania e Mashe, një nga më të mirat në botë, për të bërë gjithë skanimin e universiteteve dhe për të dalë me konkluzione mbi akreditueshmërinë e tyre, duke lënë edhe detyra.

Nga ana tjetër, ne e dimë që ajo që mungon prej shumë vitesh është pjesa jashtë  auditorit, që ka të bëjë me kërkimin shkencor. E për këtë arsye, këtë vit do të bëjmë një hap të madh përpara, duke rritur mbështetjen për kërkimin shkencor, duke filluar nga një gjë shumë e thjeshtë, që nuk është në vetvete çelësi magjik, por është baza. Ju jeni në universitet me të gjitha të drejtat e legjitimitetin e të gjithë mundimeve që keni bërë dhe meritës që keni jeni edhe këtu, sot. Ju mendoni se do shkoni në bibliotekë, por në çfarë biblioteke?

Bibliotekat shkencore të universiteteve janë lënë në mëshirën e fatit dhe janë pasuruar me sa ka pasur mundësi njëri e tjetri, sikur janë bibliotekat e Kryqit të Kuq. Është një distancë shumë e madhe dhe e padrejtë në barazinë mes jush dhe bashkëmoshatareve tuaj në Europë. Por neve na jep mundësi koha e re dhe teknologjia. Ne do investojmë më shumë se gjysmë milioni dollarë, për t’ju dhënë në dorë, duke filluar nga viti i ardhshëm, mundësinë që si çdo student në Europë dhe në Amerikë të keni bibliotekën shkencore elektronike.

Biblioteka shkencore elektronike është një mundësi që gjithçka që ti do të dish përtej leksionit të radhës në auditor, mund ta mësosh, mjafton të kesh dëshirën dhe vullnetin që të hysh në atë labirint pa fund titujsh për fushën ku ti ke marrë përsipër të studiosh. Ne nuk jemi një vend që kemi luksin të harxhojmë para kot. Kemi një akademi shkencash që i ka mbetur vetëm emri, ndërkohë kemi një universitet që nuk ka bibliotekë shkencore të mirëfilltë. Çfarë do bëjmë? Kaq para kemi, do t’i japim universitetit.

Nga ana tjetër do krijojmë kushtet që të gjithë studentët e jo vetëm, por edhe nxënësit që janë në atë komunitet rreth e rrotull një universiteti, të kenë mundësi të marrin kurse anglishteje falas, për të përmirësuar anglishten e tyre.

Kjo do marrë pak kohë, por ne po punojmë me ministren për të sjellë mësues enkas për këtë, sepse ka nivele të ndryshme nevojash. Dikush nuk ka nevojë të mësojë anglishten, sepse unë jam i bindur, ju të gjithë këtu e dini anglishten, por keni nevojë të mësoni të folurën sa më rrjedhshëm, të tjerë kanë nevojë të mësojnë gjuhën në nivele të ndryshme. Për këtë po punojmë e do ta financojmë vetë, edhe këtë. Nuk jemi akoma në mënyrë konkluzive të qartë për shkallët që do ndjekim për ta plotësuar këtë rrjet në të gjithë Shqipërinë, sepse nuk dimë akoma interesin që do shfaqet. Do fillojmë me një pilot, pastaj me 2, 3 dhe 4, sipas asaj që do përcaktojë plani që po bëjmë aktualisht. Fondin e kemi vënë në dispozicion e pastaj do shikojmë nevojat, se duam që të gjithë nxënësit e studentët që dëshirojnë të kenë anglishte sa më të mirë ta kenë këtë mundësi.

Në nisje ju thashë që kjo është shtëpia juaj dhe nuk e thash si slogan, por realisht e ndërkohë ne duam që të gjithë studentët që dëshirojnë të përfshihen vetë në debat për gjërat që mund të përmirësohen, – këtë gjë mbase e bëjnë, mbase nuk e bëjnë sa duhet. Senatet e strukturat e tjera janë çështje e universitetit, nuk janë çështja jonë, – ne kemi ndërtuar një platformë të bashkëqeverisjes, ku pjesë e platformës mund të bëhet çdo nxënës e çdo student që dëshiron të japë kontributin e vet, ose shumë nxënës e shumë studentë që sëbashku duan të ngrenë një problem për një çështje të caktuar, apo edhe kur duan të kenë mbështetje për projekte të caktuara, përtej atyre që shkolla ofron, përtej atyre që biblioteka ofron. Ne duam të stimulojmë shpirtin krijues, shpirtin kritik, shpirtin e sipërmarrjes së vetë studentëve, duke i marrë prej tyre, jo duke i imponuar, sepse boll keni të imponuar programin, leksionet, provimet, idetë që ata kanë, për të çuar përpara një projekt që ka një përfitim shoqëror, komunitar, sado të vogël, përveç përftimit vetjak, ose të grupit, për të bërë një projekt.

Në këtë aspekt, unë do t’ju inkurajoja që të jeni të interesuar, të nxisni njëri-tjetrin e të jeni të nxitur që të përpiqeni. Në fund fare, ajo që ndodh është që jeta përtej derës së universitetit nuk është ashtu siç e thonë librat. Aty duhet edhe shumë forcë për të ndjekur idetë e tua, duhet edhe kreativitet, edhe angazhim, edhe kapacitet, për të qenë në gjendje që t’i prezantosh idetë e tua përmes projektit. Kultura e projektit është ajo çka në Shqipëri ka munguar për vite të tëra dhe ajo çka ne duam ta stimulojmë. Mund të kesh një ëndërr, por që ta bësh realitet duhet të kesh një projekt, ndryshe mbetet ëndërr. Edhe Walt Disney i famshëm thotë: “Midis ëndrrës dhe projektit ka një ndryshim; Afati!”

Struktura e re e sistemit të arsimit ka dhe disa aspekte të tjera që janë të rëndësishme, por më e rëndësishmja është forca e studentëve në përpjekjen për ta bërë sistemin të funksionojë, duke mos u kënaqur me gjërat që nuk shkojnë brenda sistemit. Natyrisht, kjo vlen edhe për pedagogët, vlen edhe për ne, por, në fund të ditës, i gjithë sistemi ekziston për ju, është ngritur për ju, është në funksionin tuaj. Ju nuk jeni klientë të universitetit, siç ishin paraardhësit tuaj, për fat të keq, për shumë vite me radhë. Ju jeni aktorët kryesorë në skenë, të tjerët janë ata që mundësojnë qëndrimin tuaj dhe suksesin tuaj në atë skenë.

Për këtë arsye, unë desha që, përveçse t’ju shpreh gjithë respektin për atë që jeni, natyrisht, s’jeni vetëm ju, se ka dhe të tjerë pas jush me rezultate shumë të mira, t’ju falënderoja për kohën e t’ju nxisja që, përveçse të merrni nota të shkëlqyera, se kësaj ia keni marrë dorën dhe nuk do jetë problem, të shfrytëzoni këtë kohë të artë të studimeve, për të rritur kapacitetin tuaj njerëzor e qytetar, duke bashkëvepruar me të tjerë, duke mësuar veten e njëri-tjetrin për të bashkëvepruar me forcat jashtë derës, që mund të ndihmojnë, mund të mbështesin, që duhen shkundur, duhen tundur, duhen kritikuar etj.. Kjo është e thjeshtë për t’u thënë, më e vështirë për t’u bërë, por, me siguri, ju jeni njerëzit e duhur për ta thënë, të paktën.

Jam i bindur që keni dëgjuar për Xhon Kenedi. Jam më pak i bindur që keni dëgjuar edhe për Robert Kenedi, i cili nuk arriti dot të bëhej President i Shteteve të Bashkuara si vëllai, sepse e vranë pa u bërë, – vëllanë e vranë pasi u bë, – por ai ishte një ëndërrimtar i madh. E për ta mbyllur këtë fjalë, kam zgjedhur këtë shprehje për ju, se besoj se shkon në frymën e asaj që u përpoqa me fjalët e mia të varfra të them: “Ne kemi nevojë, jo vetëm për përfshirjen e të rinjve dhe për sa më shumë të rinj të shkëlqyer në universitet, por edhe për cilësitë e tyre për imagjinatën, kurajon, temperamentin dhe guximin për të sfiduar barrierat me të cilat përballen”.

Një barrierë ju dini ta përballni me sukses, që është mungesa e dijes, përmes dëshirës që keni për të ditur atë që s’dini. Por ka të tjera barriera që përveç dijes kërkojnë edhe këto cilësi. Unë thjesht dua t’ju inkurajoj që t’i keni parasysh, se edhe këto cilësi kërkojnë kujdes për t’u zhvilluar dhe për t’u kthyer në armë efikase, që ju të luftoni për të realizuar ëndrrat tuaja.

Shumë faleminderit!​

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here