Home Aktualitet Shqipëria lidere për integrimin dixhital rajonal

Shqipëria lidere për integrimin dixhital rajonal

43
0
SHARE

Në kuadër të Samitit Digjital Rajonal, i cili do të zhvillohet në muajin Prill në Shkup, Koordinatorja Kombëtare për Zonën Ekonomike Rajonale, Milena Harito, ka zhvilluar një bashkëbisedim me drejtuesit e kompanive që operojnë në fushën e telekomunikacionit dhe teknologjisë së informacionit në vend. Shqipëria, e cila është iniciatore e idesë për përfshirjen e agjendës për integrimin digjital në Planin e Veprimit të Zonës Ekonomike Rajonale, është dhe një nga mbështetëset kryesore të këtij Samiti. Për këtë arsye, Harito ka kërkuar nga bizneset, si aktorët kryesorë të cilët përfitojnë drejtpërsëdrejti nga zhvillimi i këtij tregu unik digjital, të japin mendimet dhe sugjerimet që ata kanë, në mënyrë që qeveria shqiptare t’i përfshijë në agjendën e këtij Samiti. “Në prill, në Shkup do të zhvillohet një Samit Digjital i rajonit në nivel shumë të lartë, me pjesëmarrjen e kryeministrave, por edhe me drejtues shtetesh nga Bashkimi Europian, ku ne duam të tregojmë praktikat më të mira të qeverisë në këtë sektor, por edhe të sektorit privat. Ne duam edhe t’ju dëgjojmë juve, çfarë ju do dëshironit të kishit në agjendën e këtij Samiti, cilat janë gjërat që ju dëshironi të përfshihen aty dhe cilat janë ndihmesat që ju prisni nga ky bashkëpunim rajonal, në mënyrë që tregjet tuaja të zhvillohen, sepse po kalojmë nga një treg me 3 milion konsumatorë në një treg që potencialisht ka 20 milionë konsumatorë, pra ndryshojmë situatën se si duhet qasur ky treg dhe kjo bëhet në radhë të parë për biznesin, pra për ju,” u shpreh Koordinatorja Kombëtare për Zonën Ekonomike Rajonale, Milena Harito. Zonja Harito deklaroi gjithashtu se Shqipëria do vazhdojë të mbajë lidershipin sa i takon integrimit digjital rajonal. “Veçoria është që këtë shtyllë bashkëpunimi rajonal e ka propozuar Shqipëria, pasi nuk ishte fillimisht pjesë e Procesit të Berlinit. Me propozimin e Shqipërisë dhe të mbështetjes së RCC, (Regional Cooperation Council), Këshilli i Koperacionit në Bosnjë, që është instrumenti rajonal që mbështet këtë proces, shtylla digjitale është bërë pjesë e plotë e planit të Zonës Ekonomike Rajonale që në korrik të 2017-ës, në Trieste. Shqipëria do vazhdojë të mbajë lidershipin në këtë proces,” tha Koordinatorja Kombëtare e REA-s. Ndërsa zv/ministrja Dorina Cinari tregoi fushat në të cilat do të fokusohet Ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës: “Zhvillimi i infrastrukturës broadband në sinergji me utilitetet e tjera. Këtu po punojmë aktualisht me implementimin e ligjit për broadband, politikat spektrale, për të mundësuar frekuencat e nevojshme për 5G-në dhe masat rregullatore për “roam like home”, lehtësimi i lëvizjes së lirë në rajon. Këto zhvillime kërkojnë bashkëpunimin e ngushtë me aktorët, si nga ana e agjencive shtetërore, e natyrisht nga sektori privat. Çdo sugjerim, propozim është i mirëpritur, si për çështje që duhen adresuar në nivel kombëtar, ashtu dhe për ato që ne mund të ndihmojmë në sektorin privat në rritjen e prezencës së tij në rajon.” Cinari tha se Shqipëria ka bërë avancime vitet e fundit në implementimin e agjendës digjitale. “Kjo në saj të politikave, natyrisht, investimeve të sektorit privat dhe digjitalizimit të infrastrukturës në administratën publike dhe zhvillimin e shërbimeve. Konkretisht kemi avancim në zhvillimin e rrjeteve mobile broadband, rrjetet 4G dhe LTE, kemi rritje të përdorimit të internetit, rritje të përdorimit të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit nga biznesi, megjithatë kemi nivele të ulëta në përdorimin e broadbandit për rrjetet fikse. Pikërisht ky komponent do një vëmendje të shtuar nga ana jonë,” u shpreh zv/ministrja Cinari. Kryetarja e Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë, Ines Muçostepa, e cila është njëkohësisht dhe anëtare e Bordit Drejtues të Dhomës Rajonale të Tregtisë me qendër në Trieste, tha se përmes këtij bashkimi është krijuar tashmë një komunikim i vazhdueshëm midis dhomave të biznesit në rajon. “Është kërkuar me shumë forcë që, në mënyrë të përbashkët, të punojmë për të sjellë mendimin e sipërmarrjes, përfshirë këtu edhe atë të shtyllës digjitale, në diskutimin e çdo problematike që do ngrihet në trajtimin e Zonës Ekonomike Rajonale,” u shpreh ndër të tjera Muçostepa. ​

Takimi i sotëm është takimi i dytë i organizuar me qëllim njohjen e publikut dhe më konkretisht të bizneseve, me hapat konkretë të bashkëpunimit rajonal. Ky bashkëpunim po intensifikohet nëpërmjet krijimit të një Zone Ekonomike Rajonale, REA, e cila synon krijimin e një zone të integruar ku mallrat, shërbimet, investimet dhe punëtorët e kualifikuar mund të lëvizin pa pengesa brenda gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor. Krijimi i kësaj zone do të mundësojë rritjen e atraktivitetit ekonomik të gjashtë vendeve, zgjerimin e tregut në dispozicion të investitorëve potencialë në rreth 20 milionë konsumatorë, si dhe përmirësimin e marrëdhënieve tregtare midis vendeve të rajonit dhe me Bashkimin Europian. Zona Ekonomike Rajonale është një ndër instrumentet për përgatitjen e vendeve të rajonit, përfshirë dhe vendin tonë, në rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian. Për të mundësuar zhvillimin e një zone të tillë ekonomike është hartuar një plan veprimi disavjeçar me masa konkrete te cilat janë dakordësuar nga qeveritë e gjashtë vendeve të rajonit, të ndara në 4 shtylla: Tregtia, Investimet, Lëvizshmëria dhe Integrimi Digjital.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here