Home Opinion Opozitë e dëshpëruar, ngre kauza të paqena

Opozitë e dëshpëruar, ngre kauza të paqena

50
0
SHARE

Fjala e ministres së Drejtësisë, znj. Etilda Gjonaj mbajtur në interpelancën e thirrur nga krerët e grupeve parlamentare të PD dhe LSI në seancën e Kuvendit të Shqipërisë:

Të nderuar deputetë, Të nderuar qytetarë!

Loading...

Jam thirrur, në këtë interpelancë, jo për një çështje ligjore  e as për një debat ligjor, por për një motiv të mirëfilltë politik të kujtdo ka kërkuar paraqitjen time këtu! Por, kur e kam marrë këtë detyrë kam pasur edhe unë motivin tim të mirëfilltë politik. Kështu që, më shumë se sa  për të përballur argumentet ligjore, ky është një rast i mirë  për të përballur motivet, edhe  pse jemi përballë njeri-tjetrit, në këtë rast.

Ju, jeni përballe meje, sepse kërkoni një kauzë që nuk e keni; një konflikt që nuk e shmangni dot;  një arsye të radhës për një sherr të radhës.

Unë, përballë jush jam këtu sot, sepse kam kauzën e kësaj qeverie  që është reformimi i drejtësisë dhe jam në konflikt me ju, pikërisht, sepse ju jeni në konflikt me reformën në drejtësi, jo thjesht me qeverinë.

Kur kam nisur, të jap kontributin tim për Reformën në Drejtësi nuk isha as ministre, as deputete,  as aktiviste partie.  Isha thjesht  një eksperte me qëllim të mirë dhe besoja fort tek nevoja ulëritëse, e kësaj reforme.

Motivi im ishte qytetar  dhe profesional. Rrugës, duke parë, se si politika juaj  u kthye në armë  kundër Reformës në Drejtësi  dhe ju, në ushtarë të një beteje  pa asnjë parim profesional e qytetar, kundër Reformës në Drejtësi,  motivi im, për t’u përballur me ju u bë edhe politik.

Sepse politika në fund të fundit, për këtë vlen,  për t’u bashkuar me ata që mendojnë si ti  kundër atyre që i bien ndesh bindjeve të tua. Për ta bërë më sukses avokatinë e veprimeve të mia ligjore në rastin konkret, nuk duhet as diploma e drejtësisë dhe as ndonjë mundim i veçantë. Diplomën e kam dhe mundimit të veçante nuk ia përtoj. Por, në këtë rast duhet vetëm një sens drejtësie, që unë e kam brenda motivit tim politik ndërsa juve, fatkeqësisht, motivi politik jua përjashton si pikë referimi qysh prej ditës që kundërshtuar Reformën në Drejtësi, që kundërshtuat Vetingut dhe çdo ndryshimi të sistemit të kalbur të drejtësisë që Ne përmbysim hap pas hapi!

Por, natyrisht, qytetarët meritojnë të dinë edhe faktet kokëforta të ngritura prej jush, si një furtunë e radhës në gotën e dëshpërimit, ku prej kohësh ju ka zhytur Reforma në Drejtësi.

Të nderuar qytetarë! Ky, është precedenti i parë për një kërkesë të tillë për një interpelancë për një çështje të tillë. Ministria e Drejtësisë vepron vetëm në bazë të akteve ligjore shqiptare dhe atyre ndërkombëtare në fuqi dhe për rastin në fjalë është ndjekur, me përpikëri, e njëjta procedurë ligjore e shumë dhe shumë rasteve te mëparshme, e shumë e shumë vite, për ekstradimin e shtetasve në Republikën e Italisë.

Në cilësinë e Ministres së Drejtësisë, edhe unë, kam zbatuar si të gjithë paraardhësit e mi – përfshirë edhe ata që sot motivi politik kundër Reformës në Drejtësi i ka ngritur kundër meje – një vendim gjykate të formës së prerë, të përcjellë nga Prokuroria e Përgjithshme, për lejimin e ekstradimit të një personi shumë të kërkuar nga Prokuroria e Catanias. Kujtoj, për të gjithë ju, se bëhet fjalë për të njëjtën prokurori, që akuzuesit e mi sot, e ngritën në qiell para disa muajsh si të ishte dora e vetë Perëndisë në hetimin e një grupi kriminal famëkeq me emrin grupi i Habilajve!

Sqaroj, po ashtu se, Ministria e Drejtësisë vepron dhe disponon ekstradimin vetëm në bazë të një vendimi gjykate dhe vetëm në bazë dokumentacionit që verifikon prokuroria dhe gjykata. Nuk mund të kryejë kurrsesi veprime hetimore, verifikuese apo gjykuese dhe aq më tepër të vërë në diskutim zbatimin e vendimit të një gjykate. Vendim, i cili e përcakton qartë se nuk ekziston asnjë pengesë ligjore për të mos lejuar ekstradimin e këtij personi. Ligjet dhe konventat e ratifikuara e diktojnë mjaft qartë këtë, ashtu sikundër nuk lënë asnjë shteg për asnjë interpretim për pozicionin dhe detyrat e Ministrit të Drejtësisë në trajtimin e kërkesave për ekstradim.

Në këtë rast, unë si ministre e Drejtësisë nuk kam vepruar as më shumë dhe as më pak nga paraardhësit e mi, si ju zoti Alibeaj, zoti Manjani, zoti Vasili, zoti Naço, zoti Halimi, zoti Bardhi, apo edhe zoti Nishani; disa ndër të cilët për mos çudinë time, kanë hedhur lumë akuzash ndaj meje, apo ndonjëri prej tyre ka marrë përsipër të bëhet krejt qesharak, duke hedhur qorrazi poshtë të tërë ngrehinën e jurisprudencës lidhur me ekstradimet.

As nuk e diskutoj që nëse cilido prej emrave që përmenda më lart, do të thirrej ta gjykonte motivin e interpelancës suaj si një tezë provimi, nuk do të ngurronte t’i jepte notë jokaluese në vitin e parë të studimeve për Drejtësi. Kur gjykata ka lejuar ekstradimin, siç ka bërë edhe në këtë rast, ju, përfshirë edhe ju z. Alibeaj, nuk keni kryer asnjë veprim më tepër, por keni disponuar ekstradimin mbi atë vendim gjykate që ju është vendosur në dispozicion.

Tani, pyetja e thjeshtë që lind është çfarë kërkoni nga unë, përveç sebepit të ri politik thjesht për bërë një sherr të radhës dhe një zhurmë politike?

Ju e dini shumë mirë se ky, është një sebep i krijuar nga hiçi. Por njësoj si unë edhe çdo qytetar i vëmendshëm ndaj politikës pas shpërthimit të konfliktit politik për Reformën në Drejtësi, e di po aq mirë sa ju se nuk është sensi i së drejtës, as ndërgjegjja e ligjit, po frika nga drejtësia që i krijon sebepet tuaja për konflikte! E meqë po flasim për frikën, mesa duket ajo nuk është edhe aq e centralizuar në majën e kupolës suaj, as edhe aq abstrakte për ndonjërin nga ju, juristët e motivuar politikisht kundër reformës. Sepse duke studiuar për këtë interpelancë, zbulova e çuditur në dosjet tuaja xhevahire të ekstradimeve nga ato që meritojnë hetim të thelluar, veçanërisht kur ekstradonit ndonjë personazh të zonave tuaja elektorale! Dhe pashë thellë e më thellë e kuptova qartë e më qartë, se kjo Reforma që për mua e për ne është vizion i të ardhmes për Shqipërinë, për disa nga ju është vërtet makth i të nesërmes për vetveten!

Kam dëgjuar këto ditë, lloj e soj çudirash, deri edhe, që Ministria e Drejtësisë paska një database elektronik që mund të verifikoka nëse një person ka masë sigurimi apo nëse po hetohet nga ndonjë prokurori. Por ju lutem, të paktën ju ish ministrave të Drejtësisë, tregohuni të ndershëm para syve të qytetarëve, se jo vetëm që nuk keni lënë trashëgim ndonjë database të tillë, por përkundrazi, keni lënë pas në atë ministri sisteme të tenderuara në mënyra ekstraligjore që sot nuk funksionojnë.

Sidoqoftë, dëshiroj t’ju siguroj, ju çudithënësve dhe opozitën e tërë, se shqiptarët e kuptojnë mjaft mirë që shtetasi as nuk është liruar, e as nuk ka shkuar për pushime,  por i është dorëzuar organeve italiane të drejtësisë. Të cilët, kanë vendosur arrest në burg pa afat për shtetasin dhe sot ndodhet në qeli. Ju, që keni drejtuar Ministrinë e Drejtësisë për 12 vjet, duhet ta dini, se kur ndaj një personi ka procedim penal në dy apo më shumë shtete, edhe në rastin e ekzekutimit të një letërporosie,  në kuadrin e një hetimi të përbashkët, përparësi i jepet shtetit ku ndodhen provat më të shumta, përparësi i jepet ku hetimet janë më të avancuara dhe në shtetin ku janë kryer tërësisht veprat penale, ku ndodhet e gjithë banda. (prot II shtesë i Konventës Evropiane për ndihmë të ndërsjelltë, Neni 9 i konventës se OKB-së për luftën kundër krimit ndërkombëtar)

Në çdo rast, prokuroria jonë ka të gjithë garancitë dhe instrumentat ligjore që të bashkëpunojë më autoritetet italiane për hetime të përbashkëta për luftën kundër krimit të organizuar ndërkombëtar. Ashtu si edhe për procedimin e famshëm të hapur këtu, prokuroria po ndjek të njëjtat mjete e procedura ligjore për të marrë provat hetimore nga Prokuroria Antimafia. Në rast se doni të vërtetën,  atëherë kush më mirë se Gjykata dhe Prokuroria e Catanias  e cila ka kryer hetime për rreth 4 vjet, ka hartuar me mijëra faqe transkriptime të përgjimeve dhe është në një fazë shumë të avancuar të hetimeve, është në gjendje për të zbardhur të vërtetën?!

Në rast se doni të vërtetën, atëherë nuk duhet të shqetësoheni se në fund të fundit, unë Ministri i Drejtësisë i hoqa nga kthetrat e Prokurorisë së kapur nga Kryeministri, një dëshmitar të rëndësishëm dhe ja dërguam Prokurorisë  Antimafia italiane  që ju e përdoret si refren,  për javë të tëra!

Kështu, në rast se doni të vërtetën, duhet të thoni një Bravo të madhe, se Prokuroria e Catanias do të nxjerrë në pah të vërtetën e pandikuar  nga drejtësia e kapur nga kjo maxhorancë.

Shpresoj që nuk do të keni guximin që të deklaroni  që qeveria do të vërë në  kthetra  Gjykatën dhe prokurorinë e Catania-s  dhe do të kapë edhe sistemin e drejtësisë italiane. Të njëjtën gjë  që deklarohet nga ju  çdo ditë e më shumë  për prokurorinë shqiptare. Atëherë, si ka mundësi që ndërkohe që sulmoni papushim Prokurorinë dhe Prokurorin e përgjithshëm, më kërkoni mua hesap se pse i ekstraduari nuk u la në duart e kësaj prokurorie, po u la në duart e prokurorëve të Antimafias italiane?!  Ka vetëm një mundësi  dhe asnjë tjetër:  Motivi juaj i mbrapshtë politik! I njëjti motiv politik që ju ka yshtur deri në shpifje për Ministrinë e Drejtësisë dhe mua personalisht.

Motivi i frikës nga drejtësia e re që po ju bën përditë  e më të dëshpëruar dhe qesharake  në sytë e shqiptarëve.  Të cilët  e dëgjuan Ministrin e Drejtësisë Italiane,  që nënvizoi rëndësinë e këtij ekstradimi në kuadër të hetimit të rëndësishëm ndaj një organizate kriminale  që vepronte në fushën e lëndëve narkotike,  në linjat italo-shqiptare (një krim transnacional). Shkurt fjala, ju kërkoni llogari sot pse një i ekstraduar  është në duart  e Prokurorisë Antimafia të Italisë! Dhe unë ketë llogari sapo jua dhashë, me kënaqësinë që nuk jam si ju, në anën e të tremburve nga drejtësia, po jam pjesë e një qeverie dhe shumice parlamentare që do t’u japë shqiptarëve drejtësinë që duan e meritojnë prej kaq shume vitesh!

 

Ndërhyrja  e dytë në interpelancë e znj. Gjonaj:

 

Orvatjet e juaja të dëshpëruara pa asnjë lloj argumenti ligjor dhe jo vetëm për ekstradimin e të shumëkërkuarit nga Italia tregojnë gjendjen e mjerueshme të opozitës, e cila kapet si i mbyturi pas fijes së barit.

Sa më shumë përpjekje kryhen për të ngritur organet e reja të sistemit të drejtësisë, aq shumë ju i rrisni tonet e dëshpërimit tuaj kundër sistemit, kundër ndërkombëtarëve, kundër Prokurorisë, kundër Prokurorit të Përgjithshëm, kundër Edi Ramës, kundër Qeverisë edhe kundër meje si Ministre e Drejtësisë.

Dhe sa më shumë shtrëngohet laku i reformës në drejtësi, aq më shumë dëgjohen shkulmet e dëshpërimit tuaj, kundër reformës, kundër organeve të reja të drejtësisë. Zoti Alibeaj është e thjeshtë, është e thjeshtë edhe për shqiptarët, reforma në drejtësi ka filluar zbatimin e saj, i asaj reforme që ju i jeni kundërvënë që në krye të herës, që në fillimet e saj, duke u bërë pengesë me lloj e lloj mjetesh e lloj e soj makinacionesh për ta ndalur.

Por, fatkeqësisht për ju, reforma e ka nisur rrugëtimin e saj, të pandalshëm. Pushteti gjyqësor po rrëshket nga duart e politikanëve në duart e atyre që duhet ta kishin që në fillim, gjyqtarët e prokurorët e ndershëm. Ju mund të vazhdoni të hidhni baltë mbi mua, por nuk keni për të më ndaluar dot as mua, as Qeverinë dhe as qytetarët në të bërin e gjësë së duhur për ta çuar në vend peshoren e drejtësisë! Faleminderit!

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here