Home Aktualitet Qyteti i Fierit do furnizohet 24 orë me ujë të pijshëm

Qyteti i Fierit do furnizohet 24 orë me ujë të pijshëm

61
0
SHARE

Qyteti i Fierit do furnizohet 24 orë/ditë me ujë të pijshëm. Një rrjet i rehabilituar, në shumë pjesë të tij i ndërtuar rishtas, siguron furnizim pandërprerë me ujë të pijshëm dhe përmirëson ndjeshëm cilësinë e shërbimit falë rritjes së presionit në rrjet. Kjo falë investimit mbi 11 milionë euro, financim i qeverisë gjermane, BE dhe qeverisë shqiptare, që ka mundësuar zëvendësimin e rrjetit të vjetër të ujësjellësit. Rrjeti është shtrirë në disa lagje ku ai mungonte dhe deri dje vuanin më së tepërmi mungesën e ujit, është bërë zëvendësimi i tij në disa zona dhe ndërtimi nga e para në disa pjesë të tjera të qytetit.

Kryeministri Edi Rama, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri dhe ambasadorja gjermane Susanne Schuetz ishin të pranishëm në inaugurimin e ujësjellësit të ri.

Duke theksuar rëndësinë e këtij investimi për Fierit, për Kryeministrin Rama, investimet në infrastrukturën e ujit të pijshëm do të vazhdojnë, por lufta kundër paligjshmërisë e vjedhjes së ujit është ana tjetër e përpjekjes për ringritjen e sektorit të ujit. Reforma e ujit u mbështet edhe nga ambasadorja Schuetz.

“Një tjetër gur i mozaikut të rilindjes së Fierit është vendosur dhe sot. Falë këtij investimi kaq të rëndësishëm, të financuar drejtpërdrejtë nga qeveria gjermane dhe BE, ne kemi një pjesë të rëndësishme të popullsisë së bashkisë së re të Fierit që furnizohet 24 orë me ujë. Të tjera investime do të vazhdojnë, por investimet në sektorin e ujit janë njëra anë e medaljes. Ana tjetër është ligjshmëria, lufta kundër vjedhjes së ujit, prerja e lidhjeve të paligjshme dhe vendosja e ujit në vendin që i takon si një pasuri e madhe kombëtare, që në vend se të jetë problemi, duhet të jetë dhe do të jetë një motor për rritjen e cilësisë së jetës dhe mirëqenies të gjithë shqiptareve,” – u shpreh Kryeministri.

“Jam shumë e lumtur, – u shpreh ambasadorja Schuetz, – që po inaugurojmë këtë investim në Fier, një investim sëbashku KfW dhe BE. Sigurisht që gjatë këtij investimi është bërë e mundur që presioni i ujit në rrjet të jetë në nivelet e kërkuara dhe të furnizohet një pjesë e mirë e popullatës së Fierit. Ne e kemi pritur mjaft mirë reformën e lançuar nga qeveria shqiptare për reformën e ujit dhe ne si KfW jemi të gatshëm të mbështesim qeverinë shqiptare në këtë iniciativë të saj.”

Shqipëria është e pasur në burime ujore, ku vetëm 1% e burimeve ujore që ka vendi janë të mjaftueshme për të përmbushur nevojat e popullatës për ujë, por kjo pasuri nuk është administruar si duhet edhe për shkak të  vjedhjes së ujit, duke lënë një trashëgimi të rëndë në sektor. Kryeministri Rama përsëriti thirrjen që brenda 90 ditëve të vetërregullohen, të deklarojnë lidhjet e paligjshme dhe të pajisen me matës.

“Familjet që paguajnë ujin janë shumë, ndërkohë që nuk janë pak, ata që nuk e paguajnë. Ne jemi në anën e atyre që paguajnë dhe jo në anën e atyre që nuk paguajnë. Por ne mirëkuptojmë që kjo është një situatë skandaloze e trashëguar dhe një stafetë nga qeveria në qeveri, për t’i lënë topin qeverisë pasardhëse, bashkë me borxhet e mëdha, bashkë me trashëgiminë e mungesës së përgjegjësisë. Për këtë, ne kemi vendosur që t’i bëjmë apel publik gjithë konsumatorëve, familjarë apo biznese, që sot që po flasim vazhdojnë marrin ujë nga lidhje ta paligjshme, që brenda 90 ditësh të vetërregullohen. Nuk do lejojmë më që ujë të grabitet dhe që Shqipëria të ketë etje për ujë, për shkak se nuk arrin dot të administrojë këtë pasuri kaq të madhe. Na mjafton 1% e burimeve ujore që na ka falur Zoti, për ata që besojnë, natyra për ata që s’besojnë, për të përmbushur nevojat e popullatës për ujë në të gjithë hartën e Republikës së Shqipërisë. Ajo çka na duhet është që ta administrojnë këtë pasuri dhe jo ta abuzojmë si mall pa zot. 90 ditë për t’u vetërregulluar, 90 ditë për të shkuar për të deklaruar se disponoj një lidhje të paligjshme dhe dua ta ligjëroj për të vendosur matësin dhe për të mos u prekur nga Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë, pas 90 ditësh, pasi vjedhja e ujit është si vjedhja e energjisë dhe si vjedhjet e tjera. Sa për ata që vazhdojnë këngën e avazin e tyre të vjetër, siç bënë dhe me energjinë dhe me të gjitha reformat tona dhe insinuojnë se njerëzit s’duhet të paguajnë ujin, mos i dëgjoni, se rruga e tyre është e shkurtër, rruga e Shqipërisë është e gjatë, rruga e familjeve tuaja është e gjatë, rruga jonë e përbashkët është e gjatë.”

Investimi në ujësjellësin e Fierit u mundësua nga Programi Infrastruktura Bashkiake, financuar nga qeveria gjermane, qeveria zvicerane, Bashkimi Europian dhe qeveria shqiptare. Nga ky Program janë rehabilituar sistemet e ujësjellës-kanalizimeve për qytetet Lezhë, Fier, Sarandë, Gjirokastër, Berat, Kuçovë, Lushnjë dhe Kamëz. Në përfundim të investimeve në këto qytete është përfituar rreth 635 kilometra rrjet i ri ujësjellësi, rreth 23 mijë lidhje të reja dhe rehabilitim të lidhjeve ekzistuese, rreth 30 000 matës të rinj të instaluar, duke i shërbyer me rrjet të ri ujësjellësi rreth 300 mijë banorëve, si dhe duke përmirësuar shërbimin për rreth 200 000 të tjerë në këto qytete.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here