Home Ditar Brigada 22-të S në çlirimin e Tuzit e Podgoricës

Brigada 22-të S në çlirimin e Tuzit e Podgoricës

76
0
SHARE

Ishte pragu i çlirimit të plotë të Shqipërisë, kur zjarri i luftës popullore po spastronte përfundimisht tokën e Atdheut nga bishat naziste dhe këlyshët e tyre tradhtarë. Pikërisht në këtë kohë një oficer i lartë i armatës naziste do të shkruante: “Gjendja po bëhet kaq e ngatërruar dhe pa perspektivë, saqë asnjëri prej nesh nuk ka shpresë të dalë i gjallë nga Shqipëria”.

E edukuar nga Partia me ndjenjën e lartë të internacionalizmit, Ushtria jonë Nacionalçlirimtare do të vazhdonte luftën përtej kufijve shtetërore, duke i shtuar faqe të reja heroizmi e sakrificë historisë së saj të lavdishme. Si një pjesëtar i ndërgjegjshëm dhe nga më aktivët në koalicionin antifashist të popujve, populli shqiptar do të dërgonte bijtë e vet në ndihmë të çështjes së çlirimit të popujve të Jugosllavisë.

Loading...

Në përbërjen e Divizionit të 6-të jashtë kufijve shtetërore marshoi edhe Brigada e 22-të Sulmuese. Që nga mëngjesi i 3 Dhjetorit deri në 19 Dhjetor, do të fillonte për partizanët e Brigadës të 22-të një periudhë luftimesh të ashpra e të vështira, që do të kurorëzoheshin me çlirimin e qyteteve të Tuzit më 14 Dhjetor dhe  të Podgoricës më 19 Dhjetor 1944.

Goditjet e para qenë të befasishme e të rrufeshme. Përballë guximit e trimërisë, shpejtësisë e aftësisë të partizanëve, armikun nuk e ndihmuan as përforcimet e shumta, as armët e rënda dhe artileria. Me luftimet në Bozhaj e Nik, armiku në pozicionet e braktisura la të varrë e robër, armë e municione. Ndërsa numrit të Dëshmorët e Brigadës iu shtuan emrat e tetë shokëve tanë trima. Që nga këto ditë, deri në çlirimin e plotë të Podgoricës, luftimet dhe betejat nuk u ndërprenë për asnjë ditë. Vështirësitë i shtonte edhe moti i ftohtë i dimrit dhe mungesa e theksuar e ushqimeve. “Bukën, – i shkruante shtabi i Brigadës, shtabit të Divizionit, në një nga këto ditë, – na duhet ta marrim nga brigade e 5-të proletare (Jugosllave); me këtë brigadë s’kemi rënë në lidhje dhe rruga është shumë e keqe. Propozojmë që buka të na vijë nga Shkodra”.

Rezistenca e ushtrisë naziste që tërheqja e kishte përqendruar në grupime të mëdha, megjithëse e dëshpëruar, ishte këmbëngulëse. Korpusi i 21-të nazist gjendej vazhdimisht nën goditje të forcave partizane të Divizionit të 6-të të UNÇSH dhe të atyre malazeze. Veçanërisht e vështirë dhe e rrezikshme ishte marrja e kalasë së Deçiçit, që ishte porta e Tuzit dhe një nga nyjet kontrolluese të rrugës automobilistike për në Podgoricë e në veri. Shtabi i brigadës, duke parë rezistencën e dëshpëruar të armikut dhe përforcimet e shumta që kishte marrë ai, sidomos në artileri, hartoi planin e rigrupimit të forcave tona dhe të goditjeve në disa drejtime për të realizuar marrjen me çdo kusht të Deçiçit. Njëkohësisht Shtabi i Divizionit të 6-të, urdhëroi brigadat e tjera të godisnin armikun në drejtime të tjera. Pas luftimesh të ashpra e të përditshme, më 13 dhjetor, në orën 3 të mëngjesit, filloi sulmi vendimtar mbi  Përpara vrullit dhe trimërisë së partizaneve tanë, armiku u trondit dhe me humbje të rënda, e braktisi atë. Rruga për në Tuz qe e hapur. Dy-tre ditë më pas, komandanti i Korparmatës së 3-të, shoku Shefqet Peçi, lajmëronte me radiogram shtabin e Përgjithshëm për Çlirimin e Tuzit nga forcat e Brigadës së 22-të Sulmuese. Në luftimet për çlirimin e tij, 21 kuadro e partizanë të brigadës, dhanë jetën. Lajmin për Çlirimin e Tuzit nga forcat tona e komunikoi edhe buletini i lajmeve të jashtme të shtabit të Ushtrisë Nacionalçlirimtare Jugosllave: “Në Podgoricë, – thuhej në këtë buletin,- gjermanët kanë djegur më se 300 automjete. Në Tuz hynë partizanët shqiptarë”.

Pas kryerjes së kësaj detyre, brigade e 22-të u ngarkua ta vazhdonte ndjekjen më tej, por një batalion i saj qëndroi në Tuz për të mbajtur rregullin e qetësinë. Partizanët e tij u pritën bujarisht nga familjet vendase. Shtabi i Divizionit të 6-të në urdhrin e vet të vazhdimit të operacioneve në ndjekje të armikut, kishte caktuar objektivat për brigadat që bënin pjesë në të, pra e 6-ta, e 7-ta dhe e 22-ta. Për brigadën e 22-të u caktua detyra të vazhdohej goditja e forcave gjermane duke çliruar Dinoshin, Novoselën dhe si objektiv kryesor, Podgoricën.

Luftimet për çlirimin e Podgoricës, zgjatën edhe 5 ditë të tjera. Edhe në këto luftime, të ashpra në kushtet e dimrit të egër, Brigada e 22-të i përballoi detyrat vetëm me forcat e saj dhe ndihmën e popullit. E vetmja “ndihmë” qe një bombardim i papritur i një skuadriljeje të aviacionit “aleat” anglez. Për “çudi”, ky bombardim nuk goditi as aerodromin që kishin në dorë nazistët, as pozicionet e tyre të fortifikuara dhe artilerinë që na godiste vazhdimisht, por qytetin e Podgoricës, të cilin e shkatërroi fund e krye, aq sa ishte vështirë të gjendej edhe një ndërtesë e vetme në këmbë. Madje, dy aeroplanë anglezë, qëlluan edhe kolonën partizane të Brigadës së 22-të, duke plagosur rëndë edhe dy partizanë të saj, njëri nga të cilët, pak më vonë vdiq.

Pas çlirimit të disa fshatrave, partizanët e brigadës së 22-të zunë pozicione në periferi të qytetit. Nazistët i kishin fortifikuar e maskuar më së miri pozicionet e tyre, aq sa fare lehtë mund të krijohej përshtypja që ata ishin tërhequr tërësisht dhe qyteti ishte i evakuuar nga forcat e tyre. Me ndihmën e banorëve të qytetit u mor vesh që kjo ishte vetëm një taktikë mashtruese e tyre.

Njëkohësisht me luftimet që zhvillonte Brigada e 22-të për çlirimin e Podgoricës, forcat e brigadave të tjera të ushtrisë sonë, e 6-të, e 7-ta dhe e 8-ta, godisnin nazistët në tërheqje në rrugën automobilistike Podgoricë-Lievarekë-Kolashin. Në këto kushte u ndërmor sulmi vendimtar, i cili zgjati afro tri ditë, deri më 19 Dhjetor, kur forcat e Brigadës hynë fitimtare në Podgoricë. Po atë ditë, në drekë, u lajmërua afrimi i një kollonë forcash të armatosura. Duke menduar se mund të ishin forca gjermane apo çetnike, shtabi i brigadës mori masat e nevojshme. Doli se kjo ishte brigade e partizanëve malazezë që ishte vonuar për të marrë pjesë në luftimet për çlirimin e Podgoricës. Forcat tona ia dorëzuan qytetin partizanëve jugosllavë dhe u nisën në drejtim të objektivave të tjerë luftarakë. Përpara kishin malet e Suhagorës dhe Vishegradin. Luftimet për çlirimin e Tuzit e të Podgoricës nuk qenë një betejë e shkurtër, por një periudhë 18-ditore luftimesh të pandërprera, në të cilat armiku humbi më tepër se 200 të vrarë e 150 të plagosur, mjaft robër e material luftarak. Vetë brigadës këto fitore i kushtuan shumë sakrifica: dhanë jetën mbi 30 dëshmorë, midis të cilëve edhe kuadro të kompanive e batalioneve, si Ymer Kurti, Shyqyri Zajmi, Xhemal Zeneliu, Qazim Alimehmeti, Mihal Zoto, Skënder Kolonja, ndue Ndoca, Baki Çelmeta e të tjerë.

Betejat e partizanëve tanë për çlirimin e Tuzit e të Podgoricës janë manifestim i internacionalizmit me të cilin ishte edukuar Ushtria jonë nacionalçlirimtare. Kjo ishte ndihma e popullit tonë për vëllezërit tanë dhe për popujt e Jugosllavisë, ishte një kontribut për miqësinë e popujve.

Sherbet Karuli

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here