Home Aktualitet Administratorët e pallateve dhe banorët i bashkohen aksionit për mbjelljen e pemëve

Administratorët e pallateve dhe banorët i bashkohen aksionit për mbjelljen e pemëve

91
0
SHARE

Fushatës së mbjelljes së pemëve i janë bashkuar edhe administratorët e zgjedhur të pallateve. Të organizuar në grupe pune, së bashku me banorët, ata po kontribuojnë çdo ditë për gjelbërimin e lagjeve dhe oborreve para pallatit. Aksionit të sotëm në bllokun e pallateve pranë zonës së Astirit iu bashkua edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Ai ndihmoi administratoren Enxhi Kërpaçi dhe banorët e pesë pallateve që ajo ka në administrim, për të mbjellë disa pemë të reja në lagje.

Veliaj vlerësoi ndihmën e vyer të qytetarëve dhe ftoi edhe banorët e pallateve të tjera në kryeqytet që të bëhen pjesë e kësaj nisme, për një mjedis më të shëndetshëm për fëmijët. “Jam shumë i lumtur sot që, në këto pallate të reja, me njerëz që kanë ardhur nga të gjitha anët e Shqipërisë, po ndërtohet një komunitet. Komunitet nuk është vetëm kur e ke adresën në Tiranë, por kur bëhesh bashkë me komshinjtë, kur tregon solidaritet, kur jep e merr, kur bashkohesh me aksione si ky i gjelbërimit. Sikur të 5 mijë pallatet e Tiranës të mbjellin nga dhjetë pemë, do të kishim 50 mijë pemë në oborret e lagjeve tona”, u shpreh Veliaj.

Loading...

Ai deklaroi se përtej bindjeve politike, të gjithë qytetarët mbështesin idenë që qyteti të ketë më shumë oksigjen. Duke theksuar se Tirana shtohet çdo ditë me rreth 70 qytetarë të rinj, që vendosin të ndërtojnë jetën e tyre në kryeqytet, Veliaj shtoi se nevojitet një emancipim më i madh për jetesën në komunitet. “Njerëzit këtu mund të kenë bindje të ndryshme politike, por kur vjen puna tek gjelbërimi jemi në një parti, te partia e oksigjenit, partia e pemëve, e fëmijëve dhe e të ardhmes së këtij qyteti. Në Tiranën tonë që shtohet çdo ditë me 70 vetë, me nga 6-7 mijë apartamente, nuk e ndalojmë dot këtë trend, por mund të ndalojmë degradimin që kemi pasur më parë”, tha ai.

Kur kanë mbetur më pak se 30 ditë nga 21 marsi, kur Bashkia e Tiranës do të organizojë një aksion mbarëqytetar për mbjelljen e pemëve të reja, të cilat janë pjesë e projektit të Pyllit Orbital, kryebashkiaku Veliaj ftoi të gjithë qytetarët e Tiranës që t’i bashkohen kësaj nisme edhe për festat e 7-8 Marsit

“Pas çdo pallati të mirë-administruar, zakonisht është një grua punëtore dhe pas çdo qyteti të administruar mirë, si Tirana, është një armatë me zonja dhe me gra që bëjnë një punë të shkëlqyer në qytetin tonë. Teksa afron 7-8 Marsi kemi të tjera arsye për të mbjellë pemë, qofshin kjo për nënat, për motrat, për mësuesit. Ndaj, dua t’i ftoj të gjithë qytetarët, sikur secili të bëjë atë minimumin e vet, bëhet 1 milionëshi i madh me kontributin e secilit. Dua të falënderoj të gjithë artistët e vegjël të pallatit sot që na dhanë një dorë dhe besoj do të na ndihmojnë edhe në 7 mars”, nënvizoi Veliaj

Administratorja e zgjedhur e 5 pallateve në zonën e Astirit, Enxhi Kërpaçi, u shpreh optimiste për përmirësimin e jetesës në komunitet. Duke vënë në dukje kushtet në të cilat kanë qenë fillimisht mjediset rreth pallateve, ajo shtoi se falë procesit të nisur nga Bashkia e Tiranës për zgjedhjen e administratorëve, është arritur që të ndërhyhet me investime duke siguruar edhe mbështetjen e banorëve.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here