Home Aktualitet “Bëjmë detyrat e shtëpisë”

“Bëjmë detyrat e shtëpisë”

107
0
SHARE

“Bëjmë detyrat e shtëpisë” është projekti më i ri i Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, i cili ndihmon e aftëson fëmijët në përparimin në dije. Projekti mundëson që pasdite nxënësi të kryejë detyrat e shtëpisë dhe të bëjë mësimet brenda mjediseve të shkollës. Kjo për t’i ardhur në ndihmë nxënësve, të cilët nuk mund t’i përfundojnë dot detyrat në shtëpi, duke mos ecur dot në një hap me bashkëmoshatarët e tyre.

Nisma pilotohet këtë vit shkollor në 20 shkolla 9-vjeçare të pesë prej Drejtorive Arsimore Rajonale më të mëdha të vendit: Tiranë, Elbasan, Lezhë, Fier dhe Korçë.

Loading...

Kryeministri Edi Rama ishte sot në Shkollën 9-vjecare “Besëlidhja” në Lezhë, së bashku me ministren e Arsimit Lindita Nikolla, për të parë nga afër implementimin e nismës.

Ndërsa shpjegoi projektin, Ministrja Nikolla tha se do të monitorohet progresi i nxënësve dhe do të vlerësohen arritjet në çdo lëndë, për ta shtrirë më pas në të gjitha shkollat e Shqipërisë. “Pas mësimit nxënësit, përgatisin detyrat e shtëpisë nën monitorimin e mësueses. Ne do të shikojmë progresin e fëmijëve. Janë testuar para se të fillojë ky projekt  dhe në fund, në qershor do të shikojmë dhe progresin dhe arritjet në çdo lëndë, që më pas ta shtrijmë në të gjitha shkollat e Shqipërisë.”

Projekti ka gjithashtu si qëllim të mbështesë aftësitë shoqërore, fizike dhe intelektuale të nxënësve përmes pjesëmarrjes aktive të tyre në aktivitete të organizuara pas përfundimit të procesit mësimor. Mësueset shprehen se deri tani frekuentimi është i rregullt. Nxënësit kanë interes sepse përveç mësimit edhe argëtohen. “Frekuentimi është i rregullt. Edhe sistemi i ri i tre lëndëve në 6 orë, d.m.th që nuk ka shumë lëndë, por 1 deri në 2, u jep kohë të përgatiten edhe pasdite, pas argëtimit që bëjnë. Sepse përveç detyrave të shtëpisë, ne bëjmë edhe një orë argëtim.”

Nisma është mirëpritur nga fëmijët, si dhe nga mësuesit e prindërit, të cilët në raste jo të pakta nuk mund të asistojnë dot fëmijët e tyre në shtëpi, gjatë kryerjes së detyrave.  Për këtë një prej mësueseve thotë se “që në fillim që është prezantuar nisma, ne kemi qënë të gatshëm që të bëhemi pjesë e saj. Është mirëpritur nga prindërit dhe më e rëndësishmja është mirëpritur nga fëmijët. Këtë e tregon edhe numri i madh i fëmijëve. Në qoftë se në klasë kam 30 nxënës, tek kjo nismë marrin pjesë 22 nxënës që vijnë dhe përgatiten çdo pasdite. Numri vjen në rritje çdo ditë. Fëmijët janë më të qetë, shkojnë më të qetë në shtëpi.”

Ministrja Nikolla tha se zbatimi i kësaj nisme do të kalojë më shumë përgjegjësi nga familja tek shkolla, duke e forcuar edhe më shumë rolin e saj edukues. “Paraprakisht, ne kemi informuar prindërit. Kanë qënë me vullnetin dhe zgjedhje e prindërve që fëmijët e tyre të ishin pjesë e këtij programi “Bëjmë detyrat e shtëpisë”. Programi ndihmon shumë fëmijët dhe zhduk pabarazinë midis një fëmije, i cili ka mundësi që prindi ta ndihmojë dhe atij që se ka. Është një hap përpara për ta kaluar barrën e cilësisë dhe të përgatitjes dhe gjithçka tjetër, nga familja drejt shkollës, aty ku në fakt është vendi dhe përgjegjësia.”

Edhe vetë nxënësit e gjejnë nismën me shumë vlerë, duke qenë të ndërgjegjshëm se të kalosh më shumë kohë në shkollë, është më mirë se ta humbasësh atë kot. “Personalisht më pëlqen duke parë që ky program është zhvilluar dhe jashtë, do na ndihmojë dhe ne. Dihet se shumica e fëmijëve i kanë prindërit në punë deri në orën 4 dhe kjo bën që ata, nëse kohën e tyre të lirë derisa vinin prindërit, mund ta shpenzonin jashtë me shokët apo me lojëra elektronike, tani janë të gjithë së bashku, konsultohen dhe i bëjnë detyrat më mirë edhe për ditën e nesërme. Gjithashtu ndihmon edhe për të përparuar nxënësit që kanë vështirësi,” shprehet një prej tyre.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here