Home Aktualitet Viti i Skënderbeut

Viti i Skënderbeut

19
0
SHARE

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në ceremoninë e shpalljes së logos zyrtare të Vitit të Skënderbeut, mbajtur në Shtëpinë e Flamurit, pas ceremonialit zyrtar të ngritjes së flamurit në Vlorë, në 105-vjetorin e Pavarësisë: 

Përshëndetje të gjithëve, sot në këtë ditë të shënuar për kombin tonë, të 105 vjetorit të Pavarësisë!

“Pse mburret koha e lashtë kaq fort/ Me monumentet e moçëm të zotërve të fuqishëm/ Të heronjve, që me veprat pa mort mahnitën botën/ I madh me emër në forcë e në vetitë/ Vend i triumfit atij i përshtatet.”

Këto janë vargjet e një poeti të njohur anglez Edmond Spenser, në veprën e tij botuar për Skënderbeun, në 1596.

Sot, këtu në Vlorë, ne jemi në këtë ceremoni modeste për të çelur vitin mbarëkombëtar të Gjergj Kastriot Skënderbeut nën patronazhin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë Ilir Meta dhe të Presidentit të Republikës së Kosovës Hashim Thaçi.

Jo më kot vendimi i parë i qeverisë për këtë mandat, ishte shpallja e këtij viti mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit Skënderbeut sepse edhe pas 550 vitesh nga vdekja e heroit tonë kombëtar, ai vazhdon të shfaqet si simbol i një lufte të pathyeshme për liri, si strategu madhështor e mjeshtër i artit luftarak, që prej 550 vitesh ka frymëzuar mbarë kombin tonë.

Si ruajtëse, vazhduese dhe kurorëzuese e thesarit të traditave historike e patriotike, shqiptarët e patën Skënderbeun, një figurë që gjithnjë shënjoi ardhmërinë e tyre si komb.

Figura e Skënderbeut, ikonës kombëtare të shekullit të 15 -të ka mishëruar përherë një imazh heroik rezistence të spikatur të një populli të vogël, kundër të gjithë pushtuesve dhe kundër çdo kanosje që i ka ardhur atij.

Viti Mbarëkombëtar i Gjergj Kastriotit Skënderbeut është një vit ardhmërie i fokusuar tek politikëbërja, tek konsolidimi i institucioneve dhe tek bashkëveprimi me shqiptarët kudo që ndodhen, duke bërë më të mirën që përmes bashkëpunimit të ngushtë mes dy shteteve tona, ne t’ia dalim së bashku që, duke reflektuar mbi historinë  e lavdishme që Gjergj Kastriot Skënderbeu shkroi me shpatën e një krenarie të madhe, të vazhdojmë rrugën pa kthim të proceseve demokratizuese, konsolidimit të shtetit ligjor, të sigurisë dhe reformave transformuese në një rrugëtimin europian të dëshiruar qëkur ky shtet u vendos krah të tjerëve, në hartën e Europës, pikërisht këtu në Vlorë 105 vjet më parë .

Një mirënjohje të sinqertë meritojnë sot të gjithë ata shqiptarë, të cilët jetojnë larg trojeve tona, por nuk kanë lejuar kurrë që atdheu të jetojë larg zemrave të tyre, duke qenë faktor ndikues në zhvillimin e Shqipërisë dhe të Kosovës më pas.

Diaspora shqiptare është një nga historitë e mëdha të suksesit të kombit tonë për rolin jetësor që ka luajtur që në krijimin e shteteve të Shqipërisë dhe Kosovës, e deri tek historitë frymëzuese të suksesit individual, në çdo fushë dhe në çdo sektor të jetës.

Për herë të parë, Diasporës i është kushtuar një vëmendje e posaçme prej nesh, duke i dhënë kësaj pjese vitale të “Shqipërisë së Mërguar”, edhe vëmendjen e strukturave të dy qeverive tona për t’i adresuar specifikisht sëbashku çështjet dhe shqetësimet e saj.

E besoj se ia vlen të nënvizohet se së bashku, dje në Korçë, ne kemi vendosur që çështjen e diasporës ta shohim si një dhe ta adresojmë si një, duke nisur që nga nevoja për regjistrimin e plotë të Diasporës dhe realizimin e të drejtës së shqiptarëve jashtë atdheut për të votuar në vendet ku jetojnë, si edhe shfrytëzimin e një potenciali të jashtëzakonshëm dijeje dhe ekonomie, në funksion të zhvillimit të  vendit.

E patjetër që ky proces nuk mund të realizohet pa mbështetjen e partnerëve të tretë dhe në këtë rast kemi eksperiencën e çmuar edhe të qeverisë së Kosovës, e cila ka bërë hapa më parë dhe më përpara nesh në këtë drejtim.

Krijimi i platformave të përbashkëta ekonomike për diasporën i dy shteteve tona, është një domosdoshmëri për të përfituar më të mirën në funksion të rritjes së mëtejshme të mirëqenies së njerëzve tanë.

Prizreni, qyteti ku shqiptarët afirmuan të bashkuar të drejtën e tyre për të ekzistuar një shekull e gjysmë më parë, ishte strehëza ku qeveritë tona, nisën në 2014-ën një rrugëtim që ka krijuar një hapësirë të re bashkëpunimi.

Dje, pas të katërtës mbledhje të suksesshme besoj në Korçën, djepin e kulturës dhe traditave kombëtare ku bashkëkuvenduam dhe u dakordësuam mbi përparësitë e ndërveprimit mes dy shteteve, harmonizimin e mëtejshëm të interesave tona në funksion të ardhmërisë evropiane dhe prosperitetit të mbarë botës shqiptare, u shënua një tjetër hap i rëndësishëm.

Siç parashikohet në Deklaratën e Partneritet Strategjik nënshkruar më 11 janar 2014, në Prizren, janë në zbatim disa marrëveshje dhe protokolle të lidhura me lehtësimin e shkëmbimeve tregtare, heqjen e barrierave tarifore dhe jotarifore, unifikimin e certifikimit të mallrave, lehtësimin e mëtejshëm të procedurave dhe kostove doganore.

Është një bashkim forcash që është shumë larg së qeni, e mënyrave të vjetra për të parë të ardhmen tonë të përbashkët dhe që përbën shprehjen e një domosdoshmërie për të nxitur njëri-tjetrin dhe së bashku partnerët tanë europianë, që të pranojnë nevojën e integrimit sa më shpejt të krejt rajonit tonë, si një projekt strategjik europian, dhe jo si një vazhdë e një procesi burokratik.

Mos të harrojmë se tre vite më parë, pavarësisht mbështetjes së pakushtëzuar diplomatike të Shqipërisë për njohjen e Kosovës apo marrëdhënieve të shkëlqyera mes dy shteteve tona, fëmijët tanë duhet të mësonin gjuhën amë me Abetare të ndryshme.

Njehsimi i teksteve shkollore, unifikimi i sistemit parauniversitar, hartimi i një kalendari unik kulturor, bashkëveprimi për të projektuar të ardhmen në fushën energjetike, në turizëm, mjedis, apo në fushën e sigurisë kombëtare dhe shumë të tjera kanë nxitur fillimin e një kapitulli të ri me  një intensitet të ri, ku padyshim potenciali i pashfrytëzuar është ende shumë i madh.

Sa për ëndrrën tonë, bashkimin kombëtar përmes Bashkimit Europian, është politikbërja mbi realitetin dhe jo emocionet, e vetmja rrugë prej ku vjen edhe frymëzimi ynë i përditshëm. Në fillim të viteve 1900, Isa Boletini theksonte se “diplomacia e vërtetë mbështetet mbi udhën e mesme, të cilën e gjejnë vetëm ata që dijnë me pajtue të drejtat e nevojat e atdheut të vet në kushtet e politikës se përgjithshme”.

Sot, një shekull më pas, me këto fjalë mund të vazhdojnë të përshkruajmë më së miri të gjithë ata që e shohin këtë përpjekje, si një përpjekje të përbashkët europiane, edhe  qëndrimin e bazuar mbi arsye të diplomacisë sonë.

Realitetet, më shumë sesa pasionet, drejtojnë sytë mbi projektin përbashkues të një populli jo më të fragmentuar, por edhe të një Ballkani jo më fragmentar, por të unifikuar nga sinergjitë e përbashkëta, nga strategjitë gjithëpërfshirëse, në një terren të kultivuar përmes bashkëjetesës, jo vetëm paqësore, por edhe me frute të përbashkëta në rrugën e hapur të anëtarësimit në familjen europiane.

Modeli shqiptar i bashkëjetesës është sa një mburojë, po aq dhe një udhërrëfyes për të gjithë ne dhe patjetër edhe një arsye për t’u krenuar dhe për të qenë të vëmendshëm që larmia e kësaj bashkëjetese të kultivohet edhe tek brezat e rinj.

Në vazhdim të projekteve të rëndësishme që do të jetësojmë së bashku janë edhe ndihmesa nga ana jonë në çuarjen përpara të iniciativës shqiptaro-italo-kosovare të shpalljes së kulturës jomateriale arbëreshe, si trashëgimi të njerëzimit nga UNESCO.

Gjithashtu, një ndër projektet e planifikuara në kuadër të vitit të Skënderbeut, është edhe krijimi i “pakos së ushtarakut”, si një iniciativë për të mos harruar ushtarakët shqiptarë të angazhuar në misione paqeruajtëse, por për t’i kthyer ata në shembuj frymëzues për të gjithë.

Po ashtu po bëjmë një punë serioze në dixhitalizimin në vijimësi të fondeve të Bibliotekës Kombëtare, duke filluar me literaturën shkencore mbi Skënderbeun.

Po në të njëjtën linjë po mëkëmbet një Fond i posaçëm në mbështetje të projekteve të iniciuara nga bashkitë, institucionet kulturore, arsimore apo shoqëria civile, shqiptare në krejt rajonin tonë.

Një tjetër aktivitet, i cili patjetër pritet dhe presim që të jetë shumë më i strukturuar sesa i pari, është Samiti i Dytë i Diasporës, i cili  pason të parin me angazhime të reja, por me një eksperiencë të fituar bashkërisht.

Ai samit dëshmoi se kur arrijmë të bashkojmë forcat, idetë dhe njerëzit, mund të sjellim një reagim të përgjithshëm pozitiv zhvillimi mbi krejt bashkësinë shqiptare.

Pas përpjekjeve të vazhdueshme të qeverisë shqiptare për rithemelimin e Akademisë së Shkencave, do të krijojmë paralelisht një paketë bursash ekselence që do mbajnë emrin e albanologut të shquar “Robert Elsie”, për arkivistë, paleografë dhe specialistë të gjuhëve antike.

Po ashtu do të punojmë sëbashku për të krijuar një muze virtual të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe të Kongresit të Manastirit, si dhe krijimin e një laboratori unik qendror te restaurimit Shqipëri-Kosovë.

Këto janë pak nga shumë projektet që prekin çdo sferë dhe që përbëjnë angazhimin e çdo ministrie për të ndjekur ecurinë e tyre, në kuadrin e nismave të vitit mbarëkombëtar të Gjergj Kastriot Skënderbeut, i cili duam të jetë një vit, jo që sheh nga e shkuara, as një vit që sjell jehona, nostalgji e largqoftë nacionalizma të së shkuarës, por një vit që sheh nga e ardhmja, një vit që sheh nga flamuri, për të cilin Faik Konica thoshte, “përmbledh kujtimet e shkuara të një kombi dhe një gjuhe të pashkruar që mund ta kuptojë syri dhe zemra e çdo njeriu me ndjenja. (…) Mund të mburremi se Flamuri ynë, siç është një nga më të vjetrit e botës, është dhe një nga më të drejtët.”

Ngritja e flamurit kombëtar në Vlorë, në fakt mishëroi fitoren e përbashkët të të gjitha trevave shqiptare prej Rrafshit të Dukagjinit në veri, deri poshtë në Çamëri në jug, prej brigjeve të Adriatikut dhe të Jonit, në perëndim e deri në fushat e Kosovës, të Tetovës, në pellgun e Shkupit, në luginën e Preshevës e të Kumanovës, në lindje.

Të gjitha këto treva kontribuuan për vënë gurin e tyre në lëvizjen e madhe për çlirimin kombëtar dhe u bënë bashkërendëse në rrugën e formimit të shtetit shqiptar.

“Një zjarr i shenjtë patriotizmi, – shkruan Ismail Qemali në kujtimet e tij, – kishte pushtuar qytetin ku kisha lindur dhe populli më përshëndeste kudo me entuziazëm dhe gëzim”.

Shpallja e pavarësisë ishte si lindja e vështirë e një fëmije të shumëpritur, vinte pas një procesi të gjatë torturues vuajtjesh dhe përpjekjesh, si dëshmia e një realiteti që më tepër se ëndërr, ishte sakrificë, më tepër se e drejtë, ishte luftë e shkruar me gjak.

“Vlora nga Durrësi nëpër det mban 5-6 orë, po nëpër tokë, në dimër mban 4 ditë me kuaj të mirë. Ç`kemi parë dhe ç`kemi hequr në këtë udhë bëhet roman më vete. Për të vënë re ama ish guximi, kurajua, fytyra e ëmbël dhe e pandryshuar e plakut Ismail Qemalit, i cili shkonte gjithnjë përpara.“

Me këto rreshta, marrë nga kujtimet e Dhimitër Zografit, “Ylli i Mëngjesit”, 30 nëntor 1917 dëshiroj ta mbyll fjalën time duke nënvizuar në fund edhe njëherë për të gjithë. Gjithçka thashë dhe gjithçka do të thuhet e do të bëhet në këtë vit mbarëkombëtar të Skënderbeut, nuk është asgjëkundi shprehje e një tundimi për t’u kthyer në të shkuarën apo për ti rënë daulleve të së shkuarës. Por është shprehje e një vetëdijeje se sot përpara nesh shqiptarëve është çelur një perspektivë e re dhe së bashku ne kemi detyrimin që për sa kohë e kemi këtë privilegj që të mund të bëjmë si drejtues institucionesh apo qeverish e shtetesh, atë që çon një hap më tutje drejt realizimit të kësaj perspektive që është, shqiptarët e bashkuar në BE.

Shumë faleminderit!

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here