Home Aktualitet Fuqizim politikës së financimit për fermerët e bashkuar në shitje

Fuqizim politikës së financimit për fermerët e bashkuar në shitje

58
0
SHARE

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në Konferencën Kombëtare të Bujqësisë:

Përshëndetje të gjithëve!

Loading...

Dua të nënvizoj disa pika që në këndvështrimin tim janë kyçe për suksesin e këtij katërvjeçari, në raport me ambiciet dhe që kanë të bëjnë me thellimin e një rruge të sapo nisur të kalimit nga bujqësia e lëmoshës te bujqësia e fitimit. 

Kemi humbur shumë vite duke dhënë lëmosha, duke subvencionuar në atë masë modeste fondesh, faktikisht, riciklimin e prapambetjes dhe duke mos mbështetur ato pika kyçe që vetë përpjekja për sukses ka krijuar në territor. Ne nuk duam që të humbim kohë më shumë seç është humbur dhe duam ta thellojmë një rrugë që e nisëm në mandatin e shkuar, por që ka nevojë të thellohet. Duke e ndarë qartazi dhe prerazi të shkuarën nga e ardhmja, me këndvështrimin e fokusuar tek suksesi, jo tek lëmosha, duke e bërë të qartë që shteti nuk është këtu për të shpërndarë lëmosha dhe për të thërrmuar ato fonde të pamjaftueshme që ka në dispozicion, por që përmes atyre fondeve të pamjaftueshme të financojë suksesin dhe përmes suksesit të bëjë të mundur rritjen e të ardhurave dhe zgjerimin e kapaciteteve të vetë shtetit, pastaj për të vazhduar të rifinancojë suksesin.

Të gjitha ato që ne diskutojmë, të gjitha ato që ne shohim dhe të gjitha ato me të cilat ne përballemi në këtë sektor na tregojnë shumë qartë se për shumë vite është ngurruar, në mos nuk është menduar fare si të adresohen disa probleme që vazhdojnë dhe përsëriten;

Pse shitet lirë?

Ka një arsye pse shitet lirë. Nuk është shteti që mund të përcaktojë çmimet. Çmimet i përcakton tregu, por mekanizmat që çojnë në çmime të arsyeshme nuk mund të ndërtohen, nëse shteti përpiqet që ta ketë mirë me të gjithë.

Unë do të nënvizoja disa pika. Së pari, ne duhet dhe besoj që në këtë 4-vjeçar do ta zgjidhim përfundimisht çështjen e titujve të pronësisë në bujqësi. Titujt e pronësisë mbi tokën kanë hyrë në rrugën e zgjidhjes, por tanimë duhet kaluar në fazën e zbatimit të plotë të ligjit dhe në pajisjen e të gjithë atyre që disponojnë tokë në bazë të ligjit me titullin e pronësisë.

Së dyti, duhet të përmbyllim përfundimisht ujitjen dhe kullimin. Është fatkeqësi politike që pas çerekshekulli jemi mbrapa në raport me ku ishim para çerekshekulli tek ujitja dhe tek kullimi. Në këtë aspekt, ne do të vazhdojmë punën për garantimin e ujitjes në çdo hektar tokë bujqësore. Po ashtu do të avancojmë me një projekt të ri për mbrojtjen e tokës, duke adresuar të gjitha pikat problematike që janë identifikuar gjatë përmbytjeve dhe duke marrë masa për të garantuar të ardhmen me shumë më tepër fuqi mbrojtëse se saç kemi sot.

Së treti, duhet të bëjmë shumë më tepër, për të bërë të qartë se pjesa që shteti financon drejtpërdrejtë është vetëm njëra prej mundësive të financimit dhe me këtë pjesë, ne do të financojmë vetëm ato kultura, të cilat janë identifikuar si kultura me dobi në funksion të suksesit. Kush do kërkojë financim duhet të ndjekë këtë politikë. Shteti nuk mund të detyrojë askënd që të mbjellë dhe të kultivojë atë që ai dëshiron, por shteti duhet dhe do të imponojë një politikë që nxit më shumë eksportet dhe që garanton ato kultura që na sjellin më shumë sukses.

Në këtë aspekt do të fuqizojmë politikën e financimit për ata që janë të bashkuar në shitje. Nëse nuk bashkohen në shitje, fermerët do të vazhdojnë të vuajnë diversionin dhe çmimin e ulët për shkak të vetmisë, apo të pafuqisë së tyre. Në fund të ditës, ajo që na intereson është suksesi në shitje, suksesi në eksporte, suksesi që sjell sukses. Për t’ia arritur kësaj besoj që linjat janë të qarta.

Sigurisht, problematika është shumë komplekse, por ne besojmë që, duke përfshirë fuqimisht pushtetin vendor në këtë proces, duke garantuar një ndërveprim mes qeverisë, pushtetit vendor dhe fermerëve dhe duke aksesuar sëbashku fondet në dispozicion nga burimet alternative, këtu kam parasysh Fondin e Garancisë Kombëtare, ne mund ta rrisim eksponencialisht kapacitetin financues të bujqësisë.

Nëse shohim thjesht fondet që vijnë nga buxheti i shtetit, jemi larg. Nëse shohim potencialin e financimit që kemi, duke referuar edhe burime alternative, i kemi të gjitha. Por këto të dytat kanë nevojë për dije, kanë nevojë për kapacitete që garantojnë suksesin e financimit. Këtu, ne kemi shumë për të bërë në raport me atë që quhet këshillimi i fermerit, por që në fakt është çelësi për të aksesuar më shumë fonde dhe më shumë financim. Ne mund t’i marrim financimet e Bashkimit Europian në letër dhe do të rrezikojmë të na mbeten në letër, nëse nuk garantojmë këtë ndërveprim dhe nëse nuk i vëmë fermerët në pozicionin që të jenë të gatshëm për të aplikuar me sukses në fondet e BE-së, që nuk janë si subvencionet shtetërore me të cilat për fat të keq u mësuan fermerët në vite, që kanë ardhur si rezultat i lidhjeve të ndryshme të natyrës politike etj., por që nuk mund të funksionojnë si instrumente financimi në një vend dhe në një shtet normal.

Unë dua që të shpreh bindjen time se, nëse ne do ta arrijmë me sukses përpjekjen që kemi nisur për ta përfshirë Universitetin Bujqësor në këtë proces, duke siguruar nga njëra anë, shfrytëzimin e dijes që ka Universiteti Bujqësor për këtë fazë në raport me nevojat që kemi dhe nga ana tjetër, këtë lidhje për të garantuar vazhdimësi, duke krijuar kushte që të kemi më shumë burime cilësore njerëzore që dalin nga Universiteti, ne kemi vënë një bazë shumë të rëndësishme për një transformim rrënjësor të situatës në sektorin e zhvillimit rural.

Unë jam i bindur që sot, eksperienca është e mjaftueshme dhe siç është e mjaftueshme eksperienca, duhet të jetë e mjaftueshme dhe kurajoja për t’i parë gjërat drejt e në sy, për të mos u fshehur pas disa të vërtetave shumë të thjeshta dhe mbi të gjitha, për të mos harxhuar asnjë qindarkë të buxhetit të shtetit për populizëm dhe për të larë gojën në funksione elektorale.

Subvencionet e shpërndara në thërrime janë vetëm riciklim i të njëjtës situatë nga ku fermeri nuk del dot i vetëm, faktikisht janë sponsorizim i vetmisë së fermerit. Ndërkohë që mbështetjet e dhëna për struktura organizimi që bashkojnë fermerët janë ato që kanë treguar se mund të japin sukses. Suksesin që ne na duhet. Për këtë arsye besoj se edhe ristrukturimi i qasjes nga ana e Ministrisë së Bujqësisë, nga ana e AZHBR-së dhe nga ana e pushtetit vendor do të jetë shumë themelor, sepse, nëse një nga këto komponentë nuk funksionon, atëherë do humbim kohë në një rrugë që është shumë e qartë sesi duhet ndjekur, por ku duhet shumë kurajo dhe shumë vullnet e vendosmëri, për të mos lejuar që inercia të bëjë të vetën dhe për të mos humbur asnjë minutë kohë më shumë në përshpejtimin e domosdoshëm të rrugës së të ardhmes së këtij sektori.

 

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here