Home Ditar Heroi i vogël Çelo Sinani

Heroi i vogël Çelo Sinani

139
0
SHARE

Dëgjon vargjet e këngës labe për djaloshin që ra dëshmor dhe, midis qindra pionierëve partizanë të del para syve edhe Çelo “Nishanxhiu”, “Cinxua”, siç e thërrisnin shokët. Sapo i kishte mbushur trembëdhjetë vjetët atë herë kur me një pushkë më të gjatë se vehtja u drejtua për në Cepo. Ndër të parët erdhi në Cepo. U lut ta pranonin në çetë. Komandanti, si e pa ashtu me trup të pakët dhe tytën e pushkës që dilte mbi të, duke i rënë lehtë shpatullave, i tha buzagaz:

-Je ende i vogël, djalosh. Të rritesh edhe ca. Do të lajmëroj vetë kur të vish në çetë.

Loading...

-Unë…unë….i vogël?! Unë di të qëlloj armikun,- tha me gjysmë zëri Çelua.

-Po kur të ngjitemi maleve në dimër ku do e fusim atë borsak, në trastën e bukës? – tha një partizan i moshuar. Komandanti i dha shenjë të heshtë. Çelua e vështroi me inat atë që foli. Rritu vogëlush, çeta partizane për bijtë e popullit është. Dhe sadoqë u mundua Çelua atë ditë, nuk u pranua në çetën partizane. Mori vetëm premtimin që do ta lajmëronin sapo çeta të kthehej në Cepo.

Ashtu, me lot në sy, kokëulur, u kthye në fshatin e tij, në Picar të Gjirokastrës. Priti një, dhjetë, njëzet ditë, një muaj dhe, kur e pa se komandanti nuk po e lajmëronte, u nis vetë tek ai, po edhe kësaj radhe u kthye i dëshpëruar. Komandanti i kish përsëritur fjalët e para, premtimin e parë. Ecte e mendonte: “Unë i vogël!” S’më doli gjë te kjo çetë. Ta provoj në ndonjë çetë tjetër. S’dihet, mund të më pranojnë. Mund t’u dukem i rritur e mos më marrin për të madh”. Me këto mendime arriti në fshat. Në mbrëmje u tha prindërve se kishte vendosur të shkonte medoemos në një çetë partizane.

Të nesermen, prindërit dhe disa nga bashkëfshatarët dolën për ta përcjellë. Këtë radhë Çelua kishte marrë një pushkë më të shkurtër që të dukej vetë më i gjatë. Prindërit e fshatarët e uruan që pushka t’i bëhej top. Tashmë ai e ndjente vehten më të rritur, të fortë dhe me një ton burrëror përsëriti djalët: “Ja do të jetë demokraci, ja Shqipëria gur e hi”. Këto fjalë i kishte dëgjuar nga partizanët dhe i përsëriste gjithnjë. Nëna e Çelos, Zyrhaja e afroi në gji, e mbajti disa caste vogëlushin të shtrënguar në gjoks dhe pastaj i tha:

-Rruga mbarë, trimi nënës! – I përkëdheli flokët. Çelua nderoi me grusht. Edhe nëna Zyrha ngriti dorën e mblodhi grusht. Nisi nëna Zyrha atë cast zemrën e saj në luftë. Ajo e mbajti veten, por hera-herës i shhkrepte mendimi i trishtueshëm: “A do të kthehet djali”? Dhe sa herë i vinte ky mendim, i bëhej sikur dëgjonte zërin e Çelos. Po, Nënë,  Shqipëria do çlirohet dhe unë mbas luftës do të kthehem në gjirin tënd dhe ti do të më shtrëngosh në gji po me aq dhëmbshuri si edhe sot…”. Qëndroi ashtu disa caste gjersa i biri i saj kaloi kodrave që rrethojnë fshatin. Nga ajo ditë, Pionieri Çelo Sinani u bë partizan.

Në çetën e Kurveleshit e në batalionin “Asim Zeneli”, në grupin e parë të Kurveleshit e në brigadën e 6-të S, Çelua u dallua ndër shokët. Pushka e tij u rreshtua përkrah pushkëve të partizanëve të tjerë. Dy vjet luftë e kalitën Çelon. Ai u rrit nga shtati, mësoi shumë gjëra. Në një përpjekje që u bë me armikun, thoshte Xhule Çiraku, Ai papritur mbeti i rrethuar.

-Të zura, more rrjepacak, s’ke ku shkon, – i tha një ballist dhe iu vu prapa Çelos. Pionieri, sadoqë ndjeu frikë nuk e dha veten. E priti të afrohej dhe e qëlloi. Ballisti klithi dh era shul në tokë. Nuk e humbi besimin në vetvete dhe vendosu të çante rrethimin. U shtri barkas dhe rrëshqiti  pa u vënë re nëpër gërxhe e shkrepa gjersa doli jashtë rrezikut për t’u bashkuar me shokët. Akte trimërie të vogëlushit i gjen të shkrira në gjurmët e brigadës së tij. Kudo Çelua i vogël luftoi si trim. Ai në kujtesën e shokëve te tij, mbeti gjithnjë fëmijë i gëzueshëm, luftëtar trim.

Udhëtove përmes plumbave nëpër vitet e luftës që të vinte dita e madhe, të agonte Liria. Ta ngrohte kraharorin e vogël kënga e Lirisë. Nuk ishte i rritur trupi yt. Po ishte i madh frymëzimi. Me krismat e fundit të pushkëve që binin për liri, dëgjoheshin edhe krismat e automatikut tënd. Çelua i vogël, vëllai ynë i vogël.  Në agim të asaj dite kur mbi Rozafë ranë rrezet e Lirisë, atë ditë ti ecje në rreshtat e para të sulmit. Dëgjoje brohoritjet e luftëtarëve: Fitore! Fitore!

Në zemrën tënde nuk kumboi gëzimi i fitores…po plumbi…Ah, ai plumb, të goditi Ty, vëllai ynë i vogël, Çelo, po i dhëmbi gjithë brigadës partizane. Na u dhimbe në shpirt Çelo xhani. Shokët e Brigadës, ku ti luftove si trimat për Çlirimin e Shkodrës, të thurën vargjet e këngës:

Çelos, djaloshit të ri,

Buzëqeshjen në liri,

Ia preu një plumb i zi!

(Marrë nga libri “Yje të Pashuar”)

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here