Home Aktualitet Mbledhja e katërt e qeverive të Shqipërisë dhe të Kosovës

Mbledhja e katërt e qeverive të Shqipërisë dhe të Kosovës

16
0
SHARE

Fjala e plotë e Kryeministrit Edi Rama në mbledhjen mes dy qeverive, të Shqipërisë dhe të Kosovës, në Shtëpinë e Flamurit në Korçë:

I nderuar Kryeministër i Republikës së Kosovës!

Të nderuar anëtarë të kabinetit qeveritar të kabinetit të Kosovës!

Mirë se erdhët në Korçë për këtë mbledhje të përbashkët, e cila është në vazhdën e një tradite të nisur nga Prizreni, qyteti ku shqiptarët afirmuan të bashkuar të drejtën e tyre për të ekzistuar një shekull e gjysmë më parë dhe prej ku, ne sëbashku nisëm këtë rrugëtim për politikën që fillon me një dëshirë dhe pastaj e shndërron dëshirën në një veprim.

Sot, ne mund të themi me plot gojën se ka ende shumë për të bërë,  por me patjetër, çka është bërë në këtë përpjekje të përbashkët, nuk është pak.

Kjo është mbledhja e katërt e dy qeverive në Korçën e kulturës dhe të historisë kombëtare, për të vijuar një punë të nisur dhe për të bashkërenduar, duke bashkëkuvenduar mbi përparësitë e ndërveprimit mes dy shteteve tona, harmonizimin e mëtejshëm të interesave tona në funksion të ardhmes europiane dhe patjetër të prosperitetit të mbarë botës shqiptare.

Së pari, dëshiroj të përgëzoj Kryeministrin Haradinaj për përkushtimin e tij dhe të qeverisë që ai drejton për progresin e reformave me qasje të qartë euro-atlantike, në dobi të një shoqërie gjithëpërfshirëse dhe multietnike në Kosovën e lirë, të pavarur dhe demokratike.

Dy qeveritë tona ritakohen sërish, pas më shumë se një viti dhe ndaj është mëse e natyrshme që të orientohemi për nga një përpjekje bilanci, që do na mundësojë jo vetëm një reflektim të qartë për çfarë është arritur, por edhe një pamje të qartë mbi hapat e pritshëm të radhës. Në një vështrim dhe analizë të përgjithshme, tradita tashmë e konsoliduar e mbledhjeve të dy qeverive është jo vetëm pozitive, por edhe produktive.

Ndërsa kemi zhvilluar tre takime ndërqeveritare, rezultatet janë konkrete, janë të dukshme, janë të prekshme dhe janë shpresëdhënëse.

Deklarata e Përbashkët për Bashkëpunim dhe  Partneritet Strategjik mes dy vendeve, të nënshkruar në Prizren më 11 janar të 2014-s, është harta e rrugës për jetësimin  e bashkëpunimit   dhe harmonizimin  e përpjekjeve tona në planin bilateral, rajonal dhe europian.

Kemi strukturuar njëherësh mënyrën e punës, të komunikimit dhe të ndërveprimit, duke ngritur Sekretariatin  e përbashkët që bashkëkryesohet nga dy zëvendësministrat e Punëve të Jashtme të vendeve përkatëse dhe që ka në përbërje të tij përfaqësues nga të gjitha ministritë dhe institucionet e linjës. Sekretariati ndjek, koordinon dhe bashkërendon punën ndërministrore në funksion të zbatimit të marrëveshjes në kuadrin e takimeve ndërqeveritare.

Ministritë e Kosovës dhe Shqipërisë kanë grupet e përbashkëta të punës dhe zhvillojnë takime në mënyrë sistematike.

Ashtu siç parashikohet në Deklaratën e Partneritetit Strategjik janë në zbatim e sipër disa marrëveshje dhe protokolle, lidhur me lehtësimin e shkëmbimeve tregtare, heqjen e barrierave tarifore dhe jotarifore, unifikimin e certifikimit të mallrave, lehtësimin e mëtejshëm të procedurave  dhe të kostove doganore. Është mundësuar tanimë, plotësisht, shkëmbimi elektronik i dokumentacionit për kalimin e  mallrave tranzit përmes Shqipërisë me destinacion Kosovën, duke lehtësuar ndjeshëm të gjithë procedurën e tranzitit. Kjo  ka shkurtuar në mënyrë të rëndësishme kohën për kryerjen e këtyre procedurave.

Po punohet për hapjen e pikave të tjera doganore mes dy vendeve, për të lehtësuar edhe më tej transportin e mallrave. Është vendosur dhe funksionon Linja  e Gjelbër për makinat e mallrave në pikën doganore të Morinës, çka lehtëson transportin, veçanërisht gjatë stinës së verës, kur ka edhe një fluks shumë të dendur automjetesh. Pavarësisht kësaj kemi ende punë për të bërë, për ta ulur shumë më tepër kohën që qytetarët kalojnë në kufi dhe mundësojmë një tranzit sa më të shpejtë të tyre.

Do të vijojmë punën për hapjen e Zyrës Operacionale të doganës së Kosovës në Portin e Durrësit  dhe kjo do të thotë që një zyrë e tillë të jetë operative një orë e më parë. Ministria e Punëve të Jashtme, Financave dhe autoritetet doganore të dy vendeve tona janë në bashkëveprim të vazhdueshëm në funksion të konkretizimit të këtij projekti brenda, shpresoj, një kohe sa më të shkurtër. Hapja e kësaj zyre do të ndikojë dukshëm në lehtësimin e shkëmbimeve tregtare të Kosovës edhe me vendet e tjera. Kini parasysh se vetëm gjatë periudhës janar- tetor 2017, rreth 120 mijë ton mallra të përpunuara në Portin e Durrësit u përkasin eksport-importeve tranzit me Kosovën.

Eksporti tranzit nga Kosova përbën 11% volumit të mallrave të përpunuara në këtë port, ndërsa importi tranzit për Kosovë 10%.

Mallrat me destinacion Kosovën do të kryejnë të gjitha procedurat doganore në Portin e Durrësit, pa pasur nevojën e ndalesave të tjera në pikat doganore mes Shqipërisë dhe Kosovës. Kjo do të përbëjë një shkurtim drastik të kohës për kryerjen e procedurave, do të uli ndjeshëm kostot e mallrave dhe do të rrisë përfitimet tregtare. Rrjedhimisht, tregu i Kosovës rrit atraktivitetin e tij për mallrat nga jashtë, duke mundësuar diversifikimin e vendeve nga të cilat importohet.

Ndërkohë duhet ta them se, edhe pse ka përfunduar linja  e interkonjeksionit 400 KW mes dy vendeve, që për fat të keq ende nuk po vihet në punë për shkak të mungesës procedurale të krijuara nga jashtë, mbetemi në një impasse sa të palogjikshëm, aq edhe të dëmshëm, në raport me këtë investim kaq të rëndësishëm.

Kjo linjë  e interkonjuksionit 400 KW është pa as më të voglin dyshim, një aks strategjik për të rritur ndërveprimin dhe jo thjesht për të afruar shumë më tepër të dy shtetet tona, por për të konsoliduar një proces tërësor rajonal. Të parët e kësaj linje, si thjesht një linjë mes Shqipërisë dhe Kosovës është një mënyrë të pari me të cilën ne nuk pajtohemi dhe për të cilën do të vazhdojmë të bëjmë përpjekje që të ndryshojë.

Jemi angazhuar po ashtu për të degëzuar gazsjellësin Trans – Adriatik për në Kosovë e më tej në rajon, çka do të krijonte akses në këtë linjë të rëndësishme të furnizimit me gaz edhe shtetit të Kosovës.

Po ecet në bashkërendimin e dy palëve përsa u takon projekteve infrastrukturore, që janë edhe pjesë e rëndësishme e interkonektivitetit në kuadrin e Procesit të Berlinit.

Edhe më vjen mirë që të konstatoj bazuar në shifra se ka një rritje të interesit të ndërsjellë në fushën e biznesit. Statistikat flasin shumë qartë për këtë. Nëse në vitin 2015, në Kosovë janë regjistruar 80 biznese të reja nga Shqipëria, në vitin 2016 është regjistruar dyfishi. Aktualisht, në Kosovë ushtrojnë aktivitetin e tyre rreth 930 biznese nga Shqipëria, ndërsa rreth 600 kompani nga Kosova operojnë në Shqipëri.

Volumi tregtar me Kosovën përbën 2,7% të tregtisë së përgjithshme të Shqipërisë, ndërkohë që 10 vjet më parë përbënte vetëm 1,1%.

Në periudhën kohorë të këtij 10-vjecari, tregtia midis dy shteteve tona është mbi pesëfishuar, nga rreth 30 milionë euro në 165 milionë euro. Por, sigurisht, kjo është një shifër, e cila krahasuar me mundësitë dhe ambiciet tona mbetet modeste.

Viti aktual i ka të gjitha shanset që të konfirmohet jo vetëm si viti më i suksesshëm në shkëmbimet tregtare midis dy vendeve, por edhe si një vit që konfirmon atë që sapo thashë, potencialin  e jashtëzakonshëm për t’u rritur në këtë aspekt, duke kaluar në përtej shifrës prej 200 milionë euro. Për periudhën janar-shtator, sipas të dhënave tona, eksportet shqiptare janë rritur në mbi 15 miliardë lekë nga 12 miliardë që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ndërkohë importet nga Kosova, në 9 muajt e parë të vitit arrijnë në 6.1 miliardë nga 4 miliardë në janar-shtator 2016.

Dukshëm potenciali është tejet më i madh dhe këtë dua të rinënvizoj. Për këtë arsye, të dyja qeveritë do të punojnë me këmbëngulje, për të lehtësuar më tej procedurat, në mënyrë që në të ardhmen të kemi shkëmbime në sasi dhe vlera shumë më të mëdha. Është shumë e rëndësishme që ekonomitë tona të orientohet nga njëra-tjetra me të gjithë komponentët përbërës të tyre.

Nga ana tjetër, qasja që qeveritë tona kanë adoptuar në kuadër të një rajoni që dëshiron të integrohet në Bashkimin Europian është nxitja e qarkullueshmërisë, ndërlidhshmërisë, përmirësimi i standardeve, duke përdorur të gjitha instrumentet në dispozicion për rrëzimin e barrierave të çfarëdollojshme dhe për  të nxitur shkëmbimet tregtare në çdo formë dhe mënyrë.

Me Kosovën, por edhe me vende të tjera të rajonit, përfshirë Serbinë, Maqedoninë dhe Malin e Zi, ne jemi angazhuar në një proces të tillë në funksion të përfitimit të ndërsjellë, pikërisht sepse besojmë tek bashkëpunimi rajonal dhe perspektiva e përbashkët europiane. Këtij qëllimi do t’i shërbejë edhe funksionalizimi i Zonës Ekonomike Rajonale.

Sigurisht, në këtë kontekst do të mbetemi të vendosur për të fuqizuar veprimin tonë të pakursyer diplomatik në mbështetje të aspiratave euro-atlantike të Kosovës e sidomos të gjithëpërfshirjes së saj rajonale, si prerogativa e vetme për një rajon në paqe, të sigurt dhe të integruar si një i tërë në NATO dhe në BE.

Sidoqoftë, thellimi i partneritetit strategjik është një proces që nuk përshkruhet kalon pa sfida. Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm se kjo sipërmarrje e përbashkët unike kërkon kurajo të përditshme nga të dy palët, për të përballuar tendencat bllokuese të interesave të çastit, klaneve dhe monopoleve, të cilët nuk e gjejnë asnjëherë veten në efektet dobiprurëse afatgjata të ekonomisë dhe tregut të integruar. Është në interesin e përbashkët që t’u rezistojmë këtyre presioneve dhe të punojmë për të gjetur e ndërtuar të gjitha mekanizmat që fuqizojnë arritjet e deritanishme.

Të gjithë në Shqipëri dhe në Kosovë presin me plot të drejtë shumë më tepër akoma prej nesh. Është e nevojshme që në këtë stad, që ne ta konkretizojmë hap pas hapi partneritetin strategjik me Kosovën, duke e bërë atë gjithëpërfshirës dhe me synimin për ta kthyer në çdo hap, në një shembull inkurajimi dhe frymëzimi për bashkëpunimin rajonal në tërësi.

Dhe pikërisht në funksion të kësaj ambicie të rëndësishme, ne po angazhohemi dhe dakordësohemi në këtë mbledhje drejt një qasje të re cilësorë, që nxit shkëmbimet e gjithfarshme, një ndërlidhje më të mëdha dhe lëvizje  të shtuar të vlerave dhe të kapitalit tregtar dhe atij njerëzor.

Në marrëveshjet dhe protokollet e reja, që do të nënshkruajmë sot, ne besojmë se do t’i japim një shtysë të re nxitjes së investimeve të ndërsjella dhe lehtësimit të mëtejshëm të shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve tona, si dhe me vendet e rajonit e me gjerë.

Edhe njohja e ndërsjellë e të drejtës për pension për qytetarët tanë është padyshim dhe për së pari, njohje e mirëfilltë e lidhjeve dhe lëvizshmërisë gjithnjë në rritje mes dy shoqërive tona dinamike.

Përmirësimi i ndërlidhjes energjetike përbën gjithashtu një qëllim të vazhduar, që si gjatë këtij takimi ndërqeveritar edhe më tej do të përforcojë kapacitetet tona për pjesëmarrje aktive në korridoret energjetike dhe në tregun rajonal dhe atë europian.

Një dinamikë e re në marrëdhëniet mes dy vendeve tona ndikon drejtpërsëdrejti në mirëqenien e hapësirës mbarëshqiptarë. Me këtë vizion, ne po i kushtojmë një vëmendje parësore në këtë mbledhje, edhe rritjes së bashkëpunimit mes dy shteteve për aktizivimin e diasporës sonë të kudondodhur nëpër botë.

Siç e tregoi edhe Samiti i Parë Diasporës, i zhvilluar në Tiranë vitin e kaluar, diaspora  mbetet një aset i vyer dhe i përbashkët, një potencial i pasur, i pamatë, por i pashfrytëzuar, i cili duhet përfshirë sa më gjerësisht në hartimin dhe zbatimin e politikave tona në tërësi, përmes edhe një ndërveprimi konkret në interes reciprok.

Në përputhje me këtë angazhim të përbashkët, përveçse do të fuqizojmë bashkërisht përhapjen e kulturës dhe gjuhës shqipe për diasporën, do të punojmë për të riparë strukturat dhe për të krijuar mekanizmat që do të veprojnë bashkë me Kosovën, për ta bërë diasporën tonë pjesë dhe kontribuuese të rrugëtimit të përbashkët.

Me këtë vështrim të ri strukturor dhe optikë rrënjësisht europiane le të punojmë që ky takim i katërt çel një tjetër kapitull në funksion të një bashkëpunimi gjithnjë e më pragmatik dhe rezultativ, që rrezaton vlerë të shtuar jo vetëm në ekuilibrat gjeopolitik të rajonit, por edhe në perspektivën e përbashkët euro-atlantike.

“Historia e vërtetë e njerëzit do të mund të shkruhet vetëm  kur shqiptarët të lejohen të marrin pjesë në shkruarjen e saj.” Kështu thoshte gjysmëshekulli më parë, albanologu i madh, Maximilian Lambertz.

Sot, këtu nga Korça, askush nuk mund të na pengojë më që të bëhemi dhe ne shkronjës të historisë së Europës moderne. Kemi nisur ta bëjmë këtë dhe është në dorën tonë që historinë ta shkruajmë në një mënyrë të tillë, që ajo nesër të flasë mirë për ne. Duhet vetëm të vendosim njëzëri se çfarë do të shkruajmë dhe sëbashku, atë që shkruajmë ta bëjmë realitet.

Kryeministri Ramush Haradinaj:

Faleminderit Edi!

I nderuar Kryeministër i Republikës së Shqipërisë!

Të nderuar zëvendëskryeministra, ministre dhe ministra të qeverisë së Shqipërisë e të Kosovës!

Të dashur qytetarë të Korçës, të Shqipërisë, të Kosovës, bashkëkombës kudo që jeni!

Këtë takim të dytë të qeverive tona, po e mbajmë në qytetin e Korçës, qendrën e rilindjes tonë kombëtare, qytetin e shkollës së parë shqipe, të hapur këtu e 130 vjet më parë dhe po ashtu, në 105 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë.

Ky vit po ashtu është viti mbarëkombëtar i Skënderbeut, i shpallur nga qeveria e Shqipërisë dhe Kryeministri Rama.

Ky vit i këtillë pasqyron në vete ëndrrën tonë euroatlantike, të cilën më së miri e realizojmë sëbashku.

Shfrytëzoj rastin që në këtë takim të dy qeverie të sjell disa të arritura të qeverisë së Kosovës, në këtë kohë të shkurtër.

E para që dua të them e të vërtetoj është që axhenda europiane e Kosovës është integruar dhe tani është program qeverisës i Kosovës. Njëkohësisht me një axhendë shumë të vlefshme për ne që është anëtarësimi në NATO, aftësimi i forcës sonë, sot është dita e forcës së Kosovës, jemi seriozë e po punojmë me partnerët tanë dhe besoj se jemi në drejtimin e duhur. Pra, edhe me kohë do të kemi transformimin i e forcës sonë në forca të armatosura të vendit.

Ne i kemi kushtuar rëndësi shumë forcimit të rendit dhe ligjit, veçanërisht dhënien më shumë fuqi, në bazë të mandatit ligjor, të gjithë mekanizmave të rendit dhe të ligjit. Kemi përkrahur Këshillin Gjyqësor, Këshillin Prokurorial, mekanizma të tjerë dhe mund të them se sot në Kosovë, parametrat falsin për më shumë rend dhe ligj.

Ajo që mbetet sfidë për Kosovën është luftimi i korrupsionit, një e keqe e re, e cila e rrezikon Kosovën në shumë drejtime.

Ne kemi punuar në ekonomi, jemi fokusuar veçanërisht tek prodhuesit e vegjël dhe të mesëm, me politikat fiskale që janë lehtësuese për ta, por po ashtu dhe me një ofertë ose pako të normativave ligjore dhe të gjitha atyre që quhen të zvogëlimit të burokracisë për të bërë biznes në vend. Ajo që na mbetet për të bërë më shumë punë në të ardhmen është logjistika, lokacionet për investime dhe njëkohësisht, infrastruktura e nevojshme.

Po punojmë për forcimin e Kosovës në planin e brendshëm, edhe pse Kosova ballafaqohet me shumë sfida, disa që janë specifike vetvetiu prej jetës jo aq të gjatë si shtet dhe çështjeve ende të pambyllura. Mirëpo dua të them se jemi të vendosur për dialogun me Serbinë, por dialogun e mendojmë tani në momentet finale dhe mendojmë se epilogu i dialogut duhet të sjellë njohjen mes Kosovës dhe Serbisë dhe që dialogu të arrijë epilogun e duhur e mendojmë të nevojshëm pjesëmarrjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në dialogun, pra, të lehtësuar nga Bashkimi Europian dhe SHBA.

Në planin rajonal, ne jemi të interesuar që të thellojmë marrëdhëniet me të gjithë fqinjët, me republikat rreth nesh dhe besoj i kemi dërguar sinjalet e duhura dhe këtë do ta bëjmë në vazhdimësi.

Në planin ndërkombëtar, Kosova ende është në vështirësi për anëtarësim në mekanizmat ndërkombëtarë, në organizimet ndërkombëtare, në marrjen e njohjeve dhe këtu dëshiroj të kërkoj edhe njëherë e të apeloj se vetëm sëbashku, Shqipëria mund të ndihmojë Kosovën në këto procese që janë shumë me rëndësi në forcimin e pavarësisë tonë.

Ne, duke punuar për të forcuar Kosovën, forcojmë respektin për vetveten, mirëpo dhe vetëbesimin tonë, sepse vitin që vjen ne jemi 10 vjet shtet. Forcimi i Kosovës dhe forcimi ynë në Ballkan përshpejtohet më mirë me bashkëpunimin mes Kosovës dhe Shqipërisë. Prandaj, puna e mirë që keni bërë i nderuar Kryeministër për arritjet e këtij takimi të përbashkët dhe mundësia që të nënshkruajmë 12 marrëveshje e protokolle dhe njëkohësisht, puna e bërë, e avancuar, që do të çojë në të ardhmen e afërt deri në unifikimin e doganave, mendoj se na bën për t’u ndjerë krenarë, por nuk mjafton.

Unë e di që populli i Kosovës, populli i Shqipërisë presin më shumë nga ne e ne nga këtu do të vazhdojmë me punët që na presin e që janë shumë. Me punë nderojmë sakrificën për liri të të gjithë brezave, me punë nderojmë përgjegjësitë që kemi e vetëm me punë do të marrim respektin nga të gjithë.

Ju faleminderit!

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here