Kreu Aktualitet 2018-ta vit i suksesshëm për eksportet shqiptare

2018-ta vit i suksesshëm për eksportet shqiptare

303
0

“Elian Eksport”, pika e grumbullimit të fruta-perimeve e themeluar dhe drejtuar me shumë përkushtim prej një zonje fermere nga Zgjana e Lushnjës, Nedrete Arapi, është bërë sot një ndër eksportueset më të mëdha të produkteve shqiptare në Europë.

Nendreti, e cila ka ngritur gjithçka vetë, investimin, tregjet, klientelën prodhimin, punon me 1300 fermerë nga e gjithë Shqipëria, ndërsa në pikën e saj të grumbullimit punën ua ka besuar 40 grave të zonës. Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga Drejtorja e Përgjithshme e AZHBR Frida Krifca ishin sot në këtë pikë  grumbullimi, e cila është prezente në tregun europian me një kapacitet eksporti prej 9 kamionë në ditë.

Nedreti synon që magazinën, ku aktualisht ndodhet me qera, ta transformojë rrënjësisht, në një mjedis modern të standardeve të larta.  Për të përmbushur ambicien e saj, ajo ka aplikuar për mbështetje financiare përmes programit IPARD 2.

“Elian Eksport është një pikë grumbullimi që grumbullon për 1300 fermerë. Është një superfuqi në industrinë që përfaqëson. Është një ndër eksportueset më të mëdha të fruta-perimeve. Është një ndër aplikueset e programit IPARD, pasi do që të këtë magazinë grumbullimi ta transformojë rrënjësisht, ta modernizojë sëbashku me kapacitete ftohëse frigoriferike në mënyrë që 40 zonja që punojnë këtu, pasi është një operacion kryesisht i menaxhuar nga fermere femra, të mund ta ndryshojë totalisht, në mënyrë qe të ketë standarde të tjera në përputhje me vendet në të cilat eksportohet produkti i tyre. Duhet thënë që eksporton në Europën Perëndimore, dhe Lindore,” – shpjegon Drejtorja e AZHBR, Frida Krifca.

Sipërmarrësja shprehet e kënaqur me drejtimin që ka marrë biznesi i saj në katër vjeçarin e fundit. Në mënyrë të veçantë, ajo e cilëson vitin e fundit të shkëlqyeshëm për ecurinë e punëve. “Që nga viti 2014, jo për tua bërë qefin se nuk dua t’ia bëj qefin askujt, mori prioritet bujqësia, pra nga 3 milion euro që ishte në ato vite ka shkuar në 7 dhe 8. Na dhatë një ndihmesë shumë të madhe. Nuk kemi patur probleme me doganat, sepse vonesat në kohë tek frutat-perimet sjellin probleme. Për 2018 kemi dalë shkëlqyeshëm. Nga  2017 në 2018, ne jemi rritur me 200 kamionë plus. Kështu që edhe këtë vit. Pra, eksportojmë 16 mijë ton prodhime.”

Gjithashtu, sipërmarrësja jo vetëm tregton, por edhe këshillon fermerët, kur dhe sa prodhim duhet të mbjellin, në mënyrë që shitjet të jenë optimale dhe prodhimi të mos shkojë dëm. “Këtu mësohen fermerët çfarë të mbjellin, si ta mbjellin. Ai që nuk pyet, thotë pastaj “nuk bëra lekë”. Kurse ai që pyet “çfarë do mbjellim, ku do shkojmë”, është më i fituar. P.sh., u them mbillni këtë lloj domate se kjo lloj fare ecën.”

Për Kryeministrin, shitja në mënyrë të organizuar e produkteve është edhe garancia për të fituar. “A-ja është bashkimi. Kur bëhen bashkë, fitojnë të gjithë. Kur rrinë secili më vete me atë parcelën e vet, i marrin trasta dhe i hedhin në rrugë dhe thonë s’kemi ku t’i shesim, po ku do të shesësh?“

Gjetja e fuqisë punëtore mbetet ende një problem për sipërmarrësen. “Problem i madh është punëtoria, s’ka punëtorë. Ai që e do punën e gjen. Do t’u jap një shembull. Djali i njërës nga punëtoret që kam këtu shkoi në Gjermani dhe kur erdhi, nuk kishte fituar asgjë. I thash përse shkon andej. Eja këtu dhe 600 mijë e ke pagën. Le të thotë një punëtor që nuk merr aq,” – tregon ajo.

Ndërsa lidhur me ecurinë e shqyrtimit të aplikimeve për përfitimin nga fondet e programit IPARD, drejtorja e Përgjithshme e AZHB Frida Krifca shpjegoi se “Procesi për IPARD ka filluar të shqyrtohet. Dosjet kanë filluar të shqyrtohen. Ne do të shikojmë renditjen se kur kanë aplikuar dhe do të kthejmë përgjigjet. Kemi filluar të përgjigjemi, kemi skualifikuar sipas procedurave, ata, të cilët nuk përmbushnin kërkesat kryesore. Do të jemi në kontratim deri nga qershori. Ne kemi çelur fondin për 50.3 milion euro dhe kërkesën e kemi përtej kësaj dhe kjo është konsideruar e suksesshme. Edhe në numër aplikimesh  kemi dyfishin e analizës së ngarkesës në punë që kemi dakordësuar me BE. Mendoj që kemi llogaritur edhe një 50% të atyre që potencialisht mund të skualifikohen për mospërputhje me procedurat dhe do të shohim pastaj se cila do të jetë përthithja.”

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.