Home Aktualitet Aksion për bllokimin e pikave të grumbullimit të mbetjeve

Aksion për bllokimin e pikave të grumbullimit të mbetjeve

86
0
SHARE

Në përgjigje të shqetësimit të ardhur nga banorët e kryeqytetit, Bashkia e Tiranës dhe Ministria e Turizmit dhe Mjedisit kanë vijuar aksionin e tyre për bllokimin e të gjitha pikave të grumbullimit të mbetjeve të automjeteve dhe metaleve të tjera, që nuk plotësojnë kriteret mjedisore dhe sjellin rrezik për jetën e qytetarëve. Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi dhe nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku, inspektuan sot një nga pikat e grumbullimit të mbetjeve që funksiononte në Rr. “Siri Kodra”, një nga zonat më të populluara të Tiranës.

Ministri i Turizmit dhe i Mjedisit, Blendi Klosi, deklaroi se po evidentohen të gjitha pikat e grumbullimit të mbetjeve, të cilat janë hapur në kundërshtim me kriteret mjedisore dhe që e zhvillojnë aktivitetin e tyre brenda zonave të banuara. “Këtë aksion e kemi ndërmarrë për të pastruar qytetet tona. Nuk është aksion vetëm në Tiranë, por do të zhvillohet në të gjithë Shqipërinë. Krahas evidentimit të problematikave të këtyre pikave të grumbullimit të mbetjeve, po shqyrtojmë dhe kemi në miratim kriteret e reja”, tha Klosi, teksa siguroi se ky aksion vjen si përgjigje ndaj shqetësimit të qytetarëve.

Loading...

Ai u shpreh se këto biznese do të duhet të zhvillohen jashtë qendrave të banuara, duke shtuar se do t’i jepet fund guroreve dhe mbetjeve që ndotin. “Kjo është edhe një përgjigje për batarenë që mbështet paligjshmërinë. Në fillim erdhi nga Saliu, i cili mbronte guroret e paligjshme në të gjithë Shqipërinë, të cilat po i mbyllim, po i evidentojmë dhe do nxjerrim kriteret e reja mbi të cilat do të zhvillohet biznesi i tyre. Sot erdhi mbështetja e Lulit për pisllëkun e qytetit. Jo! Nuk do të lejojmë as batarenë e guroreve, as papastërtinë që i vjen qyteteve nga guroret, por as luftën kundër zhulit në Tiranë nuk do ta ndërpresim. Jemi këtu për çdo shqetësim të qytetarëve, për të mbështetur organet ligjzbatuese, për të mbështetur biznesin e ndershëm, i cili mund t’i zhvillojë bizneset me kriteret e lejeve mjedisore në përputhje me kushtet me të cilat ndërtohen këto biznese në gjithë vendet normale europiane dhe padyshim zhvillimin e këtyre bizneseve larg zonave të banuara, pasi është e pafalshme që qyteti të bashkëjetojë me plehrat”, tha Klosi.

Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku tha se është e papranueshme, si nga ana estetike, ashtu edhe e dëmshme për jetën e banorëve, që hapësira brenda lagjeve të banuara të kthehen në varreza hekurishtesh apo mbetjesh të tjera urbane. “Jam i sigurt se edhe zoti Basha, që sot përmendi këto raste, në Holandë, ku edhe ka shansin të shkojë shpesh, nuk ka parë njerëz të cilët shpenzojnë një pjesë të madhe të jetës së tyre brenda kazanëve të plehrave, duke u përpjekur të marrin mbetjet dhe më pas i grumbullojnë në pika të tilla brenda zonave urbane. Ky është një akt jo vetëm joevropian, jo vetëm i rrezikshëm për shëndetin e banorëve, por është një çështje që në mënyrë të vazhdueshme banorët e Tiranës, edhe nëpërmjet portalit të bashkëqeverisjes, e kanë denoncuar si një problem për qytetin e tyre dhe për mënyrën dhe mundësinë për të funksionuar si një qytet normal”, tha nënkryetari Mazniku.

Ai shprehu vendosmërinë e Bashkisë së Tiranës për të mos lejuar grumbullimin mbetjeve në mënyrë antiligjore në zonën urbane dhe pa plotësuar kriteret mjedisore. “Këto pika kthehen në vatra rrezikshmërie për shëndetin, kthehen në pika, të cilat janë plotësisht jo formale nga këndvështrimi fiskal dhe mjedisor dhe çfarë është më problematikja, nuk na japin mundësinë që të krijojmë një sistem të mirë për funksionimin dhe pastrimin e qytetin”, u shpreh Mazniku.

Nënkryetari i bashkisë theksoi se aktivitete të tilla përveç problematikës që shkaktojnë në aspektin mjedisor, bëjnë të pamundur edhe krijimin e një sistemi të organizuar të pastrimit të qytetit. “Krahasuar me dy vjet e gjysmë më parë, kur këtë qytet e drejtonte zoti Basha, sot qyteti është më i pastër, plehrat mblidhen më sistematikisht dhe jeta e qytetarit është përmirësuar. Por, që të kemi mundësi ta bëjmë këtë në mënyrë të strukturuar dhe sistematike, na duhet që këto pika, të cilat funksionojnë në mënyrë të paligjshme dhe që janë një rrezik për shëndetin e qytetarëve, s’duhet të funksionojnë më”, tha ai.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here